Biblioteka
Mësimi 22: Martirizimi i Profetit Jozef Smith


22

Martirizimi i Profetit Jozef Smith

Mospajtuesit brenda Kishës dhe kundërshtarët jashtë Kishës e bënë të ndodhte martirizimi i Profetit Jozef Smith dhe vëllait të tij, Hajrëm Smithit. Vdekjet e tyre i shtuan një vulë të fuqishme dëshmive të tyre për Librin e Mormonit, Doktrinën e Besëlidhjet dhe ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Një studim i jetës dhe martirizimit të Profetit Jozef Smith do t’i ndihmojë studentët që të marrin parasysh bekimet e shumta, të cilat Zoti ua ka dhënë atyre nëpërmjet shërbesës së Profetit Jozef Smith, nëpërmjet të cilit Ai e rivendosi ungjillin e Tij në ditët e mëvonshme.

Lexim Konteksti

  • Thomas S. Monson, “The Prophet Joseph Smith: Teacher by Example”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 67–70.

  • “The Martyrdom”, kapitulli 22 te Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të (Church Educational System manual, 2003), f. 273–285.

  • “Martirizimi: Profeti e Vulos Dëshminë e Tij me Gjakun e Tij”, kapitulli 46 te Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 563–576.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 135:4–5; 136:36–39

Armiqtë u përpoqën ta vrasin Jozef Smithin

Pamja
Burgu i Karthixhit

Paraqitni një figurë të Burgut të Karthixhit. Shpjegojuni studentëve që më 27 qershor 1844, Profeti Jozef Smith dhe vëllai i tij, Hajrëmi, i cili ishte Patriarku i Kishës, u martirizuan në burgun e Karthixhit në Ilinois. Jozef Smithi ishte 38 vjeç në kohën e vdekjes së tij dhe Hajrëmi ishte 44.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 136:36–39, ndërkohë që klasa e ndjek. Nxitini studentët teksa lexojnë, që të përcaktojnë mënyrën se si Zoti e përmblodhi jetën e Jozef Smithit dhe veprën që kreu ai. Më pas diskutoni pyetjen vijuese:

  • Si e përshkroi Zoti jetën dhe veprën e Profetit Jozef Smith? (Përgjigjet e studentëve mund të përfshijnë të vërtetat vijuese: Jozef Smithi ngriti themelin për veprën e Perëndisë në këtë periudhë të kujdestarisë ungjillore. Profeti Jozef Smith ishte i pafajshëm në kohën e vdekjes së tij dhe ai e kishte përmbushur me besnikëri misionin e dhënë atij nga Perëndia.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë disa nga ndikimet që e shkaktuan vdekjen e Profetit, tregojuni atyre se shenjtorët jetuan në njëfarë paqeje në shtetin e Ilinoisit për gati tre vjet, por në vitin 1842, ata po përjetonin përsëri kundërshtim. Kundërshtuesit e Kishës përfshinin qytetarë të Ilinoisit, të cilët kishin frikë nga ndikimi politik i shenjtorëve. Të tjerë filluan të kishin gjithnjë e më shumë lakmi për përparimin ekonomik të Navusë dhe ishin kritikues ndaj fuqisë së qeverisë dhe milicisë së qytetit të Navusë. Disa njerëz i keqkuptuan disa doktrina e praktika mormone të veçanta. Mospajtuesit brenda Kishës dhe kundërshtarët jashtë Kishës i ndërthurën përpjekjet e tyre për të luftuar kundër Profetit dhe Kishës.

Shpërndajini secilit student një kopje të fletushkës në fund të këtij mësimi. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën në fletushkë të titulluar “Kundërshtimi ndaj Profetit dhe Kishës”.

Pamja
fletushkë, Martirizimi

Shpjegoni se, sipas ligjeve që ishin në fuqi në kohën e vdekjes së Profetit, asnjë ligj nuk u thye kur u shkatërrua një shtypshkronjë. Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Amendamenti i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara që e zgjeroi sigurinë e lirisë së shtypit për të qenë i mbrojtur ndaj veprimeve të qeverive të qyteteve dhe shteteve, nuk u miratua deri në vitin 1868 dhe nuk hyri në fuqi si çështje e ligjit federal deri në vitin 1931. … Ne duhet t’i gjykojmë veprimet e pararendësve tanë mbi bazat e ligjeve dhe urdhërimeve e rrethanave të kohës së tyre, jo të kohës sonë” (“Joseph, the Man and the Prophet”, Ensign, maj 1996, f. 72).

