Konferenca e Përgjithshme
Zemra të Thurura në Drejtësi dhe Bashkim
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2020


Zemra të Thurura në Drejtësi dhe Bashkim

Në këtë pikë përcaktuese 200-vjeçare në historinë e Kishës sonë, le të zotohemi për të jetuar me drejtësi dhe për të qenë të bashkuar si kurrë më parë.

Drejtësia dhe bashkimi janë thellësisht domethënëse1. Kur njerëzit e duan Perëndinë me gjithë zemër dhe përpiqen fort me drejtësi që të bëhen si Ai, ka më pak mosmarrëveshje dhe grindje në shoqëri. Ka më shumë bashkim. Më pëlqen shumë një ngjarje e vërtetë që e ilustron këtë.

Një djalë i ri, jo i besimit tonë, gjenerali Tomas L. Kejni, u erdhi në ndihmë shenjtorëve dhe i mbrojti ata kur atyre iu kërkua të largoheshin nga Navuja. Ai ishte një mbrojtës për Kishën për shumë vite2.

Në vitin 1872, gjenerali Kejn, bashkëshortja e tij e talentuar, Elizabet Ud Kejni, dhe dy bijtë e tyre udhëtuan nga shtëpia e tyre në Pensilvani drejt Solt-Lejk-Sitit. Ata shoqëruan Brigam Jangun dhe shoqëruesit e tij në një rrugëtim drejt jugut për në Seint-Xhorxh të Jutës. Elizabeta u qas në vizitën e saj të parë në Jutë me vërejtje rreth grave. Ajo u befasua nga disa gjëra që mësoi. Për shembull, ajo zbuloi se çfarëdo profesioni me anë të të cilit një grua mund të fitonte të ardhura për jetesën, ishte në dispozicion të tyre në Jutë3. Gjithashtu zbuloi se anëtarët e Kishës ishin të sjellshëm dhe mirëkuptues për sa u përket indianëve të Amerikës4.

Gjatë udhëtimit ata qëndruan në Fillmor në shtëpinë e Tomas R. dhe Matilda Robinson Kingut5.

Elizabeta shkroi se ndërsa Matilda po përgatiste një vakt për Presidentin Jang dhe shoqëruesit e tij, pesë indianë të Amerikës hynë në dhomë. Edhe pse të paftuar, dukej qartë se ata prisnin që të bashkoheshin me të ftuarit. Motra King u foli “në dialektin e tyre”. Ata u ulën mbi batanijet e tyre me një pamje të kënaqur në fytyrë. Elizabeta e pyeti njërin nga fëmijët e familjes King: “Çfarë u tha nëna juaj atyre burrave?”

Përgjigjja e birit të Matildës ishte: “Ajo tha se këta të huaj erdhën të parët dhe unë kam gatuar aq sa për ta; por ushqimi juaj është në zjarr duke u gatuar tani dhe do t’ju thërras sapo të jetë gati”.

Elizabeta pyeti: “A do ta bëjë ajo vërtet këtë apo thjesht do t’ua japë ushqimin e mbetur te dera e kuzhinës?”6

Biri i Matildës iu përgjigj: “Nëna do t’u japë ushqim atyre ashtu si juve dhe do t’u bëjë një vend në tryezën e saj”.

Kështu bëri ajo dhe “ata hëngrën me etikë të përsosur”. Elizabeta shpjegoi se kjo zonjë shtëpie i arriti 100 përqind pritshmëritë që ajo kishte7. Bashkimi rritet kur njerëzit trajtohen me dinjitet dhe respekt edhe pse janë të ndryshëm në karakteristikat e jashtme.

Si udhëheqës, nuk kemi mbetur me iluzionin se në të shkuarën të gjitha marrëdhëniet ishin të përsosura, se e gjithë sjellja ishte si e Krishtit apo që të gjitha vendimet ishin të drejta. Megjithatë, besimi ynë na mëson se të gjithë ne jemi fëmijë të Atit tonë në Qiell dhe ne e adhurojmë Atë dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, i cili është Shpëtimtari ynë. Dëshira jonë është që zemrat e mendjet tona do të thuren në drejtësi e bashkim dhe ne do të jemi një me Ta8.

