Seminare dhe Institute
Mësimi 24: Ai Jeton!


Mësimi 24

Ai Jeton!

Hyrje

Përsa i përket Shpëtimtarit Jezu Krisht, Profeti Jozef Smith deklaroi: “Dhe tani, pas shumë dëshmive që janë dhënë për të, kjo është dëshmia, e fundit e të gjithave, që ne japim për të: Se ai jeton!” (DeB 76:22). Qëllimi i këtij mësimi është t’i ndihmojë studentët për të kuptuar se Shpëtimtari jeton sot, se Ai është Avokati ynë me Atin dhe se nëpërmjet besimit tek Ai ne bëhemi “bij e bija të lindura të Perëndisë” (DeB 76:24; shih edhe Galatasve 3:26).

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 25:1; 76:19–24; 110:1–4

Jezu Krishti jeton sot

Lexojeni me zë të lartë tregimin e mëposhtëm të një përvoje të Presidentit Lorenco Snou (1814–1901), siç rrëfehet nga mbesa e tij, Elis Pondi:

Pamja
Presidenti Lorenco Snou

“Në korridorin e madh që të çon drejt dhomës çelestiale, unë po ecja disa hapa përpara gjyshit kur ai më ndaloi dhe më tha: ‘Prit një çast, Eli, dua të të them diçka. Ishte pikërisht këtu që Zoti Jezu Krisht m’u shfaq në kohën e vdekjes së Presidentit Udraf. Ai më udhëzoi të shkoja përpara dhe të riorganizoja menjëherë Presidencën e Parë të Kishës dhe të mos prisja siç ishte bërë pas vdekjes së presidentëve të mëparshëm, dhe që unë duhej të bëhesha udhëheqësi tjetër pas Presidentit Udraf.’

Pastaj gjyshi erdhi një hap më afër dhe zgjati dorën e tij të majtë dhe tha: ‘Ai qëndroi pikërisht këtu, rreth një metër mbi dysheme. Ai dukej sikur qëndronte mbi një pjatë ari të plotë.’

Gjyshi më tregoi çfarë personazhi i lavdishëm është Shpëtimtari dhe përshkroi duart, këmbët, pamjen e fytyrës dhe rrobat e Tij të mrekullueshme të bardha, gjithçka nga të cilat ishte e një lavdie, bardhësie e shkëlqimi që ai zor se mund ta vështronte ngultas Atë.

Pastaj gjyshi erdhi edhe një hap më afër dhe vuri dorën e tij të djathtë mbi kokën time dhe tha: ‘Tani, mbesë, unë dua që ti të kujtosh se kjo është dëshmia e gjyshit tënd, që të tregoi ty me gojën e tij se ai vërtet e pa Shpëtimtarin, këtu në Tempull, dhe foli me Të ballë për ballë’” [Alice Pond, në LeRoi C. Snow, “An Experience of My Father’s”, Improvement Era, shtator 1933, 677]” (Teachings of Presidents of the Church: Lorenzo Snow [2012], f. 238–239).

  • Çfarë mendimesh keni ndërsa e dëgjoni këtë tregim?

Thuajuni studentëve se Doktrina e Besëlidhjet përmban dy tregime të shfaqjes së Shpëtimtarit te njerëzit në ditët e mëvonshme: një prej shfaqjeve të Tij te Jozef Smithi dhe te Sidni Rigdoni në Hiram, Ohajo (shih DeB 76) dhe shfaqja tjetër e Tij te Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri në Tempullin e Kirtlandit (shih DeB 110). Shkruajini në tabelë tri pyetjet vijuese:

Çfarë panë ata? Çfarë dëgjuan ata? Çfarë mësuan ata?

Ftojeni klasën të kërkojë përgjigje për këto pyetje në shkrimet e shenjta. Kërkojini gjysmës së klasës të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 76:19–24 dhe gjysmës tjetër të lexoj Doktrinën e Besëlidhjet 110:1–4. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojini klasës të tregojë atë që zbuluan. Shkruajini gjetjet e tyre në tabelë poshtë pyetjeve të duhura. Më pas, pyetini:

  • Çfarë na mësojnë këto vargje rreth Jezu Krishtit? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi doktrinash, përfshirë sa vijon: Jezu Krishti është një qenie e gjallë, e lavdishme; Ati ynë Qiellor dhe Jezu Krishti janë personazhe të ndara; nëpërmjet besimit në Jezu Krisht dhe pranimit të ungjillit të Tij, ne bëhemi bij e bija të lindura të Perëndisë; dhe Jezu Krishti është Avokati ynë me Atin.)

