“Mësimi 170 – Gjetja e të Vërtetave të Ungjillit në Shkrimet e Shenjta: Të Mësuarit se si t’i Dallojmë Doktrinën dhe Parimet”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Gjetja e të Vërtetave të Ungjillit në Shkrimet e Shenjta”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 170: Aftësitë e Studimit të Shkrimeve të Shenjta
Gjetja e të Vërtetave të Ungjillit në Shkrimet e Shenjta
Të Mësuarit se si t’i Dallojmë Doktrinën dhe Parimet
Në shkrimet e shenjta, Zoti ka ruajtur të vërteta të ungjillit – doktrinën dhe parimet e përjetshme të ungjillit të Tij – që na sjellin më pranë Tij dhe janë thelbësore për përparimin dhe shpëtimin tonë. Ky mësim mund të ndihmojë që të rritet aftësia jote për t’i gjetur të vërtetat e ungjillit në shkrimet e shenjta dhe për të ardhur më pranë Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Shëmbëlltyra e margaritarëve
Nëse materiali filmik vijues nuk është në dispozicion, merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke paraqitur figurat e mësipërme dhe duke u kërkuar nxënësve të imagjinojnë dikë që kërkon dhe gjen margaritarë në rërën e një plazhi. Pyesni: “Si mund të ngjasojë kërkimi në shkrimet e shenjta si kërkimi për margaritarë në rërë?”
Shiko materialin filmik “The Parable of the Gems” [“Shëmbëlltyra e Margaritarëve”] (6:47; shiko nga kodi kohor 2:13 deri në 4:20) dhe përsiat se si historia mund të jetë si studimi ynë i shkrimeve të shenjta.
Nëse nuk qetë në gjendje ta shfaqnit materialin filmik, kapërcejeni të parën nga pyetjet vijuese. Mund edhe ta ndryshoni pyetjen e fundit në “Çfarë mund të bëjë dikush për t’i këqyrur dhe vlerësuar margaritarët?”
-
Çfarë të bëri përshtypje në këtë material filmik?
-
Çfarë mund të përfaqësojë rëra? Çfarë mund të përfaqësojnë margaritarët?
-
Çfarë bëri vajza për të mësuar rreth margaritarëve që gjeti ose për t’i vlerësuar ata?
Merreni parasysh ta shpjegoni sa vijon me vetë fjalët tuaja:
Doktrina dhe parimet e ungjillit mund të jenë si margaritarët në analogji. Një nga qëllimet kryesore të shkrimeve të shenjta është të na mësojnë doktrinat dhe parimet e ungjillit. Doktrina është një e vërtetë themelore, e pandryshueshme e ungjillit të Jezu Krishtit. Një parim i ungjillit është një orientim i bazuar në doktrinë që individët mund ta përshtatin që t’i ndihmojë për marrjen e vendimeve. Doktrina dhe parimet më të rëndësishme që mësojmë nga shkrimet e shenjta, na ndihmojnë të njohim Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin dhe të kuptojmë se si të rikthehemi në praninë e Tyre.
Në këtë manual, ndonjëherë do të shihni ftesa për nxënësit që të përcaktojnë “të vërteta”. Kjo është një mënyrë më e thjeshtë për të thënë parimet ose pohimet e doktrinës. Ftojini nxënësit të vlerësojnë se sa me lehtësi mund t’i përcaktojnë të vërtetat (parimet ose pohimet e doktrinës) nga shkrimet e shenjta.
-
Cili nga pohimet vijuese e përfaqëson më së miri faktin se sa i/e sigurt ndihesh në aftësinë tënde për të gjetur të vërtetat e ungjillit në shkrimet e shenjta?
-
Aspak i/e sigurt
-
Disi i/e sigurt
-
Shumë i/e sigurt
-
Dëgjojini me kujdes përgjigjet e nxënësve. Merreni parasysh t’i pyesni pse ndihen në atë mënyrë. Kërkoni mënyra gjatë gjithë mësimit për t’i ndihmuar ata të ndihen më të sigurt te vetja ndërsa orvaten të gjejnë të vërteta të ungjillit.
