Biblioteka
Mësimi 13: ‘Vegimi’


13

“Vegimi”

Hyrje

Vegimi i dhënë Profetit Jozef Smith, që tani shënohet te Doktrina e Besëlidhje 76, na jep një kuptueshmëri themelore të jetës pas vdekjes, duke përfshirë shkallët e lavdisë. Nga ajo mësojmë atë që ne duhet të bëjmë për të jetuar sërish në praninë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Lexim Konteksti

  • L. Tom Perry, “The Plan of Salvation”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 69–72.

  • Matthew McBride, “‘The Vision’: D&C 76”, seritë Revelations in Context, 11 mars 2013, history.lds.org.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 76

Kuptueshmëria themelore e jetës pas vdekjes

Shpjegoni se në vitet 1830, shumë të krishterë kishin një nga dy besimet e përgjithshme rreth qiellit dhe ferrit, nganjëherë të përshkruara si pikëpamjet “tradicionale” dhe “universale”. Pikëpamja “tradicionale” ishte thjesht qielli për të drejtët dhe ferri për të pabindurit. Pikëpamja “universale” ishte që Perëndia nuk do t’i ndëshkonte përjetësisht mëkatarët, sepse të gjithë më së fundi do të shpëtoheshin në mbretërinë e Perëndisë. Në këtë kohë, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit nuk dinin më shumë sesa të krishterët e tjerë rreth qiellit dhe ferrit. Në shkurt të vitit 1832, Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni përjetuan një vegim që e ndryshoi në mënyrë domethënëse kuptueshmërinë dhe atë që besonin shenjtorët e ditëve të mëvonshme mbi jetën pas vdekjes. Ky vegim, i shënuar te Doktrina e Besëlidhje 76, zbuloi një ndërthurje të ndërlikuar të dashurisë, mëshirës, drejtësisë e gjykimit të Perëndisë dhe hapi një portë drejt një pikëpamjeje më të përsosur të planit të Atit Qiellor. Për shumë vjet, anëtarët e hershëm të Kishës iu drejtuan këtij vegimi thjesht si “Vegimi”. (Shih Matthew McBride, “‘The Vision’: D&C 76”, seritë Revelations in Context, 11 mars 2013, history.lds.org.)

Kërkojini një studenti të japë një përshkrim të shkurtër të asaj që shënohet te Doktrina e Besëlidhje 76. Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Uillford Udraf (1807–1898) dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Uillford Udraf

“Unë marr parasysh që Doktrina e Besëlidhje [përmban] shpalljet më të perëndishme, të bëra ndonjëherë për familjen njerëzore. Do t’i drejtohem ‘Vegimit’ [te seksioni 76] vetëm, si një zbulesë që na jep më shumë dritë, më shumë të vërtetë dhe më shumë parim sesa ndonjë zbulesë që përmbahet në ndonjë libër tjetër që e lexuam ndonjëherë. Ajo e bën të qartë për kuptueshmërinë tonë gjendjen tonë të tanishme, nga erdhëm, përse jemi këtu dhe ku do të shkojmë. Çdo njeri mund ta dijë nëpërmjet asaj zbulese se cila do të jetë pjesa dhe gjendja e tij” (Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff [2004], f. 120–121).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë hyrjen e seksionit për Doktrinën e Besëlidhjet 76. Kërkojini një studenti tjetër të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 76:15–19.

  • Çfarë po bënin Jozefi dhe Sidni që solli si rrjedhojë marrjen e këtij vegim?

  • Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e tyre rreth vlerës së studimit dhe përsiatjes së shkrimeve të shenjta? (Sigurohuni që studentët të dallojnë lidhjen midis meditimit për shkrimet e shenjta dhe marrjes së zbulesës.)

Shënim: Theksoni se të mësuarit për të përsiatur shkrimet e shenjta është një aftësi e vlefshme e studimit të shkrimeve të shenjta, e cila i jep Frymës së Shenjtë mundësi më të madhe për të na zbuluar të vërteta.

Doktrina e Besëlidhje 76:1–10

Premtime për besnikët

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 76:1–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar fjalë dhe fraza që përshkruajnë Jezu Krishtin. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që gjejnë. Shpjegoni se vetitë e Shpëtimtarit, të përshkruara në këto vargje, janë një shembull i një liste të shkrimeve të shenjta. Një listë e shkrimeve të shenjta “është një varg mendimesh, idesh ose udhëzimesh që kanë lidhje ndërmjet tyre. Të kërkuarit për lista në shkrimet e shenjta mund t’i ndihmojë mësuesit dhe studentët të dallojnë pikat kyçe që po i thekson autori” (Mësimdhënia dhe të Mësuarit e Ungjillit [2012], f. 23). Vini në dukje se Doktrina e Besëlidhje 76 përmban një numër listash të shkrimeve të shenjta.