Drejtësia është një term i gjerë nga ana kuptimore, por është më se e sigurt që përfshin të jetuarit e urdhërimeve të Perëndisë9. Ajo na kualifikon për ordinancat e shenjta që përbëjnë shtegun e besëlidhjeve dhe na bekon që ta kemi Shpirtin për të na dhënë drejtim në jetën tonë10.

Të qenit i drejtë nuk varet nga fakti që secili prej nesh ka çdo bekim në jetën e vet në këtë kohë. Ne mund të mos jemi të martuar ose të bekuar me fëmijë apo të kemi tani bekime të tjera që i dëshirojmë. Por Zoti ka premtuar se të drejtët që janë besnikë mund “të jetojnë me Perëndinë, në një gjendje lumturie të pafund”11.

Bashkimi është gjithashtu një term i gjerë nga ana kuptimore, por pa dyshim, ilustron urdhërimin e parë dhe të dytë të madh për ta dashur Perëndinë dhe për t’i dashur bashkëqeniet tona12. Ai nënkupton një popull Sioni, zemra dhe mendja e të cilit janë të “thurura në bashkim”13.

Konteksti për mesazhin tim është kontrasti dhe mësimet nga shkrimet e shenjta.

Kanë kaluar 200 vjet qëkurse Ati dhe Biri i Tij u shfaqën fillimisht dhe filluan Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit në vitin 1820. Rrëfimi te 4 Nefi në Librin e Mormonit përfshin një periudhë të ngjashme 200-vjeçare pasi Shpëtimtari u shfaq dhe themeloi Kishën e Tij në Amerikën e lashtë.

Ngjarja historike që lexojmë te 4 Nefi, përshkruan një popull ku nuk pati zili, grindje, trazira, gënjeshtra, vrasje apo ndonjë lloj epshi. Sepse për shkak të kësaj drejtësie anali thotë: “Me siguri nuk mund të kishte një popull më të lumtur mes gjithë njerëzve të krijuar nga dora e Perëndisë”14.

Në lidhje me bashkimin, te 4 Nefi shkruhet: “Nuk pati grindje në tokë, për shkak të dashurisë së Perëndisë që jetonte në zemrat e njerëzve”15.

Fatkeqësisht, te 4 Nefi më pas përshkruhet një ndryshim madhor që filloi në “vit[in e] dyqindenjëtë”16, kur paudhësia dhe përçarja i shkatërruan drejtësinë dhe bashkimin. Thellësitë e shthurjes që ndodhën atëherë, për pasojë ishin aq të liga, saqë në fund profeti i madh Mormoni i shpreh keqardhjen birit të tij Moronit:

“Por, o biri im, si është e mundur që një popull si ky të kënaqet në kaq shumë neveri –

Si mund të presim që Perëndia ta përmbajë dorën e tij në gjykim kundër nesh?”17

Në këtë periudhë ungjillore, edhe pse jetojmë në një kohë të veçantë, bota nuk është bekuar me drejtësinë dhe bashkimin që përshkruhet te 4 Nefi. Në të vërtetë, ne jetojmë në një kohë me përçarje veçanërisht të mëdha. Megjithatë, miliona njerëz që e kanë pranuar ungjillin e Jezu Krishtit, janë zotuar për të arritur si drejtësinë ashtu dhe bashkimin. Të gjithë ne jemi të ndërgjegjshëm se mund të bëjmë më mirë dhe se ajo është sfida jonë në këtë kohë. Ne mund të jemi një forcë për ta lartësuar dhe bekuar shoqërinë si një e tërë. Në këtë pikë përcaktuese 200-vjeçare në historinë e Kishës sonë, le të zotohemi si anëtarë të Kishës së Zotit për të jetuar me drejtësi dhe për të qenë të bashkuar si kurrë më parë. Presidenti Rasëll M. Nelson na ka kërkuar “të tregojmë qytetari më të madhe, harmoni raciale dhe etnike dhe respekt të ndërsjellë”18. Kjo nënkupton ta duam njëri-tjetrin dhe Perëndinë, si dhe ta pranojmë çdo njeri si vëlla e motër dhe të jemi vërtet një popull Sioni.

