Dhiata e Vjetër 2022
20–26 Qershor. 2 Samuelit 5–7; 11–12; 1 Mbretërve 3; 8; 11: “Mbretëria Jote do të Bëhe[t e] Qëndrueshme për Gjithnjë”


“20–26 Qershor. 2 Samuelit 5–7; 11–12; 1 Mbretërve 3; 8; 11: ‘Mbretëria Jote do të Bëhe[t e] Qëndrueshme për Gjithnjë’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“20–26 Qershor. 2 Samuelit 5–7; 11–12; 1 Mbretërve 3; 8; 11”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Pamja
Mbreti David i ulur në fron

Mbreti David i Kurorëzuar, nga Jerry Miles Harston

20–26 Qershor

2 Samuelit 5–7; 11–12; 1 Mbretërve 3; 8; 11

“Mbretëria Jote do të Bëhe[t e] Qëndrueshme për Gjithnjë”

Teksa i lexoni shkrimet e shenjta, Fryma e Shenjtë mund t’ju japë mbresa dhe t’ju frymëzojë që të dini se çfarë do të jetë më kuptimplotë për fëmijët të cilëve u jepni mësim.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Kërkojuni disa fëmijëve të flasin rreth përvojave të tyre me leximin e shkrimeve të shenjta (individualisht, me familjet e tyre ose në kishë). Kur dhe ku i lexojnë shkrimet e shenjta? Si ndihen ata kur i lexojnë shkrimet e shenjta? Çfarë bekimesh po marrin ngaqë po i binden këtij urdhërimi?

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

2 Samuelit 5:19, 23

Nëse kam nevojë për udhërrëfim, unë mund të pyes Atin Qiellor.

Këto vargje përshkruajnë mënyrën se si u lut Davidi për udhërrëfim dhe drejtim kur ishte mbret i Izraelit. Si mund t’i frymëzoni fëmijët që të drejtohen te Perëndia në lutje kur kanë nevojë për ndihmë?

Veprimtari të Mundshme

  • Shpjegojuni fëmijëve se kur Davidi kishte nevojë për ndihmë, ai “u këshillua” ose u lut për përgjigje. Teksa lexoni te 2 Samuelit 5:19, 23, ftojini fëmijët të dëgjojnë për fjalën “u këshillua” dhe t’i mbledhin krahët kur ta dëgjojnë atë. Dëshmoni se ne gjithmonë mund t’i lutemi Atit Qiellor kur kemi nevojë për ndihmë.

  • Për t’i ndihmuar fëmijët të mendojnë rreth asaj që mund të thonë kur luten, ju mund t’i pyetni ata se si do t’i përfundonin fjalitë si këto: “Ne të falënderojmë Ty për …” dhe “Ne të kërkojmë Ty për …”. Lërini fëmijët të bëjnë vizatime të gjërave për të cilat mund të japin falënderime ose të cilat mund t’i kërkojnë në lutje.

    Pamja
    vajzë duke u lutur

    Ne mund t’i lutemi Atit Qiellor për ndihmë dhe udhërrëfim.

  • Tregojuni fëmijëve për një rast kur ju u lutët për ndihmën e Atit Qiellor. Si iu përgjigj Ai lutjes suaj? Çfarë ndryshimi solli ndihma që ju dha Ai? Ftojini fëmijët të tregojnë përvojat e tyre.

2 Samuelit 7:16

Jezu Krishti është Mbreti ynë.

Kur Davidi ishte mbret i Izraelit, Zoti i tha atij se “froni [i tij] do të jetë i qëndrueshëm për gjithnjë” (2 Samuelit 7:16). Ky premtim i referohet Jezu Krishtit, Mbretit tonë të Përjetshëm, i cili lindi nëpërmjet pasardhësve të Davidit.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojeni një nga fëmijët të bëjë sikur është një mbret ose mbretëreshë. Nëse është e mundur, jepini fëmijës objekte të thjeshta skenike për t’i mbajtur. Çfarë është një mbret apo mbretëreshë? Çfarë bëjnë ata? Tregojuni fëmijëve se Davidi ishte mbret dhe ai ishte një paraardhës i Jezu Krishtit, të cilin ne e quajmë “Mbreti i mbretërve” (Zbulesa 19:16). Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyra se si mund ta tregojmë që ne besojmë se Jezu Krishti është Mbreti ynë i Përjetshëm.

  • Ndërsa fëmijët plotësojnë faqen e veprimtarisë së kësaj jave, këndoni ose vini regjistrime këngësh që i referohen Krishtit si Mbreti ynë, të tilla si “Gjith’ Lavdia dhe Nderi”, “Thirrur t’i Shërbejm’”, “Gëzim, Zoti Ësht’ Mbret!” ose “Un’ Besoj në Krisht” (Himne, nr. 37, 158, 35, 72). Kërkojuni fëmijëve të mbajnë vesh për fjalën “mbret” dhe të ngrenë lart një figurë të Jezusit kur ta dëgjojnë atë. Si ndihemi kur këndojmë për Jezusin?

1 Mbretërve 8:57–58

Unë mund të eci në rrugët e Perëndisë.