Përkufizo
Jepuni nxënësve fletushkën shoqëruese. Lexojeni këtë së bashku si klasë. Jepni ndonjë shpjegim tjetër që mendoni se mund të jetë i nevojshëm për ta përkufizuar këtë aftësi.
Të Mësuarit se si t’i Dallojmë Doktrinën dhe Parimet
Disa doktrina dhe parime të ungjillit pohohen qartë në shkrimet e shenjta. Doktrina dhe parime të tjera mund të nënkuptohen në rrjedhën e ngjarjes dhe të gjenden vetëm me anë të studimit të një libri të tërë të shkrimit të shenjtë, të një kapitulli ose një vargu të vetëm. Mund t’i ushtrosh hapat e rëndësishëm vijues sa herë që po studion shkrimet e shenjta, që të të ndihmojnë t’i përcaktosh të vërtetat e ungjillit:
-
Lexo ngadalë dhe me kujdes.
-
Kërko të vërteta që pohohen qartë. Këto tregohen ndonjëherë kur autori përdor fjalët “kështu ne shohim”, “prandaj”, “si rrjedhim” ose “vër/vini re”.
-
Kërko të vërtetat që nënkuptohen. Mund t’i gjesh këto të vërteta duke i bërë vetes pyetje si vijueset:
-
A ka ndonjë ide, fjalë ose frazë të rëndësishme – veçanërisht ndonjë që të ndihmon të arrish ta njohësh më mirë Atin Qiellor dhe planin e Tij ose Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij?
-
Cila është marrëdhënia shkak dhe pasojë në këtë histori?
-
Cili është morali ose thelbi i historisë?
-
Përse mendon se autori i ka përfshirë këto ndodhi ose fragmente?
-
-
Shkruaje me vetë fjalët e tua atë që gjete dhe shenjoji fjalët në shkrimet e shenjta që e japin mësim atë.
-
Përsiat pse e vërteta është e rëndësishme për ty. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Meditojeni [dhe] shqyrtojeni çdo fjalë, çdo gur të çmuar të shkrimit të shenjtë. … Mbajeni lart drejt dritës dhe kthejeni për të parë se çfarë pasqyrohet ose përthyhet atje. … Një shqyrtim i tillë mund të zbulojë një thesar të fshehur në një fushë: një perlë me vlerë të madhe; një perlë përtej çdo vlere.” (“Students Need Teachers to Guide Them” [fjalim drejtuar mësuesve të fesë të Sistemit Arsimor të Kishës, 20 qershor 1992], f. 4)
Jepni Modelin
Merreni parasysh të jepni modelin se si bëhet kjo si klasë duke ndjekur hapat në fletushkë. Bëjuani të ditur nxënësve se do të kenë mundësi më vonë që ta provojnë në mënyrë të pavarur. Merreni parasysh të vizatoni një margaritar në tabelë. Pranë tij, shkruajini të vërtetat që përcaktojnë nxënësit. Përdorimi i fjalëve që përdorin nxënësit, është një mënyrë e shkëlqyer për të krijuar vetëbesim tek ata për pjesëmarrjen në orën mësimore.
-
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 18:10–11 me ngadalë dhe kujdes.
-
Kërko të vërteta që pohohen qartë.
Nxënësit mund të gjejnë një doktrinë si vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë.
-
Kërko të vërteta që nënkuptohen duke bërë disa nga pyetjet e renditura në fletushkë.
Si përgjigje për pyetjen e parë të fletushkës, nxënësit mund të gjejnë këtë të vërtetë: Ne mund të pendohemi dhe të vijmë te Krishti sepse Ai vuajti për mëkatet dhe dhembjet tona dhe përfundimisht vdiq për ne.
Nëse nxënësit e vënë re shkakun dhe pasojën te vargjet 10 dhe 11, ata mund të jenë në gjendje ta shohin këtë të vërtetë: Për shkak se vlera e shpirtrave është aq e madhe në sytë e Perëndisë, Jezu Krishti vuajti me gatishmëri që ne të mund të pendohemi dhe të vijmë tek Ai.
