Seminare dhe Institute
Mësimi 3: Jehova dhe Shërbesa e Tij Para Lindjes


Mësimi 3

Jehova dhe Shërbesa e Tij Para Lindjes

Hyrje

Sipas profetëve bashkëkohorë, Jezu Krishti “dha mësim për të vërtetat e përjetësisë, realitetin e ekzistencës sonë para lindjes, qëllimin e jetës sonë në tokë dhe potencialin e bijave dhe bijve të Perëndisë në jetën që vjen” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 2). Në këtë mësim, studentët do të mësojnë që, në jetën para tokësore, besimi i tyre se Jehova (Jezu Krishti) do të kryente Shlyerjen, i mundësoi ata ta mposhtin Satanin në Luftën në Qiell. Studentët do të shohin gjithashtu që, në botën para lindjes, Jehova shquhej së tepërmi nga të gjithë fëmijët e Perëndisë në të gjitha cilësitë hyjnore.

Lexim Konteksti

  • Richard G. Scott, “Jesus Christ, Our Redeemer”, Ensign, maj 1997, f. 53–54, 59.

  • “The Father and the Son: A Doctrinal Exposition by the First Presidency and the Quorum of the Twelve Apostles”, Ensign, prill 2002, f. 13–18.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zbulesa 12:7–11; Moisiu 4:3

Roli i Jehovës në Luftën në Qiell

Shkruajeni fjalën luftë në tabelë dhe pyetini studentët se çfarë pamjesh u vijnë në mendje kur mendojnë për luftën. Pastaj ftojini t’i hedhin një sy me shpejtësi Zbulesës 12:7, 9 dhe të përcaktojnë luftën e përshkruar aty (Luftën në Qiell). Kërkojuni studentëve të shpjegojnë kuptimin e tyre mbi atë që ndodhi në atë luftë.

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek‑Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Ç’lloj lufte [ishte Lufta në Qiell]? Po ai lloj që mbizotëron në tokë; i vetmi lloj që Satani dhe qeniet shpirtërore mund të bëjnë – një luftë fjalësh, një zhurmë opinionesh, një konflikt ideologjish; një luftë midis të vërtetës dhe gabimit” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:518).

Pyetini studentët:

  • Sipas Plakut Mek‑Konki, si ishte Lufta në Qiell e ngjashme me luftën që Satani bën kundër fëmijëve të Perëndisë në vdekshmëri?

Ftoni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 12:10 dhe një tjetër të lexojë me zë të lartë Moisiun 4:3. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i lidhin si referenca kryq këto dy fragmente duke shkruar Moisiu 4:3 në anë të faqes së shkrimeve të tyre të shenjta pranë Zbulesës 12:10 dhe anasjelltas. Shpjegoni se “paditësi i vëllezërve tanë” (Zbulesa 12:10) ishte Satani. Më pas pyesni:

  • Sipas Moisiut 4:3, si u flak jashtë botës së para lindjes Satani?

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Zbulesën 12:11. Ndihmojini të përmendin një parim që na mësohet në këtë varg, duke bërë pyetjet vijuese:

  • Si do ta përmblidhnit atë që vargu 11 na mëson rreth pasojave të Shlyerjes së Jezu Krishtit? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ngaqë ishte e sigurt që Jezu Krishti do ta përmbushte Shlyerjen, ndikimet e saj ishin të pranishme që në botën para lindjes. Ai, si rrjedhim, quhet “Qengji, që ishte vrarë që nga krijimi i botës” [Zbulesa 13:8; shih edhe Mosia 4:7; Moisiu 7:47].)

  • Si mund ta përdorni atë që është shënuar te Zbulesa 12:11 për t’ju ndihmuar në luftën tuaj vetjake kundër Satanit në këtë jetë? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Ne mund ta mposhtim Satanin duke u mbështetur te Jezu Krishti, i cili kreu Shlyerjen, dhe duke dhënë dëshminë tonë e duke qenë të vërtetë ndaj saj.)

Abraham 3:15–25; Doktrina e Besëlidhje 138:55–56

Jehova shquhet nga ne në të gjitha gjërat

Tregojuni studentëve se, në jetën para lindjes, ne u përgatitëm për të ardhur në tokë. Paraqitni thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith (1805–1844) dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Profeti Jozef Smith

“Vetë Perëndia, duke konstatuar se ishte në mes të shpirtrave dhe të lavdisë, sepse ai ishte më inteligjent, e pa me vend të krijonte ligje sipas të cilave pjesa tjetër të mund të kishte privilegjin që të përparonte si ai vetë. Marrëdhënia që kemi me Perëndinë, na vendos në një pozicion që të përparojmë në njohuri. Ai ka fuqinë që të krijojë ligje për të udhëzuar inteligjencat më të dobëta, që ata të mund të ekzaltohen me atë vetë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2007], f. 220).

