Seminare dhe Institute
Mësimi 10: Eja, Më Ndiq


Mësimi 10

Eja, Më Ndiq

Hyrje

Jezu Krishti shpalli: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6). “Udha e [Jezusit] është shtegu që të çon drejt lumturisë në këtë jetë dhe jetës së përjetshme në botën që vjen” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Ensign ose Liahona, prill 2000, f. 3). Ky mësim thekson ftesën e Jezu Krishtit drejtuar të gjithëve që ta ndjekin Atë dhe të jenë dishepujt e Tij. Ky mësim analizon gjithashtu atë se çfarë do të thotë të ecësh në shtegun e dishepullimit.

Lexim Konteksti

  • Diter F. Uhtdorf, “Udha e Dishepullit”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 75–78.

  • Joseph B. Wirthlin, “Follow Me”, Ensign, maj 2002, f. 15–17.

Sugjerime për Mësimdhënien

Gjoni 1:35–47; 2 Nefi 26:33; Alma 5:33–34

Jezu Krishti i fton të gjithë të jenë dishepujt e Tij

Ftojeni një student që shkurtimisht të tregojë për një rast kur ai ose ajo po udhëtonte drejt një pikëmbërritjeje dhe gabimisht mori një kthesë të gabuar ose shkoi në rrugën e gabuar. Pastaj ftojini studentët të lexojnë Gjonin 14:6 dhe të thonë me vetë fjalët e tyre doktrinën që Jezusi dha mësim në këtë varg. (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të kuptojnë se e vetmja mënyrë se si mund të kthehemi për të jetuar me Atin Qiellor, është duke ndjekur Jezu Krishtin.)

Tregojuni studentëve se, pasi Jezu Krishti u pagëzua dhe pastaj u tundua në shkretëtirë, Ai i ftoi të tjerët ta ndjekin Atë. Ata që e ndoqën Shpëtimtarin atëherë dhe tani, quhen dishepuj. Ftojini studentët të gjejnë te Gjoni 1:35–47 emrat e disa prej dishepujve të parë të Shpëtimtarit dhe se çfarë i nxiti ata që ta ndiqnin Atë.

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007), i Presidencës së Parë, dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

“Fjala dishepull dhe fjala disiplinë kanë ardhur nga e njëjta rrënjë latine – discipulus; që do të thotë “nxënës”. Ajo vë në dukje praktikën apo të ushtruarin. Vetëdisiplina dhe vetëkontrolli janë karakteristika të vazhdueshme dhe të përhershme të ndjekësve të Jezusit. …

Çfarë do të thotë të jesh dishepull? Është, së pari, bindje ndaj Shpëtimtarit” (“Discipleship”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 20; [Konferenca e Përgjithshme Tetor 2006 (nr. artikulli 01637 101); “Të Jesh Dishepull”, f. 26]).

  • Çfarë nënkupton ky përkufizim i dishepullimit rreth asaj se si mund të ketë qenë jeta e dishepujve të parë të Jezu Krishtit?

Ftojini studentët të lexojnë dhe të krahasojnë 2 Nefin 26:33 dhe Almën 5:33–34 për të parë se kë tjetër ftoi Jezusi që të vinte tek Ai. Pastaj diskutoni për pyetjet vijuese:

  • Çfarë na mësojnë këto fragmente rreth ftesës së Shpëtimtarit për të ardhur tek Ai? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Jezu Krishti i fton të gjithë njerëzit të vijnë tek Ai dhe të jenë dishepujt e Tij.)

  • Sipas Almës, çfarë u premtoi Shpëtimtari atyre që e pranojnë ftesën për të ardhur tek Ai?

  • Çfarë domethënie kanë këto premtime për ju?

Mateu 4:18–22; Lluka 5:11; 9:57–62; 14:25–33

Të jesh një dishepull i Jezu Krishtit

Ndajini studentët në dyshe. Ftojini ata të studiojnë Mateun 4:18–22 dhe Llukën 5:11 dhe të gjejnë sakrificat që bënë disa prej dishepujve të parë të Jezu Krishtit në mënyrë që të pranonin thirrjen për ta ndjekur Atë. Diskutoni për pyetjet vijuese:

  • Si do ta përshkruanit përgjigjen e këtyre dishepujve të parë ndaj urdhrit të Shpëtimtarit për ta ndjekur Atë? (Diskutoni për kuptimin e fjalëve dhe frazave të tilla si “i lanë menjëherë rrjetat”, “menjëherë” dhe “lanë”.)

