Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini
Çfarë është Shlyerja e Jezu Krishtit dhe si më ndihmon ajo mua?


“Çfarë është Shlyerja e Jezu Krishtit dhe si më ndihmon ajo mua?” Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini: Individët (2020)

“Çfarë është Shlyerja e Jezu Krishtit dhe si më ndihmon ajo mua?” Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini: Individët

Çfarë është Shlyerja e Jezu Krishtit dhe si më ndihmon ajo mua?

Përse na Nevojitet Shlyerja e Jezu Krishtit

Si pasardhës të Adamit dhe Evës, të gjithë njerëzit trashëgojnë pasojat e Rënies. Në gjendjen tonë të rënë, ne i nënshtrohemi kundërshtisë dhe tundimit. Kur i jepemi tundimit, ne e tëhuajmë veten nga Perëndia dhe, nëse vazhdojmë në mëkat, ne e humbasim shoqërimin dhe ndikimin e Shpirtit të Tij, Frymën e Shenjtë, në jetën tonë.

E vetmja mënyrë se si të shpëtohemi është që të na shpëtojë dikush. Ne kemi nevojë për dikë që mund t’i kënaqë kërkesat e drejtësisë – që të qëndrojë në vendin tonë për të marrë barrën e Rënies dhe që të paguajë çmimin për mëkatet tona. Jezu Krishti gjithmonë ka qenë i vetmi njeri i aftë për ta bërë një flijim të tillë.

Por përpara Krijimit të tokës, Shpëtimtari ka qenë shpresa jonë e vetme për “paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen” (Doktrina e Besëlidhje 59:23).

Fuqia Shëruese dhe Forcuese e Jezu Krishtit

“Shlyerja e Shpëtimtarit tonë bën më shumë sesa na siguron për pavdekësinë nëpërmjet ringjalljes së të gjithëve dhe na jep mundësinë që të pastrohemi nga mëkati nëpërmjet pendimit dhe pagëzimit. Shlyerja e Tij gjithashtu ofron mundësinë ta thërrasim Atë i cili i ka përjetuar të gjitha lëngatat tona tokësore, për të na dhënë forcën që t’i durojmë barrët e vdekshmërisë. Ai i njeh dhembjet tona dhe na gjendet pranë. Ashtu si Samaritani i mirë, kur Ai na gjen të plagosur buzë rruge, Ai do të na i lidhë plagët dhe do të kujdeset për ne (shih Lluka 10:34). Fuqia shëruese dhe forcuese e Jezu Krishtit dhe Shlyerja e Tij është për të gjithë ne që do t’i kërkojmë” (Dallin H. Ouks, “Të Forcuar nga Shlyerja e Jezu Krishtit”, Liahona, nëntor 2015, f. 64).

Kjo jetë është një mundësi për t’u bërë më shumë si Ati ynë Qiellor. Ndërsa e përqafojmë fatin tonë të përjetshëm si fëmijë të Perëndisë, ne hyjmë në një proces rritjeje dhe përmirësimi të vazhdueshëm. Siç dha mësim Plaku Dejvid A. Bednar:

“Udhëtimi i vdekshmërisë është të bëhemi nga i keq, në i mirë, në më i mirë dhe të ndryshojmë karakterin tonë. Libri i Mormonit është i mbushur me shembuj dishepujsh dhe apostujsh që e dinin, e kuptuan dhe u shndërruan nga fuqia ndihmuese e Shlyerjes në bërjen e atij udhëtimi. Kur ne e kuptojmë gradualisht më mirë këtë fuqi të shenjtë, perspektiva jonë mbi ungjillin do të zgjerohet dhe pasurohet në masë të madhe. Një perspektivë e tillë do të na ndryshojë në mënyra të mrekullueshme. …

… Kur unë dhe ju arrijmë ta kuptojmë dhe ta përdorim fuqinë ndihmuese të Shlyerjes në jetën tonë vetjake, ne do të lutemi dhe do të kërkojmë për forcë për të ndryshuar rrethanat tona në vend që të lutemi që rrethanat tona të ndryshohen. Ne do të bëhemi faktorë që veprojnë në vend që të bëhemi objekte që kanë pësuar (shih 2 Nefi 2:14)” (“Shlyerja dhe Udhëtimi i Vdekshmërisë”, Liahona, prill 2012, f. 15, 16).

