Seminare dhe Institute
Mësimi 4: Jehova Krijoi Tokën


Mësimi 4

Jehova Krijoi Tokën

Hyrje

“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” pohon: “Nën drejtimin e të Atit, [Jezu Krishti] ishte krijuesi i tokës. ‘Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij; dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë’ (Gjoni 1:3)” (Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 2). Ndërkohë që studentët arrijnë të kuptojnë qëllimet e përjetshme të krijimit të tokës, ata mund të jetojnë me vendosmëri më të madhe për të përmbushur qëllimin e krijimit të tyre.

Lexim Konteksti

  • Russell M. Nelson, “The Creation”, Ensign, maj 2000, f. 84–86.

  • Nëse është e gjindshme në gjuhën tuaj, merrni parasysh të lexoni: Neal A. Maxwell, “Our Creator’s Cosmos”, te By Study and by Faith: Selections from the Religious Educator, bot. Richard Neitzel Holzapfel dhe Kent P. Jackson (2009), f. 37–50.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zanafilla 1:1; Gjoni 1:1–3; Hebrenjve 1:1–2; Jakobi [LiM] 4:9; Doktrina e Besëlidhje 38:1–3; 76:22–24; 104:14–17; Moisiu 1:30–33; 2:1

Jehova krijoi tokën

Paraqitni një objekt që dikush e bëri për ju (ndoshta një dhuratë). Shprehjani klasës ndjenjat tuaja për objektin dhe për personin që e bëri atë. Më pas pyesni:

  • Kur ka bërë dikush diçka për ju? Çfarë ndjenjash keni për personin që e bëri?

Ftojini studentët të krahasojnë dhe të ballafaqojnë Zanafillën 1:1; Gjonin 1:1–3; Efesianëve 3:9; Hebrenjve 1:1–2; dhe Moisiun 2:1. Kërkojuni studentëve të renditin në tabelë ngjashmëritë dhe ndryshimet që vënë re midis këtyre fragmenteve. (Shënim: Kur studentët mësojnë të krahasojnë e ballafaqojnë fragmente të shkrimit të shenjtë, doktrinat dhe parimet mund të bëhen më të qarta.) Më pas pyesni:

  • Sipas këtyre shkrimeve të shenjta, kush e krijoi tokën? (Theksoni që Jehova e krijoi tokën nën drejtimin e Atit, ose siç dha mësim Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “I gjithë Krijimi u planifikua prej [Atit Qiellor]” (“The Creation”, Ensign, maj 2000, f. 84).

Jepuni kohë studentëve që të lexojnë dhe të krahasojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 76:22–24; 104:14–17; dhe Moisiun 1:30–33, duke kërkuar për atë se çfarë tjetër krijoi Jehova. Nëse nevojitet, vini në dukje se Ai krijoi tokë të panumërta dhe se “toka është plot dhe ka mjaft edhe për të kursyer” (DeB 104:17). Ndihmojini studentët ta analizojnë këtë frazë duke pyetur:

  • Çfarë sugjeron kjo frazë rreth asaj që Shpëtimtari duhej të dinte kur krijoi tokën? (Atij i duhej të dinte se sa njerëz do të jetonin në tokë dhe se cilat do të ishin nevojat e tyre gjatë gjithë periudhave të ndryshme të historisë.)

Shpjegojuni studentëve se një gjë është të dish se kush e krijoi tokën, por është diçka tjetër të dish se nga çfarë fuqie u krijua toka. Ftojini studentët të krahasojnë dhe të lidhin si referenca kryq Mormonin 9:16–17; Doktrinën e Besëlidhjet 38:1–3; dhe Jakobin [LiM] 4:9 dhe të përcaktojnë mënyrën si u krijua toka. Ftojini studentët të shpjegojnë me vetë fjalët e tyre se çfarë kuptimi kanë këto fragmente. Pastaj paraqitni thënien vijuese:

“Jezu Krishti krijoi këtë botë dhe gjithçka që është në të. Ai gjithashtu krijoi edhe shumë botë të tjera. Ai e bëri këtë nëpërmjet fuqisë së priftërisë, nën drejtimin e Atit tonë Qiellor” (“Krijimi”, Parimet e Ungjillit [2009], f. 23).

