Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini
A gjen zbatim ligji i dëlirësisë për ata që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini?


“A gjen zbatim ligji i dëlirësisë për ata që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini?” Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini: Individët (2020)

“A gjen zbatim ligji i dëlirësisë për ata që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini?” Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini: Individët

A gjen zbatim ligji i dëlirësisë për ata që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini?

Dëlirësia Gjen Zbatim për Këdo

Pastërtia seksuale është një pjesë thelbësore e planit të Perëndisë për lumturinë tonë. Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve shpallën:

“Urdhërimi i parë që Perëndia i dha Adamit dhe Evës, ishte rreth potencialit të tyre si burrë e grua për të qenë prindër. Ne deklarojmë se urdhërimi i Perëndisë për fëmijët e Tij që të shumohen dhe të mbushin tokën, mbetet i vlefshëm. Ne më tej deklarojmë se Perëndia ka urdhëruar që fuqitë e shenjta të krijimit të jetës duhet të përdoren vetëm midis burrit dhe gruas, ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”).

“Ligji i Zotit për dëlirësinë është:

  • Shmangia nga marrëdhëniet seksuale jashtë një martese midis një burri dhe një gruaje sipas ligjit të Perëndisë.

  • Besnikëria bashkëshortore brenda martesës” (“Dëlirësia dhe Besnikëria Bashkëshortore”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 38.6.5).

Brenda kontekstit të martesës midis një burri dhe një gruaje, shprehja seksuale është një aspekt i rëndësishëm i lidhjes midis bashkëshortëve dhe bashkëshorteve. Sidoqoftë, nëse shprehemi seksualisht jashtë kufijve që ka vendosur Zoti, ne jo vetëm që rrezikojmë aftësinë tonë për të bërë zgjedhje të mira; ne gjithashtu e hedhim poshtë modelin që ka vendosur Zoti për lumturinë tonë të përjetshme.

Presidenti Dallin H. Ouks shpjegoi: “Fuqia për të krijuar jetë të vdekshme është fuqia më e ekzaltuar që Perëndia u ka dhënë fëmijëve të Tij. Përdorimi i saj u kërkua që në urdhërimin e parë, por një urdhërim tjetër i rëndësishëm u dha për ta ndaluar keqpërdorimin e saj. Theksi që vendosim te ligji i dëlirësisë, shpjegohet nga të kuptuarit prej nesh të qëllimit të fuqive tona krijuese në përmbushjen e planit të Perëndisë. …

Jashtë lidhjeve martesore, të gjitha përdorimet e fuqisë krijuese janë në një shkallë apo në një tjetër një zvetënim dhe shtrembërim mëkatar i tiparit më hyjnor të burrave dhe grave” (“The Great Plan of Happiness”, Ensign, nëntor 1993, f. 74).

Dëlirësia dhe Pornografia

“Sepse, ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është ai” (Fjalët e Urta 23:7).

“Kisha e dënon pornografinë në çfarëdolloj forme. Përdorimi i pornografisë i çfarëdo lloji dëmton jetën e individëve, familjet dhe shoqërinë. Ajo gjithashtu e largon Shpirtin e Zotit. Anëtarët e Kishës duhet t’u shmangen të gjitha formave të materialit pornografik dhe të kundërshtojnë prodhimin, shpërndarjen dhe përdorimin e tij” (“Pornografia”, Manuali i Përgjithshëm, 38.6.11).

Të parit e imazheve të qarta seksuale, madje edhe për kureshtje, i shkel gjithashtu urdhërimet e Perëndisë. Stimulimi seksual ka një efekt të fuqishëm te ne. Madje edhe të parit e imazheve ose të menduarit rreth shprehjes seksuale na bën të ndiejmë kënaqësi dhe të dëshirojmë më shumë. Duke e nxitur këtë stimulim, pornografia e mpin ndjeshmërinë e një personi ndaj ligjit moral të Perëndisë. Më e rëndësishmja, ajo e fyen Shpirtin, duke e lënë një person pa udhërrëfimin dhe mbrojtjen e Frymës së Shenjtë.

Kisha siguron burimet në vijim për t’i ndihmuar peshkopët dhe presidentët e kunjeve ndërsa ata këshillojnë anëtarë që janë përfshirë në pornografi:

  • Help for Me [Ndihmë për Mua], ChurchofJesusChrist.org

  • Counseling Resources [Burimet për Këshillim], ChurchofJesusChrist.org

  • Addiction Recovery Program [Programi i Riaftësimit nga Varësitë], ChurchofJesusChrist.org

  • Virtyti Duhet t’i Stolisë Mendimet e Tua (broshurë)

Ndërsa e përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për të bërë zgjedhje që t’i ndjekim ligjet e Perëndisë, shpirtrat tanë forcohen më shumë. Nëse gjendemi të dobët shpirtërisht – dhe ne të gjithë gjendemi ashtu herë pas here – Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, është atje për ne. Nëpërmjet pendimit, ne mund ta bëjmë jetën tonë një jetë të karakterizuar nga vetëkontrolli.

Pendimi

Njerëzit e çfarëdolloj orientimi seksual që e shkelin ligjin e dëlirësisë, mund të pajtohen me Perëndinë nëpërmjet pendimit.

Siç shpjegoi Plaku Dejvid A. Bednar:

“Disa nga ju, që e marrin këtë mesazh, kanë nevojë të pendohen për mëkate seksuale ose mëkate të tjera. Shpëtimtari shpesh quhet Mjeku i Madh dhe ky titull ka kuptim si simbolik, ashtu edhe të drejtpërdrejtë. Të gjithë ne e kemi përjetuar dhembjen që shoqëron një dëmtim apo plagë trupore. Kur kemi dhembje, ne zakonisht kërkojmë lehtësim dhe jemi mirënjohës për ilaçet dhe mjekimet që ndihmojnë për të na e lehtësuar vuajtjen. Konsiderojeni mëkatin si plagë shpirtërore që shkakton ndjenjë faji ose, siç ia përshkroi Alma të birit, Koriantonit, ‘brejtje të ndërgjegjes’ (Alma 42:18). Ndjenja e fajit është për shpirtin tonë ashtu siç është dhembja për trupin tonë – një paralajmërim për rrezikun dhe një mbrojtje nga dëmi shtesë. Nga Shlyerja e Shpëtimtarit rrjedh balsami qetësues që mund të na i shërojë plagët tona shpirtërore dhe ta largojë ndjenjën e fajit. Sidoqoftë, ky balsam mund të zbatohet vetëm përmes parimeve të besimit në Zotin Jezu Krisht, të pendimit dhe bindjes së qëndrueshme. Rezultatet e pendimit të sinqertë janë paqja e ndërgjegjes, ngushëllimi dhe shërimi e përtëritja shpirtërore” (“Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Liahona, maj 2013, f. 44).

Pendimi kërkon një ndryshim të zemrës. Dhuratat e çmuara të pendimit dhe faljes janë bërë të mundura nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ato mund të hapin një kapitull të ri dhe ta forcojnë aftësinë tonë për ta përdorur për mirë lirinë tonë të zgjedhjes.