Me doktrinën tonë gjithëpërfshirëse, ne mund të jemi një oazë bashkimi dhe mund ta kremtojmë larminë. Bashkimi dhe larmia nuk janë të kundërta. Ne mund të arrijmë një bashkim më të madh teksa ushqejmë një atmosferë përfshirjeje dhe respekti për larminë. Gjatë periudhës që shërbeva në presidencën e Kunjit të San-Franciskos në Kaliforni, ne kishim disa bashkësi që flisnin gjuhët spanjolle, tongane, samoase, tagaloge dhe mandarine. Lagjet tona anglishtfolëse përbëheshin prej njerëzve të cilët vinin nga shumë rrethana shoqërore, raciale dhe kulturore. Kishte dashuri, drejtësi dhe bashkim.

Lagjet dhe degët në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme përcaktohen nga ana gjeografike ose gjuhësore19, jo nga raca apo kultura. Raca nuk përcaktohet në dokumentet e anëtarësisë.

Në fillim të Librit të Mormonit, përafërsisht 550 vjet përpara lindjes së Krishtit, ne na mësohet urdhërimi bazë në lidhje me marrëdhënien ndërmjet fëmijëve të Atit në Qiell. Të gjithë njerëzit duhet t’i zbatojnë urdhërimet e Zotit dhe të gjithë janë të ftuar të marrin nga mirësia e Zotit; “dhe ai nuk ia mohon askujt që shkon tek ai, të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra; dhe ai nuk harron idhujtarët; dhe të gjithë janë njësoj para Perëndisë, si Judenjtë ashtu dhe Johebrenjtë”20.

Shërbesa dhe mesazhi i Shpëtimtarit kanë shpallur vazhdimisht se njerëzit e të gjitha racave dhe ngjyrave janë fëmijë të Perëndisë. Ne jemi të gjithë vëllezër e motra. Në doktrinën tonë ne besojmë se në vendin që e mirëpriti Rivendosjen, në Shtetet e Bashkuara, Kushtetuta e SHBA-së21 dhe dokumentet që lidheshin me të22, të shkruara nga njerëz të papërsosur, u frymëzuan nga Perëndia për t’i bekuar të gjithë njerëzit. Siç lexojmë te Doktrina e Besëlidhje, këto dokumente u “krij[uan] dhe duhet të ruhen për të drejtat dhe mbrojtjen e gjithë mishit, sipas parimeve të drejta e të shenjta”23. Dy nga këto parime ishin liria e zgjedhjes dhe përgjegjshmëria për mëkatet e vetë individit. Zoti shpalli:

“Si rrjedhim, nuk është e drejtë që ndonjë njeri të jetë nën skllavërinë e një tjetri.

Dhe për këtë qëllim e kam themeluar Kushtetutën e kësaj toke, prej duarve të njerëzve të urtë, të cilët i ngrita pikërisht për këtë qëllim, dhe e shëlbeva tokën me anë të derdhjes së gjakut.”24

Kjo zbulesë u mor në vitin 1833 kur shenjtorët në Misuri po vuanin përndjekje të madhe. Te kreu i seksionit 101 te Doktrina e Besëlidhje shkruhet pjesërisht: “Turma keqbërësish i kishin larguar ata nga shtëpitë e tyre në kontenë Jackson. … Kërcënimet me vdekje ndaj [anëtarëve] të Kishës ishin të shumta.”25

Kjo ishte një periudhë e tensionuar nga disa drejtime. Shumë njerëz në Misuri i konsideronin indianët e Amerikës si armiq të pamëshirshëm dhe donin që t’i dëbonin nga tokat. Përveç këtyre, shumë kolonë në Misuri ishin pronarë të skllevërve dhe u ndien të kërcënuar nga ata që e kundërshtonin skllavërinë.