  • Përse është fjalia e fundit në thënien e Plakut Ouks e rëndësishme për t’u kujtuar, kur ne marrim parasysh veprimet e udhëheqësve të hershëm të Kishës? (Ju mund të doni të vini në dukje se shumica e anëtarëve të këshillit të qytetit të Navusë ishin anëtarë të Kishës, por ata po vepronin në aftësinë e tyre si shërbëtorë të zgjedhur civilë kur urdhëruan që të shkatërrohej shtypshkronja. Kisha, si një organizatë, nuk mori ndonjë veprim kundër shtypshkronjës, por këshilli i qytetit e ndërmori veprimin për ta “hequr … bezdinë” [në History of the Church, 6:432]).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën në fletushkë të titulluar “Jozefi dhe Hajrëmi Akuzohen Padrejtësisht”. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 135:4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar profecinë që bëri Jozef Smithi kur ai udhëtoi drejt Karthixhit.

  • Edhe pse çdo njeri i vdekshëm është i papërsosur, çfarë mendoni se do të duhej për dikë që të kishte “një ndërgjegje të paqortueshme përpara Perëndisë dhe kundrejt gjithë njerëzve”? (DeB 135:4).

Shpjegoni se, ndërkohë që Hajrëm Smithi u përgatit të shkonte në Burgun e Karthixhit, ai lexoi Ethërin 12:36–38 dhe më pas e palosi faqen. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 135:5, që është një citim i drejtpërdrejtë i këtyre vargjeve nga Ethëri, ndërkohë që klasa e ndjek. Ftojini studentët të marrin parasysh përse ky fragment i shkrimeve të shenjta do të kishte qenë domethënës për Hajrëmin. Ju mund t’iu sugjeroni studentëve që të shenjojnë ndonjë fjalë ose frazë që iu bie atyre në sy.

  • Çfarë fjalësh ose frazash të veçanta në këto vargje nga libri i Ethërit mendoni se do të kishin qenë domethënëse për Hajrëmin, teksa ai përballej me burgimin dhe vdekjen e mundshme?

  • Çfarë mendoni se do të thotë fraza vijuese: “Të gjithë njerëzit do të dinë se rrobat e mia nuk janë të njollosura me gjakun tuaj”? (Merrni parasysh që studentët të bëjnë një referencë kryq të vargut 5 me Jakobin [LiM] 1:19 dhe Mosian 2:27 për të zbuluar kuptimin e kësaj fraze. Të mësuarit se si të kryqëzoni referenca të një shkrimi të shenjtë me shkrime të tjera të shenjta, të cilat japin këndvështrim shtesë, është një aftësi e rëndësishme e studimit të shkrimeve të shenjta.)

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh se si Jozefi dhe Hajrëmi mund të ishin ndier duke e ditur që i kishin përmbushur thirrjet dhe detyrat e tyre nga Perëndia në mundësinë më të mirë të aftësive të tyre.

  • Çfarë mund të mësojmë nga shembujt e Jozef e Hajrëm Smithit, gjë e cila mund të na ndihmonte t’i përmbushim përgjegjësitë që i marrim nga Perëndia?

Doktrina e Besëlidhje 135:1–3, 6–7

Martirizimi në Burgun e Karthixhit dhe nderimet për Jozef Smithin

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë hyrjen e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 135. (Ju mund të doni të vini në dukje se ndryshimet midis këtij kreu në botimet e vitit 1981 dhe 2013 të shkrimeve të shenjta pasqyrojnë njohurinë e kohëve të fundit.) Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 135:1–2 dhe pjesën në fletushkë të titulluar “Martirizimi në Burgun e Karthixhit”. Vëreni klasën t’i ndjekë, teksa këta studentë lexojnë.

  • Çfarë mendoni se do të thotë fraza “për ta vulosur dëshminë e këtij libri dhe të Librit të Mormonit”?

Teksa studentët i japin mendimet e tyre, merrni parasysh të shkruani përkufizimin vijues në tabelë: të “vulosësh” është ta krijosh diçka në mënyrë të përhershme, e tillë siç është një dëshmi. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë përkufizim në shkrimet e tyre të shenjta pranë vargut 1.

Vërini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 135:3, 6–7, duke kërkuar disa prej të vërtetave që mësojmë nga kjo shpallje e martirizimit të Jozef e Hajrëm Smithit.

