Dhiata e Re 2023
19–25 Qershor. Mateu 27; Marku 15; Lluka 23; Gjoni 19: “U Krye”


“19–25 Qershor. Mateu 27; Marku 15; Lluka 23; Gjoni 19: ‘U Krye’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“19–25 Qershor. Mateu 27; Marku 15; Lluka 23; Gjoni 19”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
Krishti përpara Pilatit

Ecce Homo [Ja Njeriu], nga Antonio Ciseri

19–25 Qershor

Mateu 27; Marku 15; Lluka 23; Gjoni 19

“U Krye”

Mateu 27; Marku 15; Lluka 23 dhe Gjoni 19 përfshijnë përshkrime të orëve të fundit të jetës së Shpëtimtarit në vdekshmëri. Përpiquni ta ndieni dashurinë e Tij për ju kur studioni rreth flijimit dhe vdekjes së Tij.

Shënojini Mbresat Tuaja

Në çdo fjalë e veprim, Jezu Krishti mishëroi dashurinë e pastër – atë që Apostulli Pal e quajti dashuri hyjnore (shih 1 Korintasve 13). Në asnjë kohë nuk ishte kjo më e dukshme sesa gjatë orëve të fundit të jetës së Shpëtimtarit në vdekshmëri. Heshtja e Tij dinjitoze përballë akuzave të rreme demonstroi se Ai “nuk pezmatohet” lehtë (1 Korintasve 13:5). Gatishmëria e Tij për t’iu nënshtruar fshikullimit, përqeshjes dhe kryqëzimit – ndërkohë që e frenonte fuqinë e Tij për t’u dhënë fund mundimeve të Tij – tregoi se Ai “është [i] duruesh[ëm]” dhe “i duron të gjitha” (1 Korintasve 13:4, 7). Dhembshuria e Tij kundrejt nënës së Tij dhe mëshira e Tij kundrejt kryqëzuesve të Tij – madje gjatë vetë vuajtjes së Tij të pakrahasueshme – zbuloi se Ai “nuk kërkon të [Tijat]” (1 Korintasve 13:5). Në çastet e Tij të fundit në tokë, Jezusi po bënte atë që Ai e kishte bërë gjatë gjithë shërbesës së Tij në vdekshmëri – po jepte mësim duke na treguar mënyrën. Në të vërtetë, dashuria hyjnore është “dashuria e pastër e Krishtit” (Moroni 7:47).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Mateu 27; Marku 15; Lluka 23; Gjoni 19

Gatishmëria e Jezu Krishtit për të vuajtur tregon dashurinë e Tij për Atin dhe për ne të gjithë.

Edhe pse Shpëtimtari pati fuqi të lutej që të zbritnin “legjione engjëjsh” (Mateu 26:53), Ai zgjodhi të duronte vullnetarisht sprova të padrejta, përqeshje mizore dhe dhembje të papërfytyrueshme fizike. Përse e bëri Ai atë? “Për shkak të dashurisë së përzemërt të tij”, dëshmoi Nefi, “dhe të shpirtmirësisë së tij kundrejt fëmijëve të njerëzve” (1 Nefi 19:9).

Pamja
Krishti duke mbajtur kryqin

“Dhe ai, duke mbartur kryqin e tij, u nis drejt … Golgot[ës]” (Gjoni 19:17).

Ju mund ta filloni studimin tuaj për orët e fundit të Shpëtimtarit duke lexuar vargun te 1 Nefi 19:9. Ku gjeni te Mateu 27; Marku 15; Lluka 23 dhe Gjoni 19, shembuj të çdo gjëje që Nefi tha se Jezusi do ta vuante?

  • “[Ata e] gjykoj[në] atë të jetë një gjë pa vlerë”

  • “[Ata] e fshikullojnë”

  • “Ata e godasin”

  • “Ata pështyjnë mbi të”

Cilat fragmente ju ndihmojnë ta ndieni “dashuri[në e] përzemërt” të Shpëtimtarit ndaj jush? Çfarë mendimesh dhe ndjenjash të tjera keni teksa i lexoni këto rrëfime? Merrni parasysh t’i shkruani ato ose t’ia tregoni dikujt.

Shih edhe “Jesus Is Condemned before Pilate” [“Jezusi Dënohet përpara Pilatit”] dhe “Jesus Is Scourged and Crucified” [“Jezusi Fshikullohet dhe Kryqëzohet”] (materiale filmike), ChurchofJesusChrist.org.

Mateu 27:27–49, 54; Marku 15:16–32; Lluka 23:11, 35–39; Gjoni 19:1–5

Përqeshja nuk mund ta ndryshojë të vërtetën.

Ndërkohë që Jezusi kishte duruar përqeshje gjatë gjithë shërbesës së Tij, ajo u bë më e fortë gjatë fshikullimit dhe Kryqëzimit të Tij. Por kjo përqeshje nuk mund ta ndryshonte të vërtetën: Jezusi është Biri i Perëndisë. Ndërkohë që lexoni rreth poshtërimit që duroi Jezusi, mendoni rreth kundërshtimit dhe përqeshjes që has sot vepra e Tij. Çfarë idesh fitoni rreth durimit të kundërshtimit? Çfarë ju bën përshtypje rreth fjalëve të centurionit te Mateu 27:54?