Në dallim, doktrina jonë i respektonte indianët e Amerikës dhe dëshira jonë ishte që t’u mësonim atyre ungjillin e Jezu Krishtit. Për sa i përket skllavërisë, shkrimet tona të shenjta e kanë bërë të qartë se asnjë njeri nuk duhet të jetë nën skllavërinë e një tjetri26.

Si përfundim, shenjtorët u dëbuan me forcë nga Misuri27 dhe më pas u detyruan të shpërnguleshin drejt perëndimit28. Shenjtorët u begatuan dhe gjetën paqe që u shoqërua me drejtësi, bashkim dhe të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit.

Unë gëzohem në Lutjen Ndërmjetësuese të Shpëtimtarit të shënuar në Ungjillin sipas Gjonit. Shpëtimtari pohoi se Ati e kishte dërguar Atë dhe se Ai, Shpëtimtari, e kishte përfunduar punën që ishte dërguar të bënte. Ai u lut për dishepujt e Tij dhe për ata që do të besonin në Krishtin: “Që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne”29. Të jemi një është ajo për të cilën Krishti u lut përpara se Ai të tradhtohej dhe të kryqëzohej.

Në vitin e parë pas Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit, të shënuar te seksioni 38 te Doktrina e Besëlidhje, Zoti flet për luftërat e ligësinë dhe deklaron: “Unë ju them, jini një; dhe nëse nuk jeni një, nuk jeni të mitë”30.

Kultura jonë e Kishës vjen nga ungjilli i Jezu Krishtit. Letra e Apostullit Pal drejtuar Romakëve është e thellë31. Kisha e hershme në Romë përbëhej nga judenj dhe johebrenj. Këta judenj të hershëm kishin një kulturë judease dhe e “fituan lirinë e tyre dhe filluan të shumoheshin e të lulëzonin”32.

Johebrenjtë në Romë kishin një kulturë me një ndikim të madh helenistik, të cilën Apostulli Pal e kuptonte mirë, për shkak të përvojave të tij në Athinë dhe Korint.

Pali e shtjellon ungjillin e Jezu Krishtit në një mënyrë gjithëpërfshirëse. Ai bën kronikën e aspekteve të lidhura me kulturën judease dhe johebrease33 të cilat bien ndesh me ungjillin e vërtetë të Jezu Krishtit. Kryesisht ai i kërkon secilit prej tyre që t’i lërë pas pengesat kulturore nga bindjet fetare dhe kulturat e tyre, që nuk janë në përputhje me ungjillin e Jezu Krishtit. Pali i këshillon judenjtë dhe johebrenjtë t’i zbatojnë urdhërimet dhe ta duan njëri-tjetrin dhe pohon se drejtësia çon drejt shpëtimit34.

Kultura e ungjillit të Jezu Krishtit nuk është një kulturë johebrease apo një kulturë judease. Ajo nuk përcaktohet nga ngjyra e lëkurës së individit apo se ku jeton ai. Ndërsa gjejmë gëzim te kulturat dalluese, ne duhet t’i lëmë pas aspektet e atyre kulturave që bien ndesh me ungjillin e Jezu Krishtit. Anëtarët tanë dhe të kthyerit e rinj në besim shpesh vijnë nga rrethana shoqërore të larmishme raciale dhe kulturore. Nëse duam ta ndjekim këshillën e Presidentit Nelson për ta mbledhur Izraelin e shpërndarë, ne do të zbulojmë se jemi po aq të ndryshëm sa ishin judenjtë dhe johebrenjtë në kohën e Palit. Sidoqoftë, ne mund të jemi të bashkuar në dashurinë tonë për Jezu Krishtin dhe besimin tonë në Të. Letra e Palit drejtuar Romakëve shpreh parimin se ne ndjekim kulturën dhe doktrinën e ungjillit të Jezu Krishtit. Ai është modeli edhe për ne sot35. Ordinancat e tempullit na bashkojnë në mënyra të veçanta dhe na lejojnë të jemi një në çdo mënyrë përjetësisht të rëndësishme.