  • Çfarë të vërtetash mësuat nga kjo shpallje e martirizimit të Jozef e Hajrëm Smithit? (Studentët mund të përcaktojnë shumë të vërteta, duke përfshirë sa vijon: Jozef Smithi ka bërë më shumë për shpëtimin e njerëzve në këtë botë, sesa çdo njeri tjetër përveçse Jezu Krishtit. Libri i Mormonit dhe Doktrina e Besëlidhje u sollën në dritë për shpëtimin e botës.)

  • Në çfarë mënyrash të veçanta mendoni se jeta juaj do të ishte e ndryshme pa shërbesën e Profetit Jozef Smith?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien nga Plaku Dallin H. Ouks, që gjendet në pjesën në fletushkë të titulluar “Nderime për Profetin Jozef Smith”.

  • Përse është e rëndësishme të kuptojmë se bashkëpunëtorët e afërt të Jozef Smithit e konsideronin atë të ishte një profet dhe një “burrë i nderuar, i virtytshëm”?

Mbylleni duke iu kërkuar studentëve nëse ndonjërit prej tyre do t’i pëlqente ta jepte dëshminë e tij/saj për Jozef Smithin. Nxitini studentët të kërkojnë mundësi në disa prej ditëve pasuese që t’ua japin të tjerëve dëshminë e tyre për Profetin Jozef Smith dhe rolin e tij në rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit.

Materiale Leximi për Studentin

  • Doktrina e Besëlidhje 135:1–7; 136:36–39.

  • Thomas S. Monson, “The Prophet Joseph Smith: Teacher by Example”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 67–70.

  • “The Martyrdom”, kapitulli 22 te Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të (Church Educational System manual, 2003), f. 273–285.

Martirizimi i Profetit Jozef Smith

Themelet e Rivendosjes – Mësimi 22

Kundërshtimi i Profetit dhe i Kishës

Në qershor të vitit 1844, armiqësia kundër Kishës ishte shtuar shumë. Disa shtetas në Ilinois po diskutonin t’i dëbonin shenjtorët nga shteti, ndërkohë që të tjerë po komplotonin ta vrisnin Profetin. Disa prej atyre që po komplotonin kundër Profetit dhe Kishës, ishin ish-anëtarë të Kishës të cilët e kishin braktisur Kishën. Më 7 qershor 1844, Uilliam Lo, i cili kishte shërbyer si Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, dhe braktisës të tjerë shtypën botimin e parë të një gazete të quajtur Nauvoo Expositor. Në një përpjekje për ta nxehur publikun kundër Profetit e Kishës, këta burra e përdorën këtë gazetë që të shpifnin për Jozef Smithin dhe udhëheqës të tjerë të Kishës. Jozef Smithi, duke vepruar si kryetari i bashkisë së Navusë, dhe shumica e këshillit të qytetit të Navusë, e kuptoi se gazeta acaruese do të çonte drejt dhunës së turmave kundër qytetit. Ata e shpallën gazetën si një bezdi publike dhe urdhëruan që të shkatërrohej shtypshkronja e Nauvoo Expositor-it.

Jozefi dhe Hajrëmi Akuzohen Padrejtësisht

“Si rezultat i [shkatërrimit të Nauvoo Expositor-it] nga kryetari [i] bashkisë dhe këshilli [i] qytetit, autoritetet e Ilinoisit bënë një padi të pabazuar për rebelim kundër Profetit, vëllait të tij Hajrëm dhe zyrtarëve të tjerë të qytetit të Navusë. Guvernatori i Ilinoisit, Tomas Ford, i urdhëroi burrat të përballonin gjyqin në Karthixh të Ilinoisit, qendra e kontesë, dhe u premtoi mbrojtje. Jozefi e dinte se po të shkonte në Karthixh, jeta e tij do të ishte në rrezik të madh prej turmave që po e kërcënonin atë.

