Seminari
Ushtrimi 1 i Zotërimit Doktrinor: Mësimi Përmendsh dhe Zbatimi i Parimeve të Marrjes së Njohurisë Shpirtërore


“Ushtrimi 1 i Zotërimit Doktrinor: Mësimi Përmendsh dhe Zbatimi i Parimeve të Marrjes së Njohurisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“Ushtrimi 1 i Zotërimit Doktrinor: Mësimi Përmendsh dhe Zbatimi i Parimeve të Marrjes së Njohurisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

Moisiu 6: Mësimi 15

Ushtrimi 1 i Zotërimit Doktrinor

Mësimi Përmendsh dhe Zbatimi i Parimeve të Marrjes së Njohurisë Shpirtërore

klasa e seminarit

Zotërimi doktrinor mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndërtojnë themelin e tyre mbi Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Ky mësim u jep mundësi nxënësve për t’i mësuar përmendsh referencat e zotërimit doktrinor dhe frazat e tyre kyç të shkrimit të shenjtë, si edhe për t’i mësuar dhe zbatuar parimet hyjnore për marrjen e njohurisë shpirtërore.

Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të përzgjedhin një fragment të zotërimit doktrinor dhe të punojnë për ta mësuar përmendsh referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë. Ata më pas mund të marrin parasysh vlerën që ka kur i mësojnë ato përmendsh.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Vlera e të mësuarit përmendsh

Për t’i ndihmuar nxënësit të mendojnë për vlerën e të mësuarit përmendsh të shkrimeve të shenjta, merreni parasysh të tregoni sa vijon:

Imagjino sikur një shok ose shoqe komenton pas një ore mësimore në seminar që nuk ia vlen t’i mësosh përmendsh shkrimet e shenjta kur mund t’i kërkosh ato në programin elektronik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  • Si mendon se mund të të bekojë të mësuarit përmendsh të referencave të zotërimit doktrinor dhe frazave kyç të shkrimeve të shenjta?

Nxënësit mund të përmendin marrjen e një njohurie më të mirë për atë që është në shkrimet e shenjta, gjetjen e shkrimeve të shenjta nëse një pajisje nuk është në dispozicion dhe sjelljen ndër mend të fjalëve të Jezu Krishtit në çaste nevoje. Nëse doni, mund t’u referoheni shembujve në shkrimet e shenjta të individëve që qenë në gjendje t’i sillnin ndër mend fjalët e Perëndisë në kohë nevoje. Shembujt përfshijnë Shpëtimtarin (shihni te Mateu 4:1–11), Nefin (shihni te 1 Nefi 4:1–6) dhe Abinadin (shihni te Mosia 12:27–37).

Përsëritja e zotërimit doktrinor: Mësoni përmendsh

Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit ta përsëritin atë që kanë mësuar përmendsh nga referencat e zotërimit doktrinor dhe frazat kyç të shkrimit të shenjtë nga Dhiata e Vjetër që i kanë mësuar deri tani këtë vit. Ide shtesë për veprimtaritë e mësimit përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.

Merreni parasysh t’i organizoni nxënësit në dyshe dhe t’i jepni çdo nxënësi po aq shirita letre sa numri i fragmenteve të zotërimit doktrinor që i keni studiuar deri tani. Paraqitini ato fragmente të zotërimit doktrinor dhe frazat e tyre kyç të shkrimeve të shenjta. Një listë e referencave të zotërimit doktrinor dhe frazave kyç të shkrimit të shenjtë nga Dhiata e Vjetër, mund të gjendet te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023).

Ftojeni njërin partner t’i renditë referencat e zotërimit doktrinor në shiritat e vet të letrës dhe partnerin tjetër t’i renditë frazat kyç në shiritat e vet të letrës. Kur të kenë mbaruar, njëri partner duhet të ketë shirita letre me çdonjërën nga referencat individuale të shkrimit të shenjtë dhe partneri tjetër duhet të ketë shirita letre me frazat kyç të shkrimeve të shenjta që përputhen me to.

