Dhiata e Vjetër 2022
27 Qershor–3 Korrik. 1 Mbretërve 17–19: “Në Qoftë se Zoti Është Perëndia, Shkoni pas Tij”


“27 Qershor–3 Korrik. 1 Mbretërve 17–19: ‘Në Qoftë se Zoti Është Perëndia, Shkoni pas Tij’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“27 Qershor–3 Korrik. 1 Mbretërve 17–19”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Pamja
Elia duke qëndruar pranë altarit në flakë

Elia Konkurron me Priftërinjtë e Baalit, nga Jerry Harston

27 Qershor–3 Korrik

1 Mbretërve 17–19

“Në Qoftë se Zoti Është Perëndia, Shkoni pas Tij”

Shumicës së fëmijëve u pëlqejnë historitë. Ndihmojini fëmijët të përcaktojnë të vërteta në historitë që gjenden te 1 Mbretërve 17–19, të cilat do t’ua forcojnë atyre besimin te Jezu Krishti.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Tregojuni fëmijëve figurat te përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Kërkojuni të tregojnë atë që dinë rreth historive të paraqitura në figura. Çfarë mësojmë nga këto histori?

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

1 Mbretërve 17

Zoti i bekon ata që kanë besim.

Te 1 Mbretërve 17 shënohen disa shembuj që tregojnë besim të madh. Si rrjedhojë e të pasurit besim të madh, Elia mori ushqim nga korbat gjatë një zie buke, një të veje dhe birit të saj iu shumëfishua ushqimi dhe Elia ngriti nga vdekja të birin e së vesë.

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqitni figura ose sende që përputhen me historitë te 1 Mbretërve 17, të tilla si zogj, bukë ose një djalë. Tregojani këto histori fëmijëve (mësimi “Profeti Elia” te Histori të Dhjatës së Vjetër mund të ndihmojë) dhe ftojini të gjejnë figurën ose objektin që përputhet me secilën histori. Theksoni se Elia dhe e veja kishin besim te Jezu Krishti dhe morën bekime të mëdha.

  • Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyrat se si mund të tregojnë që ata kanë besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, çka do të thotë që besojnë tek Ata dhe u mirëbesojnë Atyre. Këndoni me ta një himn rreth besimit, të tillë si “E Di, Ati Im Rron” (Himne, nr. 197).

1 Mbretërve 18:17–39

Unë mund të zgjedh ta ndjek Jezu Krishtin.

Elia e nxiti popullin e Izraelit të merrte një vendim për ta ndjekur Jezu Krishtin. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se ata mund të bëjnë po të njëjtën zgjedhje.

Veprimtari të Mundshme

  • Shpjegojuni fëmijëve se njerëzit në kohën e Elias nuk ishin të sigurt nëse ata donin ta ndiqnin Zotin. Tregoni historinë se si Elia i ftoi ata të zgjidhnin që ta ndiqnin Zotin, e cila gjendet te 1 Mbretërve 18:17–39 (shih edhe “Elia dhe Priftërinjtë e Baalit” te Histori të Dhjatës së Vjetër). Tregojuni fëmijëve se përse ju zgjidhni ta ndiqni Jezu Krishtin dhe pyetini se përse ata zgjedhin ta ndjekin Atë.

  • Lexojuni fëmijëve atë që i tha Elia popullit: “Në qoftë se Zoti është Perëndia, shkoni pas tij” (1 Mbretërve 18:21). Çfarë do të thotë ta ndjekësh Jezu Krishtin? Ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjëra të caktuara që do të bëjnë për ta ndjekur Jezu Krishtin, dhe ftojini të bëjnë vizatime të vetvetes duke i bërë ato gjëra.

    Pamja
    djalë i vogël

    Ne mund të zgjedhim ta ndjekim Jezu Krishtin.

1 Mbretërve 19:9–12

Fryma e Shenjtë më flet mua me një zë të qetë e të ulët.

Me ca udhërrëfim, fëmijët e vegjël mund ta dallojnë ndikimin e Frymës së Shenjtë në jetën e tyre. Përsiatni për mënyrat se si mund t’i ndihmoni ata.

Veprimtari të Mundshme

  • Përmblidheni për fëmijët historinë që gjendet te 1 Mbretërve 19:9–12 dhe lexoni vargjet 11–12. Ftojini të bëjnë veprime që simbolizojnë erën e fortë, tërmetin dhe zjarrin. Pastaj ftojini të rrinë shumë qetë teksa ju e lexoni fundin e vargut 12 me një zë të butë: “Mbas zjarrit u dëgjua një zë, [i qetë dhe i ulët]”. Kërkojuni që të përpiqen të flasin me një zë të qetë e të ulët. Tregojuni atyre për raste kur keni përjetuar një nxitje nga Fryma e Shenjtë.