Vijoni duke bërë pyetjet e mëposhtme:

  • Çfarë mësoni nga thënia e Jozef Smithit rreth dëshirave të Atit Qiellor për ne? (Ati Qiellor dëshiron që ne të përparojmë dhe të zhvillohemi shpirtërisht – që të bëhemi më shumë si Ai.)

Shkruajini pyetjet vijuese në tabelë dhe kërkojuni studentëve që të studiojnë Abrahamin 3:24–25 për të zbuluar përgjigjet:

  • Kush ishte “një mes tyre, që ishte sikurse Perëndia”? (vargu 24).

  • Çfarë roli luajti ai?

  • Cili tha ai se do të ishte njëri qëllim i vdekshmërisë?

Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës. Pastaj ftojini studentët të shqyrtojnë Doktrinën e Besëlidhjet 138:55–56 për pikëpamje mbi atë që u bë për t’i përgatitur fëmijët e Perëndisë që të kishin sukses në vdekshmëri. Për t’i ndihmuar studentët ta krahasojnë këtë fragment me veten, pyesni:

  • Sipas këtyre vargjeve, si u përgatitëm ne për të ardhur në tokë?

Ftojini studentët të përsiatin për një çast mbi atë se çfarë cilësish kishte Shpëtimtari në botën para lindjes. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Abrahamin 3:19, 21. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke kërkuar për atë që na mësohet rreth Jezu Krishtit. Pasi studentët të përgjigjen, jepuni studentëve një kopje të thënieve vijuese nga Plaku Nil A. Maksuell (1926–2004) dhe Plaku Brus R. Mek‑Konki (1915–1985), të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojuni atyre që t’i lexojnë thëniet dhe t’i shenjojnë fjalët e frazat që na mësojnë rreth Shpëtimtarit:

Pamja
Plaku Nil A. Maksuell

“Në inteligjencë dhe përmbushje, [Jezu Krishti] i la mjaft pas zotësitë dhe arritjet e veçanta e të përbashkëta të të gjithë atyre që kanë jetuar, jetojnë tani dhe do të jetojnë ndonjëherë! (Shih Abraham 3:19.)” (Neal A. Maxwell, “O, Divine Redeemer”, Ensign, nëntor 1981, f. 8).

Pamja
Plaku Brus R. Mek–Konki

“Duke qenë të nënshtruar ndaj ligjit dhe duke pasur lirinë e tyre të zgjedhjes, të gjithë shpirtrat e njerëzve, ndërkohë që ishin ende në Praninë e Përjetshme, zhvilluan dhunti, talente, zotësi dhe aftësi të çdo lloji, natyre e shkalle. Gjatë shtrirjes së gjatë në kohë të jetës së atëhershme, një larmi e pafundme talentesh dhe aftësish lindën. …

Zoti na dhuroi të gjithëve lirinë e zgjedhjes; ai na dha ligjet që do të na mundësonin të bënim përpara e të përparonim dhe të bëheshim si ai; dhe ai na këshilloi dhe nxiti që të ndiqnim shtegun që çon te lavdia dhe ekzaltimi. Ai vetë ishte mishërimi dhe personifikimi i të gjitha gjërave të mira. Çdo karakteristikë dhe tipar i dëshirueshëm ishte tek ai në plotësinë e saj të përjetshme. Të gjithë fëmijët e tij të bindur filluan të bëheshin si ai në një mënyrë apo tjetër. Kishte po aq larmi dhe shkallë të madhe talenti e aftësie mes nesh atje, sa gjendet mes nesh këtu. Disa u shquan në një mënyrë, të tjerë në një mënyrë tjetër. I Parëlinduri u shqua nga ne të gjithë në të gjitha gjërat” (Bruce R. McConkie, The Mortal Messiah, 4 vëll. [1979–1981], 1:23).

Vijoni duke i pyetur studentët se çfarë u bëri përshtypje në këto thënie. Nëse nevojitet, pyesni:

  • Çfarë mësoni nga këta dy Apostuj rreth cilësive të veçanta të Jehovës në botën para lindjes? (Studentët duhet ta kuptojnë se, në botën para lindjes, Jehova i la pas zotësitë dhe arritjet e përbashkëta të të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor.)

Jepuni studentëve disa minuta që të përsiatin mbi shërbesën para lindjes të Shpëtimtarit dhe të shkruajnë ndonjë nga mendimet dhe ndjenjat që kanë. Ftoni disa prej tyre t’i tregojnë klasës atë që shkruan. Mbylleni mësimin duke i nxitur studentët të mendojnë për atë se si dijenia mbi shërbesën para lindjes dhe cilësitë e pashoqe të Shpëtimtarit mund t’i ndihmojë të kenë më shumë dashuri për Të dhe besim në Të.

Materiale Leximi për Studentin