Dhiata e Re 2023
10–16 Korrik. Veprat e Apostujve 6–9: “Ç’Don Ti të Bëj Unë?”


“10–16 Korrik. Veprat e Apostujve 6–9: ‘Ç’Don Ti të Bëj Unë?’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“10–16 Korrik. Veprat e Apostujve 6–9”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
Pali bie në tokë

Conversion on the Way to Damascus [Kthimi në Besim Gjatë Rrugës për në Damask], nga Michelangelo Merisi da Caravaggio

10–16 Korrik

Veprat e Apostujve 6–9

“Ç’Don Ti të Bëj Unë?”

Filloni duke lexuar kapitujt te Veprat e Apostujve 6–9. Sugjerimet në këtë përvijim të mësimit mund t’ju ndihmojnë të përcaktoni disa prej parimeve të rëndësishme në këta kapituj, ndonëse ju mund të gjeni të tjera gjatë studimit tuaj vetjak.

Shënojini Mbresat Tuaja

Nëse kishte ndonjë njeri që dukej si kandidat më i pamundshëm për t’u kthyer në besim, ai ndoshta ishte Sauli – një farise, i cili njihej për përndjekjen e të krishterëve. Kështu që kur Zoti i tha një dishepulli të quajtur Anania ta kërkonte Saulin dhe t’i jepte një bekim, Anania kuptohet që ishte ngurrues. “O Zot”, tha ai, “nga shumë veta kam dëgjuar për këtë njeri se sa të këqija u ka bërë shenjtorëve të tu” (Veprat e Apostujve 9:13). Por Zoti e njihte zemrën e Saulit dhe potencialin e tij, dhe Ai kishte një mision në mendje për Saulin: “Ai është vegla që unë kam zgjedhur për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit” (Veprat e Apostujve 9:15). Kështu që Anania u bind dhe kur e gjeti këtë përndjekës të mëparshëm, ai e thirri: “Vëlla Saul” (Veprat e Apostujve 9:17). Nëse Sauli mund të ndryshonte kaq tërësisht dhe Anania mund ta mirëpriste kaq lirisht, vallë a duhet ta quajmë ne ndonjëherë ndonjë njeri si një kandidat të pamundshëm për të ndryshuar – përfshirë veten tonë?

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Veprat e Apostujve 6–8

Zemra ime ka nevojë të jetë “e drejtë përpara Perëndisë”.

Një kishë në rritje do të thoshte një nevojë në rritje për dishepuj që të shërbenin në mbretëri. Sipas vargjeve te Veprat e Apostujve 6:1–5, cilat cilësi po kërkonin Dymbëdhjetë Apostujt tek ata që do të shërbenin me ta? Ndërsa i lexoni kapitujt te Veprat e Apostujve 6–8, vini re se si këto cilësi, dhe të tjera si ato, u shfaqën nga njerëz si Stefani dhe Filipi. Çfarë i mungonte Simonit dhe çfarë mund të mësojmë prej tij rreth të qenit të gatshëm për të ndryshuar?

A ndiheni të frymëzuar të ndryshoni diçka, për të siguruar që zemra juaj të jetë “e drejtë përpara Perëndisë”? (Veprat e Apostujve 8:21–22.) Si mund t’ju bekojë realizimi i këtij ndryshimi ndërsa i shërbeni Perëndisë?

Veprat e Apostujve 6–7

Të kundërshtuarit e Frymës së Shenjtë mund të çojë drejt mospranimit të Shpëtimtarit dhe shërbëtorëve të Tij.

Udhëheqësit judeas ishin përgjegjës për përgatitjen e popullit për ardhjen e Mesias. Dhe prapëseprapë nuk arritën ta njihnin Mesian dhe nuk e pranuan Atë. Si ndodhi kjo? Një pjesë e përgjigjes mund të gjendet te fjalët e Stefanit: “Ju gjithnjë e kundërshtoni Frymën e Shenjtë” (Veprat e Apostujve 7:51). Si mendoni, çfarë do të thotë ta kundërshtosh Frymën e Shenjtë? Përse të kundërshtuarit e Frymës së Shenjtë çon në mospranimin e Shpëtimtarit dhe të shërbëtorëve të Tij?

Ndërsa lexoni kapitujt te Veprat e Apostujve 6–7, kërkoni mesazhe të tjera që Stefani ua mësoi judenjve. Kundër çfarë qëndrimesh po paralajmëronte ai? A dalloni ndonjë qëndrim të ngjashëm te vetja juaj? Çfarë ju mësojnë fjalët e Stefanit rreth pasojave të kundërshtimit të Frymës së Shenjtë? Si mund të jeni më të ndjeshëm dhe veprues ndaj nxitjeve të Frymës së Shenjtë në jetën tuaj?

Shih edhe “The Martyrdom of Stephen” [“Martirizimi i Stefanit”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.

Veprat e Apostujve 8:26–39

Fryma e Shenjtë do të më ndihmojë që t’i udhërrëfej të tjerët për te Jezu Krishti.

Çfarë mësoni në lidhje me përhapjen e ungjillit nga rrëfimi te Veprat e Apostujve 8:26–39? Si e ndihmoi Fryma e Shenjtë Filipin? Si është përhapja e ungjillit tek të tjerët e ngjashme me të qenit një udhëzues? (Shih Veprat e Apostujve 8:31.)