  • Cilat prej tipareve të Jezu Krishtit, të përmendura te vargjet 1–4, janë më domethënëset për ju? Përse?

Vërini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 76:5–10, duke kërkuar premtimet e Zotit për besnikët. Ftojini studentët të vënë re listën e premtimeve te vargjet 6–10. Ju mund të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë gjërat në listën e tyre për t’i theksuar premtimet e Zotit.

  • Sipas vargut 5, çfarë duhet të bëjmë për ta përjetuar mëshirën, hirësinë dhe nderin e Shpëtimtarit?

Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues nga studimi i tyre për këto vargje: Kur e kemi frikë Zotin dhe i shërbejmë Atij me drejtësi, Ai do të na nderojë dhe do të jetë i mëshirshëm ndaj nesh. Kujtojini studentët se në këtë kontekst, të kesh “frikë” Zotin do të thotë ta nderosh Atë.

Që t’i ndihmoni studentët ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për këtë parim, bëni pyetjet vijuese:

  • Nga premtimet që i përcaktuat prej vargjeve 5–10, cilin do të pëlqenit ta merrnit në mënyrë të veçantë? Përse?

  • Çfarë mendoni se do të kishit nevojë të bënit për ta marrë atë bekim?

Jepuni studentëve një çast për të përsiatur përse do të ishte e vlefshme që të përpiqeshin për këto bekime dhe që të vlerësonin se sa mirë po e nderonin Zotin dhe po i shërbenin Atij me drejtësi e vërtetësi.

U vini në dukje studentëve që duke filluar me vargun 11, pjesa e mbetur e seksionit 76 shënon zbulesën e Zotit për “misteret e mbretërisë së tij”, të cilat e “tejkalojnë çdo zgjuarsi në lavdi” (vargu 114). Zbulesa hap për të kuptuarin tonë mrekullitë e përjetësisë, duke na mësuar rreth jetës që do të vijë dhe duke na bërë të njohur atë që kishte qenë e panjohur më parë.

Doktrina e Besëlidhje 76:19–24

Vegimi i Atit dhe Birit

Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 76 përmban një seri vegimesh. Për t’iu dhënë studentëve një përmbledhje të asaj që Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni e panë në këto vegime, paraqitni figurën shoqëruese ose i siguroni çdo studenti një kopje. Shpjegoni se secili objekt në tabelë përqendrohet te një vegim.

Pamja
tabela e seksionit 76

Vini në dukje se një nga vegimet që iu hap Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit atë ditë, ishte një vegim i Atit dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit. Paraqitni pyetjet vijuese ose shkruajini ato në tabelë:

Çfarë të vërtetash mësojmë rreth Jezu Krishtit nga kjo zbulesë?

Për cilën prej këtyre të vërtetave mund të dëshmoni? Si e dini që ato janë të vërteta?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 76:19–24 dhe të marrin parasysh se si ata do t’u përgjigjeshin pyetjeve në tabelë. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të tregojnë përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve. Përgjigjet e studentëve mund të ndryshojnë, por sigurohuni që ata i kuptojnë parimet vijuese. Jezu Krishti është një qenie e gjallë, e përlëvduar. Jezu Krishti është i Vetëmlinduri i Atit. Jezu Krishti është Krijuesi i kësaj bote dhe i botëve të tjera. Banorët e kësaj bote dhe të botëve të tjera janë bij e bija të lindura të Perëndisë.

Merrni parasysh të tregoni dëshminë tuaj për Shpëtimtarin.

Doktrina e Besëlidhje 76:25–113

Plani i shpëtimit

Shpjegoni se vargjet 25–113 të seksionit 76 na mësojnë të vërteta të mrekullueshme rreth planit të shpëtimit. Ftojini studentët të zgjedhin një grup nga këto vargje siç renditen në tabelë dhe t’i lexojnë ato me të shpejtë. Ndajini studentët në dyshe dhe kërkojuni që të diskutojnë atë që mësuan ose atë që e gjetën të ishte frymëzuese në vargjet që lexuan. Më pas diskutojeni pyetjen vijuese si klasë:

  • Cilat doktrina themelore rreth jetës e vdekjes na ndihmon t’i kuptojmë Doktrina e Besëlidhje 76? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata e kuptojnë se te Doktrina e Besëlidhje 76, ne fitojmë një kuptueshmëri themelore të jetës pas vdekjes dhe se çfarë duhet të bëjmë që të jetojmë sërish në praninë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.)

