Biblioteka
Mësimi 2: Vegimi i Parë


2

Vegimi i Parë

Hyrje

Rrëfimi i Vegimit të Parë të Jozef Smithit, siç shënohet te Perla me Vlerë të Madhe, u shkrua me qëllim që të korrigjonte artikuj të rremë rreth Kishës. Gjatë gjithë jetës së tij, Profeti Jozef Smith dha disa rrëfime të Vegimit të Parë. Këto rrëfime mund ta shtojnë kuptueshmërinë tonë për atë përvojë dhe ta forcojnë besimin tonë te Rivendosja. Ky mësim ka për qëllim që t’i ndihmojë studentët të kuptojnë rëndësinë e të pasurit të një dëshmie për këtë ngjarje të rëndësishme, të pashoqe.

Lexim Konteksti

  • Gordon B. Hinckley, “The Marvelous Foundation of Our Faith”, Ensign, nëntor 2002, f. 78–81.

  • “First Vision Accounts”, Gospel Topics, lds.org/topics.

Sugjerime për Mësimdhënien

Joseph Smith – Historia 1:1–2

Profeti shkroi rreth Vegimit të Parë për të korrigjuar artikuj të rremë

Shpjegoni se në vitin 1838, Jozef Smithi filloi të punonte për historinë e tij zyrtare. Pjesa në Perlën me Vlerë të Madhe, e njohur si Joseph Smith – Historia u nxor nga ajo histori që ishte shumë më e gjatë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë arsyet që dha Jozef Smithi për përgatitjen e historisë së tij.

  • Sipas vargut 1, çfarë po qarkullonte mes njerëzve gjatë ditëve të hershme të Kishës?

  • Cili ishte synimi i atyre njerëzve që i nxitën artikujt e botuar kundër Kishës?

  • Çfarë ngjashmërish me këtë gjendje ekzistojnë në kohën tonë?

Shpjegoni se sot vazhdojnë të gjenden individë dhe grupe që përhapin informacion të rremë ose çorientues rreth Kishës me qëllimin që ta shkatërrojnë besimin.

  • Cilat arsye dha Jozefi për shkrimin e historisë së tij? (Për ta “korrigjuar mendjen publike dhe për t’i vendosur të gjithë kërkuesit e së vërtetës në zotërim të fakteve, siç … ndodh[ën] ato” [Joseph Smith – Historia 1:1].)

  • Përse është e rëndësishme që “kërkuesit e së vërtetës” për Rivendosjen të mbështeten te rrëfimi i mirëfilltë i Jozef Smithit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që është e qartë se mbështetja te rrëfimi i Profetit mund t’i ndihmojë individët që të shmangin qenien të mashtruar prej informacionit të rremë ose çorientues.)

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Nil. L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojini studentët ta lexojnë atë në heshtje:

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Përherë ka pasur disa që duan ta turpërojnë Kishën dhe të shkatërrojnë besimin. Sot ata përdorin internetin.

Disa informacione lidhur me Kishën, sado bindëse qofshin, thjesht nuk janë të vërteta” (“Prova e Besimit Tuaj”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 41).

  • Cilat burime duhet t’i kërkojmë dhe t’i mirëbesojmë në kërkimin tonë vetjak për të ditur të vërtetën lidhur me Vegimin e Parë, Rivendosjen e ungjillit dhe ngjarje të tjera në historinë e Kishës? Përse? (Ndihmojini studentët të kuptojnë parimin vijues: Për t’iu shmangur mashtrimit nga informacioni i rremë ose çorientues, ata njerëz që kërkojnë të vërtetën, duhet të kërkojnë burime të besueshme të informacionit rreth Kishës dhe historisë së saj, në vend të pranimit të thjeshtë të informacionit që dëgjojnë ose lexojnë, duke përfshirë informacionin që vjen nga një kërkim në internet.)

Shpjegoni se kritikuesit e Kishës japin argumente kundër realitetit të Vegimit të Parë duke thënë se Jozef Smithi nuk e shënoi këtë përvojë me vegimin deri shumë vite pasi ndodhi. Shpjegoni se Jozef Smithi 14-vjeçar u bë ngurrues të fliste rreth vegimit të tij pas reagimit të atyre që ua tha fillimisht (shih Joseph Smith – Historia 1:21–26). Ai e shënoi përvojën kur e ndjeu se ishte koha e duhur për ta bërë këtë. Shpëtimtari i udhëzoi Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin që të mos flisnin për përvojën e tyre në Malin e Shpërfytyrimit deri pas Ringjalljes së Tij (shih Mateu 17:9), duke e bërë të qartë se disa përvoja të shenjta duhet të tregohen vetëm sipas nxitjeve nga Shpirti.

Rrëfimet e Vegimit të Parë

Shënim: Ndërsa jepni këtë pjesë të mësimit, lejoni kohë të përshtatshme për të dhënë mësim pjesën e fundit të mësimit, që mbulon Joseph Smith – Historinë 1:8–20.