Theksoni se, në realitet, shkrimet e shenjta japin pak hollësi rreth mënyrës si u krijua toka, ndonëse na premtohet se këto hollësi do të zbulohen një ditë (shih DeB 101:32–34). Në shkrimet e shenjta na është dhënë shumë më tepër mësim rreth qëllimit të Krijimit.

Diskutoni si klasë pyetjet vijuese:

  • Kur vëzhgoni botën rreth jush, çfarë mësoni nga krijimet e Perëndisë për Shpëtimtarin, për priftërinë e Tij dhe për rëndësinë e Tij në botën para lindjes?

  • Si ndikon të kuptuarit e këtyre të vërtetave në ndjenjat dhe dëshminë tuaj për Jezu Krishtin?

  • Si ndikon të kuptuarit e këtyre të vërtetave në mënyrën se si ndiheni rreth tokës?

Përpara se të vazhdoni më tej, theksojuni studentëve se, ndonëse Shpëtimtari krijoi tokën, Ati Qiellor është Ati i shpirtrave tanë dhe krijoi trupat fizikë për Adamin dhe Evën.

1 Nefi 17:36; 2 Nefi 2:23–25; Doktrina e Besëlidhje 49:16–17; Moisiu 1:27–33, 39

Qëllimi i krijimit të tokës

Ndajini studentët në dyshe dhe kërkojuni që të shqyrtojnë Moisiun 1:27–33, 39; 1 Nefin 17:36; dhe Doktrinën e Besëlidhjet 49:16–17. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që ata t’i shenjojnë fjalët dhe frazat në këto fragmente që i ndihmojnë ata të shprehin një përgjigje ndaj kësaj pyetjeje: “Si do t’ia shpjegonit një shoku arsyen përse u krijua toka?” Ftojini disa dyshe që t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës. Studentët duhet të kuptojnë se Jehova e krijoi tokën për të siguruar një vend ku fëmijët e Perëndisë të mund të jetonin dhe të përparonin drejt jetës së përjetshme. Pyesni:

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 2 Nefin 2:18–25 dhe më pas pyesni:

  • Si do t’i kishin penguar kushtet në Kopshtin e Edenit Adamin dhe Evën nga përparimi në planin e shpëtimit të Atit Qiellor?

  • Si e ndihmoi Rënia e Adamit tokën në plotësimin e qëllimit të krijimit të saj? (I krijoi mundësinë Adamit dhe Evës të lindnin fëmijë.)

  • Si munden pasojat e Rënies, të përshkruara te vargu 23, të na ndihmojnë të përparojmë në planin e Atit Qiellor?

Jepini secilit student një kopje të thënieve vijuese nga Plaku Brus R. Mek‑Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe Motra Xhuli B. Bek, presidente e përgjithshme e mëparshme e Shoqatës së Ndihmës. Jepuni studentëve kohë të mjaftueshme t’i lexojnë këto thënie dhe të përsiatin mbi rolin e Krijimit në planin e Perëndisë për shpëtimin e fëmijëve të Tij.

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Po aq me siguri sa shpëtimi vjen për shkak të Shlyerjes, po ashtu vjen shpëtimi për shkak të Rënies. …

Dhe le të mbahet mend se Rënia u bë e mundur për shkak se një Krijues i pafund … e krijoi tokën dhe njeriun, dhe të gjitha format e jetës në një gjendje të atillë që të mund të pësonin rënien. … Të gjitha gjërat u krijuan në atë mënyrë që të mund të pësonin rënie ose ndryshim, dhe kështu u paraqit tipi dhe lloji i ekzistencës së nevojshme për të vënë në zbatim të gjitha kushtet dhe kërkesat e planit të shpëtimit të përjetshëm të Atit.