Për izraelitët, ndërtimi dhe përkushtimi i tempullit ishte një mundësi për t’i kthyer zemrat e tyre te Zoti dhe për t’u rizotuar që të “ec[nin] në të gjitha rrugët e tij” (1 Mbretërve 8:58). Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të “eci[n] në të gjitha rrugët e tij”?

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve një figurë të një tempulli bashkëkohor dhe të tempullit që ndërtoi Salomoni (shih përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Shpjegoni se kur Salomoni ndërtoi një tempull për izraelitët, ai i nxiti ata të “ec[nin] në të gjitha rrugët e [Zotit]” (1 Mbretërve 8:58). U thoni fëmijëve se si ju ndihmon tempulli që të ecni në rrugët e Zotit. Ftojini fëmijët të tregojnë se si ndihen rreth tempullit. Këndoni me fëmijët një këngë rreth tempullit, të tillë si “Tempullin Shum’ Dua t’Shoh” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 99).

  • Jepuni disa prej fëmijëve letra në formë zemre dhe fëmijëve të tjerë letra në formë gjurmësh. Lexoni te 1 Mbretërve 8:58 dhe kërkojuni fëmijëve t’i ngrenë lart zemrat kur ju të thoni fjalën “zemrat” dhe gjurmët kur të thoni frazën “të ecim në të gjitha rrugët e tij”. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se ne ecim në rrugët e Zotit kur e ndjekim Jezusin dhe përpiqemi të bëhemi si Ai. Pyetini fëmijët se çfarë bëjnë ata për të ecur në rrugët e Shpëtimtarit. Ju mund të këndoni një këngë rreth ndjekjes së Jezusit, të tillë si “Përpiqem t’Jem si Jezusi” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 40–41).

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

2 Samuelit 7:16–17

Jezu Krishti është Mbreti ynë.

Mbretërit për të cilët lexojmë në Dhiatën e Vjetër, të gjithë kishin të meta dhe bënin gabime – madje edhe ata që ishin të mirë. Por, Mbreti që u profetizua se do të vinte nga linja e Davidit, Jezu Krishti, është i përsosur dhe do të mbretërojë përgjithmonë.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të lexojnë atë që profeti Nathan i tha mbretit David te 2 Samuelit 7:16–17, dhe pyetini se çfarë mendojnë që mund të nënkuptojë kjo profeci. Si mund të mos ketë fund mbretëria e Davidit? Ndihmojini fëmijët të gjejnë dhe të lexojnë fragmente të shkrimit të shenjtë që na mësojnë se Jezu Krishti, një pasardhës i Davidit, është një Mbret, të tilla si Lluka 1:32–33; Gjoni 18:33–37; dhe Zbulesa 19:16. Në ç’mënyrë është Jezu Krishti si një mbret? Cilat janë disa mënyra se si ne mund të tregojmë se Jezu Krishti është Mbreti ynë i Përjetshëm?

  • Këndoni me fëmijët disa himne që i referohen Krishtit si Mbreti ynë, të tilla si “Eja, Mbret i Mbret’ve”, “Gëzim, Zoti Ësht’ Mbret!” ose “Jezus’, Dje Lindur n’Varf’ri” (Himne, nr. 31, 35, 115). Çfarë na mësojnë këto himne rreth asaj se ç’do të thotë ta kemi Jezu Krishtin si Mbretin tonë?

2 Samuelit 11

Unë mund ta mposht tundimin.

Fëmijët, të cilëve u jepni mësim, marrin vendime të vogla por të rëndësishme çdo ditë. Si mund t’i ndihmoni ata ta kuptojnë rëndësinë e zgjedhjes së asaj që është e drejtë edhe kur është e vështirë?

Veprimtari të Mundshme

  • Rishikojeni me fëmijët kapitullin 2 Samuelit 11 duke vënë në dukje zgjedhjet që bëri Davidi. Pyetini fëmijët se çfarë zgjedhjesh të mira duhet të kishte bërë Davidi. Cilat janë disa nga gjërat që mund të bëjmë kur po tundohemi, të cilat mund të na ndihmojnë të bëjmë zgjedhje të drejta?

  • Për të treguar një shembull të dikujt që, ndryshe nga Davidi, i bëri ballë tundimit, pyetini fëmijët nëse e kujtojnë historinë e Jozefit dhe gruas së Potifarit (shih Zanafilla 39:7–12). Ju mund ta rishikoni këtë histori me fëmijët dhe t’i ndihmoni që ta krahasojnë atë me historinë e Davidit. Çfarë mund të mësojmë nga historitë e Davidit dhe të Jozefit rreth mënyrës se si t’i bëjmë ballë tundimit?

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ndihmojini fëmijët të mendojnë për diçka që mund të bëjnë për ta vënë në zbatim atë që mësuan sot. Pastaj nxitini të veprojnë sipas planeve të tyre.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndiqeni ecurinë e ftesave për të vepruar. Kur i ftoni fëmijët të veprojnë sipas asaj që po mësojnë, ndiqeni ecurinë e ftesës suaj gjatë orës tjetër mësimore. Kjo u tregon fëmijëve se ju interesoheni për mënyrën se si ungjilli po e bekon jetën e tyre. Ndërkohë që tregojnë përvojat e tyre, ata do të forcohen dhe do ta ndihmojnë njëri-tjetrin që ta jetojnë ungjillin.