Pasi nxënësit t’i kenë krijuar letrat e tyre, jepuni atyre udhëzimet vijuese:

  1. Mbaji në dorë copat e tua të letrës në mënyrë që ti të mund t’i shohësh, por partneri yt jo.

  2. Partneri i parë do të vendosë një letër me një nga referencat e shkrimeve të shenjta mbi tavolinë.

  3. Partneri i dytë më pas do ta gjejë frazën kyç të shkrimit të shenjtë që përputhet me të dhe do ta vendosë mbi tavolinë.

  4. Partneri i dytë më pas do të vërë një nga frazat kyç mbi tavolinë dhe partneri i parë do të vërë referencën e shkrimit të shenjtë që përputhet me të.

  5. Përsërite procesin derisa t’i kesh përputhur të gjitha letrat.

Partnerët më pas mund ta ndërrojnë se kush i mban referencat dhe kush frazat kyç dhe ta bëjnë veprimtarinë përsëri. Nxënësit mund ta matin kohën për veten për të parë sa shpejt mund ta përfundojnë veprimtarinë.

Ju mund t’i inkurajoni nxënësit ta përdorin programin elektronik të zotërimit doktrinor për të vazhduar t’i mësojnë përmendsh fragmentet e zotërimit doktrinor. Përsëritja shkurtimisht e referencave të shkrimeve të shenjta për zotërimin doktrinor dhe frazave kyç të shkrimeve të shenjta në mësimet e ardhshme do t’i ndihmojë gjithashtu nxënësit që t’i mësojnë ato përmendsh.

Zbatoji parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore

Pjesa e mbetur e mësimit përqendrohet te ndihma ndaj nxënësve për t’i zbatuar fragmentet e zotërimit doktrinor dhe parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në një situatë nga jeta reale. Para se të vazhdoni, mund të jetë e dobishme që nxënësit t’i përsëritin këto parime në paragrafët 5–12 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023). Veprimtaritë e sugjeruara për përsëritje mund të gjenden te shtojca nën zërin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.

Mund të jetë e dobishme të shpjegoni shpejt e shpejt që në mes të shumë ndikimeve të ndryshme me të cilat përballemi dhe ngarkesës së jetës së përditshme, mund të jetë e vështirë ta mbajmë përqendrimin tonë tek Ati Qiellor dhe te plani i Tij për ne. Për ta ilustruar këtë problem, mund të tregoni një ose të dy skenarët vijues. Mund t’i përshtatni hollësitë e skenarëve për t’i plotësuar më mirë nevojat e nxënësve.

  1. Lea ka pasur gjithmonë shumë shokë e shoqe në lagjen e saj të banimit dhe në shkollë. Bashkëmoshatarët e saj e kanë parë atë si plot popullaritet dhe asaj i ka pëlqyer ta shohin në këtë mënyrë. Vitin e shkuar, familja e Leas u shpërngul në një qytet të ri. Ajo e ka pasur të vështirë të ndihej se po përshtatet. Mungesa e shokëve të ngushtë në zonën e saj të re e ka bërë Lean të pyesë veten për vlerën e saj.

  2. Klinti ishte një futbollist i talentuar. Shokët e ekipit të tij, trajnerët dhe bashkëmoshatarët shpesh e lavdëronin për aftësitë dhe arritjet e tij atletike. Por këtë vit, çdo gjë ndryshoi kur Klinti pësoi një dëmtim të rëndë në gju përpara se të fillonte sezoni. Ai u dëshpërua kur mësoi se do t’i duhej ta humbiste sezonin e tij të fundit në shkollën e mesme. Fillimisht, shumë njerëz u treguan të ndjeshëm ndaj tij dhe shokët e ekipit bënë përpjekje për ta përfshirë në veprimtaritë e ekipit. Por ndërkohë që koha kalonte, Klinti ndihej gjithnjë e më i lënë pas dore. Ai filloi të pyeste veten se si mund të ndryshonte jeta e tij tani që të tjerët nuk e shihnin më si një futbollist të talentuar.