Krijimi i parë i përkohshëm i të gjitha gjërave … ishte i një natyre parajsore. Në kohën e lashtë dhe edenike, të gjitha format e jetës jetonin në një gjendje më të lartë dhe të ndryshme nga ajo që mbizotëron tani. Rënia vijuese do t’i çonte në rënie dhe më përpara e më tej. Vdekja dhe krijimi i jetës duhej ende të vinte në botë” (Bruce R. McConkie, “Christ and the Creation”, Ensign, qershor 1982, f. 9).

Pamja
Xhuli B. Bek

© Busath.com

“Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne kemi një teologji të familjes që bazohet te Krijimi, Rënia dhe Shlyerja. Krijimi i tokës siguroi një vend ku familjet të mund të jetonin. Perëndia krijoi një burrë dhe një grua, të cilët ishin dy gjysma thelbësore të familjes. Ishte pjesë e planit të Atit Qiellor që Adami dhe Eva të vuloseshin dhe të formonin një familje të përjetshme.

Rënia siguroi një mënyrë që familja të rritej. Adami dhe Eva ishin udhëheqës familjeje që zgjodhën të kishin një përvojë të vdekshme. Rënia u bëri të mundur atyre që të kishin bij dhe bija.

Shlyerja e lejon familjen të vulosen së bashku në përjetësi. Ajo u lejon familjeve të kenë rritje dhe përsosmëri të përjetshme. Plani i lumturisë, i quajtur gjithashtu edhe plani i shpëtimit, ishte një plan i krijuar për familjet. Brezi i ri duhet të kuptojë se shtyllat kryesore të teologjisë sonë përqendrohen te familja” (Julie B. Beck, “Teaching the Doctrine of the Family”, Ensign, mars 2011, f. 12).

  • Si ju ndihmojnë këto thënie të kuptoni rolin kritik të Krijimit në planin e përgjithshëm të Perëndisë për shpëtimin e fëmijëve të Tij?

  • Përse është e rëndësishme të kuptohet se toka u krijua për të ndihmuar në ekzaltimin e individëve dhe familjeve? (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruani parimin vijues në tabelë: Ndërsa arrijmë të kuptojmë qëllimin e krijimit të tokës, ne mund të zhvillojmë një dëshirë më të madhe për të përmbushur qëllimin e krijimit tonë.)

Shpjegojuni studentëve se fuqia vulosëse e priftërisë bën të mundur që bashkëshortët e bashkëshortet dhe prindërit e fëmijët të jenë së bashku pas vdekjes. Pa fuqinë vulosëse që u rivendos nëpërmjet Elijas, fëmijët e Perëndisë nuk mund të merrnin bekimet e plota të ekzaltimit dhe ky qëllim i krijimit të tokës nuk do të ishte plotësuar ose siç mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje “toka do të shkatërrohej tërësisht” (DeB 2:3; shih edhe Malakia 4:6).

Mbylleni mësimin duke dëshmuar për këto të vërteta të rëndësishme: 1) Jehova e krijoi tokën nën drejtimin e Atit; 2) Ai e krijoi tokën për të siguruar një vend ku fëmijët e Perëndisë të mund të jetonin e të përparonin drejt jetës së përjetshme; dhe 3) ndërsa arrijmë të kuptojmë qëllimin e krijimit të tokës, ne mund të zhvillojmë dëshirë më të madhe për të përmbushur qëllimin e krijimit tonë.

Nxitini studentët të përsiatin mbi atë që mund të bëjnë për të shprehur mirënjohjen e tyre për krijimet e Jezu Krishtit. Nxitini studentët të veprojnë sipas çdo nxitjeje të Shpirtit që ndien gjatë mësimit.

Materiale Leximi për Studentin