Biblioteka
Mësimi 14: Tempulli i Kirtlandit dhe Çelësat e Priftërisë


14

Tempulli i Kirtlandit dhe Çelësat e Priftërisë

Hyrje

Pas gati tre vjetësh të vështirësisë dhe sakrificës financiare, Tempulli i Kirtlandit u përkushtua më 27 mars 1836. Dukuri të mrekullueshme e shoqëruan përkushtimin dhe një javë më vonë, lajmëtarët hyjnorë ua rivendosën çelësat e priftërisë Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit. Këto çelësa janë një tipar dallues i Kishës dhe i kanë bekuar miliona njerëz që janë mbledhur në Kishë.

Lexim Konteksti

  • Jeffrey R. Holland, “Our Most Distinguishing Feature”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 43–45.

  • Dejvid A. Bednar, “Me Nder do të Mbajë një Emër e Qëndrim”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 97–100.

  • “Glorious Days in Kirtland, 1834–1836”, kapitulli 13 te Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të (Church Educational System manual, 2003), f. 153–168.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 109:1–28

Shenjtorët sakrifikuan për të ndërtuar Tempullin e Kirtlandit

Tregojuni studentëve një figurë të Tempullit të Kirtlandit (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 117; shih edhe LDS.org). Shpjegoni se shenjtorët punuan dhe sakrifikuan për gati tre vjet që ta ndërtonin Tempullin e Kirtlandit. Duke e bërë këtë, ata dëshmuan përmbushjen e premtimit të Zotit që, nëse do t’i zbatonin urdhërimet e Tij, ata do të “k[ishin] fuqi për ta ndërtuar atë” (DeB 95:11). Pothuajse 1.000 njerëz morën pjesë në përkushtimin e tempullit, të mbajtur më 27 mars 1836. Lutja përkushtuese, të cilën Jozef Smithi e mori me anë të zbulesës, shënohet te Doktrina e Besëlidhje 109.

Ftojini dy studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 109:1–5. Nxiteni klasën ta ndjekë, duke vënë në dukje veçanërisht frazat që përshkruajnë sakrificat e shenjtorëve për ta ndërtuar tempullin. Më pas bëni pyetjet vijuese:

  • Çfarë frazash përdori Jozef Smithi për t’i përshkruar sakrificat e shenjtorëve?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më tej sakrificat e bëra nga shenjtorët, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë përmbledhjen vijuese:

Midis qershorit të vitit 1833 dhe marsit të vitit 1836, burra e gra punuan krah për krah për të ndërtuar dhe përfunduar shtëpinë e Zotit. Disa punonin me muret, të tjerë mbartnin gurë, të tjerë tirrnin fillin e bënin rroba për punëtorët dhe disa punonin me perdet e shtëpisë së Zotit. Ata e bënë të gjithë këtë “që Biri i Njeriut të mund të [kishte] një vend për t’ia manifestuar vetveten popullit të tij” (DeB 109:5). Disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme, si Xhon Tenëri, dhanë shumë prej pasurisë së tyre për ndërtimin e tempullit. Në tërësi, tempulli mund të ketë kushtuar gati 40.000 dollarë amerikanë për t’u ndërtuar – një shumë tepër e madhe për atë kohë. Pavarësisht nga kostoja dhe sakrifica, shenjtorët ishin besnikë në punët e tyre për t’iu bindur këtij urdhërimi të Zotit (shih DeB 95:11). Tempulli i Kirtlandit ishte një punë dashurie dhe një ushtrim i bindjes, sakrifikimit dhe besimit.

  • Çfarë sakrificash na kërkohet të bëjmë sot me qëllim që të gëzojmë bekimet e tempullit?

  • Çfarë bekimesh na vijnë në jetën tonë kur sakrifikojmë për ta kryer punën e Zotit?

Që t’ju ndihmojë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, paraqitni thënien vijuese nga motra Karol S. Tomas, e Presidencës së Përgjithshme të Të Rejave. Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Karol B. Tomas

© Busath.com

“Sakrifica është një parim mahnitës. Kur ne me gatishmëri i japim kohën, talentet tona dhe gjithçka zotërojmë, ajo bëhet një nga format tona më të vërteta të adhurimit. Ajo mund të zhvillojë brenda nesh një dashuri të thellë për njëri-tjetrin dhe Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Nëpërmjet sakrificës, zemrat tona mund të ndryshohen; ne jetojmë më pranë Shpirtit dhe kemi më pak dëshirë për gjërat e botës” (“Sacrifice: An Eternal Investment”, Ensign, maj 2001, f. 64).

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 109:12–13 dhe 20–21, duke kërkuar mënyrën se si natyra e shenjtë e tempullit sugjerohet në këtë lutje. Kërkojuni studentëve të tregojnë për atë që iu ra në sy më shumë në këto vargje.

