Dhiata e Vjetër 2022
30 Maj–5 Qershor. Gjyqtarët 2–4; 6–8; 13–16: “Zoti u Dha një Çlirimtar”


“30 Maj–5 Qershor. Gjyqtarët 2–4; 6–8; 13–16: ‘Zoti u Dha një Çlirimtar’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“30 Maj–5 Qershor. Gjyqtarët 2–4; 6–8; 13–16”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Pamja
Debora me ushtritë

Ilustrim i Deborës duke udhëhequr ushtritë e Izraelit, © Lifeway Collection/licencuar nga goodsalt.com

30 Maj–5 Qershor

Gjyqtarët 2–4; 6–8; 13–16

“Zoti u Dha një Çlirimtar”

Ka shumë histori frymëzuese që gjenden te Gjyqtarët 2–4; 6–8; 13–16. Përsiatni se si mund t’i përdorni këto histori për t’i ndihmuar fëmijët që të vijnë më afër Shpëtimtarit dhe të dëshirojnë ta ndjekin Atë.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojeni secilin nga fëmijët të tregojë një histori nga shkrimet e shenjta që e kanë mësuar kohët e fundit. Pastaj kërkojuni të tregojnë atë që mësuan nga këto histori.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Gjyqtarët 3:9

Jezu Krishti është Shpëtimtari im.

Kur izraelitët iu lutën Zotit, Ai u dha atyre një çlirimtar. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se Jezu Krishti është Çlirimtari, të cilin Perëndia e ka dhënë për ne.

Veprimtari të Mundshme

  • Shpjegojuni fëmijëve se kur izraelitët ndaluan së zbatuari urdhërimet e Perëndisë, ata e humbën mbrojtjen e Tij dhe u mundën nga armiqtë e tyre. Lexoni nga Gjyqtarët 3:9 frazën “bijtë e Izraelit i klithën Zotit”. Çfarë bënë izraelitët kur patën nevojë për ndihmë? Tregoni një përvojë kur ju u lutët për ndihmë dhe Perëndia iu përgjigj lutjes suaj.

  • Lexoni nga Gjyqtarët 3:9 frazën “Zoti u dha një çlirimtar” dhe ftojini fëmijët ta përsërisin atë me ju disa herë. Shpjegoni se një çlirimtar është dikush që na shpëton. Tregojuni fëmijëve disa figura të njerëzve, përfshirë një figurë të Jezu Krishtit, dhe vendosini figurat përmbys mbi dysheme. Lërini fëmijët që me radhë t’i kthejnë figurat nga ana tjetër, të gjejnë figurën e Jezusit dhe ta ngrenë lart atë. Dëshmoni se Jezu Krishti është Çliruesi, të cilin Perëndia e dha për të na shpëtuar nga mëkati dhe vdekja.

Pamja
Gedeoni dhe ushtria

Gedeoni i mirëbesoi Zotit. © Lifeway Collection/licencuar nga goodsalt.com

Gjyqtarët 6:11–16; 7:1–8

Zoti mund të përdorë gjëra të vogla për të bërë vepra të mëdha.

Gedeoni e konsideronte veten të varfër dhe të parëndësishëm, por Perëndia e pa atë si një “luftëtar trim” (Gjyqtarët 6:12). Ndihmojini fëmijët të kuptojnë që, edhe nëse ndihen të vegjël, Perëndia mund të veprojë nëpërmjet tyre që të bëjë gjëra të rëndësishme (shih Alma 37:6–7).

Veprimtari të Mundshme

  • U thoni fëmijëve se Zoti kishte nevojë për dikë që ta ndihmonte Atë ta shpëtonte Izraelin nga armiqtë e tyre, madianitët, dhe Ai zgjodhi Gedeonin. Lexojuni fëmijëve te Gjyqtarët 6:15 dhe pyetini ata se përse Gedeoni mendonte se nuk mund ta bënte atë që donte Zoti. Lexoni vargun 16 dhe pyetini ata se cili ishte ai që Zoti tha se do ta ndihmonte Gedeonin. Tregojuni fëmijëve për një rast kur Zoti ju kërkoi të bënit diçka të vështirë për t’i shërbyer Atij dhe ju e ndiet se Ai ishte me ju.

  • Paraqitni figura të fëmijëve ose të të rinjve e të rejave duke bërë gjëra të mëdha në shërbim të Perëndisë (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 19, 23, 90, 102) ose tregoni shembuj që keni parë. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyrat se si mund të marrin pjesë në veprën e Perëndisë dhe ftojini ta vizatojnë vetveten duke i bërë këto gjëra.

  • Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’i mësuar fëmijët rreth asaj se si Zoti e bëri më të vogël ushtrinë e Izraelit, në mënyrë që izraelitët të dinin se fuqia e Tij i kishte shpëtuar ata nga armiqtë e tyre. Tregoni shembuj të gjërave të vogla që bëjnë një vepër të madhe, të tillë si bletët që mbledhin nektarin për të bërë mjaltë. Jepni dëshminë tuaj se Perëndia mund të na ndihmojë që të bëjmë një vepër të madhe edhe kur ndihemi të vegjël.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Gjyqtarët 3:7–9, 12–15

Jezu Krishti është Çlirimtari im.

Te Gjyqtarët 3 përshkruhet një cikël që ju mund ta përdorni për t’u mësuar fëmijëve se Perëndia na çliron nga mëkati nëpërmjet Shpëtimtarit Jezu Krisht.

