Dhiata e Re 2023
17–23 Korrik. Veprat e Apostujve 10–15: “Fjala e Perëndisë Rritej dhe Përhapej”


“17–23 Korrik. Veprat e Apostujve 10–15: ‘Fjala e Perëndisë Rritej dhe Përhapej’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“17–23 Korrik. Veprat e Apostujve 10–15”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
Pjetri duke biseduar me Kornelin

17–23 Korrik

Veprat e Apostujve 10–15

“Fjala e Perëndisë Rritej dhe Përhapej”

Lexojini me kujdes Veprat e Apostujve 10–15, duke i dhënë kohë Shpirtit që t’ju nxitë mendime dhe ndjenja. Çfarë gjendet në këta kapituj për ju që ta mësoni?

Shënojini Mbresat Tuaja

Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti shpesh i sfidoi traditat dhe bindjet e vjetra të njerëzve. Kjo nuk ndaloi pasi Ai u ngjit në qiell, sepse Ai vazhdoi ta udhërrëfente Kishën e Tij me anë të zbulesës. Për shembull, gjatë jetës së Jezusit dishepujt e Tij ia predikuan ungjillin vetëm bashkëkombësve judeas. Por shpejt pasi Shpëtimtari vdiq dhe Pjetri u bë udhëheqësi i Kishës në tokë, Jezu Krishti i zbuloi Pjetrit se ishte koha e duhur që ungjilli t’u predikohej atyre që nuk ishin judenj. Ideja për përhapjen e ungjillit te johebrenjtë nuk duket e habitshme sot, kështu që çfarë mësimi nxjerrim ne nga ky rrëfim? Ndoshta një mësim është se edhe në Kishën e lashtë si edhe atë moderne, një Shpëtimtar i dashur i udhërrëfen udhëheqësit e Tij të zgjedhur (shih Amos 3:7; Doktrina e Besëlidhje 1:38). Zbulesa e vazhdueshme është një shenjë jetike e Kishës së vërtetë dhe të gjallë të Jezu Krishtit. Sikurse Pjetri, ne duhet të jemi të gatshëm ta pranojmë zbulesën e vazhdueshme dhe të jetojmë “me çdo fjalë të Perëndisë” (Lluka 4:4), përfshirë “gjithçka që [Ai] ka zbuluar, gjithçka që Ai zbulon tani” dhe “shumë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme” që Ai do të zbulojë më tej “lidhur me Mbretërinë e Perëndisë” (Nenet e Besimit 1:9).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Veprat e Apostujve 10

“Perëndia nuk tregohet i anshëm.”

Për breza me radhë, judenjtë kishin besuar se të qenit të “farës së Abrahamit” ose një pasardhës i drejtpërdrejtë i Abrahamit, nënkuptonte që një person ishte pranuar dhe zgjedhur nga Perëndia (shih Lluka 3:8). Ata e konsideronin çdo njeri tjetër si një johebre “të papastër”, që nuk pranohej nga Perëndia. Te Veprat e Apostujve 10, çfarë i dha mësim Zoti Pjetrit rreth asaj se kush “është i pranuar nga ai”?(Veprat e Apostujve 10:35.) Çfarë provash gjeni në këtë kapitull që jeta e Kornelit ishte e pranueshme për Zotin? Përsiatni se çfarë kuptimi ka thënia “Perëndia nuk tregohet i anshëm” (vargu 34; shih edhe 1 Nefi 17:35). Përse është e rëndësishme që ju ta dini këtë të vërtetë?

Ashtu sikurse judenjtë që i shihnin me përçmim ata të cilët nuk ishin të farës së Abrahamit, a e gjeni ndonjëherë veten duke bërë supozime të pasjellshme apo të pabaza rreth një personi që është i ndryshëm nga ju? Si mund ta kapërceni këtë prirje? Mund të jetë interesante të provoni një veprimtari të thjeshtë për disa ditë në vijim: Sa herë që ndërveproni me dikë, përpiquni të mendoni me vete: “Ky person është një fëmijë i Perëndisë”. Ndërsa e bëni këtë, çfarë ndryshimesh vini re në mënyrën si mendoni për të tjerët dhe ndërveproni me ta?

Shih edhe 1 Samuelit 16:7; 2 Nefi 26:13, 33; Rasëll M. Nelson, “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 92–95; “Peter’s Revelation to Take the Gospel to the Gentiles” [“Zbulesa e Pjetrit për t’ua Çuar Ungjillin Johebrenjve”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.

Veprat e Apostujve 10; 11:1–1815

Ati Qiellor më mëson rresht pas rreshti nëpërmjet zbulesës.

Kur Pjetri pa vegimin e përshkruar te Veprat e Apostujve 10, fillimisht e pati të vështirë që ta kuptonte atë dhe “po mendohej me mëdyshje ç’kuptim mund të kishte” ai (vargu 17). Sidoqoftë, Zoti i dha Pjetrit kuptueshmëri më të madhe kur Pjetri e kërkoi atë. Ndërsa lexoni kapitujt te Veprat e Apostujve 10, 11 dhe 15, vini re se si të kuptuarit e Pjetrit për vegimin e tij u thellua me kalimin e kohës. Si keni kërkuar dhe keni marrë kuptueshmëri më të madhe nga Perëndia, kur keni pasur pyetje?