U thoni studentëve që në lutjen përkushtuese, Jozef Smithi i kërkoi Zotit për bekime të veçanta. Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 109:12–15, 22–28. Nxiteni klasën t’i ndjekë dhe të kërkojë bekimet që mund t’iu vijnë atyre që adhurojnë denjësisht në tempull. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët dhe frazat që iu bien atyre në sy. Më pas diskutoni pyetjet vijuese:

  • Nga bekimet që përcaktuat, cili ka domethënien më të madhe për ju? Përse?

  • Çfarë doktrine ose parimi mund të mësojmë nga këto vargje? (Sigurohuni që studentët të përcaktojnë parimin vijues: Kur adhurojmë me besnikëri në tempull, ne mund të marrim mbrojtje dhe fuqi më të madhe ndaj ligësisë së botës.)

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Ju lutem mendoni për [Doktrinën e Besëlidhjet 109:24–28] nën dritën e tërbimit të tanishëm të kundërshtarit dhe … [të] gatishmëri[së s]onë për të marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe bekimin e mbrojtjes premtuar atyre që me nder mbajnë një emër e qëndrim në Tempullin e Shenjtë. Në mënyrë kuptimplote, këto bekime të besëlidhjes janë për gjithë brezat dhe për gjithë përjetësinë. Unë ju ftoj t’i studioni vazhdimisht dhe t’i meditoni plot lutje nënkuptimin e këtyre shkrimeve të shenjta në jetën tuaj dhe për familjen tuaj.

Ne nuk duhet të çuditemi prej përpjekjeve të Satanit që të ndalojë apo zhvlerësojë adhurimin dhe punën në tempull. Djalli e përbuz dëlirësinë dhe fuqinë e shtëpisë së Zotit. Dhe mbrojtja e disponueshme për secilin prej nesh në dhe përmes ordinancave e besëlidhjeve të tempullit qëndron si një pengesë e madhe për planet e liga të Luciferit” (“Me Nder do të Mbajë një Emër e Qëndrim”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 99–100).

  • Si e keni ndier një rritje në fuqinë shpirtërore si rezultat i adhurimit në tempull?

Ftojini studentët të përsiatin atë që mund të bënin për të marrë më shumë bekime të premtuara atyre që adhurojnë me besnikëri në tempull. Kujtojini studentët që, teksa i përsiatin shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve, zemrat dhe mendjet e tyre do të jenë më të hapura ndaj frymëzimit nga Zoti.

Doktrina e Besëlidhje 110

Jezu Krishti, Moisiu, Elija dhe Eliasi u shfaqën në Tempullin e Kirtlandit

Shpjegoni se Perëndia i shpërbleu sakrificat e shenjtorëve për të ndërtuar Tempullin e Kirtlandit me një derdhje të manifestimeve shpirtërore në ditët përgjatë përkushtimit. Nëse e lejon koha, tregoni shkurtimisht disa histori që gjenden në kapitullin 13 (“Glorious Days in Kirtland, 1834–1836”) të Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të (Church Educational System manual, 2003), veçanërisht pjesën e titulluar “A Pentecostal Season” (faqet 164–167). Tregojuni studentëve që ndoshta ngjarja më e rëndësishme e atyre ngjarjeve ndodhi më 6 prill 1836, një javë pas përkushtimit të tempullit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë kreun e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 110 dhe ftojeni pjesën tjetër të klasës ta ndjekë. Më pas bëni pyetjet vijuese:

  • Kujt iu dha ky vegim? Çfarë ishin duke bërë Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri përpara se të ndodhte ky vegim?

Shpjegojuni studentëve që dhjetë vargjet e para të Doktrinës e Besëlidhjeve 110 përbëjnë një vegim të lavdishëm, të dhënë Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit për Shpëtimtarin, i cili iu shfaq atyre që të shpallte pranimin e Tij për Tempullin e Kirtlandit. Ftojini studentët t’i lexojnë në heshtje këto vargje, ndërkohë që kërkojnë të vërteta të rëndësishme lidhur me Shpëtimtarin si edhe tempullin. Pas një kohe të mjaftueshme, bëni pyetjet vijuese:

  • Në këto vargje, çfarë është kuptimplote për ju? Përse?

  • Sipas vargut 6, Shpëtimtari shpalli: “Zemrat e gjithë njerëzve të mi duhet të gëzohen”. Si mendoni, përse shenjtorët kishin arsye që të gëzoheshin në atë kohë?

Shpjegoni se pasi mbaroi vegimi i Shpëtimtarit, pasuan një seri vegimesh. Në këto vegime, Moisiu, Eliasi dhe Elija iu shfaqën njëri pas tjetrit Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit.

