Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Jeta e Përjetshme
Të jetojmë me Perëndinë dhe të bëhemi si Ai
Ju keni një potencial dhe fat hyjnor si një bijë ose bir i prindërve qiellorë. Kur e dalloni identitetin tuaj të përjetshëm, ju mund të shihni se Perëndia dëshiron që ju të përgatiteni për jetën që do të vijë. Ngaqë Jezu Krishti e mposhti vdekjen, secili nga ne do të ringjallet dhe do të fitojë pavdekësi në jetën tjetër. Por Ati Qiellor ka edhe më shumë [bekime] në ruajtje për ata që përpiqen ta ndjekin Jezu Krishtin, pendohen, bëjnë besëlidhje me Të dhe i mbajnë ato. Perëndia, Ati, bën të mundur që fëmijët e Tij të bëhen si Ai dhe të jetojnë përsëri në praninë e Tij (shihni te Mosia 2:41). Kjo është ajo që shkrimet e shenjta e quajnë “ekzaltim” dhe “jetë e përjetshme”. Jeta e përjetshme është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë dhe është pikërisht qëllimi i planit të shpëtimit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 14:7). Çdo gjë që bën Perëndia, është që t’i përgatitë fëmijët e Tij për të fituar jetën e përjetshme (shihni te Moisiu 1:39).
Pjesa 1
Plani i Perëndisë do t’Ju Ndihmojë të Fitoni Ekzaltim dhe Jetë të Përjetshme
A e keni ndier ndonjëherë se mund të mos kualifikoheni kurrë për ekzaltim? Ne të gjithë jemi shumë larg të qenit të përsosur në përpjekjet tona për ta ndjekur Jezu Krishtin. Prapëseprapë, Ati Qiellor ishte i vetëdijshëm që përvoja jonë në vdekshmëri do të përfshinte sfida dhe shkurajim. Në Dhiatën e Re na mësohet se “Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16). Ne mund të mirëbesojmë se plani i Atit Qiellor për shpëtimin dhe ekzaltimin tonë, vërtet funksionon sepse Ai dërgoi Jezu Krishtin që të bëhej Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Ne nuk e fitojmë dhe nuk mund ta fitojmë dhuratën e jetës së përjetshme vetë. Ne kemi nevojë për Jezu Krishtin dhe nëpërmjet besimit tonë tek Ai, pendimit dhe përpjekjeve që të bëjmë e të mbajmë besëlidhjet, ne përgatitemi që të marrim ekzaltimin (shihni te Doktrina e Besëlidhje 59:23; Moisiu 6:59–60).
Si fëmijë të Perëndisë, ne kemi aftësinë dhe mundësinë për të përparuar dhe për t’u bërë si Ai (shihni te Mateu 5:48; 2 Pjetër 1:2–4; 1 Gjon 3:1–2). Ati Qiellor premton se ne mund të bëhemi një ditë “bashkëtrashëgimtarë të Krishtit” (Romakëve 8:17) dhe të marrim gjithçka që ka Perëndia, Ati (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:36–38). Dhurata e jetës së përjetshme përfshin bekimin e të jetuarit në praninë e Perëndisë dhe të vazhdimit si familje (shihni te Doktrina e Besëlidhje 131:1–4).
Gjëra për t’i menduar
-
Dëgjoni ose lexoni tekstin e himnit “Para, Shenjtor’”. Shënojini ndjenjat tuaja teksa e bëni këtë gjë. A duket jeta e përjetshme më e arritshme nga sa e keni menduar? Lexoni te 2 Nefi 31:20. Çfarë do të thotë të shkoni përpara me “një ndriçim të përkryer të shpresës”?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Bëni një listë të rrethanave ku vonesa ose shtyrja për më vonë do të sjellin rezultate të padëshiruara. Lexoni së bashku tek Alma 34:32–34 dhe diskutoni të vërtetat që na ndihmojnë të kuptojmë arsyen përse duhet të mos e vonojmë ose të mos e shtyjmë për më vonë pendimin tonë. Përse është kjo jetë koha për t’u përgatitur për jetën tjetër?
Mësoni më shumë
-
Rasëll M. Nelson, “Shpëtimi dhe Ekzaltimi”, Liahona, maj 2008, f. 7–10
-
Xhefri R. Holland, “Mos Druaj; Ti Vetëm Beso!”, Liahona, maj 2022, f. 34–36
-
Teachings of Presidents of the Church: Harold B. Lee (2011), f. 1–8
-
Randall K. Benet, “Zgjidhni Jetën e Përjetshme”, Liahona, nëntor 2011, f. 98–100
-
Ese mbi Temat e Ungjillit, “Bërja si Perëndia”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
Pjesa 2
Perëndia Ka Përgatitur Mbretëri të Ndryshme Lavdie për Fëmijët e Tij
Jezusi dha mësim se ka shpërblime të ndryshme në jetën tjetër: “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa” (shihni te Gjoni 14:2–3). Profeti Jozef Smith pa një vegim të tri shkallëve, ose mbretërive, të lavdisë në qiell (shihni te Doktrina e Besëlidhje 76:50–98). Këto janë mbretëritë çelestiale, terrestriale dhe telestiale. Secila prej këtyre bëhet e mundur për ne nëpërmjet flijimit shlyes të Jezu Krishtit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 76:40–43). Jozefi mësoi se mbretëria që ne do të trashëgojmë një ditë, varet nga shkalla në të cilën zgjedhim ta ndjekim Jezu Krishtin. Mbretëria çelestiale është lavdia më e lartë dhe vendi ku banon Perëndia (shihni te Doktrina e Besëlidhje 76:62). Ungjilli i Jezu Krishtit përvijon një shteg të projektuar që të na ndihmojë për t’u përgatitur për lavdinë e mbretërisë çelestiale dhe për ta marrë atë.
Gjëra për t’i menduar
-
Në vitin 1832, Profeti Jozef Smith dhe Sidni Rigdoni panë një vegim të mbretërive të lavdisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 76:11–24): mbretëria çelestiale (shihni vargjet 50–70, 92–96), mbretëria terrestriale (shihni vargjet 71–80, 91, 97) dhe mbretëria telestiale (shihni vargjet 81–90, 98–106, 109–112). Çfarë mund të mësojmë rreth Atit Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, nga fakti që ata kanë përgatitur mbretëri të ndryshme lavdie?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
Ftojini anëtarët e grupit tuaj që të shqyrtojnë artikullin e shkurtër “Mbretëritë e Lavdisë” tek Tema dhe Pyetje. Flisni së bashku rreth disa prej ndryshimeve midis mbretërive. Si ndikojnë te shpërblimi ynë i përjetshëm dëshirat dhe përpjekjet tona për ta ndjekur Jezu Krishtin në këtë jetë?
Mësoni më shumë
-
1 Korintasve 15:40–42; 3 Nefi 15:9–10; Doktrina e Besëlidhje 59:23; 88:15–28; 137
-
Rasëll M. Nelson, “Eja, Më Ndiq”, Liahona, maj 2019, f. 88–91
-
Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 229–238
-
Church History Topics, “The Vision (D&C 76)”, Gospel Library