“Të Kuptuarit e Kontekstit të Shkrimeve të Shenjta”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Të Kuptuarit e Kontekstit të Shkrimeve të Shenjta”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 173: Aftësitë e Studimit të Shkrimeve të Shenjta
Të Kuptuarit e Kontekstit të Shkrimeve të Shenjta
Të kuptuarit e kontekstit të shkrimeve të shenjta na ndihmon të dallojmë qëllimin e autorëve të frymëzuar. Kjo mund ta thellojë kuptueshmërinë tonë për fjalët e tyre dhe na ndihmon ta dëgjojmë fjalën e Zotit në jetën tonë. Qëllimi i këtij mësimi është t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se si konteksti i shkrimeve të shenjta mund ta bëjë studimin e shkrimeve të shenjta më kuptimplotë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Tabloja e plotë
Fillojeni orën mësimore duke shfaqur figurat vijuese një e nga një dhe duke bërë pyetjet që vijojnë. Përndryshe, nxënësit mund të shkruajnë diçitura për figurat ndërsa ju e paraqitni secilën. Ata më pas mund të diskutojnë se si ndryshoi diçitura pasi e panë tablonë e plotë.
Në vend që të përdorin figurat më poshtë, nxënësit mund të përzgjedhin një fotografi nga katalogu i fotografive në telefonin e tyre, të zmadhojnë vetëm një pjesë të fotografisë dhe të ftojnë një partner që të gjejë atë që po ndodh në fotografi. Ata më pas mund ta zvogëlojnë fotografinë dhe të pyesin se si ndryshoi kuptueshmëria e nxënësit tjetër.
-
Çfarë po ndodh në figurë?
-
Si ndryshon kuptueshmëria jonë kur e kemi tablonë e plotë?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të japin shembuj nga jeta e tyre kur të parit e një pjesë më të madhe të tablosë solli një ndryshim. Disa shembuj të mundshëm mund të përfshijnë dërgimin e mesazheve me celular ose publikimin e diçkaje përpara se t’i kemi të gjitha hollësitë, gjykimin e dikujt pa e ditur historinë e tyre, ose nxjerrjen e një përfundimi të pasaktë nga një fotografi e prerë.
-
Si mund të lidhet kjo me studimin tonë të shkrimeve të shenjta?
Ndërsa nxënësit i përgjigjen kësaj pyetjeje, vlerësojeni kuptueshmërinë e tyre për kontekstin në bazë të lidhjes që ka ai me studimin e shkrimeve të shenjta. Nisur nga vlerësimi juaj për kuptueshmërinë e tyre, merreni parasysh ta përdorni të gjithë ose disa copëza të pjesës vijuese.
Përkufizo: Të kuptuarit e kontekstit
Merreni parasysh ta shkruani fjalën kontekst në tabelë.
Mund të na humbasin hollësi të rëndësishme dhe të kemi një kuptueshmëri të paplotë të asaj që po ndodh pa kontekstin.
-
Si do ta përcaktoje fjalën kontekst?
Merreni parasysh t’i shkruani në tabelë përgjigjet e nxënësve. Sipas nevojës, jepni përkufizimin vijues të kontekstit:
Konteksti është sfondi, kushtet dhe mjedisi në të cilat ndodhin ngjarjet, të cilat na ndihmojnë ne ta kuptojmë më mirë atë që po ndodh.
Lexo sa vijon nga Plaku Dejvid A. Bednar në lidhje me një thënie nga Profeti Jozef Smith (1805–1844):
“Unë kam një çelës nëpërmjet të cilit i kuptoj shëmbëlltyrat. Unë pyes: Cila ishte pyetja që e solli këtë përgjigje ose që e bëri Jezusin të shprehte shëmbëlltyrën? (History of the Church, 5:261). Pra, përpjekja për të kuptuar pyetjen që i parapriu një zbulese, shëmbëlltyre ose episodi të veçantë, mund të na ndihmojë të marrim një kuptueshmëri më të thellë për shkrimet e shenjta.” (David A. Bednar, në “Witnesses of the Prophet Joseph Smith”, Ensign, janar 2009, f. 15)
-
Si mund të të ndihmojë të mësuarit e kontekstit të shkrimeve të shenjta që të kuptosh mësimet që jepen aty?
Ftojini nxënësit të përsiatin se sa shpesh kërkojnë ta dinë sfondin dhe mjedisin. Merreni parasysh t’u jepni nxënësve një minutë ose dy për të përsiatur se si i ka bekuar, ose mund t’i bekojë, të mësuarit e kontekstit të shkrimeve të shenjta në studimin e tyre të shkrimeve të shenjta. Ju mund t’i ftoni disa nxënës të japin mendimet ose përvojat e tyre vetjake.
Modeli: Doktrina e Besëlidhje 121
Sa vijon është një model i mënyrës se si të kuptuarit e kontekstit mund ta bëjë studimin e shkrimeve të shenjta më kuptimplotë. Nëse do të të pëlqente, mund të zgjedhësh vargje të tjera për t’i përdorur si modelin tënd.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 121:7–8, duke kërkuar atë që Zoti i mësoi Jozef Smithit.
