Biblioteka
Shpresa


“Shpresa”, Tema dhe Pyetje (2023)

e re

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Shpresa

Siguria që premtimet e përjetshme do të përmbushen nëpërmjet Jezu Krishtit

Jeta shpesh sjell rrethana të papritura, të vështira që mund të na shtyjnë të ndihemi të shkurajuar, të mbingarkuar dhe të mundur. Gjatë periudhave të tilla, Ati Qiellor nuk na lë të cenueshëm dhe vetëm. Ai ofron shumë burime shpirtërore, përfshirë dhuratën e shpresës, që na ndihmojnë të gjejmë forcë, guxim dhe një pritje për një të ardhme të gëzueshme (shihni te Moroni 9:25).

Për ata që e jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit, shpresa sjell sigurinë se Perëndia është i vetëdijshëm për ne dhe do t’i përmbushë bekimet e Tij të premtuara sipas vullnetit dhe kohës së caktuar prej Tij. Dhurata e shpresës nga Perëndia na ndihmon t’i shohim përvojat e jetës në vdekshmëri nga një këndvështrim i përjetshëm, veçanërisht në çaste kur besimi ynë vihet në provë (shihni te Jeremia 17:7). Jezu Krishti është Perëndia i shpresës dhe Ai bën të mundur që të marrim një mbushulli të shpresës (shihni te Romakëve 15:13). Shpresa vjen nga pasja e besimit në dashurinë e Shpëtimtarit tonë dhe në fuqinë e Tij për t’i çliruar dhe shpëtuar ata që vijnë tek Ai.

Çfarë Është Shpresa?

Shpresa është një dhuratë hyjnore që vjen kur një njeri ushtron besim te Jezu Krishti (shihni te Moroni 7:40–41). Ajo sjell një ndjesi mirëbesimi që premtimet e përjetshme do të përmbushen nëpërmjet Tij. Ai është burimi i shpresës dhe i forcës për të gjithë fëmijët e Perëndisë (shihni te Joel 3:16). Shpresa na jep siguri për të shkuar përpara gjatë vështirësive të jetës në vdekshmëri. Ajo është pritja e gëzueshme e Ringjalljes dhe e bekimeve të premtuara të shpëtimit dhe ekzaltimit. Shpresa e shtyn një njeri të përqendrohet te nevojat e të tjerëve dhe t’u shërbejë atyre me dashuri hyjnore.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Shpresa

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Besimi te Jezu Krishti, Shlyerja e Jezu Krishtit, Dashuria Hyjnore, Dhuratat e Shpirtit, Ringjallja

Pjesa 1

Jezu Krishti ju Jep Shpresë teksa Kërkoni ta Ndiqni Atë

familje duke vendosur lule mbi varr

Shumë nga vështirësitë me të cilat përballemi në këtë jetë, janë pasojë e Rënies së Adamit dhe Evës (shihni te Doktrina e Besëlidhje 29:40). Sëmundja, vuajtja, mëkati dhe vdekja janë pjesë e përvojës në vdekshmëri. Po të mos kishte Shlyerje dhe Ringjallje nëpërmjet Jezu Krishtit, nuk do të gjenim kurrë shërim, falje, gëzim ose jetë të përjetshme (shihni te 2 Nefi 9:7–9). Do të ishim të mjeruar dhe të pashpresë përgjithmonë (shihni te Mosia 16:3–4).

Por Jezu Krishti erdhi njëmend në tokë dhe vuajti për çdo fatkeqësi në jetën tonë (shihni tek Alma 7:11). Ai e mposhti dënimin e mëkatit për të gjithë ata që ushtrojnë besimin tek Ai dhe pendohen për mëkatet e tyre (shihni te Moisiu 5:9). Ai i këputi rripat e vdekjes dhe u ringjall, duke na hapur udhën që të jetojmë përsëri (shihni te 2 Nefi 2:6–8). Ai i premton shpresë për jetë të përjetshme gjithkujt që do ta ndjekë Atë (shihni tek Ethëri 12:32).

Gjëra për t’i menduar

  • Të besuarit te Perëndia sjell shpresë dhe siguri te realiteti i Ringjalljes dhe i jetës së përjetshme. Lexoni tek Ethëri 12:4. Si mund të shërbejë shpresa që vjen nëpërmjet besimit tuaj te Jezu Krishti, si një spirancë për qenien tuaj në jetën tuaj të përditshme?

