Dhiata e Re 2023
5–11 Qershor. Gjoni 14–17: “Qëndroni në Dashurinë Time”


“5–11 Qershor. Gjoni 14–17: ‘Qëndroni në Dashurinë Time’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“5–11 Qershor. Gjoni 14–17”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
Darka e Fundit

The Last Supper [Darka e Fundit], nga William Henry Margetson

5–11 Qershor

Gjoni 14–17

“Qëndroni në Dashurinë Time”

Ndërsa lexoni mësimet e Shpëtimtarit te Gjoni 14–17, Fryma e Shenjtë do t’ju ndihmojë të përcaktoni mesazhet për ju. Shënojini mbresat që merrni.

Shënojini Mbresat Tuaja

Sot ne e quajmë atë “Darka e Fundit”, por nuk e dimë nëse dishepujt e Jezusit e kuptuan tërësisht, kur u mblodhën për festën vjetore të Pashkës, se kjo do të ishte darka e tyre e fundit me Mësuesin përpara vdekjes së Tij. Sidoqoftë, Jezusi “e di[nte] se kishte ardhur ora e tij” (Gjoni 13:1). Ai shpejt do të përballej me vuajtjen në Gjetseman, tradhtinë dhe mohimin nga miqtë e Tij më të ngushtë dhe vdekjen plot agoni në kryq. Prapëseprapë, madje me gjithë këtë kanosje përpara Tij, përqendrimi i Jezusit nuk ishte te vetja e Tij, por te dishepujt e Tij. Çfarë iu nevojitej të dinin ata në ditët dhe vitet në vijim? Mësimet e dhembshura të Jezusit te Gjoni 14–17, zbulojnë se si ndihet Ai për Apostujt e Tij, në atë kohë dhe tani. Midis shumë të vërtetave ngushëlluese që Ai tregoi ishin siguria që, në një kuptim, Ai nuk do të na lërë asnjëherë. “Po të zbatoni urdhërimet e mia”, premtoi Ai, “do të qëndroni në dashurinë time” (Gjoni 15:10).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Gjoni 14–15

Unë e tregoj dashurinë time për Jezu Krishtin duke i zbatuar urdhërimet e Tij.

Ndërkohë që lexoni kapitujt te Gjoni 14–15, ju mund të vini një shenjë ose shënoni secilin përdorim të fjalës dashuri. Ju mund të vini re fjalën urdhërime të përsëritur shpesh në shoqërim me fjalën dashuri në këta kapituj. Çfarë mësoni për marrëdhënien midis dashurisë dhe urdhërimeve nga mësimet e Shpëtimtarit? Çfarë fjalësh dhe frazash të tjera gjeni që lidhen me dashurinë në këta kapituj?

Përsiatni se si ka ndikuar dashuria e Shpëtimtarit te ju.

Shih edhe Gjoni 13:34–35; D. Tod Kristoferson, “Qëndroni në Dashurinë Time”, Liahona, nëntor 2016, f. 48–51.

Pamja
Jezusi duke u folur dishepujve

The Last Supper [Darka e Fundit], nga Clark Kelley Price

Gjoni 14–16

Fryma e Shenjtë më ndihmon që ta përmbush qëllimin tim si dishepull i Jezu Krishtit.

Mund të ketë qenë shpirtcopëtuese për dishepujt të dëgjonin se kohës së tyre me Shpëtimtarin pothuajse i kishte ardhur fundi. Ata gjithashtu mund të jenë shqetësuar për atë se si do t’ia dilnin pa Të. Ndërsa lexoni te Gjoni 14–16, kërkoni se çfarë tha Shpëtimtari për t’i siguruar ata. Në veçanti, vini re se çfarë iu mësoi Ai atyre për Frymën e Shenjtë. Çfarë mësoni rreth Frymës së Shenjtë nga fjalët e Shpëtimtarit te vargjet e mëposhtme?

Përse ju nevojitej dishepujve kjo lloj ndihme nga Fryma e Shenjtë? Si i ka përmbushur Fryma e Shenjtë këto role për ju? Merrni parasysh se çfarë mund të bëni në mënyrë që ndikimi i Tij të jetë më i fortë në jetën tuaj.

Shih edhe 3 Nefi 19:9; 27:20; Doktrina e Besëlidhje 11:12–14; Moisiu 6:61; Mishel D. Krejg, “Aftësia Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2019, f. 19–21.

Gjoni 15:1–8

Kur qëndroj në Krishtin, unë vërtet do të sjell fryt të mirë.

Çfarë mendoni se do të thotë “të qëndro[sh] në [Krishtin]”? (Gjoni 15:4.) Cili është “fryt[i]” juaj që tregon se ju jeni të lidhur me hardhinë, e cila përfaqëson Jezu Krishtin?

Gjoni 17

Jezu Krishti ndërmjetëson për dishepujt e Tij.

