Kapitulli 12
Abinadi burgoset pasi profetizoi shkatërrimin e popullit dhe vdekjen e mbretit Noe—Priftërinjtë e rremë citojnë shkrimet e shenjta dhe bëjnë sikur zbatojnë ligjin e Moisiut—Abinadi fillon t’u mësojë atyre Dhjetë Urdhërimet. Rreth 148 para K.
1 Dhe ndodhi që pas hapësirës së dy vjetëve Abinadi erdhi mes tyre i maskuar, që ata nuk e njohën dhe filloi të profetizonte mes tyre, duke thënë: Kështu më ka urdhëruar Zoti, duke thënë—Abinadi, shko dhe profetizo te ky populli im, pasi ata kanë ngurtësuar zemrat e tyre kundër fjalëve të mia; ata nuk janë penduar për punët e tyre të liga; prandaj unë do t’i vizitoj ata në zemërimin tim, po, në zemërimin tim të rreptë do t’i vizitoj ata për paudhësitë dhe neveritë e tyre.
2 Po, mjerë ky brez! Dhe Zoti më tha: Shtrije dorën tënde dhe profetizo, duke thënë: Kështu thotë Zoti, do të ndodhë që ky brez, për shkak të paudhësive të tyre do të sillen në robëri dhe do të goditen në faqe; po, dhe do të dëbohen nga njerëzit dhe do të vriten; dhe hutat e ajrit dhe qentë, po, dhe kafshët e egra, do të përpijnë mishin e tyre.
3 Dhe do të ndodhë që jeta e mbretit Noe do të vlerësohet madje si një plaçkë në një furrë të nxehtë; pasi ai do të dijë se unë jam Zoti.
4 Dhe do të ndodhë që unë do ta qëlloj këtë popullin tim me mjerime të rënda, po, me zi buke dhe me epidemi dhe do të bëj që ata të ulërijnë gjithë ditën e ditës.
5 Po, dhe unë do të bëj që ata të kenë barra të lidhura mbi shpinat e tyre dhe ata do të dëbohen si një gomar pa gojë.
6 Dhe do të ndodhë që unë do të bëj që mbi ta të bjerë breshër dhe ai do t’i godasë ata; dhe do të goditen nga era e lindjes; dhe insektet gjithashtu do të mbulojnë tokën e tyre dhe do të përpijnë drithin e tyre.
7 Dhe ata do të goditen nga një epidemi e madhe—dhe të gjithë këtë unë do ta bëj për shkak të paudhësive dhe neverive të tyre.
8 Dhe do të ndodhë që në qoftë se ata nuk pendohen, unë do t’i shkatërroj plotësisht nga faqja e dheut; por, ata do të lënë një anal pas tyre dhe unë do ta ruaj atë për kombet e tjera që do të zotërojnë tokën; po, madje këtë unë do ta bëj që të mund t’i zbuloj neveritë e këtij populli te kombet e tjera. Dhe shumë gjëra profetizoi Abinadi kundër këtij populli.
9 Dhe ndodhi që ata u zemëruan me të; dhe e morën atë dhe e çuan të lidhur para mbretit, dhe i thanë mbretit: Shiko, ne kemi sjellë një njeri para teje, i cili ka profetizuar të këqija në lidhje me njerëzit e tu dhe thotë se Perëndia do t’i shkatërrojë ata.
10 Dhe gjithashtu ai profetizoi të këqija në lidhje me jetën tënde dhe thotë se jeta jote do të jetë si një plaçkë në një furrë zjarri.
11 Dhe përsëri ai thotë se ti do të jesh si një kërcell, madje si një kërcell i tharë i fushës, që shkelet nga kafshët dhe shtypet nën këmbë.
12 Dhe përsëri ai thotë se ti do të jesh si lulet e një gjembaçi i cili kur është krejtësisht i bërë, në qoftë se fryn era, e merr dhe e rrokullis mbi faqe të dheut. Dhe ai pretendon se Zoti e ka thënë atë. Dhe ai thotë se e gjitha kjo do të vijë mbi ty, në qoftë se ti nuk pendohesh dhe kjo për shkak të paudhësive të tua.
13 Dhe tani, O mbret, ç’të keqe të madhe ke bërë ose ç’mëkate të mëdha ka bërë populli yt, që ne duhet të dënohemi nga Perëndia ose të gjykohemi nga ky njeri?
14 Dhe tani, O mbret, shiko, ne jemi të pafajshëm, dhe ti, O mbret, nuk ke mëkatuar; prandaj, ky njeri ka gënjyer në lidhje me ty dhe ai ka profetizuar më kot.
15 Dhe vër re, ne jemi të fortë, ne nuk do të bëhemi robër ose të merremi skllevër nga armiqtë tanë; po, dhe ti ke përparuar në tokë dhe ti gjithashtu do të përparosh.
