Seminari
Moisiu 6:47–68: “Ky Është Plani i Shpëtimit”


“Moisiu 6:47–68: ‘Ky Është Plani i Shpëtimit’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“Moisiu 6:47–68: ‘Ky Është Plani i Shpëtimit’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

Zanafilla 5; Moisiu 6: Mësimi 14

Moisiu 6:47–68

“Ky Është Plani i Shpëtimit”

Jezu Krishti

Jezu Krishti është në qendër të planit të Atit tonë Qiellor për shpëtimin. Ai i fton të gjithë të vijnë tek Ai duke e jetuar doktrinën e Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë si të vijnë te Jezu Krishti dhe të marrin bekimet që vetëm Ai dhe Ati i Tij mund t’i ofrojnë.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të pyesin një pjesëtar të familjes ose një shok apo shoqe pse Jezu Krishti është i rëndësishëm për të dhe çfarë do të thotë për të që të vijë tek Ai.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ejani te Krishti

Merreni parasysh të paraqitni një figurë të Jezu Krishtit, si ajo që gjendet në fillim të mësimit. Më pas tregoni skenarin vijues.

Imagjino sikur ke një shok ose shoqe që nuk e njeh Jezu Krishtin. Shoku ose shoqja të pyet se kush është Jezu Krishti dhe pse Ai ka rëndësi për ty.

Jepuni kohë nxënësve të mendojnë se si mund të përgjigjen. Më pas ftojini ata t’i japin mendimet e veta në grupe të vogla ose në klasë.

  • Po të kishe shumë pak kohë për t’u përgjigjur, çfarë do të doje që shoku ose shoqja jote të dinte rreth Jezu Krishtit? Përse?

Kujtojuni nxënësve thirrjen e Enokut për t’i predikuar pendim një grupi të ligj njerëzish (shihni te Moisiu 6:27–29). Shpjegoni se mësimi i sotëm do të përqendrohet te mësimet e tij ndaj atyre njerëzve. Mesazhi i Enokut u përqendrua te nevoja jonë për Jezu Krishtin dhe te mënyra se si mund të vijmë tek Ai.

Për t’i ndihmuar nxënësit të reflektojnë mbi nevojën e tyre për Shpëtimtarin, merreni parasysh të paraqitni udhëzimet vijuese dhe t’u jepni kohë nxënësve për ta vlerësuar veten në heshtje për secilin pohim.

shkalla e vlerësimit

Duke përdorur një shkallë nga 1 (jo e vërtetë për mua) deri te 5 (e vërtetë për mua), vlerësoje veten duke përdorur pohimet vijuese:

  1. Unë e di pse kam nevojë për një Shpëtimtar.

  2. E kuptoj si mund të vij te Jezu Krishti.

  3. Aktualisht dua të vij te Jezu Krishti dhe ta ndjek Atë.

Pavarësisht nga mënyra se si e vlerësove veten, Shpëtimtari dëshiron që ti të vish tek Ai dhe të marrësh bekimet që vetëm Ai mund të t’i ofrojë. Ndërsa i studion fjalët e profetit Enok sot, kushtoju vëmendje mbresave nga Shpirti për ta kuptuar më mirë pse ke nevojë për Shpëtimtarin dhe si mund të vish tek Ai.

Enoku i jep mësim popullit të tij

Për t’i ndihmuar nxënësit të mësojnë nga mësimet e Enokut te Moisiu 6, merreni parasysh ta kopjoni grafikun vijues në tabelë. Nxënësit mund edhe ta kopjojnë grafikun në ditarët e tyre të studimit. Kërkojuni nxënësve t’i studiojnë vargjet. Caktojini gjysmës së klasës që të kërkojë arsyen pse kemi nevojë për një Shpëtimtar. Gjysma tjetër mund të kërkojë mënyrën se si vijmë te Krishti. Teksa nxënësit studiojnë, nëse dëshironi, mund të ecni rreth e qark klasës dhe t’i pyesni nxënësit nëse ka fjalë ose fraza për të cilat u duhet ndihmë që t’i kuptojnë. Sa vijon mund t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë vargun 59:

Mësimet e Enokut rreth ardhjes te Krishti: Moisiu 6:48–52, 57–59

Kam nevojë për një Shpëtimtar sepse …

Mund të vij te Krishti duke …

Pasi nxënësit ta kenë plotësuar gjysmën e tyre të grafikut, jepuni atyre një mundësi që t’i diskutojnë gjetjet e tyre. Ata mund ta bëjnë këtë duke e plotësuar grafikun në tabelë si klasë ose duke ia treguar atë që mësuan, një partneri.