Ne i nderojmë anëtarët pionierë anembanë botës, jo sepse ishin të përsosur, por sepse ata i kapërcyen vështirësitë, bënë sakrifica, aspiruan të ishin si Krishti dhe po përpiqeshin fort të ndërtonin besimin dhe të ishin një me Shpëtimtarin. Të qenit një me Shpëtimtarin i bëri ata një me njëri-tjetrin. Ky parim është i vërtetë për ju dhe për mua sot.

Kushtrimi drejtuar anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është që të përpiqen fort për të qenë një popull Sioni, i cili është i një zemre dhe i një mendjeje dhe që jeton në drejtësi36.

Është lutja ime që ne do të jemi të drejtë, të bashkuar dhe tërësisht të përqendruar te shërbimi dhe adhurimi i Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, për të cilin unë dëshmoj. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Doktrina e Besëlidhje 38:27.

  2. Shërbimi i Tomas Kejnit në interes të anëtarëve është portretizuar vazhdimisht “si një veprim sakrifice vetëmohuese nga një idealist i ri në moshë, i cili dëshmoi padrejtësitë e shkaktuara mbi një pakicë fetare të përndjekur nga një shumicë mizore dhe armiqësore” (hyrje te Elizabeth Wood Kane, Twelve Mormon Homes Visited in Succession on a Journey through Utah to Arizona, red. Everett L. Cooley [1974], viii)

  3. Shih Kane, Twelve Mormon Homes, f. 5.

  4. Shih Kane, Twelve Mormon Homes, f. 40.

  5. Shih Lowell C. (Ben) Bennion and Thomas R. Carter, “Touring Polygamous Utah with Elizabeth W. Kane, Winter 1872–1873”, BYU Studies, vëll. 48, nr. 4 (2009), f. 162.

  6. Me sa duket, Elizabeta hamendësonte se shumica e amerikanëve në atë kohë do t’u jepnin indianëve të Amerikës thjesht ushqime të mbetura dhe do t’i trajtonin ndryshe nga të ftuarit e tyre të tjerë.

  7. Shih Kane, Twelve Mormon Homes, f. 64–65. Vlen të theksohet se shumë indianë të Amerikës, përfshirë disa kryetarë fisesh, u bënë anëtarë të Kishës. Shih edhe John Alton Peterson, Utah’s Black Hawk War (1998) f. 61; Scott R. Christensen, Sagwitch: Shoshone Chieftain, Mormon Elder, 1822–1887 (1999), f. 190–195.

  8. Në këtë periudhë ungjillore, “të drejtët do të mblidhen prej gjithë kombeve dhe do të vijnë në Sion, duke kënduar këngë gëzimi të përhershëm” (Doktrina e Besëlidhje 45:71).

  9. Shih Doktrina e Besëlidhje 105:3–5. Shkrimet e shenjta e kanë shprehur në veçanti kujdesin për të varfrit dhe nevojtarët si një element të domosdoshëm të drejtësisë.

  10. Shih Alma 36:30; shih edhe 1 Nefi 2:20; Mosia 1:7. Në pjesën e fundit tek Alma 36:30 shkruhet: “Për aq sa ti nuk do të zbatosh urdhërimet e Perëndisë, ti do të përjashtohesh nga prania e tij. Tani, kjo është sipas fjalës së tij.”

  11. Mosia 2:41. Presidenti Lorenco Snou (1814–1901) dha mësim: “Asnjë shenjtor i ditëve të mëvonshme që vdes pasi ka jetuar një jetë besnike, nuk do të humbasë asgjë ngaqë nuk mundi të bëjë disa gjëra ndërkohë që atij apo asaj nuk iu dhanë mundësitë. Me fjalë të tjera, nëse një i ri apo e re nuk ka mundësi të martohet dhe jeton një jetë besnike deri në vdekjen e vet, ai apo ajo do të ketë të gjitha bekimet, ekzaltimin dhe lavdinë që mund të ketë një burrë apo grua që e pati këtë mundësi dhe e përmirësoi. Kjo është e sigurt dhe e vërtetë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Lorenco Snou [2012], f. 133). Shih edhe Richard G. Scott, “The Joy of Living the Great Plan of Happiness”, Ensign, nëntor 1996, f. 75.

