Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini
A më do Perëndia?


“A më do Perëndia?” Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini: Individët (2020)

“A më do Perëndia?” Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini: Individët

A më do Perëndia?

Perëndia të Do Plotësisht

Presidenti Diter F. Uhtdorf e përshkroi dashurinë e Perëndisë:

“Perëndia nuk shikon pamjen e jashtme. Unë besoj se Ai nuk e ka për gjë nëse ne jetojmë në një kështjellë apo shtëpizë, nëse jemi të pashëm apo të rëndomtë, nëse jemi të famshëm apo të harruar. Edhe pse jemi të paplotë, Perëndia na do plotësisht. Edhe pse jemi të papërsosur, Ai na do përsosurisht. Edhe pse mund të ndihemi të humbur e pa busull, dashuria e Perëndisë na mbështjell tërësisht.

Ai na do sepse është i mbushur me një masë të pafundme dashurie të shenjtë, të pastër dhe të papërshkrueshme. Ne jemi të rëndësishëm për Perëndinë jo për shkak të jetëshkrimit (C.V.) tonë por sepse jemi fëmijët e Tij. Ai e do secilin prej nesh” (“Dashuria e Perëndisë”, Liahona, nëntor 2009, f. 22–23).

Perëndia na do të gjithëve. Ai i do njerëzit e besimeve të ndryshme dhe ata pa asnjë lloj besimi. Ai i do ata që vuajnë. Ai i do të pasurit dhe të varfrit njëlloj. Ai i do njerëzit e çdo race dhe kulture, të martuarit ose beqarët, si dhe ata që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini ose që identifikohen si gej, lesbike apo biseksualë. Dhe Perëndia pret nga ne që ta ndjekim shembullin e Tij.

Perëndia e dha Birin e Tij për Ty

“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16).

Asgjë nuk e tregon më tërësisht thellësinë dhe shtrirjen e dashurisë së Perëndisë sesa gatishmëria e Tij për të sakrifikuar Birin e Vet që ne, fëmijët e Tij, të mund ta mposhtim vdekjen dhe të na ofrohet jeta e përjetshme.

Asgjë nuk e shpreh më mirë dashurinë e Jezu Krishtit sesa gatishmëria e Tij për të dhënë jetën e Vet që të shlyejë për mëkatet e njerëzimit, që të dëmshpërblejë për të gjithë vuajtjen e padrejtësinë dhe që të zgjidhë rripat e vdekjes për të gjithë (shih Alma 7:11–13).