  • Ndihmojini fëmijët të dallojnë rastet se kur mund ta kenë ndier ndikimin e Frymës së Shenjtë. Për shembull, luani ose këndoni një këngë nderuese rreth Jezusit dhe pyetini ata si ndihen kur mendojnë rreth Tij. Pyetini se si ndihen gjatë veprimtarive të tjera nderuese, të tilla si kur luten me familjet e tyre ose kur marrin sakramentin. Shpjegoni se këto ndjenja vijnë nga Fryma e Shenjtë. Tregojuni fëmijëve se si e ka bekuar jetën tuaj fuqia e Frymës së Shenjtë.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

1 Mbretërve 17:8–16

Kur Zoti kërkon që unë të sakrifikoj, unë mund të bindem me besim.

E veja nga Sarepta i mirëbesoi Zotit dhe profetit të Tij, edhe pse asaj iu kërkua të bënte një sakrificë të madhe. Kjo histori mund t’i ndihmojë fëmijët kur Zoti u kërkon të bëjnë sakrifica.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve nga 1 Mbretërve 17:8–16. Ftojini ata ta interpretojnë me role historinë teksa ju e lexoni atë për herë të dytë. Ndaloni në pika të ndryshme dhe pyetini se si do të ndiheshin nëse do të ishin Elia ose e veja. Ftojini të tregojnë atë që mësojnë nga kjo histori.

  • Ftojeni një fëmijë të vizatojë në tabelë një figurë të asaj që Zoti i kërkoi të vesë t’i jepte Elias (shih 1 Mbretërve 17:12–13). Ftojeni një fëmijë tjetër të vizatojë atë që mori e veja në këmbim (shih 1 Mbretërve 17:15–16). Cilat janë disa nga gjërat që Zoti na kërkon të sakrifikojmë? Ftojini fëmijët të tregojnë se si janë bekuar nga bërja e sakrificave.

1 Mbretërve 18:17–39

Unë mund të zgjedh ta ndjek Jezu Krishtin.

Izraelitët ishin të pavendosur rreth ndjekjes së Zotit. Përsiatni se si mund t’i frymëzoni fëmijët që të jenë të zotuar në dishepullimin e tyre.

Veprimtari të Mundshme

  • Caktojeni secilin fëmijë të lexojë disa vargje nga 1 Mbretërve 18:17–39 dhe të bëjë një vizatim të asaj se çfarë përshkruajnë vargjet e tij apo të saj. Ndihmojini fëmijët t’i kuptojnë vargjet nëse është e nevojshme. Pastaj lejojini të përdorin vizatimet e tyre për ta treguar historinë. Çfarë na mëson kjo histori rreth Zotit?

  • Kërkojuni fëmijëve të flasin për rastet kur iu desh të vendosnin midis dy gjërave të ndryshme. Çfarë i ndihmoi ata të vendosnin? Ndihmojini të mendojnë për situata kur mund t’iu duhet të vendosin a ta ndjekin apo jo Jezu Krishtin. Çfarë të vërtetash nga historia te 1 Mbretërve 18:17–39 mund t’i ndihmojë ata të vendosin?

1 Mbretërve 19:9–12

Fryma e Shenjtë më flet mua me një zë të qetë e të ulët.

Bota është e mbushur me zhurma shpërqendruese që e bëjnë të vështirë ta dëgjosh zërin e qetë e të ulët të Shpirtit. Si do t’i ndihmoni fëmijët që ta dëgjojnë atë?

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të mbajnë vesh mirë teksa u lexoni atyre shumë qetësisht te 1 Mbretërve 19:11–12. Ftojini të kërkojnë te kapitulli i 1 Mbretërve 19 për të gjetur vargjet që lexuat dhe për të mësuar se çfarë po bënte Elia. Flitni për atë që iu desh të bënin për ta dëgjuar atë që ju po thoshit dhe ndihmojini ta krahasojnë këtë me atë që duhet të bëjmë për ta dëgjuar “zë[rin e qetë e të ulët]” të Shpirtit. Lërini fëmijët që të lexojnë qetësisht me radhë vargje të tjera nga 1 Mbretërve 19, ndërkohë që fëmijë të tjerë i gjejnë ato vargje në shkrimet e shenjta.

  • Tregojuni fëmijëve disa shkrime të shenjta shtesë që përshkruajnë se si komunikon Shpirti me ne (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Frymëzim, Frymëzoj”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Kërkojuni fëmijëve të flasin për rastet kur e kanë ndier që Fryma e Shenjtë i ka udhërrëfyer ata ose u ka dëshmuar atyre. Çfarë po bënin ata? Çfarë mund të na shpërqendrojë nga dallimi i Shpirtit? Lexoni së bashku te Moroni 4:3 dhe nxitini fëmijët të zgjedhin një gjë që do të bëjnë, në mënyrë që të mund ta “kenë gjithmonë Shpirtin e tij me ta”.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të mendojnë për diçka që duan ta bëjnë për shkak të asaj që mësuan sot. Për shembull, ata mund të vendosin një synim shpirtëror, intelektual, fizik ose shoqëror për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojini fëmijët ta dallojnë Shpirtin. “Një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëni si mësues, është t’i ndihmoni ata, të cilëve u jepni mësim, që të dallojnë ndikimin e Frymës së Shenjtë. … Ndihmojini [fëmijët] t’i lidhin ndjenjat e tyre shpirtërore me ndikimin e Frymës së Shenjtë.” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 11).