  • Çfarë mësove nga këto vargje rreth arsyes përse ne kemi nevojë për një Shpëtimtar?

    Nxënësit që u përqendruan tek arsyeja përse kemi nevojë për një Shpëtimtar, mund të tregojnë të vërteta si: ne mund t’i marrim bekimet e shpëtimit vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit (vargu 52); të gjithë njerëzit kudo kanë nevojë të pendohen (vargjet 49–50, 57); asgjë e papastër nuk mund të banojnë në mbretërinë e Perëndisë (vargu 57). Ju mund t’i ftoni nxënësit t’i shkruajnë në tabelë të vërtetat që gjetën në grafikë.

  • Çfarë mësove nga këto vargje rreth veprimeve të caktuara që mund të ndërmarrësh, të cilat do të të ndihmojnë të vish te Jezu Krishti?

    Nxënësit që u përqendruan te mënyra se si mund të vijmë te Krishti, mund ta shkruajnë atë që gjetën, në tabelë. Përgjigjet e tyre mund të përmblidhen në një të vërtetë si: ne vijmë te Krishti kur e dëgjojmë zërin e Shpëtimtarit, besojmë tek Ai, pendohemi për mëkatet tona, pagëzohemi dhe marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë.

    Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se shkrimet e shenjta ndonjëherë i referohen këtij procesi si “doktrina e Krishtit” (2 Nefi 31:2–21), doktrina e Shpëtimtarit (shihni tek 3 Nefi 11:31–40) ose ungjilli i Shpëtimtarit (shihni tek 3 Nefi 27:13–22). Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të lexojnë te Moisiu 6:62 për të parë një term tjetër që Ati Qiellor e përdori për ta përshkruar këtë proces. Mund t’i ftoni nxënësit ta tregojnë atë që po vënë re rreth rolit të Jezu Krishtit në planin e Atit Qiellor për shpëtimin.

  • Çfarë do t’i thoshe dikujt që pyet veten a ia vlen përpjekja që duhet për të ardhur te Krishti?

Si pjesë e diskutimit tuaj për pyetjen e mëparshme, mund të jetë e dobishme që nxënësit të studiojnë disa ose të gjitha vargjet vijuese, duke kërkuar bekimet që mund të marrim ndërsa vijmë te Jezu Krishti: Mateu 11:28–30; 2 Nefi 31:21; 3 Nefi 19:13–14; Ethëri 12:27; Moroni 10:32–33. Mund të merrni parasysh edhe që t’i ftoni nxënësit të tregojnë bekimet që kanë përjetuar ndërsa kanë bërë përpjekje për të ardhur te Jezu Krishti.

Demonstroje kuptueshmërinë

Ftojini nxënësit t’i referohen skenarit me shokun ose shoqen e tyre nga fillimi i mësimit. Për ta ushtruar shpjegimin e asaj që kanë mësuar, nxënësit mund t’i japin përgjigjet e tyre për pyetjet vijuese në grupe të vogla.

Nisur nga ajo që ke mësuar dhe ndier sot, shpjegoja sa vijon shokut ose shoqes në një mënyrë që do të ishte e lehtë që ai ose ajo ta kuptonte:

  • Përse kemi nevojë për Jezu Krishtin?

  • Çfarë mund të bëjmë që të vijmë tek Ai?

Merreni parasysh ta përmbyllni mësimin duke i ftuar nxënësit t’i shënojnë mendimet ose mbresat shpirtërore që kanë pasur, në ditarët e tyre të studimit. Ju mund të tregoni atë që keni mësuar rreth nevojës për Jezu Krishtin, dhe të dëshmoni se si ardhja tek Ai e ka bekuar jetën tuaj.