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruani në tabelë sa vijon: “bënë atë që është e keqe”, “i klithën Zotit” dhe “u dha një çlirimtar”. Ftojini disa nga fëmijët që t’i gjejnë këto fraza te Gjyqtarët 3:7–9, dhe ftojini të tjerët që t’i gjejnë ato te Gjyqtarët 3:12–15. Shpjegojuni fëmijëve se herë pas here në librin e Gjyqtarëve, izraelitët “bënë atë që është e keqe”. Më pas, kur armiqtë e tyre i sulmonin, ata “i klith[nin] Zotit” dhe Zoti “u dha një çlirimtar” për t’i ndihmuar ata. Çfarë mësojmë për Zotin nga ky cikël?

  • Këndoni së bashku një këngë që i ndihmon fëmijët të kuptojnë se Jezu Krishti është Shëlbuesi dhe Çliruesi i tyre, të tillë si “Ai Dërgoi Birin e Tij” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 20–21). Ftojini fëmijët të shprehin ndjenjat e tyre rreth asaj që ka bërë Shpëtimtari për të na çliruar nga mëkati, sprovat, hidhërimi dhe vdekja.

Gjyqtarët 4:1–15

Unë mund të jem besnik ndaj Zotit edhe nëse të tjerët nuk janë.

Edhe pse shumë nga izraelitët u larguan prej Zotit, disa mbetën të vërtetë ndaj Tij dhe qenë në gjendje të ndihmonin shumë njerëz të tjerë për t’u kthyer në drejtësi. Si mund t’i nxitni fëmijët të qëndrojnë të vërtetë ndaj Zotit, pavarësisht se çfarë janë duke bërë të tjerët?

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve se gjatë një kohe kur izraelitët kishin qenë të ligj, një grua e drejtë që quhej Debora, dhe komandanti i ushtrisë izraelite, Baraku, e çliruan Izraelin nga armiqtë e tyre (shih Gjyqtarët 4:1–15). Lexoni së bashku te Gjyqtarët 4:14 dhe kërkojuni fëmijëve të gjejnë diçka që tha Debora, e cila tregoi se besimi i saj te Zoti ishte i fortë. Pastaj kërkojuni të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 84:88 që të gjejnë një parim i cili gjendet edhe te Gjyqtarët 4:14. Nxitini të tregojnë se çfarë do të thotë për ta premtimi i Zotit “do të shkoj përpara fytyrës suaj”.

  • Këndoni një këngë rreth bindjes ndaj urdhërimeve, të tillë si “T’Drejtën Zgjidh” (Himne, nr. 150) ose “Udh’n e Drejt’ Zgjidh” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 82–83). Si mund ta mbrojmë të drejtën dhe t’u bindemi urdhërimeve edhe kur të tjerët përreth nesh nuk e bëjnë këtë gjë?

Gjyqtarët 7

Udhët e Perëndisë janë të ndryshme nga udhët e botës.

Zoti i kërkoi Gedeonit të bënte gjëra që ai ndoshta nuk i kuptonte në atë kohë. Çfarë ju frymëzon nga kjo histori? Si mendoni se mund t’i bekojë fëmijët të cilëve u jepni mësim?

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të përfytyrojnë sikur do t’u duhej të mblidhnin një ushtri për të shkuar në betejë. Sa njerëz do të donin të kishin në ushtrinë e tyre? Duke përdorur vargjet te Gjyqtarët 7:4–7, ftojini fëmijët të interpretojnë me gjeste mënyrën se si Zoti e ndihmoi Gedeonin të zgjidhte ushtrinë që do ta çlironte Izraelin nga madianitët. Përse Zoti donte që ushtria e Gedeonit të ishte kaq e vogël? (Shih Gjyqtarët 7:2.) Përse ndjekja e urdhrit të Zotit mund të ketë qenë e vështirë për Gedeonin dhe ushtrinë e tij? Ftojini fëmijët të tregojnë përvoja për rastet kur mësuan t’i mirëbesonin Zotit, edhe kur bërja e kësaj ishte e vështirë.

  • Ftojini fëmijët të bëjnë vizatime të një shpate, mburoje, borie, pishtari dhe shtambe. Pyetini fëmijët se cilin prej këtyre objekteve do të merrnin me vete në betejë. Ftojini të lexojnë te Gjyqtarët 7:16 për të mësuar se çfarë mori me vete ushtria e Gedeonit. Përse do t’u duhej kurajë për ta bërë këtë? Lexoni së bashku te Gjyqtarët 7:19–21 për të mësuar se si i përdori ushtria boritë dhe shtambat për të mundur madianitët. Çfarë mësojmë për Zotin nga kjo histori?

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët t’i tregojnë një pjesëtari të familjes diçka që mësuan sot, që i bën ata të duan t’i zbatojnë urdhërimet.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përshtatini veprimtaritë për të përmbushur nevojat. Mos i shikoni këto përvijime si udhëzime që duhet t’i ndiqni. Përkundrazi, përdorini ato si burim idesh për t’i dhënë shkëndijë frymëzimit tuaj vetjak ndërsa përsiatni nevojat e fëmijëve të cilëve u jepni mësim. Për shembull, në disa raste, ju mund të ndiheni të frymëzuar ta përshtatni një veprimtari për fëmijët më të vegjël për t’ua dhënë mësim fëmijëve më të mëdhenj ose e anasjellta.