Fjalët e Jezusit të shënuara te Gjoni 17 njihen si Lutja Ndërmjetësuese. Në këtë lutje, Jezusi u lut për Apostujt e Tij si “edhe për ata që do të besojnë në [Të] me anë të fjalës së tyre” (Gjoni 17:20). Kjo do të thotë që Ai po lutej për ju. Çfarë kërkoi Jezusi nga Ati i Tij në emrin tuaj dhe të gjithë besimtarëve të tjerë? Çfarë ju mëson kjo rreth ndjenjave të Tij për ju?

Kjo lutje gjithashtu jep mësime për të vërteta të mëdha, të përjetshme. Çfarë të vërtetash gjeni? Ndërsa e lexoni këtë kapitull, merrni parasysh ta shënoni atë që mësoni për sa vijon:

  • Lutja

  • Marrëdhënia e Shpëtimtarit me Atin e Tij

  • Marrëdhënia e Shpëtimtarit me dishepujt e Tij

  • Mënyra se si duhet të jenë dishepujt të ndryshëm nga bota

  • Të vërteta të tjera që ju bëjnë përshtypje

Gjoni 17:11, 21–23

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë përsosurisht të bashkuar.

Në lutjen e Tij te Gjoni 17, Jezusi theksoi unitetin e Tij me Atin. Në ç’mënyra Ati dhe Biri janë “një”? (Gjoni 17:11, 21–23.) Vini re se Shpëtimtari u lut që dishepujt e Tij të mund të ishin një “ashtu si” – ose në të njëjtën mënyrë si – Ai dhe Ati i Tij janë një (Gjoni 17:22). Çfarë do të thotë kjo për ju? Mendoni për marrëdhëniet tuaja – për shembull, me bashkëshortin/en tuaj ose pjesëtarë të tjerë të familjes, me anëtarët e lagjes dhe me të krishterë të tjerë. Si mund të punoni për të arritur atë lloj uniteti që ka Jezusi me Atin?

Shih edhe Kuentin L. Kuk, “Zemra të Thurura në Drejtësi dhe Bashkim”, Liahona, nëntor 2020, f. 18–22; Sheron Iubank, “Nga Uniteti i Ndjenjës Ne Marrim Fuqi nga Perëndia”, Liahona, nëntor 2020, f. 55–57.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Gjoni 14:5–6.Pjesëtarët e familjes mund të kënaqen duke ia prirë udhën me radhë familjes gjatë një shëtitjeje. Në ç’mënyrë Jezusi është “udha”? Për ku na prin Ai?

Gjoni 14:26–27.Si është paqja e Jezusit e ndryshme nga lloji që “jep bota”? Pjesëtarët e familjes mund të tregojnë mënyra se si kam gjetur paqe dhe ngushëllim nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

Gjoni 15:1–8.Mund të jetë e këndshme t’i lexoni këto vargje jashtë, pranë një hardhie, një peme ose një bime tjetër. Çfarë i ndodh degës kur hiqet nga bima? Ju mund të flisni rreth asaj se si ne jemi si degët dhe çfarë do të thotë të “qëndro[jmë]” në Shpëtimtarin dhe të “[japim] fryt”.

Gjoni 15:17–27; 16:1–7.Si mendoni, përse Jezu Krishti i paralajmëroi dishepujt e Tij për përndjekjen? Si përndiqen dishepujt e Krishtit sot? Si mund të na ndihmojë këshilla e Shpëtimtarit në këto vargje kur përballemi me përndjekje?

Gjoni 16:33.Si e ka mundur Jezu Krishti botën? Si na ka sjellë paqe dhe na ka dhënë zemër Shlyerja e Tij? (Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 68:6.)

Gjoni 17:21–23.Çfarë do ta ndihmonte familjen tënde të mësonte se si të jetë më e bashkuar si Jezu Krishti dhe Ati Qiellor? Ndoshta ju mund të flisni rreth një ekipi sportiv të parapëlqyer dhe se si ata punojnë së bashku drejt një qëllimi të përbashkët. Ose mund të dëgjoni një kor apo orkestër dhe të diskutoni se si muzikantët bashkohen për të krijuar muzikë të bukur.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Fryma e Shenjtë”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 56.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorni regjistrime zanore. Ndërsa ia mësoni familjes suaj shkrimet e shenjta, merrni parasysh të dëgjoni variante zanore të shkrimeve të shenjta, që gjenden në ChurchofJesusChrist.org ose në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Dëgjimi i kapitujve te Gjoni 14–17 mund të jetë veçanërisht i fuqishëm pasi këta kapituj përmbajnë shumë fjalë të Shpëtimtarit.

Pamja
rrush në vresht

Shpëtimtari na mësoi: “Unë jam hardhia, ju jeni shermendet” (Gjoni 15:5).