16 Vër re, ja ku është njeriu; ne e dorëzojmë në duart e tua; ti mund të bësh me të si të duket ty mirë.
17 Dhe ndodhi që mbreti Noe bëri që Abinadi të futej në burg; dhe ai urdhëroi që priftërinjtë të mblidheshin së bashku, që ai të mund të mbante me ta një këshill, se ç’të bënte me të.
18 Dhe ndodhi që ata i thanë mbretit: Sille këtu, që ne të mund ta pyesim atë; dhe mbreti urdhëroi që ai të sillej para tyre.
19 Dhe ata filluan ta pyesnin, që ta kapnin atë me fjalë; kështu që të kishin përse ta akuzonin; por ai u përgjigj me guxim dhe i përballoi të gjitha pyetjet e tyre, po, për çudinë e tyre; pasi ai u bëri ballë atyre në të gjitha pyetjet e tyre dhe i ngatërroi ata në të gjitha fjalët e tyre.
20 Dhe ndodhi që njëri prej tyre i tha atij: Ç’kuptim kanë fjalët që janë shkruar dhe të cilat na janë mësuar nga etërit tanë, që thonë:
21 Sa të bukura janë mbi male këmbët e atij që sjell lajme të mira; që njofton paqe; që sjell lajme të bukura për të mirë; që shpall shpëtim; që i thotë Sionit, Perëndia Yt mbretëron;
22 Rojat e tua do të ngrejnë zërin; me zë së bashku ata do të këndojnë; pasi ata do të shohin sy për sy kur Zoti do të sjellë përsëri Sionin;
23 Shpërtheni në gëzim; këndoni së bashku ju vende të humbura të Jeruzalemit; pasi Zoti e ka qetësuar popullin e tij, ai e ka shëlbuar Jeruzalemin.
24 Zoti ka zhveshur krahun e tij të shenjtë në sytë e të gjitha kombeve dhe të gjitha skajet e tokës do të shohin shpëtimin e Perëndisë sonë?
25 Dhe tani Abinadi u tha atyre: A jeni ju priftërinj dhe pretendoni se e mësoni këtë popull dhe se kuptoni shpirtin e profetizimit, dhe megjithatë, doni të dini prej meje se ç’duan të thonë këto gjëra?
26 Unë po ju them juve, mjerë ju që keni përdhosur udhët e Zotit! Pasi, në qoftë se ju i kuptoni këto gjëra, ju nuk i keni mësuar ato; prandaj, keni përdhosur udhët e Zotit.
27 Ju nuk i keni përdorur zemrat tuaja që të kuptoni; prandaj ju nuk keni qenë të urtë. Prandaj ç’i mësoni ju këtij populli?
28 Dhe ata thanë: Ne i mësojmë ligjin e Moisiut.
29 Dhe përsëri, ai u tha atyre: Në qoftë se ju u mësoni ligjin e Moisiut, pse nuk e zbatoni atë? Pse ia keni kushtuar zemrat tuaja pasurive? Pse bëni lavirësi dhe shpenzoni fuqinë tuaj me lavire, po, dhe e bëni këtë popull të bëjë mëkate, që Zoti të ketë shkak të më dërgojë mua për të profetizuar kundër këtij populli, po, madje një të keqe të madhe kundër këtij populli?
30 A nuk e dini ju se unë them të vërtetën? Po, ju e dini se unë them të vërtetën; dhe ju duhet të dridheni para Perëndisë.
31 Dhe do të ndodhë që ju do të qëlloheni për paudhësitë tuaja, pasi ju keni thënë se u mësoni ligjin e Moisiut. Dhe ç’dini ju në lidhje me ligjin e Moisiut? A vjen shpëtimi me anë të ligjit të Moisiut? Ç’thoni ju?
32 Dhe ata u përgjigjën dhe thanë se shpëtimi vinte nëpërmjet ligjit të Moisiut.
33 Por tani, Abinadi u tha atyre: Unë e di, në qoftë se zbatoni urdhërimet e Perëndisë, ju do të shpëtoheni; po, në qoftë se zbatoni urdhërimet që Zoti i dha Moisiut në malin Sinai, duke thënë:
34 Unë jam Zoti, Perëndia yt që të nxori ty nga toka e Egjiptit, nga shtëpia e robërisë.
35 Ti nuk do të kesh tjetër Perëndi para meje.
36 Ti nuk do të bësh nga vetja ndonjë skulpturë, ose ndonjë shëmbëlltyrë të ndonjë gjëje lart në qiell, ose të gjërave që janë poshtë në tokë.
37 Tani Abinadi u tha atyre, I keni bërë ju të gjitha këto? Unë ju them juve, Jo, nuk i keni bërë. Dhe a i keni mësuar këtij populli se ata duhet t’i bëjnë të gjitha këto gjëra? Unë ju them juve, Jo, ju nuk e keni bërë.