Dhiata e Re 2023
24–30 Korrik. Veprat e Apostujve 16–21: “Zoti na Kishte Thirrur që t[a] Shpallim … Ungjillin”


“24–30 Korrik. Veprat e Apostujve 16–21: ‘Zoti na Kishte Thirrur që t[a] Shpallim … Ungjillin’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“24–30 Korrik. Veprat e Apostujve 16–21”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
Pali duke dhënë mësim në kodër

24–30 Korrik

Veprat e Apostujve 16–21

“Zoti na Kishte Thirrur që t[a] Shpallim … Ungjillin”

Ndërsa lexoni rreth përpjekjeve të Palit për ta predikuar ungjillin, Shpirti mund t’ju nxitë mendime ose ndjenja. Shkruajini këto nxitje dhe planifikoni të veproni sipas tyre.

Shënojini Mbresat Tuaja

Mes fjalëve të fundit të Zotit drejtuar Apostujve të Tij ishte urdhërimi: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar” (Mateu 28:19–20). Ndërkohë që Apostujt afërmendsh nuk ia dolën të shkonin tek të gjithë popujt, Veprat e Apostujve 16–21 tregojnë vërtet që Pali dhe shokët e tij bënë me të vërtetë përparim të dukshëm në ngritjen e Kishës. Ata dhanë mësim, pagëzuan dhe dhanë dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ata kryen mrekulli, madje ngritën një burrë nga vdekja dhe paratreguan për Braktisjen e Madhe (Veprat e Apostujve 20:7–12, 28–31). Dhe puna që ata filluan, vazhdon me Apostujt e gjallë sot, bashkë me dishepuj të përkushtuar si ju, të cilët po ndihmojnë në përmbushjen e porosisë së Shpëtimtarit në mënyra që Pali mund të mos i ketë përfytyruar kurrë. Ndoshta jeni në dijeni të njerëzve që nuk e njohin Atin e tyre Qiellor apo ungjillin e Tij. Ndoshta keni ndier që “po [ju] ziente fryma përbrenda” për të folur me ta rreth asaj që dini për Të (Veprat e Apostujve 17:16). Nëse e ndiqni shembullin e përulësisë dhe të guximit të Palit në përhapjen e ungjillit, ju mund të gjeni dikë të cilit “Zoti ia [ka] hap[ur] zemrën” (Veprat e Apostujve 16:14).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Veprat e Apostujve 16–21

Shpirti do të më udhërrëfejë në përpjekjet e mia për ta përhapur ungjillin.

Profeti Jozef Smith shpalli: “Asnjë njeri nuk mund ta predikojë Ungjillin pa Frymën e Shenjtë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 355). Teksa lexoni kapitujt te Veprat e Apostujve 16–21, merrni parasysh arsyen përse deklarata e Profetit është e vërtetë. Vini re rastet në të cilat Shpirti i ndihmoi Palin dhe shokët e tij misionarë. Çfarë bekimesh erdhën kur ata e ndoqën Shpirtin? Kur e keni ndier Shpirtin t’ju nxiste në përpjekjet tuaja për ta përhapur ungjillin?

Veprat e Apostujve 16–21

Unë mund ta shpall ungjillin në të gjitha rrethanat.

Flakja në burg për shkak të predikimit të ungjillit mund të duket si një arsye e kuptueshme për të ndaluar së predikuari. Por për Palin dhe Silën, ajo u bë një mundësi për ta kthyer në besim një rojtar burgu (shih Veprat e Apostujve 16:16–34). Gjatë gjithë kapitujve te Veprat e Apostujve 16–21, kërkoni shembuj të tjerë të gatishmërisë së Palit për të folur për dëshminë e tij me këdo. Si mendoni, përse ishte ai aq guximtar dhe i patrembur? Çfarë mësoni nga shembulli i Palit?

Ka shumë më tepër mesazhe lidhur me përhapjen e ungjillit te Veprat e Apostujve 16–21. Ndërsa i studioni këta kapituj, kërkoni disa mesazhe që janë veçanërisht të zbatueshme për ju.

Shih edhe Diter F. Uhtdorf, “Puna Misionare: Shprehja e Asaj që Keni në Zemër”, Liahona, maj 2019, f. 15–18.

Pamja
foshnjë që mbahet në krah

Secili prej nesh është një fëmijë i Perëndisë.

Veprat e Apostujve 17:16–34

“Ne jemi pasardhës të Perëndisë.”

