“Shpëtimi”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Shpëtimi
Dhurata për t’u ringjallur nga të vdekurit dhe për t’u pastruar nga mëkati nëpërmjet Jezu Krishtit
Të gjithë kemi nevojë për Jezu Krishtin. Një nga titujt e Tij më të rëndësishëm është “Shpëtimtar” që do të thotë “ai që shpëton”. Përse kemi nevojë të shpëtohemi? Profeti Abinad në Librin e Mormonit shpjegoi se “i gjithë njerëzimi … do të kish[te] qenë [i] humbur pafundësisht, po të mos ishte që Perëndia [të] shëlb[onte] popullin e tij nga gjendja e tyre e humbur dhe e rënë” (Mosia 16:4). Nëse do të mbeteshim pa ndihmën e Perëndisë, do të vuanim përgjithmonë nga pasojat e mëkatit. Për më tepër, vdekja do të kishte një kontroll të përhershëm mbi të gjithë.
Lajmi i mirë i ungjillit të Jezu Krishtit është se çdo person që ka jetuar ndonjëherë në tokë, pavarësisht nga zgjedhjet e tij ose të saj, do të ringjallet dhe do të marrë një trup të përsosur e të pavdekshëm (shihni tek Alma 40:23). Dhe për shkak të Jezu Krishtit, ne mund të marrim falje dhe pastrim nga mëkati (shihni te Mosia 4:1–3; Helamani 3:35; Doktrina e Besëlidhje 20:37).
Çfarë Është Shpëtimi?
Shpëtimi është dhurata e të qenit të shpëtuar nga vdekja fizike dhe shpirtërore. Ajo vjen përmes hirit të Perëndisë dhe fuqisë së Jezu Krishtit, Shpëtimtarit të botës (shihni te Doktrina e Besëlidhje 43:34). Ajo përfshin ngritjen nga vdekja dhe marrjen e pavdekësisë. Disa shkrime të shenjta përdorin fjalët shpëtim ose të qenit i shpëtuar për t’iu referuar jetës së përjetshme. Të marrësh jetë të përjetshme do të thotë të njohësh Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin dhe të marrësh një vend me Ata në përjetësi. Ajo është “dhurata më e madhe [nga] të gjitha dhurata[t e] Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 6:13; 14:7).
Vështrim i përgjithshëm i temës: Shpëtimi
Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Plani i Shpëtimit, Shlyerja e Jezu Krishtit, Hiri, Jeta e Përjetshme, Vicarious Ordinances for the Dead [Ordinancat Mëkëmbëse për të Vdekurit]
Pjesa 1
Jezu Krishti Është Shpëtimtari i Botës
Një nga qëllimet më të mëdha të jetës në tokë është të mësojmë dhe të besojmë se Ati Qiellor dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, për të na shpëtuar (shihni te Gjoni 3:16–17; 2 Nefi 25:26). Ai mesazh u shpall nga profetët për mijëra vjet përpara lindjes së Tij (shihni te Mosia 13:33–35; Helamani 8:13–20; 3 Nefi 20:23–24; Moisiu 4:1–2; 5:7–9). Në ditët e mëvonshme, Profeti Jozef Smith shpalli dëshmimin e tij dhe dha dëshminë e tij për Krishtin e Ringjallur (shihni te Doktrina e Besëlidhje 76:22–24; 110:1–4).
Profeti Jozef Smith dha mësim: “Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca të kësaj”.
Gjëra për t’i menduar
-
Lexoni vargjet te 2 Nefi 9:6–13 dhe Doktrina e Besëlidhje 76:40–42, të cilat përshkruajnë nevojën tonë për një Shpëtimtar. Si na ndihmon Shlyerja e Jezu Krishtit të kapërcejmë efektet e vdekjes fizike dhe vdekjes shpirtërore?
-
Vështrimi i përgjithshëm për Temat e Ungjillit për temën “Shpëtimi” te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] jep mësim se ka disa aspekte të rëndësishme për shpëtimin. Rishikojini përshkrimet për shpëtimin të përshkruara në atë artikull dhe reflektoni se cili prej tyre është më kuptimplotë për ju. Pse ky përshkrim ju flet juve? Merreni parasysh t’i shenjoni mendimet tuaja në ditar.