Mateu 27:46; Marku 15:34

Jezu Krishti vuajti i vetëm ndaj unë nuk kam përse të vuaj.

Gjatë një prej çasteve të Tij më prekëse në kryq, Jezusi, i cili gjithmonë ishte mbështetur tek Ati i Tij Qiellor, papritmas u ndje i braktisur. Leximi rreth kësaj, mund t’ju bëjë të mendoni rreth rasteve kur jeni ndier larg Perëndisë. Ju mund të përsiatni se si flijimi i Shpëtimtarit në kryq bën të mundur që ju ta kapërceni atë largësi. Siç dëshmoi Plaku Xhefri R. Holland: “Ngaqë Jezusi bëri krejtësisht i vetëm një rrugë kaq të gjatë e të vetmuar, për ne nuk është e nevojshme të bëjmë kështu. … Ajo që u shpall fuqishëm nga maja e kryqit të Kalvarit, është e vërteta që ne kurrë nuk do të lihemi vetëm, as pa ndihmë, edhe pse ndonjëherë mund të ndiejmë sikur jemi kështu” (“Askush Nuk Ishte me Të”, Liahona, maj 2009, f. 88). Merrni parasysh se si mund t’ju ndihmojë Shpëtimtari ta kapërceni vetminë ndërsa lexoni pjesën tjetër të mesazhit të Plakut Holland.

Lluka 23:34.

Shpëtimtari është shembulli ynë i faljes.

Si ndiheni kur lexoni fjalët e Shpëtimtarit te Lluka 23:34? (Shihni idetë e dhëna nga Përkthimi prej Joseph Smith-it te poshtëshënimi c, te Bibla në anglisht). Duke iu referuar fjalëve të Shpëtimtarit, Presidenti Henri B. Ajring dha mësim: “Ne duhet të falim dhe të mos ruajmë shpirtligësi ndaj atyre që na fyejnë. Shpëtimtari e dha shembullin nga kryqi. … Ne nuk e njohim zemrën e atyre që na kanë fyer” (“That We May Be One”, Ensign, maj 1998, f. 68). Si mund t’ju ndihmojë ky varg nëse e keni të vështirë ta falni dikë?

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Mateu 27; Marku 15; Lluka 23; Gjoni 19.Për ta ndihmuar familjen tuaj të mësojë për ngjarjet që përshkruhen te këta kapituj, ju mund t’u tregoni atyre për mësimet te “Kapitulli 52: Vuajtjet e Jezusit” dhe “Kapitulli 53: Jezusi Kryqëzohet” (te Tregime nga Dhiata e Re, f. 133–138, ose materialet filmike përkatëse në ChurchofJesusChrist.org). Ose ju mund të shihni së bashku materialet filmike që i parashikuan këto ngjarje: “Jesus Is Condemned before Pilate” [“Jezusi Dënohet përpara Pilatit”] dhe “Jesus Is Scourged and Crucified” [“Jezusi Fshikullohet dhe Kryqëzohet”] (ChurchofJesusChrist.org). Ju mund t’i ftoni fëmijët t’i ritregojnë historitë me fjalët e tyre. Pjesëtarët e familjes mund të tregojnë se si ndihen ndaj Shpëtimtarit për shkak të asaj që Ai vuajti për ne.

Mateu 27:11–26; Marku 15:1–15; Lluka 23:12–25; Gjoni 19:1–16.Përse Pilati lejoi që Jezusi të kryqëzohej, edhe pse e dinte se Jezusi ishte i pafajshëm? Çfarë mësimesh nxjerrim nga përvoja e Pilatit rreth mbrojtjes së asaj që e dimë se është e drejtë? Mund të jetë e dobishme për familjen tuaj që të interpretojë me role skenarë që i lejojnë të praktikojnë mbrojtjen e asaj që është e drejtë.

Mateu 27:46; Lluka 23:34, 43, 46; Gjoni 19:26–28, 30.Ndoshta ju mund t’i caktoni secilit pjesëtar të familjes që të lexojë një ose më shumë nga pohimet që Shpëtimtari i bëri në kryq, që gjenden në këto vargje. Kërkojuni atyre të tregojnë se çfarë mësojnë nga këto pohime rreth Shpëtimtarit dhe misionit të Tij.

Marku 15:39.Si e ka forcuar leximi për Kryqëzimin dëshminë tuaj se Jezusi është “Biri i Perëndisë”?

Gjoni 19:25–27.Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth mënyrës se si mund t’i duam dhe mbështetim pjesëtarët e familjes?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Himni i sugjeruar: “Në Kryq Atje në Kalvari”, Himne, nr. 106.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Mbajeni si shembull jetën e Shpëtimtarit. “Është e dobishme t’i studiojmë mënyrat se si dha mësim Shpëtimtari – metodat që përdori Ai dhe gjërat që tha Ai. Por fuqia e Shpëtimtarit për t’i mësuar e lartësuar të tjerët erdhi nga mënyra se si jetoi Ai dhe lloji i njeriut që ishte Ai. Sa më me zell që përpiqeni të jetoni si Jezu Krishti, aq më shumë do të jeni në gjendje të jepni mësim si Ai” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 13).

Pamja
Krishti në kryq

Christ on the Cross [Krishti në Kryq], nga Carl Heinrich Bloch