Dhiata e Re 2023
26 Qershor – 2 Korrik. Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20–21: “U Ringjall”


“26 Qershor – 2 Korrik. Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20–21: ‘U Ringjall’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“26 Qershor – 2 Korrik. Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20–21”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
Jezusi duke i folur Pjetrit buzë bregut të detit

Feed My Sheep [Kulloti Delet e Mia], nga Kamille Corry

26 Qershor – 2 Korrik

Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20–21

“U Ringjall”

Lexoni me lutje kapitujt te Mateu 28; Marku 16; Lluka 24 dhe Gjoni 20–21, duke menduar thellë mbi gëzimin që keni për shkak të Ringjalljes së Krishtit. Kush mund të bekohet nga dëgjimi i dëshmisë suaj për këtë ngjarje?

Shënojini Mbresat Tuaja

Shumë vëzhguesve, vdekja e Jezu Krishtit mund t’u jetë dukur si një mbarim ironik i një jete mbresëlënëse. A nuk ishte ky burri që e ngriti Llazarin prej së vdekuri? A nuk u kishte bërë ballë Ai kërcënimeve vrasëse nga farisenjtë herë pas here? Ai kishte demonstruar fuqi për të shëruar verbërinë, lebrën dhe paralizën. Madje vetë erërat dhe deti iu bindën Atij. Dhe prapëseprapë, ja tek ishte Ai, i varur në kryq, duke shpallur: “U krye” (Gjoni 19:30). Mund të ketë pasur njëfarë habie të çiltër në fjalët tallëse: “Ai i shpëtoi të tjerët dhe nuk mund të shpëtojë vetveten” (Mateu 27:42). Por ne e dimë se vdekja e Jezusit nuk ishte mbarimi i historisë. Ne e dimë se heshtja e varrit ishte e përkohshme dhe se puna shpëtuese e Krishtit sapo kishte filluar. Ai nuk gjendet sot “midis të vdekurve” por mes të gjallëve (Lluka 24:5). Mësimet e Tij nuk do të liheshin në harresë, sepse dishepujt e Tij besnikë do ta predikonin ungjillin te “të gjithë popujt”, duke i mirëbesuar premtimit të Tij se Ai do të ishte “me [ta] gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:19–20).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20

Jezu Krishti u ringjall.

Në këto fragmente, ju do të lexoni rreth një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e njerëzimit: Ringjalljes së Jezu Krishtit. Ndërsa lexoni, vendoseni veten tuaj në vendin e njerëzve që i dëshmuan ngjarjet lidhur me Ringjalljen. Çfarë mësoni nga përvojat e tyre?

Si ndiheni ju ndërkohë që lexoni rreth Ringjalljes së Shpëtimtarit? Merrni parasysh se si ka ndikuar ajo te ju – te këndvështrimi juaj për jetën, marrëdhëniet tuaja, besimi juaj te Krishti dhe besimi juaj tek të vërtetat e tjera të ungjillit.

Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ringjallje”; Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Resurrection” [“Ringjallja”], topics.ChurchofJesusChrist.org.

Lluka 24:13–35

Unë mund ta ftoj Shpëtimtarin që të “rri[jë] me [mua]”.

Ndërsa lexoni përvojën e dy dishepujve që udhëtojnë, të cilët u takuan me Shpëtimtarin e ringjallur, kërkoni ngjasime me përvojat tuaja si ndjekës të Krishtit. Si mund të ecni me Të sot dhe ta ftoni Atë të “rri[jë]” pak më gjatë? (Lluka 24:29.) Si e dalloni praninë e Tij në jetën tuaj? Në çfarë mënyrash ju ka dëshmuar Fryma e Shenjtë për hyjninë e Jezu Krishtit?

Shih edhe “Me Mua Rri; Ësht’ Muzg Tani”, “Me Mua Rri!”, Himne, nr. 93–94.

Lluka 24:36–43; Gjoni 20

Ringjallja është ribashkimi i përhershëm i shpirtit me trupin.

Rrëfimet për Ringjalljen e Jezu Krishtit mund t’ju ndihmojnë të kuptoni se çfarë do të thotë të ringjallesh. Për shembull, çfarë të vërtetash gjeni te Lluka 24:36–43 dhe Gjoni 20 rreth trupave të ringjallur? Ju gjithashtu mund të shqyrtoni shkrime të tjera të shenjta rreth ringjalljes, të tilla si 1 Korintasve 15:35–44; Filipianëve 3:20–21; 3 Nefi 11:13–15; Doktrina e Besëlidhje 88:27–31; 110:2–3; 130:1, 22.

Gjoni 20:19–29

“Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar.”