  • Cilat janë disa nga problemet ose sfidat që ndien se duhet të trajtohen në këta skenarë?

  • Pse ne nganjëherë e bazojmë vlerën e vetes sonë në faktorë të jashtëm si talentet tona ose mënyra se si na shohin njerëzit?

Shpjegoni se doktrina e Shpëtimtarit dhe parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore mund të ndihmojnë në situata si këto.

Për t’i ndihmuar nxënësit të fillojnë t’i përdorin këto parime, merreni parasysh ta ndani klasën në grupe të vogla. Caktojini gjysmës së grupeve të përqendrohen te parimi i të vepruarit me besim dhe gjysmës tjetër të përqendrohet te parimi i shqyrtimit të koncepteve dhe pyetjeve me një këndvështrim të përjetshëm. Ftojini nxënësit të diskutojnë mënyrat e shumta se si parimi që iu caktua, mund t’i ndihmojnë individët e skenarëve.

Një mënyrë se si mund ta bëjnë këtë, është duke e shkruar parimin që iu caktua, në mes të një cope letre. Përreth parimit, grupet mund të shkruajnë mënyra specifike se si individët mund të veprojnë me besim ose ide që mund t’i ndihmojnë ata t’i shqyrtojnë shqetësimet e tyre me një këndvështrim të përjetshëm.

Ju mund të paraqitni gjithashtu pyetjet vijuese që grupet t’i diskutojnë.

Vepro me besim

  • Çfarë veprimesh besnike mund të ndërmarrë ky person që do ta ndihmonin atë ta shohë veten ashtu siç e sheh Perëndia?

  • Çfarë ndryshimi mund të sjellë në jetën e këtij njeriu po t’i japë përparësi identitetit të vet si fëmijë i Perëndisë?

Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm

  • Çfarë mund të jetë e dobishme që ky person të kujtojë rreth Perëndisë dhe planit të Tij? Si do të ishte kjo e dobishme ndërsa ai ose ajo vazhdon jetën e përditshme?

  • Çfarë do të doje që ky person të kuptonte rreth identitetit dhe qëllimit të vet?

Burimet e caktuara në mënyrë hyjnore

Pasi grupet të kenë diskutuar, ftojini ata t’ia tregojnë klasës disa nga pikëpamjet e tyre. Më pas kujtojuani nxënësve parimin e tretë të marrjes së njohurisë shpirtërore: kërkoni kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore. Jepuni kohë nxënësve të gjejnë burime të caktuara në mënyrë hyjnore që mund t’i ndihmojnë individët e skenarëve. Pyetjet vijuese mund të ndihmojnë për këtë.

  • Si mund ta ndihmojnë këtë person mësimet në cilindo prej fragmenteve të zotërimit doktrinor?

  • Cilat shkrime të shenjta ose thënie të tjera nga udhëheqësit e Kishës mund të ndihmojnë?

Nëse është e nevojshme, mund t’u kujtoni nxënësve shkrime të shenjta ose thënie nga udhëheqësit e Kishës që ata i kanë studiuar këtë vit, të cilat lidhen me identitetin dhe qëllimin tonë hyjnor. Shembujt përfshijnë vargjet te Moisiu 1:2–6; Abraham 3:22–23; Zanafilla 1:26–27. Mund edhe t’i referoni nxënësit tek thëniet nga fletushka e titulluar “Unë Jam një Fëmijë i Perëndisë”, që gjendet te Mësimi 8: “Zanafilla 1:26–27”.

Ndërsa nxënësit tregojnë burimet e caktuara në mënyrë hyjnore, ftojini ata të diskutojnë pse ose si ndiejnë se këto burime mund t’i ndihmojnë individët e skenarëve. Mund edhe t’i pyesni nxënësit se si janë bekuar nga parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore kur përballen me sfida që lidhen me identitetin e tyre.