Jepuni studentëve një mundësi për t’i dhënë dëshmitë e tyre për këto doktrina duke bërë pyetjen vijuese:

  • Cilat nga këto të vërteta janë veçanërisht kuptimplote për ju? Përse?

Thuajuni studentëve se pjesa e mbetur e mësimit do të përqendrohet te dy doktrina të gjendura në fragmentet që lexuan ata : “Jezu Krishti është Avokati ynë me Atin” dhe “Nëpërmjet besimit në Jezu Krisht dhe pranimit të ungjillit të Tij, ne bëhemi bij e bija të lindura të Perëndisë”.

Doktrina e Besëlidhje 29:5; 38:4; 45:3–5; Alma 33:3–11

Jezu Krishti është Avokati ynë me Atin

Shkruajeni në tabelë fjalën avokat dhe pyetini studentët a e dinë se çfarë do të thotë. (Nëse nevojitet, përkufizojeni fjalën avokat duke shpjeguar se i drejtohet një njeriu që flet në përkrahje të çështjes së dikujt tjetër ose e ndërhyn për të.) Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 110:4. Më pas, pyetini:

  • Si shërben Shpëtimtari si avokat? (Ndërsa studentët japin mendimet e tyre, kërkoni mundësi për të dëshmuar se: Jezu Krishti është Avokati ynë me Atin.)

Shfaqini pyetjet në vijim ose shkruajini në tabelë:

Çfarë e kualifikon Jezu Krishtin për të qenë Avokati ynë?

Për ku e tërheq vëmendjen e Atit Jezusi ndërsa Ai ndërhyn për ne?

Kërkojuni studentëve të punojnë në dyshe dhe të kërkojnë përgjigje për këto pyetje te Hebrenjve 4:15; Doktrina e Besëlidhje 29:5; 38:4; dhe 45:3–5. Pasi studentët t’i kenë lexuar fragmentet dhe të kenë diskutuar për pyetjet në tabelë, ftojini disa vullnetarë që t’i ndajnë përgjigjet e tyre me klasën.

Ndërsa studentët e shpjegojnë atë që mësuan, sigurohuni që ta kuptojnë sa vijon: Jezu Krishti është i kualifikuar për të ndërhyrë për ne përpara Atit sepse Ai është përsosurisht i drejtë dhe kështu mund t’i përmbushë kërkesat e drejtësisë për mëkatet tona. Ai është i kualifikuar të ndërhyjë për ne për shkak të meritave të Tij, jetës së Tij të përkryer dhe gjakut të Tij që e derdhi për nesh. Ne nuk kemi merita që të na lejojnë të ndërhyjmë për veten (shih Alma 22:14).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 45:3–5 ndërsa klasa e ndjek. Shpjegoni se puna dhe lavdia e Atit Qiellor është ekzaltimi i fëmijëve të Tij. Kështu, teksa Jezusi i mbron ata që besojnë tek Ai, Ai ndihmon të kryhet puna e Atit ndërkohë që ia jep gjithashtu lavdinë Atit (shih edhe Mateu 10:32).

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë punën e Jezu Krishtit si Avokati ynë, ftojini ata të lexojnë fjalët e Zenosit tek Alma 33:3–10. Kërkojuni atyre të përcaktojnë fraza që përsëriti Zenosi (variante të “ti ishe i mëshirshëm” dhe “ti më dëgjove”). Më pas, pyetini:

  • Çfarë mësoi Zenosi rreth Perëndisë nëpërmjet përvojave të tij me lutjen e sinqertë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 33:11 . Më pas, pyeteni klasën:

  • Kujt i dha merita Zenosi për mëshirën bujare të Atit Qiellor?

  • Pse Perëndia, Ati i largon gjykimet e Tij prej nesh?

  • Si ju ndihmojnë mësimet e Zenosit që ta kuptoni më mirë e ta vlerësoni rolin e Shpëtimtarit si Avokat në jetën tuaj?

Shfaqeni thënien e mëposhtme nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Është me domethënie të madhe për mua që unë mundem t’i afrohem nëpërmjet lutjes fronit të hirit në çdo çast e në çdo rrethanë, që Ati im Qiellor do ta dëgjojë kërkesën time, që Avokati im, ai që nuk bëri mëkat, gjaku i të cilit u derdh, do të ndërhyjë për çështjen time”. (Shih DeB 45:3–5.)” (“I Know in Whom I Have Trusted”, Ensign, maj 1993, f. 83).