Disa njerëz ndihen si Thomai, i cili tha: “Po nuk e pashë …, unë nuk do të besoj” (Gjoni 20:25). Sipas mendimit tuaj, si mund të jetë një bekim të besosh pa parë? (Shih Gjoni 20:29.) Përsiatni se si jeni bekuar që besuat në gjëra që nuk mund t’i shihnit. Çfarë ju ndihmon të keni besim te Shpëtimtari edhe kur nuk mund ta shihni Atë? Si mund të vazhdoni ta forconi besimin tuaj në “gjëra që nuk shihen, të cilat janë të vërteta”? (Shih Alma 32:16–21; Ethëri 12:6.) Merreni parasysh të shënoni në një ditar përvoja që ju kanë ndihmuar të besoni te Jezu Krishti ose t’ia tregoni ato dikujt që e njihni.

Gjoni 21:1–17

Shpëtimtari më fton t’i ushqej delet e Tij.

Mund të jetë interesante ta krahasoni ndërveprimin e Shpëtimtarit me Apostujt e Tij te Gjoni 21 me herën e parë që Ai i urdhëroi ata të linin rrjetat e tyre të peshkimit, të shënuar te Lluka 5:1–11. Çfarë ngjashmërish dhe ndryshimesh gjeni? Çfarë idesh gjeni rreth dishepullimit?

Merrni parasysh se si fjalët që Shpëtimtari ia tha Pjetrit te Gjoni 21:15–17, mund të gjejnë zbatim për ju. A ka ndonjë gjë që nuk ju lejon që t’u jepni shërbesë deleve të Zotit? Cila do të ishte përgjigjja juaj nëse Zoti do t’ju pyeste: “A më do ti mua?” Përsiatni se si ju mund ta tregoni dashurinë tuaj për Zotin.

Shih edhe 1 Pjetër 5:2–4, 8; Xhefri R. Holland, “Urdhërimi i Parë i Madh”, Liahona, nëntor 2012, f. 83–85.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Lluka 24:5–6.Presidenti Tomas S. Monson tha për vargjet te Lluka 24:5–6: “Asnjë fjalë në Krishtërim nuk ka më shumë kuptim për mua” (“Ai Ësht’ Ngritur!”, Liahona, maj 2010, f. 89). Çfarë nënkuptojnë për ju dhe familjen tuaj këto fjalë?

Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20–21.Ndërsa familja juaj i lexon këta kapituj, vërini re njerëzit që ndërvepruan me Jezusin në secilin rrëfim. Për shembull, çfarë ju bën përshtypje rreth njerëzve që e vizituan varrin e Shpëtimtarit? Çfarë mësoni nga fjalët apo veprimet e Apostujve ose nga dishepujt në rrugën për në Emaus?

Merrni parasysh të këndoni së bashku “Jezusi a Jetoi Sërish?” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 45). Flisni për dikë që familja juaj e di që ka vdekur dhe diskutoni se si të vërtetat në këtë këngë sjellin ngushëllim.

Pamja
Jezusi duke ecur me dy burra në rrugë

Road to Emmaus [Rruga për në Emaus], nga Wendy Keller

Mateu 28:16–20; Marku 16:14–20; Lluka 24:44–53.Në këto vargje, çfarë po u kërkonte Jezusi Apostujve të Tij që të bënin? Si mund të ndihmojmë për ta përmbushur këtë vepër? Pjesëtarët e familjes mund të tregojnë përvoja kur ata ndien se “Zoti bashkëvepron me ta” për të përmbushur qëllimet e Tij (Marku 16:20).

Gjoni 21:15–17.Merreni parasysh t’i lexoni këto vargje ndërsa hani së bashku. Kjo mund t’u shtojë njëfarë kuptimi fjalëve të Shpëtimtarit “kulloti delet e mia”. Nisur nga ajo që Jezusi dha mësim rreth deleve në Dhiatën e Re (shih, për shembull, Mateu 9:35–36; 10:5–6; 25:31–46; Lluka 15:4–7; Gjoni 10:1–16), përse kullotja e deleve është një mënyrë e mirë për të përshkruar shërbimin ndaj fëmijëve të Perëndisë? Çfarë na mëson kjo analogji rreth mënyrës se si Ati Qiellor dhe Jezusi ndihen për ne?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Jezusi a Jetoi Sërish?”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 45.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Përdorni muzikë që ta ftoni Shpirtin dhe ta mësoni doktrinën. Të dëgjuarit ose të kënduarit e himneve të tilla si “Ai Ësht’ Ngritur!” (Himne, nr. 118) mund ta ftojnë Shpirtin dhe t’ju ndihmojnë të mësoni për Ringjalljen e Shpëtimtarit.

Pamja
Grua që sheh Krishtin e ringjallur në varr

The Resurrected Christ [Krishti i Ringjallur], nga Walter Rane