  • Në Librin e Mormonit, populli i anti‑nefi‑lehitëve përjetoi një ndryshim të fuqishëm kur dëgjoi mesazhin e ungjillit dhe u kthye në besim. Lexoni tek Alma 27:28. Si ndikoi dhurata e shpresës dhe kuptueshmëria e tyre për Jezu Krishtin te këndvështrimi i tyre për këtë jetë dhe për tjetrën? Si mund të gjejë zbatim ky parim në jetën tuaj?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Vdekja e një pjesëtari të familjes ose e një miku/eje sjell hidhërim. Për shkak se Jezu Krishti i ka vuajtur dhembjet dhe brengat e të gjithë njerëzimit, ne mund t’i lutemi Atit Qiellor në emrin e Tij dhe të kërkojmë ndihmën e Tij ngushëlluese. Bekimi i shpresës u premtohet atyre që do të besojnë në planin e Perëndisë për ringjalljen dhe jetën tonë të përjetshme. Për ta kuptuar më mirë rëndësinë e shpresës gjatë një kohe humbjeje, ftojini anëtarët e grupit të përzgjedhin dhe të lexojnë një nga sa vijon: 1 Pjetër 1:3–5; Jakobi [LiM] 4:11; Alma 13:27–29; Ethëri 12:32. Mund edhe të shikoni materialin filmik “Finding Hope through the Resurrection of Christ” [“Gjetja e Shpresës nëpërmjet Ringjalljes së Krishtit”] (4:41). Si u sjell ngushëllim dhurata e shpresës atyre që kanë humbur miq dhe njerëz të dashur? Si do ta përshkruanit shpresën që Jezu Krishti e ka bërë të mundur që ju dhe njerëzit tuaj të dashur të ringjalleni dhe të jetoni përgjithmonë?

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Besimi Juaj te Jezu Krishti do t’ju Sjellë Shpresë

i ri duke folur me të atin

Shkrimet e shenjta shpesh flasin për shpresën bashkë me cilësitë e besimit dhe dashurisë hyjnore (shihni te Moroni 7:40–44). Përpjekjet tona për ta rritur besimin te Jezu Krishti dhe për të vepruar me dashuri hyjnore kundrejt të tjerëve, janë të lidhura drejtpërsëdrejti me aftësinë tonë për të pasur shpresë (shihni te Moroni 10:20–21). Duke folur për rëndësinë e besimit, shpresës dhe dashurisë hyjnore, Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi: “Këto [tre cilësi] janë cilësi që lidhen ngushtë si fijet në kab[llo] dhe mund të mos dallohen gjithmonë saktësisht. Së bashku ato bëhen lidhja jonë me mbretërinë çelestiale.”

Shpresa është një nga bekimet që mund të marrim nëpërmjet Frymës së Shenjtë kur pendohemi dhe pagëzohemi (shihni te Moroni 8:25–26). Neve na premtohet se kur kemi “besim të patundur” te Jezu Krishti, Ati Qiellor do të na ndihmojë të kemi një “ndriçim të përkryer të shpresës” (2 Nefi 31:19–20). Mund të marrim shpresë më të madhe edhe kur hulumtojmë shkrimet e shenjta (shihni te Romakëve 15:4; Jakobi [LiM] 4:6).

Gjëra për t’i menduar

  • Kur u foli të rinjve e të rejave në moshë madhore, Motra Patrisha Holland dha mësim: “Besimi është bindja se ka një Perëndi, shpresa është mirëbesimi se Ai do të na ndihmojë dhe dashuria hyjnore është dashuria dhe aftësia e Tij për të vepruar nëpërmjet nesh për të bekuar të tjerët”. Si na ndihmon të mësuarit rreth besimit dhe dashurisë hyjnore që ta kuptojmë më mirë shpresën?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Me anëtarët e grupit, lexojeni thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf:

    “Kundërshtari përdor dëshpërimin që të lidhë zemrat dhe mendjet tona në errësirë mbytëse. Dëshpërimi përthan tek ne çdo gjë [gjallëruese] e të gëzueshme dhe lë mbrapa zbrazëtinë e asaj çka do të ishte jeta. …

    Shpresa, në anën tjetër, është si një rreze drite që ngrihet lart dhe mbi horizontin e rrethanave tona të tanishme. Ajo çan errësirën me një agim të shkëlqyer. Ajo na nxit dhe na frymëzon të kemi besim në kujdesin plot dashuri të një Ati Qiellor të përjetshëm, që ka përgatitur një rrugë për ata që kërkojnë të vërtetën e përjetshme në një botë relativizmi, rrëmuje dhe frike.”

    Cilat janë disa mënyra se si pasja e cilësisë së shpresës mund të na ndihmojë të shohim tejpërtej errësirës së kësaj bote?

Mësoni më shumë

Burime të Tjera rreth Shpresës

Shënime

  1. Russell M. Nelson, “A More Excellent Hope”, Ensign, shkurt 1997, f. 61.

  2. Xhefri R. dhe Patrisha T. Holland, “Një e Ardhme e Mbushur me Shpresë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 8 janar 2023), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  3. Diter F. Uhtdorf, “Forca e Pafundme e Shpresës”, Liahona, nëntor 2008, f. 22.