Veprat e Apostujve 10, 11 dhe 15 rrëfejnë për raste në të cilat Zoti i udhëhoqi shërbëtorët e Tij nëpërmjet zbulesës. Mund t’ju ndihmojë shënimi i asaj që mësoni rreth zbulesës ndërsa i lexoni këta kapituj. Në çfarë mënyrash ju flet Shpirti?

Shih edhe Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Revelation” [“Zbulesa”], topics.ChurchofJesusChrist.org; Kuentin L. Kuk, “Bekimi i Zbulesës së Vazhdueshme të Dhënë Profetëve dhe i Zbulesës Vetjake për ta Udhërrëfyer Jetën Tonë”, Liahona, maj 2020, f. 96–100; “The Jerusalem Conference” [“Konferenca në Jerusalem”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.

Veprat e Apostujve 11:26

Unë jam i/e krishterë sepse besoj te Jezu Krishti dhe e ndjek Atë.

Çfarë është me rëndësi për një person kur ai ose ajo quhet i/e krishterë? (Shih Veprat e Apostujve 11:26.) Çfarë do të thotë për ju të njihesh si i/e krishterë? Merrni parasysh domethënien e emrave. Për shembull, çfarë domethënie ka mbiemri juaj për ju? Përse emri i Kishës është i rëndësishëm për ju? (Shih Doktrina e Besëlidhje 115:4.) Çfarë do të thotë për ju të merrni mbi vete emrin e Jezu Krishtit nëpërmjet besëlidhjes? (Shih Doktrina e Besëlidhje 20:77.)

Shih edhe Mosia 5:7–15; Alma 46:13–15; 3 Nefi 27:3–8; Rasëll M. Nelson, “Emri i Saktë i Kishës”, Liahona, nëntor 2018, f. 87–90.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Veprat e Apostujve 10:17, 20.A kemi pasur ndonjëherë përvoja shpirtërore dhe më vonë kemi dyshuar tek ajo që kemi ndier apo mësuar? Çfarë këshille mund t’i japim njëri-tjetrit që mund të na ndihmojë t’i kapërcejmë dyshimet tona? (Shih Nil L. Andersen, “Kujtime që të Përcaktojnë Shpirtërisht”, Liahona, maj 2020, f. 18–22.)

Veprat e Apostujve 10:34–35.Si mund t’i mësoni familjes suaj se “Perëndia nuk tregohet i anshëm”? (Veprat e Apostujve 10:34.) Ndoshta ju mund të paraqitni figura me njerëz nga rrethana dhe kultura të ndryshme ndërkohë që familja juaj lexon këto vargje. Si duhet të ndikojnë të vërtetat në këto vargje në veprimet tona? (Shih, për shembull, “Do t’Ec’ me Ty” [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 78–79]).

Veprat e Apostujve 12:1–17.Familja juaj mund të aktrojë rrëfimin e Pjetrit që futet në burg dhe anëtarët e Kishës që mblidhen së bashku dhe luten për të. Kur jemi bekuar nga lutja? A ka ndonjë person për të cilin ndiheni të frymëzuar që të luteni, të tillë si një udhëheqës i Kishës ose një njeri i dashur? Çfarë do të thotë të lutesh në mënyrë “të vazhdueshme”? (Veprat e Apostujve 12:5; shih edhe Alma 34:27.)

Pamja
Pjetri lirohet nga burgu

Peter Delivered from Prison [Pjetri Çlirohet nga Burgu], nga A. L. Noakes

Veprat e Apostujve 14.Teksa e lexoni së bashku këtë kapitull, disa pjesëtarë të familjes mund të mbajnë shënim bekimet që u erdhën dishepujve dhe Kishës. Pjesëtarë të tjerë të familjes mund të vënë re kundërshtim ose sprovat që përjetuan dishepujt. Përse lejon Perëndia që gjëra të vështira t’u ndodhin njerëzve të drejtë?

Veprat e Apostujve 15:1–21.Këto vargje përshkruajnë një mosmarrëveshje në Kishë rreth faktit a duhej ta zbatonin ligjin e Moisiut të kthyerit në besim, përfshirë edhe rrethprerjen. Çfarë bënë Apostujt për këtë mosmarrëveshje? Çfarë mund të mësojmë nga ky shembull rreth mënyrës se si udhëheqësit e Kishës e drejtojnë punën e Kishës?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Do t’Ec’ me Ty”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 78–79.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Vizatoni një figurë. Vizatimet mund t’i ndihmojnë pjesëtarët e familjes që të përfytyrojnë mësimet dhe historitë nga shkrimet e shenjta. Ju mund t’i ftoni pjesëtarët e familjes të vizatojnë figura për atë që lexojnë, të tillë si vegimi i Pjetrit te Veprat e Apostujve 10.

Pamja
Pjetri dhe Korneli

Përvojat e Pjetrit dhe Kornelit demonstrojnë se “Perëndia nuk tregohet i anshëm” (Veprat e Apostujve 10:34.)