Plaku Ulises Soares tha se ky rrëfim “është një kujtues për mandatin hyjnor që të gjithë ne e kemi, që të kërkojmë ta mësojmë dhe t’ia japim mësim njëri-tjetrit ungjillin e Jezu Krishtit. … Ne nganjëherë jemi si etiopasi – kemi nevojë për ndihmën e një mësuesi besnik dhe të frymëzuar dhe, nganjëherë jemi si Filipi – kemi nevojë që t’i mësojmë e t’i forcojmë të tjerët gjatë kthimit të tyre në besim” (“Si Mund ta Kuptoj Unë?”, Liahona, maj 2019, f. 6). Merrni parasysh të lexoni pjesën në vazhdim nga mesazhi i Plakut Soares dhe të përsiatni se si Fryma e Shenjtë mund t’ju ndihmojë të jeni nxënës dhe mësues më të mirë të ungjillit.

Veprat e Apostujve 9

Kur i nënshtrohem vullnetit të Zotit, unë mund të bëhem mjet në duart e Tij.

Kthimi në besim i Saulit duket shumë i papritur; ai kaloi menjëherë nga burgosja e të krishterëve te predikimi për Krishtin në sinagogat. Kur ta lexoni historinë e tij, përsiatni arsyen përse ai ishte kaq i gatshëm që të ndryshonte. (Që të lexoni përshkrimin e vetë Saulit për kthimin e tij në besim, shih Veprat e Apostujve 22:1–16 dhe 26:9–18. Vini re se te këto rrëfime, Sauli merr emrin Pal [shih Veprat e Apostujve 13:9].)

Ndërkohë që është e vërtetë se përvoja e Saulit është e pazakontë – për shumicën e njerëzve, kthimi në besim është një proces shumë më i gjatë – a ka ndonjë gjë që mund të mësoni nga Sauli rreth kthimit në besim? Çfarë mësoni nga mënyra si reaguan Anania dhe dishepujt e tjerë ndaj kthimit në besim të Saulit? Çfarë do të bëni për t’i zbatuar këto mësime në jetën tuaj? Ju mund të filloni duke pyetur në lutje, ashtu siç bëri Sauli: “Ç’don ti të bëj unë?”

Ndërsa lexoni vargjet te Veprat e Apostujve 9:36–42, merrni parasysh se si Tabitha ishte një mjet në duart e Perëndisë. Çfarë ju frymëzon shembulli i saj?

Shih edhe Diter F. Uhtdorf, “Duke Pritur në Rrugën për Damask”, Liahona, maj 2011, f. 70–77; “The Road to Damascus” [“Rruga për Damask”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Veprat e Apostujve 6:8; 7:51–60.Krahasojini rrëfimet për Stefanin te Veprat e Apostujve 6:8 dhe Veprat e Apostujve 7:51–60 me rrëfimet për Shpëtimtarin te Lluka 23:1–46. Si e ndoqi Stefani shembullin e Shpëtimtarit?

Veprat e Apostujve 7:51–60.Si e bekoi Fryma e Shenjtë Stefanin kur atë po e përndiqnin? Kur kemi marrë forcë nga Fryma e Shenjtë gjatë periudhave të vështira?

Veprat e Apostujve 9:5.Një gjemb ishte një mjet i mprehtë që përdorej për t’i vënë në lëvizje kafshët. Shpesh kafshët kur shpoheshin, do të godisnin me shkelm mbrapsht, gjë që do të bënte që mjeti të zhytej edhe më thellë në mishin e kafshës. Si mund të gjejë ndonjëherë zbatim për ne kjo analogji? Çfarë mund të bëjmë për ta pranuar më mirë korrigjimin nga Zoti?

Pamja
Pjetri duke ngritur Tabithën nga vdekja

Tabitha Arise [Tabitha, Çohu], nga Sandy Freckleton Gagon

Veprat e Apostujve 9:32–43.Merrni parasysh t’i ftoni pjesëtarët e familjes suaj që të vizatojnë figura të historive te Veprat e Apostujve 9:32–43. Çfarë mësojmë rreth dishepullimit të vërtetë nga këto histori? Si mundet dikush që është “[me] shumë vepra të mira”, siç ishte Tabitha, t’i ndihmojë të tjerët të besojnë te Zoti? (Shih Veprat e Apostujve 9:36; “Kapitulli 60: Pjetri Sjell Tabitën Përsëri në Jetë” (te Tregime nga Dhiata e Re, f. 156–157, ose materialin filmik përkatës në ChurchofJesusChrist.org).

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Himni i sugjeruar: “Do Shkoj Ku Ti Do që të Shkoj”, Himne, nr. 173.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Përshtatini shkrimet e shenjta me jetën tuaj. Ndërsa lexoni, merrni në shqyrtim se si zbatohen në jetën tuaj historitë dhe mësimet në shkrimet e shenjta. Për shembull, çfarë mundësish keni për t’u shërbyer të tjerëve, siç bëri Tabitha te Veprat e Apostujve 9:36–39?

Pamja
Stefani goditet për vdekje me gurë

“Kështu e vranë me gurë Stefanin, dhe ai, që i thërriste Jezusit dhe thoshte: ‘O Zot Jezus, pranoje frymën time’” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Veprat e Apostujve 7:59 [te Veprat e Aposujve 7:59, poshtëshënimi c te Bibla në anglisht]).