Shpjegoni se një nga vegimet më të rëndësishme, të dhëna Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit, ishte ai i mbretërisë çelestiale. Ftojini studentët të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 76:50–53, duke kërkuar një listë të kërkesave për të hyrë në mbretërinë çelestiale. Ju mund të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë ose t’i shënojnë me numra këto kërkesa në shkrimet e tyre të shenjta. Pasi një student tregon atë që ai ose ajo përcaktoi, bëni pyetje si ato që vijojnë:

  • Si mendoni, çfarë do të thotë të merrni një “dëshmi [të] Jezusit”? (Të kini besim në misionin shëlbues të Shpëtimtarit dhe të jetoni sipas urdhërimeve të Tij.)

  • Çfarë do të thotë të “k[ini] sukses nëpërmjet besimit”? (Të mposhtni tundimet dhe mëkatet nëpërmjet ushtrimit të besimit te Jezu Krishti dhe të duroni besnikërisht deri në fund.)

  • Çfarë do të thotë të “vulosen me anë të Shpirtit të Shenjtë të premtimit”? (Fryma e Shenjtë, që është edhe Shpirti i Shenjtë i Premtimit, i dëshmon Atit që ne i kemi marrë siç duhet ordinancat shpëtuese të ungjillit të Tij dhe që ne i kemi mbajtur besnikërisht besëlidhjet që kemi bërë.)

Përmblidhni Doktrinën e Besëlidhjet 76:54–70 duke shpjeguar se këto vargje renditin shumë prej bekimeve që do t’i marrin banorët e ekzaltuar të mbretërisë çelestiale. Jepuni studentëve pak çaste që t’i lexojnë me të shpejtë këto vargje, duke kërkuar bekime ose kushte të premtuara që janë veçanërisht domethënëse për ta.

  • Cili është një bekim i premtuar besnikëve që ka domethënie të veçantë për ju? Përse?

  • Si na ndihmon vargu 69 që ta kuptojmë rolin e Shpëtimtarit në jetën e atyre që e trashëgojnë mbretërinë çelestiale? (Secili prej nesh, pavarësisht nga sa shumë përpiqemi, do të dështojë për ta bërë gjithçka që është e nevojshme për të hyrë në mbretërinë çelestiale. Vetëm nëpërmjet flijimit shlyes të Shpëtimtarit mund të pastrohemi nga mëkatet tona dhe të bëhemi të përsosur.)

  • Si mund të na ndihmojë njohja e të vërtetave rreth planit të shpëtimit, të shënuara te Doktrina e Besëlidhje 76, për të bërë zgjedhje më të mira në jetë?

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Pa një njohuri të planit të ungjillit, shkelja duket e natyrshme, e pafajshme, madje e justifikuar. Nuk ka mbrojtje më të madhe nga kundërshtari sesa që ne ta njohim të vërtetën – ta njohim planin!” (Our Father’s Plan [1994], f. 27).

  • Në çfarë mënyrash mund të na ndihmojë njohuria e të vërtetave të gjendura te Doktrina e Besëlidhje 76 për të na mbrojtur nga ndikimi i Satanit?

  • Në çfarë mënyrash ju ka mbrojtur e bekuar njohuria juaj për planin e Atit tonë Qiellor?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 76:114–117. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar premtimin që iu jepet atyre që e pastrojnë veten e tyre. Ftojini studentët të përshkruajnë premtimin në atë fragment.

Pasi studentët përgjigjen, paraqitni thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith (1805–1844) në lidhje me vegimin e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 76:

Pamja
Profeti Jozef Smith

“Unë mund të shpjegoja njëqind herë më shumë se sa kam shpjeguar ndonjëherë mbi lavditë e mbretërive që m’u shfaqën në vegimin, nëse do të lejohesha dhe nëse njerëzit do të ishin të përgatitur për t’i marrë ato” (në History of the Church, 5:402).

Që t’i ndihmoni studentët ta vënë në jetë atë që mësuan në orën mësimore, paraqitni ose shkruani në tabelë frazat e paplota vijuese:

Pas studimit të Doktrinës e Besëlidhjeve 76:

Unë e di që …

Unë dua të …

Unë do të …

Ftojini studentët t’i plotësojnë këto fraza në një fletë letre. Nxitini ata të marrin parasysh nëse zgjedhjet që po i bëjnë, do t’i kualifikojnë ata për të trashëguar mbretërinë çelestiale dhe do t’i ndihmojnë që të kualifikohen për bekime të tjera, të premtuara te Doktrina e Besëlidhje 76. Jepni dëshminë tuaj për të vërtetat e diskutuara në klasë sot.

Materiale Leximi për Studentin