  12. Shih 1 Gjon 5:2.

  13. Mosia 18:21; shih edhe Moisiu 7:18.

  14. 4 Nefi 1:16.

  15. 4 Nefi 1:15.

  16. 4 Nefi 1:24.

  17. Moroni 9:13–14.

  18. Russell M. Nelson, në “First Presidency and NAACP Leaders Call for Greater Civility, Racial Harmony”, 17 maj 2018, newsroom.ChurchofJesusChrist.org; shih edhe “President Nelson Remarks at Worldwide Priesthood Celebration”, 1 qershor 2018, newsroom.ChurchofJesusChrist.org.

  19. Te Doktrina e Besëlidhje 90:11 shkruhet: “Çdo njeri do ta dëgjojë plotësinë e ungjillit … në të folurën e tij”. Në përputhje me këtë, zakonisht janë miratuar bashkësi sipas gjuhëve.

  20. 2 Nefi 26:33.

  21. Shih Constitution of the United States.

  22. Shih United States Declaration of Independence (1776); Constitution of the United States, Amendments I–X (Bill of Rights), National Archives website, archives.gov/founding-docs.

  23. Doktrina e Besëlidhje 101:77; theksimi i shtuar.

  24. Doktrina e Besëlidhje 101:79–80.

  25. Doktrina e Besëlidhje 101, kreu i seksionit.

  26. Shih Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 1, The Standard of Truth, 1815–1846 (2018), f. 172–174; James B. Allen dhe Glen M. Leonard, The Story of the Latter-day Saints, bot. i 2-të (1992), f. 93–94; Ronald W. Walker, “Seeking the ‘Remnant’: The Native American during the Joseph Smith Period”, Journal of Mormon History, vëll. 19, nr. 1 (pranverë 1993), f. 14–16.

  27. Shih Saints, 1:359–383; William G. Hartley, “The Saints’ Forced Exodus from Missouri, 1839”, në Richard Neitzel Holzapfel dhe Kent P. Jackson, red., Joseph Smith, the Prophet and Seer (2010), f. 347–389; Alexander L. Baugh, “The Mormons Must Be Treated as Enemies”, në Susan Easton Black dhe Andrew C. Skinner, red., Joseph: Exploring the Life and Ministry of the Prophet (2005), f. 284–295.

  28. Shih Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 2, No Unhallowed Hand, 1846–1893 (2020), f. 3–68; Richard E. Bennett, We’ll Find the Place: The Mormon Exodus, 1846–1848 (1997); William W. Slaughter dhe Michael Landon, Trail of Hope: The Story of the Mormon Trail (1997).

  29. Gjoni 17:21.

  30. Doktrina e Besëlidhje 38:27.

  31. Letra drejtuar Romakëve është e plotë në shpalljen e doktrinës. Letra drejtuar Romakëve përmban të vetmen përmendje të Shlyerjes në Dhiatën e Re. Arrita ta vlerësoj Letrën drejtuar Romakëve për bashkimin e njerëzve të ndryshëm nëpërmjet ungjillit të Jezu Krishtit, kur shërbeva si president kunji me anëtarë nga raca dhe kultura të shumta, që flitnin shumë gjuhë të ndryshme.

  32. Frederic W. Farrar, The Life and Work of St. Paul (1898), f. 446.

  33. Shih Farrar, The Life and Work of St. Paul, f. 450.

  34. Shih Romakëve 8:13.

  35. Shih Dallin H. Oaks, “The Gospel Culture”, Liahona, mars 2012, f. 22–25; shih edhe Richard G. Scott, “Removing Barriers to Happiness”, Ensign, maj 1998, f. 85–87.

  36. Shih Moisiu 7:18.