Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini
Kush jam unë?


“Kush jam unë?” Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini: Individët (2020)

“Kush jam unë?” Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini: Individët

Kush jam unë?

Ti je një Fëmijë i Perëndisë

Mënyra si e përkufizon veten mund të ndryshojë gjatë gjithë jetës sate, por së pari dhe më e rëndësishmja, ti je një fëmijë i dashur i Perëndisë. Ai është Ati i shpirtit tënd (shih Numrat 16:22; 27:16; Hebrenjve 12:9).

Në jetën tonë në vdekshmëri, mund të na jepen ose t’i vëmë vetes shumë etiketime. Disa etiketime mund të përshkruajnë përkatësitë ose një fazë të jetës dhe etiketime të tjera pasqyrojnë karakteristikat fizike si “i gjatë”, “i shkurtër”, “zeshkan”, “tullac” ose “flokëkuq”.

Etiketimet kanë ndikim. Presidenti Tomas S. Monson përshkroi përvojën e tij të drejtpërdrejtë me ndikimin e etiketimeve:

“Ndonjëherë qytetet dhe kombet mbajnë etiketime të veçanta të identitetit. I tillë ishte një qytet i ftohtë dhe shumë i vjetër në Kanadanë lindore. Misionarët e quanin ‘Kingstoni i Ngurtë’. Në gjashtë vjet atje kishte pasur vetëm një të kthyer në besim në Kishë edhe pse misionarët ishin caktuar vazhdimisht atje gjatë gjithë intervalit. Askush nuk pagëzonte në Kingston. …

Ndërsa po lutesha dhe përsiatja për këtë dilemë të trishtë, pasi përgjegjësia ime asokohe si president misioni kërkonte që të lutesha dhe të përsiatja për të tilla gjëra, bashkëshortja ime më tërhoqi vëmendjen te një pjesë e shkëputur nga libri A Child’s Story of the Prophet Brigham Young [Historia e një Fëmije e Profetit Brigam Jang] nga Deta Petersen Neeley (Salt Lake City: Deseret News Press, 1959, f. 36). Ajo lexoi me zë të lartë se Brigam Jangu hyri në Kingston të Ontarios, në një ditë të ftohtë dhe plot dëborë. Ai shërbeu atje rreth tridhjetë ditë dhe pagëzoi dyzet e pesë shpirtra. Ja ku ishte përgjigjja. Nëse misionari Brigam Jang mund ta përmbushte këtë korrje, edhe misionarët e sotëm mundeshin.

Pa dhënë shpjegim, i tërhoqa misionarët nga Kingstoni, në mënyrë që cikli i humbjes të mund të prishej. Pastaj qarkulluan me kujdes fjalët: ‘Shpejt do të hapet një qytet i ri për punën misionare, madje qyteti ku Brigam Jangu profetizoi dhe pagëzoi dyzet e pesë persona brenda tridhjetë ditëve’. Misionarët hodhën ide të ndryshme për vendndodhjen. Në letrat e tyre të përjavshme luteshin që të caktoheshin në këtë Shangri-la [parajsë mitike]. Kaloi më shumë kohë. Më pas katër misionarë të përzgjedhur me kujdes – dy prej tyre të rinj, dy prej tyre me përvojë – u zgjodhën për këtë aventurë të madhe. Anëtarët e degës së vogël u zotuan për përkrahjen e tyre. Misionarët u zotuan për jetën e tyre. Zoti i nderoi të dyja palët.

Në hapësirën e tre muajve, Kingstoni u bë qyteti më i frytshëm i Misionit të Kanadasë. Ndërtesat gëlqerore gri ende ishin atje, qyteti nuk e kishte ndryshuar pamjen e tij, popullsia mbeti e njëjtë. Ndryshimi ishte te qëndrimi. Etiketimi i dyshimit iu dorëzua etiketimit të besimit” (“Labels”, Ensign, nëntor 1983, f. 19–20).

Gjatë gjithë jetës sonë, aspektet e identiteteve tona ndryshojnë. Në mënyrë të pashmangshme ne ndryshojmë nga të rinj në të moshuar. Këndvështrimet tona mund të ndryshojnë dhe, bashkë me ato këndvështrime, ne mund të ndryshojmë përkatësitë tona.

Identiteti ynë mund të ketë batica, por ka një aspekt të njeriut që jemi, i cili është përjetësisht i pandryshueshëm: ne do të jemi gjithmonë fëmijët e Perëndisë.

Identiteti dhe Etiketimet

Ne duhet të tregojmë kujdes në mënyrën se si e etiketojmë veten. Etiketimet duhet të përdoren duke u menduar mirë dhe me udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë. Etiketimet mund të ndikojnë në mënyrën se si mendojmë për veten dhe si na trajtojnë të tjerët dhe mund ta zgjerojnë ose kufizojnë aftësinë tonë për ta ndjekur planin e Perëndisë për lumturinë tonë. Etiketimet mund të ndikojnë në synimet tona, ndjenjën tonë për identitetin dhe te njerëzit që i quajmë miq. Nëse etiketimet e pengojnë përparimin tonë të përjetshëm, ne mund të zgjedhim që t’i ndryshojmë ato. Presidenti Dallin H. Ouks shpjegoi:

“Mendoj se është një pohim i saktë të thuash se disa njerëz i konsiderojnë ndjenjat e tërheqjes ndaj së njëjtës gjini si fakt përcaktues i ekzistencës së tyre. … Ne kemi lirinë e zgjedhjes për të zgjedhur se cilat karakteristika do të na përcaktojnë; ato zgjedhje nuk i kemi të detyruara.

Fakti përfundimtar përcaktues për të gjithë ne është se jemi fëmijë të Prindërve Qiellorë, të lindur në këtë tokë për një qëllim dhe të lindur me një fat hyjnor. Kurdoherë që ndonjëri prej atyre nocioneve të tjera, cilido qoftë ai, e pengon atë fakt përfundimtar përcaktues, atëherë është shkatërrues dhe na çon në udhën e gabuar” (intervistë me Plakun Dallin H. Ouks dhe Plakun Lens B. Uikmen: “Same-Gender Attraction” [2006]).

Nëse një person përjeton tërheqje ndaj së njëjtës gjini, ai ose ajo mund të zgjedhë nëse do të përdorë një etiketim për identitetin seksual. Identifikimi i vetes si gej ose lesbike nuk është kundër rregullores ose doktrinës së Kishës; megjithatë, mund të ketë pasoja të padëshiruara te mënyra se si trajtohet dikush. Asnjë pasues i vërtetë i Krishtit nuk justifikohet kur nuk jep dashuri për shkak se ju vendosni të identifikoheni në këtë mënyrë.

Presidenti Rasëll M. Nelson na kujtoi: “Një ditë ju do të pyeteni a e morët mbi vete emrin e Krishtit dhe a ishit besnikë ndaj asaj besëlidhjeje” (“Identity, Priority, and Blessings”, Ensign, gusht 2001, f. 10).

Ashtu siç e shprehu Pali: “Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur. Nuk ka as Jude, as Grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin” (Galatasve 3:27–28).

Një ditë, në fund të këtij udhëtimi të shkurtër në vdekshmëri, ne do të kthehemi në praninë e Prindërve tanë Qiellorë. Një ditë, të gjitha etiketimet e tjera do të përpihen nga identiteti ynë i përjetshëm si fëmijë të Perëndisë.