Në Athinë, Pali gjeti njerëz me gjithfarë opinionesh dhe pikëpamjesh fetare. Ata përpiqeshin përherë të “dëgj[onin] ndonjë fjalë të re” dhe ajo që kishte për të ofruar Pali, ishte pa dyshim e re për ta (shih Veprat e Apostujve 17:19–21). Ata adhuronin shumë perëndi, përfshirë njërin që e quanin “Perëndi[a i] panjohur” (Veprat e Apostujve 17:23), por ata besonin se perënditë ishin fuqi apo forca, jo qenie të gjalla, në formën e një personi dhe sigurisht jo Ati ynë. Përsiatni se çfarë tha Pali për t’i ndihmuar ata që ta njihnin Perëndinë. Çfarë do të thotë për ju të jeni “pasardhës të Perëndisë”? (Veprat e Apostujve 17:29.) Sipas mendimit tuaj, si është të qenit fëmijë i Perëndisë ndryshe nga të qenit thjesht një prej krijimeve të Tij? Si ndikon të kuptuarit e kësaj të vërtete te mënyra se si e shihni veten dhe të tjerët?

Nëse do të kishit qëndruar përkrah Palit ndërsa ai po dëshmonte, çfarë do t’u kishit thënë grekëve të lashtë rreth Atit tonë Qiellor? A njihni ndonjë që mund të ketë dobi nga të dëgjuarit e dëshmisë suaj?

Shih edhe Romakëve 8:16; 1 Gjon 5:2; “We Are the Offspring of God” [“Ne Jemi Pasardhës të Perëndisë”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Veprat e Apostujve 16–21.Për ta thelluar kuptueshmërinë e familjes suaj për kapitujt te Veprat e Apostujve 16–21, ju mund të studioni hartën në fund të këtij përvijimi të mësimit, duke kërkuar qytetet ku Pali predikoi ungjillin në këta kapituj. Çfarë burimesh kemi sot për të ndihmuar në çuarjen e ungjillit tek të gjitha kombet?

Për ta frymëzuar familjen tuaj që ta përhapë ungjillin, ju mund të shfaqni një ose më shumë nga materialet filmike te pjesa “Shpërndarja e Ungjillit” e programit Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Veprat e Apostujve 17:10–12; 18:24–28.Si mund të jemi më shumë si shenjtorët në këto vargje? Çfarë mund të nënkuptojë ta “pran[osh] fjalën me gatishmëri të madhe”? (Veprat e Apostujve 17:11.) Çfarë mund të bëjmë që të jemi “njohës [të] Shkrimit”? (Veprat e Apostujve 18:24.)

Veprat e Apostujve 19:1–7.Këto vargje mund ta ndihmojnë familjen tuaj të ketë një diskutim rreth rëndësisë së pagëzimit dhe konfirmimit. Për t’i kuptuar më mirë të vërtetat në vargjet te Veprat e Apostujve 19:1–7, ju mund të diskutoni disa gjëra që janë të padobishme pa diçka tjetër, si një telefon celular pa bateri. Ose mund të lexoni këtë mësim nga Profeti Jozef Smith: “Pagëzimi me ujë është vetëm gjysmë pagëzim dhe nuk vlen për asgjë pa gjysmën tjetër – që është pagëzimi i Frymës së Shenjtë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith, f. 99). Përse pagëzimi “nuk vlen për asnjë” pa marrjen e dhuratës së Frymës së Shenjtë? (Shih 3 Nefi 27:19–20; Moisiu 6:59–61.)

Veprat e Apostujve 19:18–20.Ndërsa lexoni vargjet te Veprat e Apostujve 19:18–20, vini re vlerën e pasurive nga të cilat njerëzit ishin të gatshëm të hiqnin dorë për ta përqafuar ungjillin (shih vargun 19). A ka pasuri apo veprimtari tokësore nga të cilat duhet të heqim dorë në mënyrë që të marrim bekime qiellore?

Veprat e Apostujve 20:32–35.Kur e ka përjetuar familja juaj mësimin e Krishtit se “ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh”? (Veprat e Apostujve 20:35.) A ka ndonjë njeri që mund të përfitojë nga shërbimi, koha apo dhuratat që mund të japë familja juaj? Si familje, diskutoni rreth disa ideve dhe bëni një plan për t’i shërbyer dikujt. Si ndihemi kur u shërbejmë të tjerëve? Përse ka më shumë lumturi të japësh, sesa të marrësh?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 2–3.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Shënojini mbresat. “Kur [i] shënoni mbresa[t] shpirtërore, ju i tregoni Zotit se e vlerësoni drejtimin e Tij dhe Ai do t’ju bekojë me zbulesë më të shpeshtë” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 12; shih edhe faqen 30).

Pamja
hartë e udhëtimeve misionare të Palit

Udhëtimet misionare të Apostullit Pal.