Nëse nxënësit e marrin parasysh pyetjen e fundit, ata mund të shohin këtë të vërtetë: Jezu Krishti, Shëlbuesi ynë, dëshiron që ne të dimë sa të rëndësishëm jemi për Të.
Shkruaje të vërtetën që gjete në një copë letër, në anë të faqes të shkrimeve të tua të shenjta ose si një shënim në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Nëse dëshiron, mund edhe t’i shenjosh fjalët që ta mësojnë atë në shkrimet e shenjta.
Shpenzo ca kohë për të përsiatur pse e vërteta që gjete mund të jetë e rëndësishme ose kuptimplotë për ty. Ndalu një çast për të përsiatur për të vërtetën që përcaktove. Tri pyetjet vijuese mund të ndihmojnë:
-
Pse kjo e vërtetë mund të konsiderohet një margaritar?
-
Çfarë të mëson kjo rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
-
Si mund të të ndihmojë ajo sot?
Ftojini disa nxënës të japin mendimet e tyre. Ndërsa e dëgjojnë atë që mendojnë shokët e tyre të klasës dhe përsiatin, kjo mund t’i inkurajojë ata të mendojnë më thellësisht rreth të vërtetave në shkrimet e shenjta.
Ushtrohu
Ftojini nxënësit të bëjnë veprimtarinë vijuese individualisht. Nxënësit mund ta plotësojnë veprimtarinë vijuese në ditarët e tyre të studimit ose, nëse do të donit mund t’ua tregojnë atë që gjetën nxënësve të tjerë në veprimtarinë e mëposhtme, në copa të veçanta letrash. Ata mund të përdorin fletushkën e dhënë për t’i ndihmuar.
Për t’u ushtruar, bëj veprimtarinë vijuese:
-
Bëj një vizatim të dy margaritarëve.
-
Ndërsa studion të paktën dy nga fragmentet vijuese, ose fragmente të tjera sipas zgjedhjes sate, rendit një “margaritar” të vërtete që gjete për secilin: Doktrina e Besëlidhje 1:30; 8:2–3; 18:15–16; 19:16–19; 21:4–6; 49:15–17; 58:42–43; 76:22–24; 131:1–4; 135:3.
-
Shkruaj pse secila e vërtetë është një margaritar shpirtëror për ty. Përfshi atë që të mëson ajo rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe mënyrën se si mund të të ndihmojë ajo sot.
Nëse nxënësit e plotësuan veprimtarinë në copa të veçanta letrash, mund t’i shkëmbejnë letrat e tyre me nxënës të tjerë dhe të tregojnë atë që mësuan nga njëri-tjetri. Nxënësit mund edhe të përmendin margaritarë nga shkrimet e shenjta që ndiejnë se janë veçanërisht kuptimplota për rininë sot dhe të bëjnë një listë të këtyre në tabelë.
Nisur nga përvoja jote sot, pse mund të duash t’i gjesh dhe t’i përsiatësh të vërtetat ndërsa studion?
Shkruaj në ditarin tënd të studimit se si do të të pëlqente t’i gjeje të vërtetat ndërsa e studion ungjillin. Një mënyrë se si mund ta bësh këtë është të përcaktosh dhe të përsiatësh të paktën një të vërtetë në ditë nga studimi yt vetjak i shkrimeve të shenjta. Mund të marrësh parasysh t’i shkruash të vërtetat që zbulon, në shkrimet e tua të shenjta ose në një ditar studimi.
Merreni parasysh ta ftoni një nxënës në ditë gjatë disa mësimeve të ardhshme që të tregojë një margaritar nga shkrimet e shenjta që gjeti nga studimi i vet. Nxënësit mund ta bëjnë këtë duke dhënë një mendim nga shkrimet e shenjta si pjesë e një takimi shpirtëror. Kërkoni mundësi të tjera në mësime të ardhshme që nxënësit të vazhdojnë ta ushtrojnë këtë aftësi të rëndësishme.