Shpjegojuni studentëve që Jozef Smithi shkroi, qoftë vetë ose me ndihmën e shkruesve, të paktën katër rrëfime të ndryshme të Vegimit të Parë. Përveç këtyre, disa rrëfime të këtij vegimi u shënuan nga bashkëkohësit e Jozef Smithit. Secili rrëfim thekson aspekte të ndryshme të përvojës së Jozefit, por ato të gjitha kanë të përbashkëta elemente thelbësore të asaj që Jozefi pa e dëgjoi. Që t’i ndihmoni të shpjegojnë përse ka ndryshime në rrëfimet e ndryshme, kërkojuni studentëve të marrin parasysh:

  • Mendoni për një përvojë domethënëse ose kuptimplote që e keni pasur në jetën tuaj. Si mund të ndryshonte rrëfimi juaj për atë përvojë në varësi nga cilët janë dëgjuesit tuaj? Si mund të ndryshonte ai në varësi nga koha kur po tregoni ose arsyeja përse po tregoni rreth përvojës?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese dhe kërkojuni studentëve të dëgjojnë për atë që historianët e presin kur një përvojë tregohet shumë herë:

“Rrëfimet e ndryshme të Vegimit të Parë tregojnë të njëjtën histori, edhe pse natyrisht ato ndryshojnë në theksime dhe hollësi. Historianët presin që kur një individ e ritregon një përvojë në mjedise të shumta, për dëgjues të ndryshëm, përgjatë shumë viteve, secili rrëfim do të theksojë aspekte të ndryshme të përvojës dhe do të përmbajë hollësi të veçanta. Me të vërtetë, ndryshime të ngjashme me atë të rrëfimeve të Vegimit të Parë ekzistojnë në rrëfimet e shumta të shkrimeve të shenjta për vegimin e Palit në rrugën për në Damask dhe për përvojën e Apostujve në Malin e Shpërfytyrimit [Veprat e Apostujve 9:3–9; 22:6–21; 26:12–18; Mateu 17:1–13; Marku 9:2–13; Lluka 9:28–36]. Prapëseprapë, pavarësisht nga ndryshimet, një qëndrueshmëri bazë mbetet mes të gjitha rrëfimeve të Vegimit të Parë. Disa njerëz në mënyrë të gabuar kanë debatuar që ndonjë ndryshim në ritregimin e historisë është provë e trillimit. Në të kundërtën, anali i pasur historik na aftëson që të mësojmë më shumë rreth kësaj ngjarjeje mbresëlënëse, nga sa mundeshim nëse ajo nuk do të ishte e dokumentuar aq mirë” (“First Vision Accounts”, Gospel Topics, lds.org/topics).

Si një shembull të ndryshimeve në rrëfimet, ju mund t’u tregoni studentëve se “edhe pse rrëfimi i vitit 1832 thekson historinë më vetjake të Jozef Smithit si një i ri duke kërkuar falje, rrëfimi i vitit 1838 përqendrohet te vegimi si fillimi i ‘ngritjes dhe i përparimit të Kishës’” (“First Vision Accounts”, Gospel Topics, lds.org/topics). Kujtojini studentët se leximi i caktuar atyre përfshin artikullin e Gospel Topics “First Vision Accounts” [“Rrëfimet e Vegimit të Parë”], i cili siguron një analizë më të hollësishme të secilit prej rrëfimeve të ndryshme të Vegimit të Parë. Ftojini studentët ta studiojnë artikullin jashtë orës mësimore për të kuptuar më mirë se si secili rrëfim luan rol në njohurinë tonë rreth Vegimit të Parë. (Shënim: Kujtojini studentët për rëndësinë e leximit të pjesëve të caktuara nën “Leximet e Studentëve” përpara orës mësimore. Bërja e kësaj do t’i ndihmojë ata të japin ndihmesë në diskutimet e klasës.)

  • Si mund ta mbështetnin rrëfimet e shumta të Vegimit të Parë vlefshmërinë e kësaj ngjarjeje të shenjtë dhe si mund ta pasuronin kuptueshmërinë tonë për këtë ngjarje? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se rrëfimet e shumta të Vegimit të Parë të Jozef Smithit na aftësojnë që të mësojmë më shumë rreth kësaj përvoje të shenjtë nga sa mundeshim, në qoftë se ajo do të ishte më pak e dokumentuar.)

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Gordon B. Hinkli

“Nuk shqetësohem që Profeti Jozef Smith dha një numër variantesh të Vegimit të Parë, më shumë se sa të shqetësohem që ka katër shkrues të ndryshëm të ungjilleve të Dhiatës së Re, secili me vetë idetë e tij, secili duke i treguar ngjarjet që të përmbushte vetë qëllimin e tij të shkrimit të asaj kohe” (“God Hath Not Given Us the Spirit of Fear”, Ensign, tetor 1984, f. 5).

Jepni dëshminë tuaj për realitetin e Vegimit të Parë dhe të Rivendosjes së ungjillit nëpërmjet Profetit Jozef Smith.

Joseph Smith – Historia 1:8–20

Vlefshmëria e Kishës qëndron mbi vërtetësinë e Vegimit të Parë

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Joseph Smith – Historia 1:8–15.

  • Cilat ishin disa nga gjërat që bëri Jozef Smithi për të gjetur përgjigje për pyetjet e tij?