Ndryshimi i Zemrave

Ndërsa e përdorim fuqinë e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, për të na forcuar dhe shëruar, Ai mund t’i ndryshojë zemrat tona.

Plaku Xhefri R. Holland tregoi historinë në vijim:

“Flas për një të ri që hyri në fushën e misionit me denjësi por, duke e zgjedhur vetë, u kthye në shtëpi shpejt për shkak të tërheqjes fizike ndaj së njëjtës gjini dhe të tronditjes që përjetoi për sa i përket asaj. Ishte ende i denjë, por besimi i tij ishte në një nivel krize, barra e tij emocionale u bë edhe më e rëndë dhe dhembja e tij shpirtërore ishte gjithnjë dhe më e thellë. Ai ishte herë pas here i lënduar, i pështjelluar, i inatosur dhe i dëshpëruar.

Presidenti i tij i misionit, presidenti i tij i kunjit, peshkopi i tij harxhuan orë të panumërta duke u përpjekur e duke vajtuar dhe duke e bekuar, ndërkohë që po e mbanin pranë, por një pjesë e madhe e plagës së tij ishte kaq vetjake sa ai i mbajti, të paktën disa pjesë të saj, të fshehta prej tyre. Babai i dashur në këtë histori e derdhi tërë frymën e tij për ta ndihmuar këtë fëmijë, por rrethanat e tij tepër kërkuese të punësimit bënë të ndodhte që shpesh netët e gjata, të zymta të shpirtit u përballuan nga vetëm ky djalë dhe nëna e tij. Ditë e natë, fillimisht për javë, më pas për muaj që u kthyen në vite, ata kërkuan shërim së bashku. Përmes periudhave të hidhësisë (kryesisht të birit, por nganjëherë të nënës) dhe përmes periudhave të frikës së pambarueshme (kryesisht të nënës, por nganjëherë të birit), ajo ia dha – ja ku është përsëri ajo fjalë e bukur, peshërëndë – ajo ia dha birit të saj dëshminë e saj për fuqinë e Perëndisë, për Kishën e Tij, por veçanërisht për dashurinë e Tij për këtë fëmijë. Me po atë frymë ajo dëshmoi për vetë dashurinë e saj të paepur e të pavdekshme për të gjithashtu. Për t’i sjellë së bashku ato dy shtylla tërësisht jetike, thelbësore për vetë ekzistencën e saj – ungjillin e Jezu Krishtit dhe familjen e saj – ajo e derdhi shpirtin e saj në lutje pa pushim. Ajo agjëroi dhe vajtoi, ajo vajtoi dhe agjëroi, dhe më pas ajo dëgjoi e dëgjoi teksa ky bir në mënyrë të përsëritur i tregonte se si po lëndohej zemra e tij. Kështu që ajo e mbajti atë – sërish – vetëm se këtë herë nuk ishte për nëntë muaj. Këtë herë ajo mendoi se të munduarit plot dhembje përmes tablosë së dëmtuar të dëshpërimit të tij do të vazhdonte përherë.

Por nëpërmjet hirit të Perëndisë, ngulmimit të saj dhe ndihmës së një morie të udhëheqësve të Kishës, miqve, pjesëtarëve të familjes dhe terapistëve profesionistë, kjo nënë këmbëngulëse e ka parë birin e saj të kthehet në shtëpi drejt tokës së premtuar. Me trishtim e pranojmë se një bekim i tillë nuk u vjen, ose të paktën nuk u ka ardhur ende, të gjithë prindërve që janë në ankth lidhur me një larmi të gjerë të rrethanave të fëmijëve të tyre, por në këtë rast kishte shpresë. Dhe duhet të them, orientimi seksual i këtij biri nuk ndryshoi në ndonjë mënyrë disi të mrekullueshme – askush nuk hamendësoi se do të ndryshonte. Por pak nga pak, zemra e tij ndryshoi” (“Ja Nëna Jote”, Liahona, nëntor 2015, f. 49).