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Shiheni materialin filmik “Because of Him” [“Për Shkak të Tij”] (2:44). Më pas, ftojini anëtarët e grupit të tregojnë atë që ndien ndërsa po shihnin materialin filmik. Çfarë mësuan ata rreth misionit të Jezu Krishtit? Çfarë efektesh do të ketë kjo njohuri në jetën e tyre? Mund t’i ftoni anëtarët e grupit të krijojnë listën e tyre të pohimeve “Për shkak të Tij” për t’ia treguar grupit si të jetë e përshtatshme.
-
Shpëtimi nga vdekja është një dhuratë për të gjithë fëmijët e Perëndisë që është bërë e mundur nëpërmjet Jezu Krishtit. Lexoni së bashku te 2 Nefi 2:4 dhe 2 Nefi 25:23–24. Pse është domethënëse që shpëtimi nga mëkati nuk mund të blihet, por përqendrohet në besimin te Jezu Krishti? Cilat janë disa mënyra se si mund t’i drejtohemi Atij me besim më të madh?
Mësoni më shumë
-
Rasëll M. Nelson, “Shpëtimi dhe Ekzaltimi”, Liahona, maj 2008, f. 7–10
-
Dallin H. Ouks, “Dashuria Hyjnore në Planin e Atit”, Liahona, maj 2022, f. 101–104.
Pjesa 2
Ne Duhet të Qëndrojmë si Dëshmitarë të Jezu Krishtit
Shumë njerëz të mirë në botë po kërkojnë ta kuptojnë Perëndinë dhe mënyrën se si Ai mund ta bëjë jetën e tyre më të mirë. Të gjithë anëtarët e Kishës sot bëhen dëshmitarë të Jezu Krishtit kur pagëzohen dhe marrin një dëshmi nëpërmjet Frymës së Shenjtë (shihni te 2 Nefi 31:13, 18; Mosia 18:8–9; 3 Nefi 28:11). Kur përpiqemi të bëhemi ndjekës të vërtetë të Jezu Krishtit, ne përjetojmë hirin e Tij, i cili na forcon. Dhe në fund është nëpërmjet hirit të Tij që ne shpëtohemi (shihni te 2 Nefi 25:23). Ne e tregojmë mirënjohjen tonë për gjithçka që Krishti ka bërë për ne kur bëjmë dhe mbajmë besëlidhjet me Perëndinë. Si marrës të dashurisë së Tij, faljes së Tij dhe bekimeve të premtuara të shpëtimit, ne kemi përgjegjësinë ta ndajmë dëshminë tonë me këdo që takojmë (shihni te Lluka 22:32; Mosia 18:8–9; Doktrina e Besëlidhje 84:61).
Gjëra për t’i menduar
-
Çfarë ka bërë Shpëtimtari për ju? Ndërsa e shqyrtoni këtë pyetje, lexojeni ose dëgjojeni bisedën e Presidentit Dallin H. Ouks “Çfarë Ka Bërë Shpëtimtari Ynë për Ne?” Çfarë mësoni nga kjo bisedë për fuqinë e misionit të Jezu Krishtit në jetën tuaj? Çfarë përvojash vetjake keni pasur me Jezu Krishtin që do t’ia shtonit listës së Presidentit Ouks?
-
Te 2 Nefi 25:23, mësojmë se “ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë”. Në këtë kontekst, të qenit të “shpët[uar]” do të thotë të qenit të pastruar nga mëkati në mënyrë që të mund të jetojmë sërish në praninë e Perëndisë. Mund ta shqyrtoni nënpjesën “Gjithçka që Mund të Bëjmë”, në mesazhin e Presidentit Diter F. Uhtdorf “Dhurata e Hirit”. Çfarë do të thotë fraza “pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë” në jetën tuaj? Cila është lidhja mes “gjithçkaje që ne mund të bëjmë” dhe misionit të Jezu Krishtit?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Ati Qiellor do që ne ta shprehim me fjalë dëshminë tonë për Jezu Krishtin dhe premtimin për shpëtim. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 18:10–17, që përshkruan disa nga arsyet për t’ua ofruar të tjerëve mesazhin e ungjillit të Jezu Krishtit. Cilat janë disa nga arsyet e dhëna në këtë fragment pse Perëndia na fton t’i bashkohemi në punën për t’i ndihmuar të tjerët që të marrin bekimet e shpëtimit? Kur e keni gjetur ju ose dikush tjetër që ju e njihni, gëzimin që vjen kur e ndihmoni dikë tjetër ta pranojë ungjillin dhe të bëjë besëlidhje me Perëndinë?