  • Si mendoni, përse Satani u përpoq ta ndalonte Jozef Smithin që të lutej?

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Joseph Smith – Historia 1:16–19.

  • Cilat janë disa të vërteta të rëndësishme që mësojmë nga vargjet 16–17? (Teksa studentët përgjigjen, theksoni që të vërtetat e përjetshme u rivendosën në tokë kur Ati Qiellor dhe Jezu Krishti iu shfaqën Jozef Smithit.)

Paraqitni dhe lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Ted R. Kelister, i cili shërbeu në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve. Teksa e lexoni këtë thënie, ju mund të doni të sugjeroni që studentët të shenjojnë në shkrimet e tyre të shenjta të vërtetat që i theksoi Vëllai Kelister. Ju mund të doni gjithashtu të sugjeroni që ata t’i shkruajnë të vërtetat që Jozefi i mësoi në anë të faqes pranë Joseph Smith – Historia 1:16–19. (Shënim: Të mësuarit për t’i shenjuar dhe dalluar shkrimet e shenjta është një teknikë e rëndësishme për studimin e shkrimeve të shenjta që ju mund t’i ndihmoni studentët ta zhvillojnë [shih Gospel Teaching and Learning: A Handbook for Teachers and Leaders in Seminaries and Institutes of Religion (2012), f. 21].)

Pamja
Ted R. Kelister

“Jozef Smithi ishte i vajosuri i Zotit për të rivendosur Kishën e Krishtit në tokë. Kur doli nga korija me pemë, ai përfundimisht mësoi katër të vërteta themelore që në atë kohë nuk mësoheshin nga shumica e botës bashkëkohore të krishterë.

Së pari, ai mësoi se Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, janë dy qenie të veçanta e të dallueshme. …

E vërteta e dytë e madhe që zbuloi Jozef Smithi ishte se Ati dhe Biri kanë trupa të përlëvduar prej mishi dhe kockash. …

E vërteta e tretë që mësoi Jozef Smithi ishte se Perëndia ende i flet njeriut sot – se qiejt nuk janë mbyllur. …

E vërteta e katërt që mësoi Jozef Smithi ishte se Kisha e tërë dhe e plotë e Jezu Krishtit nuk qe atëherë në tokë” (“Jozef Smithi – Profeti i Rivendosjes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 35–36).

  • Si mendoni, përse këto të vërteta rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit janë thelbësore që të dihen dhe të kuptohen?

  • Si mund të ndihmojë nevoja për ato të vërteta që të shpjegohet përse Satani u përpoq ta pengonte që të lutej të riun Jozef Smith?

Për ta vënë në dukje rëndësinë e Vegimit të Parë të Jozef Smithit, paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Gordon B. Hinkli

“E gjithë forca qëndron mbi vlefshmërinë e [Vegimit të Parë]. Ai ose ndodhi, ose nuk ndodhi. Nëse nuk ndodhi, atëherë kjo vepër është një mashtrim. Nëse ndodhi, atëherë ajo është vepra më e rëndësishme dhe më e mrekullueshme nën qiejt. …

… Në vitin 1820 ajo shfaqje e lavdishme erdhi në përgjigje të lutjes së një djali, i cili kishte lexuar në Biblën e familjes së tij fjalët e Jakobit: ‘Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet’ (Jakobi [Bibël] 1:5).

Mbi atë përvojë të pashoqe dhe të mrekullueshme qëndron vlefshmëria e kësaj Kishe” (“The Marvelous Foundation of Our Faith”, Ensign, nëntor 2002, f. 80).

  • Si lidhet vlefshmëria e Kishës me Vegimin e Parë të Jozef Smithit?

  • Përse është e rëndësishme të kemi një dëshmi që Jozef Smithi i pa Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin? (Studentët mund të japin një llojshmëri përgjigjesh, por sigurohuni që parimi vijues është i qartë: Kur marrim një dëshmi që Jozef Smithi e pa Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, ne gjithashtu mund të arrijmë të dimë vërtetësinë e Rivendosjes së ungjillit.)

Teksa e mbyllni mësimin, theksoni rëndësinë e të pasurit të një dëshmie vetjake për të vërtetën e Vegimit të Parë. Kjo dëshmi vetjake, e ngritur mbi shkëmbin e zbulesës, na ndihmon të qëndrojmë të fortë në besimin tonë kur ndeshemi me informacion të rremë rreth Profetit Jozef Smith dhe Kishës. Dëshmoni se mënyra e Jozef Smithit për të mësuar të vërtetën, do të veprojë edhe për ne. Ne mund të kërkojmë të vërtetën, të lexojmë shkrimet e shenjta, të përsiatim dhe më së fundi t’i kërkojmë Perëndisë, dhe Ai do të japë përgjigje (shih Jakobi [LiM] 1:5). Ftojini studentët të përsiatin se si ata e kanë marrë një dëshmi që Ati dhe Biri iu shfaqën Jozef Smithit. Lejoni kohë për një ose dy studentë që të shprehin se si ata e morën një dëshmi për Vegimin e Parë.

Materiale Leximi për Studentin