Kërkojini një studenti të shpjegojë me fjalët e veta parimin që po jepte mësim Plaku Kristoferson. Më pas, pyetni:

  • Si mund t’ju ndihmojë pasja e një dëshmie vetjake në kohë ankthi?

Mosia 5:5–15

Nëpërmjet besimit te Jezu Krishti dhe pranimit të ungjillit të Tij, ne bëhemi bij e bija të lindura të Perëndisë

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 76:24 dhe kërkojini klasës ta ndjekë. Vërini në dukje fjalët “nëpërmjet tij dhe prej tij, dhe përmes tij … [ne jemi] bij e bija të lindura të Perëndisë”.

Pyetini studentët:

  • Çfarë do të thotë të jemi “bij e bija të lindura të Perëndisë”? (DeB 76:24; shih edhe DeB 25:1).

Sigurohuni që studentët ta kuptojnë se, edhe pse të gjithë ne jemi fëmijë shpirtërore të Atit Qiellor, termi “bij e bija të lindura të Perëndisë”, iu drejtohet posaçërisht atyre që kanë “lindur përsëri”. Thuajuni studentëve se Libri i Mormonit e ilustron procesin e të qenit të lindur sërish.

Shfaqeni pasqyrën përmbledhëse në vijim ose kopjojeni atë në tabelë (mos e përfshini materialin në kllapa):

Çfarë qe i gatshëm të bënte populli i Mbretit Beniamin?

Çfarë erdhi si rrjedhojë e veprimeve të tyre?

(Hynë në një besëlidhje për t’iu bindur të gjitha urdhërimeve të Perëndisë)

(Morën mbi vete emrin e Krishtit)

(Ushtruan besim në Krisht)

(Zemrat e tyre u ndryshuan)

(Ata lindën nga Krishti)

(Krishti u bë Ati i tyre i besëlidhjes)

Përmblidheni shkurtimisht mesazhin e Mbretit Beniamin te Mosia 2–4. Pastaj shpjegoni se fjalët e Mbretit Beniamin patën një efekt të ndjeshëm në popullin e tij dhe Shpirti i Zotit shkaktoi një “ndryshim të madh” që u gdhend në zemrat e tyre (shih Mosia 5:2). Ftojini studentët të studiojnë Mosian 5:2–8, 15 në dyshe, duke kërkuar përgjigje për pyetjet në tabelë. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve të tregojnë se çfarë kanë gjetur. Më pas, pyetni:

  • Sipas asaj që mësuat rreth popullit të Mbretit Beniamin, si bëheni një bir apo bijë e lindur e Krishtit? (Studentët duhet të shprehin parimin vijues: Ndërsa e pranojmë Jezu Krishtin dhe bëjmë dhe mbajmë besëlidhje për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë, ne bëhemi bij dhe bija të lindura të Krishtit.)

Ndërsa studentët diskutojnë mbi këto vargje, atyre mund t’u duhet ndihmë për të kuptuar doktrinën që ne mund të bëhemi fëmijët e Krishtit. Lexojeni me zë të lartë mësimin vijues nga Presidenti Jozef Filding Smith (1876–1972):

Pamja
Presidenti Jozef Filding Smith

“Shpëtimtari bëhet Ati ynë … sepse ai na ofron jetë, jetë të përjetshme, nëpërmjet shlyerjes që bëri për ne. …

… Ne bëhemi fëmijët, bijtë dhe bijat e Jezu Krishtit, nëpërmjet besëlidhjeve tona për t’iu bindur Atij” (Doctrines of Salvation, përpil. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 1:29).

  • Sipas Mosias 5:15, çfarë bekimesh mund të marrim si bij apo bija të Jezu Krishtit?

  • Çfarë mendimesh dhe ndjenjash keni rreth të qenit bir apo bijë e Jezu Krishtit?

Ndërsa e përfundoni këtë mësim, nxitini studentët të përsiatin mënyrën se si është bekuar jeta e tyre duke e ditur se Shpëtimtari jeton, se Ai shërben si Avokati ynë me Atin dhe se ne mund të jemi bij apo bija besëlidhjeje të Krishtit.

Leximet e Studentëve