Shkruajeni sa vijon në tabelë:

Moisiu: Doktrinën e Besëlidhjet 110:11

Eliasi: Doktrinën e Besëlidhjet 110:12

Elija: Doktrina e Besëlidhje 110:13–15

Ndajeni klasën në tri grupe. Caktojini secilit grup një nga emrat në tabelë. Ftojini studentët të studiojnë fragmentin përkatës të shkrimit të shenjtë për të mësuar rreth çelësave të veçantë të priftërisë që u vendosën. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të tregojnë atë që gjetën.

Shpjegimet vijuese mund t’iu sigurojnë studentëve një kuptueshmëri më të thellë të asaj që kanë lexuar. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë secilën thënie pasi të diskutoni fragmentin përkatës të saj nga shkrimi i shenjtë:

Moisiu: Çelësat e mbledhjes së Izraelit japin autoritetin për ta drejtuar predikimin e ungjillit drejt të katër cepave të tokës. “Është me vend që Moisiu, i cili i udhëhoqi fillimisht fëmijët e Perëndisë drejt tokës së trashëgimisë së tyre, do të ishte ai që do t’i dorëzonte çelësat e mbledhjes së Izraelit dhe të rivendosjes së Kishës” (Russell M. Nelson, “The Gathering of Scattered Israel”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 82, shënimi 28 në fund të faqes).

Eliasi: “Një burrë i quajtur Elias me sa duket jetoi në vdekshmëri në kohën e Adamit, i cili ia dha periudhën e kujdestarisë së ungjillit të Abrahamit Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në Tempullin e Kirtlandit (Ohajo) më 3 prill 1836” (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Elias”, f. 40). “Eliasi [e solli] sërish ‘ungjillin e Abrahamit’, besëlidhjen e madhe të Abrahamit nëpërmjet së cilës besnikët marrin premtime për rritje të përjetshme, premtime që nëpërmjet martesës çelestiale pasardhësit e tyre të përjetshëm do të jenë në madhësi po aq të panumërt sa rëra në bregdet ose yjet në qiell” (Bruce R. McConkie, “The Keys of the Kingdom”, Ensign, maj 1983, f. 22).

Elija: “Kjo fuqi vulosëse e dhënë mbi Elijan, është fuqia që i lidh bashkëshortët e bashkëshortet dhe fëmijët me prindërit për kohën e përjetësinë. Është fuqia lidhëse, që ekziston në çdo ordinancë të Ungjillit. … Është nëpërmjet kësaj fuqie që të gjitha ordinancat për sa i përket shpëtimit lidhen, ose vulosen, dhe është misioni i Elijas që të vijë dhe ta rivendosë atë” (Joseph Fielding Smith, Elijah the Prophet and His Mission [1957], f. 5).

Lexoni me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 110:16 dhe nxitini studentët t’ju ndjekin. Vërini studentët të përcaktojnë se çfarë iu dha Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në atë kohë (“çelësat e kësaj periudhe të kujdestarisë”). Më pas bëni pyetjet vijuese:

  • Sipas vargut 16, çfarë mund të dimë ngaqë këta çelësa janë rivendosur? (Ardhja e Dytë është pranë.)

  • Duke mbajtur në mendje vargun 16, përse çelësat e rivendosur nga Moisiu, Eliasi dhe Elija nevojiteshin të rivendoseshin përpara “dit[ës së] madhe dhe [të] tmerrshme të Zotit”?

  • Si jeni bekuar nëpërmjet rivendosjes së këtyre çelësave të priftërisë? (Pas përgjigjeve të studentëve, përmblidhni rëndësinë e rivendosjes së këtyre çelësave duke e thënë këtë parim: Çelësat e punës misionare, familjeve të përjetshme dhe punës në tempull na ndihmojnë ta përgatitim veten dhe botën për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.)

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftoni një student ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Priftëria e Perëndisë, me çelësat e saj, ordinancat e saj, origjinën dhe aftësinë e saj hyjnore për të lidhur në qiell atë që lidhet në tokë, është po aq e domosdoshme për Kishën e vërtetë të Perëndisë sa është e pashoqe për të dhe … pa të nuk do të kishte asnjë Kishë të Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme” (“Our Most Distinguishing Feature”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 43).

Tregoni se si jeta juaj është bekuar ngaqë këta çelësa të priftërisë janë rivendosur. Dëshmoni se çelësat e priftërisë janë një tipar dallues i Kishës; ata e veçojnë Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nga çdo kishë tjetër mbi tokë.

Materiale Leximi për Studentin

  • Doktrina e Besëlidhje 109:1–28; 110:1–16.

  • Jeffrey R. Holland, “Our Most Distinguishing Feature”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 43–45.

  • Dejvid A. Bednar, “Me Nder do të Mbajë një Emër e Qëndrim”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 97–100.