Duke besuar se turmat donin vetëm ata, Jozefi dhe Hajrëmi vendosën të iknin drejt perëndimit për të shpëtuar jetën. Më 23 qershor ata kapërcyen lumin Misisipi, por më vonë po atë ditë, vëllezër nga Navuja e gjetën Profetin dhe i thanë atij se trupa ushtarake do të pushtonin qytetin nëse ai nuk u dorëzohej autoriteteve në Karthixh. Profeti ra dakord ta bënte këtë, duke shpresuar të kënaqte si zyrtarët qeverisës ashtu dhe turmat. Më 24 qershor, Jozef dhe Hajrëm Smithi u lanë lamtumirën familjeve të tyre dhe kalëruan bashkë me zyrtarë të tjerë të qytetit të Navusë drejt Karthixhit, duke iu dorëzuar vullnetarisht zyrtarëve të kontesë në Karthixh një ditë më vonë. Pasi vëllezërit u liruan me kusht për akuzën fillestare, ata u akuzuan pa të drejtë për tradhti kundër shtetit të Ilinoisit, u arrestuan dhe u burgosën në burgun e Karthixhit në pritje për të dalë në gjyq. Pleqtë Xhon Tejlor dhe Uillard Riçards, të vetmit anëtarë të Të Dymbëdhjetëve që në atë kohë nuk po shërbenin misione, u bashkuan vullnetarisht me ta” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 563–565).

Martirizimi në Burgun e Karthixhit

Gjatë ditës së 27 qershorit 1844, një vizitor i kishte dhënë Jozefit një revolver. Teksa turma u përpoq të hynte në dhomën ku mbaheshin Profeti dhe burrat e tjerë, Hajrëmi u godit për vdekje, duke vepruar në mbrojtje të çdonjërit në dhomë. Jozefi kërceu drejt derës dhe arriti pranë pragut të derës për të qëlluar me pistoletën në korridor. Vetëm tre prej gjashtë plumbave u qëlluan, duke plagosur disa anëtarë të turmës. Atëherë anëtarët e turmës i futën me forcë pushkët e tyre përmes derës gjysmë të hapur dhe Xhon Tejlori u përpoq t’i godiste pas tytat e pushkëve të tyre me një bastun.

Ndërsa grindja në prag të derës u shtua, Xhon Tejlori u përpoq të largohej nga dhoma nëpërmjet një dritareje. Teksa u përpoq të hidhej jashtë nga dritarja, ai u godit në këmbë nga dera dhe po ashtu u godit prej dikujt nga jashtë. Ai ra në dysheme dhe teksa përpiqej të futej nën shtratin pranë dritares, ai u plagos rëndë nga tre plumba të tjerë. Ndërkohë, teksa pushkët u futën përmes derës, Uillard Riçardsi filloi t’i godiste ato me një bastun.

Jozef Smithi atëherë vendosi të përpiqej të largohej nëpërmjet së njëjtës dritare. Ndërsa Uillard Riçardsi vazhdoi ta largonte turmën te dera, Profeti u përkul te dritarja e hapur. Teksa e bënte këtë, ai u godit prej plumbave si nga brenda ashtu edhe nga jashtë burgut. Ai ra jashtë dritares, duke thirrur: “O Zot, Perëndia im!” dhe ra përdhe. Anëtarët e turmës që ishin brenda burgut, nxituan jashtë për t’u siguruar vetë se Jozefi kishte vdekur. Edhe pse nuk kishte anëtarë të Kishës në udhë për në Karthixh, dikush bërtiti: “Mormonët po vijnë!” dhe e tërë turma u largua.

Nderime për Profetin Jozef Smith

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Njerëzit që e njihnin më mirë Jozefin dhe qëndruan më pranë tij në udhëheqjen e Kishës, e deshën dhe e mbështetën atë si një profet. Vëllai i tij, Hajrëmi, zgjodhi të vdiste përkrah tij. Xhon Tejlori, gjithashtu atje kur ai u vra, tha: ‘Unë dëshmoj para Perëndisë, engjëjve dhe njerëzve se ai ishte një burrë i mirë, i nderuar, i virtytshëm … – se karakteri i tij privat dhe publik ishte shembullor – dhe ai jetoi dhe vdiq si një njeri i Perëndisë’ (The Gospel Kingdom [1987], f. 355; shih edhe DeB 135:3). Brigam Jangu shpalli: ‘Nuk mendoj se jeton ndonjë njeri në tokë që e njihte [Jozef Smithin] më mirë se unë; dhe unë kam guximin të them se, përveç Jezu Krishtit, asnjë njeri më i mirë s’ka jetuar ose jeton në këtë tokë’ [Discourses of Brigham Young, përzgj. John A. Widtsoe (1954), f. 459]” (“Joseph, the Man and the Prophet,” Ensign, maj 1996, f. 73).