  • Çfarë të vërtetash të rëndësishme i shtojnë këto fragmente asaj se çfarë do të thotë të jesh një dishepull i Jezu Krishtit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Të qenit dishepull i Jezu Krishtit kërkon bindje dhe sakrificë.)

Jepuni studentëve një kopje të thënies vijuese nga Plaku Jozef B. Uirthlin (1917–2008), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

Pamja
Plaku Jozef B. Uirthlin

“Rrjetat përgjithësisht janë përkufizuar si pajisje për kapjen e diçkaje. Në një … kuptim më të rëndësishëm, ne mund ta përkufizojmë një rrjetë si çdo gjë që na tërheq ose na pengon nga ndjekja e thirrjes së Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë së gjallë.

Rrjetat në këtë kontekst mund të jenë puna jonë, hobitë tona, kënaqësitë tona dhe mbi të gjitha, tundimet dhe mëkatet tona. Me pak fjalë, një rrjetë mund të jetë gjithçka që na tërheq larg marrëdhënies sonë me Atin tonë Qiellor ose nga Kisha e Tij e rivendosur. …

Është e pamundur të renditim rrjetat e shumta që mund të na futin në kurth dhe të na pengojnë që të ndjekim Shpëtimtarin. Por, nëse jemi të sinqertë në dëshirën tonë për ta ndjekur Atë, ne duhet t’i lëmë menjëherë rrjetat ngatërruese të botës dhe ta ndjekim Atë.

… Jeta jonë mbushet kaq lehtësisht me takime, mbledhje dhe detyra. Është kaq e lehtë të gjendesh i kapur në një mori rrjetash sa që ndonjëherë edhe një sugjerim i çlirimit prej tyre mund të jetë kërcënues dhe madje frikësues për ne.

Ndonjëherë ne ndiejmë se sa më të zënë të jemi, aq më të rëndësishëm jemi – sikur angazhimi ynë përcakton vlerën tonë. Vëllezër dhe motra, ne mund të kalojmë një jetë të tërë duke u sjellë vërdallë me hap të ethshëm, duke përfunduar lista me radhë të gjërave që në fund në të vërtetë nuk kanë rëndësi.

Që ne bëjmë shumë gjëra mund të mos jetë kaq e rëndësishme. Që e përqendrojmë energjinë e mendjeve, zemrave dhe shpirtrave tanë në ato gjëra me rëndësi të përjetshme – kjo është thelbësore” (“Follow Me”, Ensign, maj 2002, f. 15–16).

  • Nëse peshqit, rrjetat dhe varkat që lanë pas peshkatarët, përfaqësojnë shqetësimet e tyre tokësore, çfarë gjërash mund t’ju kërkojë Shpëtimtari që të lini pas në mënyrë që ta ndiqni Atë?

  • Përse ndonjëherë shqetësimet tokësore janë të vështira për t’u mënjanuar?

  • Si mund ta dallojë një person nëse ai apo ajo është zënë nga tipi i rrjetave ngatërruese për të cilat foli Plaku Uirthlin?

Ftojini studentët të tregojnë për një rast në jetën e tyre kur iu përgjigjën thirrjes së Shpëtimtarit për ta ndjekur Atë (ndoshta duke mënjanuar gjërat e vjetra ose duke pranuar një thirrje në Kishë). Më pas pyesni:

  • Si e bekoi jetën tuaj përgjigjja ndaj kësaj thirrjeje?

Paraqitni referencat e shkrimit të shenjtë dhe pyetjet vijuese ose shkruajini ato në tabelë:

Lluka 9:57–62 – Çfarë mund të na pengojë ta ndjekim Shpëtimtarin?

Lluka 14:25–27, 33 – Çfarë kërkon Shpëtimtari prej dishepujve të Tij?