-
Çfarë qe kuptimplotë për ty në këto vargje?
Merreni parasysh t’i vendosni nxënësit në grupe të vogla për të diskutuar përgjigjet për pyetjen vijuese. Ftojini ata të bëjnë një listë burimesh që na ndihmojnë të mësojmë rreth kontekstit.
-
Cilat janë disa mjete ose burime që mund të na ndihmojnë të mësojmë rreth kontekstit të këtij shkrimi të shenjtë dhe shkrimeve të tjera të shenjta?
Nxënësit mund të renditin disa nga burimet vijuese: kreret e seksioneve ose kapitujve, vargjet shoqëruese, komentet për shkrimet e shenjta, manualet, bisedat e dhëna nga udhëheqësit e Kishës dhe historitë nga shkrimet e shenjta për fëmijët.
Nëse doni, mund të përmendni se disa nga burimet specifike në dispozicion për librin Doktrina e Besëlidhje dhe historinë e Kishës përfshijnë Shenjtorët, vëllimi 1 dhe Revelations in Context. Nëse nxënësve do t’u pëlqente të dinin më shumë, mund të demonstroni se si nxënësit mund të kenë qasje te këto burime në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Sigurojini nxënësit se ndonëse studimi i burimeve të ndryshme mund të jetë i dobishëm, zakoni i thjeshtë i të lexuarit të kreut të seksionit përpara se të studiojnë, mund ta bëjë më kuptimplotë studimin e shkrimeve të shenjta. Ai do të jetë fokusi i këtij mësimi.
Lexoje kreun e seksionit për seksionin 121, duke kërkuar informacion që do të na ndihmonte t’i kuptonim më mirë këto vargje. Nëse do, mund të lexosh edhe te Doktrina e Besëlidhje 121:1–6 për ide shtesë.
Rilexo te Doktrina e Besëlidhje 121:7–8 me një kuptueshmëri për kontekstin në mendje.
-
Si ju ndihmon ky kontekst që ta thelloni kuptueshmërinë tuaj për mesazhin që Zoti i dha Jozef Smithit në këto vargje?
-
Si i bën kjo kuptueshmëri e re më kuptimplota këto vargje për ju?
Ndërsa nxënësit përgjigjen, kërkoni mënyra për ta theksuar ose për të pyetur se çfarë na mëson ky kontekst rreth Zotit. Për shembull, Zoti i dha me dashuri Profetit Jozef Smith paqe, këndvështrim dhe një premtim për bekime të ardhshme në një kohë të vështirë. Të kuptuarit e këtij konteksti na ndihmon të dimë se Zoti mund të na japë paqe dhe drejtim në jetën tonë gjithashtu.
Ushtroje të kuptuarit e kontekstit të shkrimeve të shenjta
Për t’i ndihmuar nxënësit të ushtrojnë të kuptuarit e kontekstit, merreni parasysh paraqitjen e referencave të shkrimit të shenjtë dhe pyetjeve vijuese në tabelë. Mund t’i vini nxënësit të lexojnë një ose më shumë nga referencat e shkrimit të shenjtë në dyshe dhe të shkruajnë atë që mësojnë prej tyre në mes të një cope letre. Më pas ata mund të lexojnë kreun e seksionit së bashku me vargjet shoqëruese. Përreth asaj që kanë shkruar tashmë, ata mund të vizatojnë ose shkruajnë diçka që e rrok kontekstin (tablonë më të gjerë).
Doktrina e Besëlidhje 49:15–17
Doktrina e Besëlidhje 109:22–23
Ftojini nxënësit të tregojnë atë që gjetën. Nëse është e dobishme, merreni parasysh të bëni pyetjet vijuese:
-
Si jua thellon konteksti i seksionit kuptueshmërinë tuaj për atë që mësoni nga këto vargje?
-
Si ju ndihmon konteksti për të mësuar më shumë rreth Shpëtimtarit, dashurisë së Tij, mëshirës së Tij ose fuqisë së Tij në jetën tonë?
Si ta lejojë koha, nxënësit mund ta ushtrojnë këtë aftësi duke përdorur seksionin ose kapitullin e tanishëm në studimin e tyre vetjak ose familjar të shkrimeve të shenjta.
Ftojini nxënësit të përsiatin se si studimi i kontekstit mund të sjellë një ndryshim në studimin e tyre vetjak dhe si mund ta përmirësojnë studimin e tyre të shkrimeve të shenjta duke e vënë në zbatim këtë aftësi.
Teksa nxënësit e ushtrojnë këtë aftësi të studimit të shkrimeve të shenjta në javët e ardhshme, merreni parasysh të gjeni mënyra për t’i vënë ata t’ia tregojnë klasës idetë që mësojnë si pjesë e takimeve shpirtërore të ardhshme si klasë.