Mësoni më shumë
-
James E. Faust, “The Atonement: Our Greatest Hope”, Ensign, nëntor 2001, f. 18–20
-
“The Savior Understands Me” [“Shpëtimtari më Kupton]” (material filmik), ChurchofJesusChrist.org
Pjesa 3
Puna e Shpëtimit Vazhdon në Botën e Shpirtrave
Shkrimet e shenjta na mësojnë se shëlbimi nga vdekja, ose ringjallja, është një dhuratë universale për të gjithë ata që kanë jetuar ndonjëherë, pavarësisht nga zgjedhjet e tyre (shihni te Veprat e Apostujve 24:15). Megjithatë, shpëtimi nga pasojat e mëkatit kërkon besim te Jezu Krishti dhe pendim. Ne gjithashtu e dimë nga shkrimet e shenjta se duhet të pagëzohemi që të shpëtohemi në mbretërinë e Perëndisë (shihni te Gjoni 3:5).
Megjithatë, shumë nga fëmijët e Perëndisë kanë vdekur pa u pagëzuar apo madje pa dëgjuar për Jezu Krishtin. Si mund ta marrin shpëtimin këta njerëz? Shkrimet e shenjta japin mësim se Jezu Krishti e vizitoi botën e shpirtrave pas vdekjes së Tij (shihni te 1 Pjetër 3:18–20). Ai organizoi përpjekje për ta predikuar ungjillin atje, duke siguruar një mënyrë që gjithsecili të ketë një mundësi për të mësuar për ungjillin. Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kryejnë pagëzime mëkëmbëse dhe ordinanca të tjera për të vdekurit në tempuj, duke ua ofruar mundësinë e shpëtimit nëpërmjet Krishtit shpirtrave të të vdekurve (shihni te Doktrina e Besëlidhje 128:5, 18).
Gjëra për t’i menduar
-
Zbulesa të rëndësishme në lidhje me shëlbimin e të vdekurve janë shënuar te Doktrina e Besëlidhje. Për shembull, lexoni te Doktrina e Besëlidhje 138:11–32. Çfarë ju mëson ky fragment rreth punës së Perëndisë për ta bërë të mundur shpëtimin në botën e shpirtrave?
-
Shkrimet e shenjta na mësojnë se fëmijët e vegjël janë të shenjtë dhe janë të shenjtëruar nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe nuk kanë nevojë të pagëzohen për të marrë shpëtimin. Lexoni te Moroni 8:8–25; Doktrina e Besëlidhje 74:7–9; 137:10. Çfarë mësoni rreth natyrës së Perëndisë nga këto fragmente? Si mund t’i ndihmojë kjo doktrinë individët dhe familjet që po vuajnë nga humbja e një fëmije?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Te Doktrina e Besëlidhje 128, Profeti Jozef Smith shkroi: “Ne pa ta [paraardhësit tanë] nuk mund të bëhemi të përsosur; as ata pa ne nuk mund të bëhen të përsosur” (vargu 18). Çfarë mendoni se nënkuptoi ai me këtë frazë? Ftojini anëtarë të grupit që të japin idetë e tyre. Gjithashtu mund t’i ftoni anëtarët e grupit të mësojnë rreth një paraardhësi që ka ndërruar jetë ose, nëse janë në gjendje ta bëjnë këtë, të lënë një orar në shtëpinë e Zotit për të kryer ordinancat për të vdekurit.
Mësoni më shumë
-
D. Todd Christofferson, “The Redemption of the Dead and the Testimony of Jesus”, Ensign, nëntor 2000, f. 9–11
-
Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 429–438
-
Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (2011), f. 128–135