Lluka 14:28–32 – Si lidhet fjala mbaroj/përfundoj me kërkesat për të qenë dishepull?

Ndajeni klasën në tri grupe dhe caktojini secilit grup që të studiojë një prej fragmenteve dhe pyetjen përkatëse. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të tregojnë mënyrën se si fragmenti që lexuan i përgjigjet pyetjes së tyre. Pasi të jenë diskutuar që të tri fragmentet, pyesni:

  • Çfarë kërkese e dishepullimit ilustrohet nga analogjitë e Shpëtimtarit? (Ndërkohë që studentët diskutojnë mbi këtë pyetje, ndihmojini të kuptojnë të vërtetën vijuese: Dishepullimi kërkon gatishmërinë tonë të qëndrueshme për të braktisur gjithçka dhe për të ndjekur Jezu Krishtin.)

Shpjegoni se, ndërsa dishepullimi nënkupton që ne e rritim në mënyrë të qëndrueshme përkushtimin dhe zotimin tonë për ta ndjekur Shpëtimtarin, Ai nuk kërkon që ne të vrapojmë më shpejt sesa kemi fuqi (shih Mosia 4:27).

Jepini secilit student një kopje të thënies vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Hapi i parë në shtegun e qenies dishepull, për fat të mirë, fillon tamam në vendin ku qëndrojmë! Nuk na duhet të kualifikohemi paraprakisht që ta bëjmë atë hap të parë. Nuk ka rëndësi nëse jemi të pasur apo të varfër. Nuk ka [ndonjë] kërkesë që të jemi të arsimuar, gojëtarë apo intelektualë. Nuk na duhet të jemi të përsosur, të flasim bukur dhe as madje të jemi tepër të sjellshëm.

Ju dhe unë mund të ecim në shtegun e të qenit dishepull sot. Le të jemi të përulur; le t’i lutemi Atit tonë në Qiell me gjithë zemrën tonë dhe t’i shprehim dëshirën tonë që të afrohemi me Të dhe të mësojmë prej Tij.

Kini besim. Kërkoni dhe do të gjeni. Trokitni dhe dera do të çelet [shih Mateu 7:7]. Shërbejini Zotit duke u shërbyer të tjerëve. Bëhuni pjesëmarrës aktivë në lagjen ose degën tuaj. Forconi familjen tuaj duke u zotuar të jetoni parimet e ungjillit. Jini të një zemre dhe të një mendjeje në martesën tuaj dhe familjen tuaj.

Tani është koha për të rregulluar jetën tuaj që të jeni në gjendje që të keni një rekomandim tempulli dhe ta përdorni atë. Tani është koha për të pasur mbrëmje familjare të shtëpisë kuptimplota, për të lexuar fjalën e Perëndisë dhe për t’i folur Atit tonë Qiellor me lutje të zellshme. Tani është koha për të mbushur zemrat tona me mirënjohje për Rivendosjen e Kishës së Tij, për profetët e gjallë, Librin e Mormonit dhe fuqinë e priftërisë që bekon jetën tonë. Tani është koha të përqafojmë ungjillin e Jezu Krishtit, të bëhemi dishepujt e Tij dhe të ecim në udhën e Tij” (“Udha e Dishepullit”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 77).

  • Ku tha Presidenti Uhtdorf se fillon udha e dishepullimit?

  • Sipas Presidentit Uhtdorf, kur është koha për të filluar të ecim në udhën e dishepullimit?

Shkruajeni sa vijon në tabelë:

Tani është koha për mua që të …

Ftojini studentët të përsiatin se si mund ta plotësojnë këtë fjali me një mënyrë sipas së cilës do të veprojnë për të qenë dishepull i Jezu Krishtit. Nxitini ata të veprojnë menjëherë në zbatim të çfarëdo që u vjen në mendje, për shkak se ai mendim ka të ngjarë të ishte një nxitje nga Fryma e Shenjtë. Dëshmojuni se, ndërsa e ndërmarrin këtë hap të parë, Zoti do t’i ndihmojë ata të jenë dishepujt e Tij.

Materiale Leximi për Studentin