Konferenca e Përgjithshme
Merrni Zemër
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2020


Merrni Zemër

Besimi ynë i patundur në doktrinën e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit udhërrëfen hapat tona dhe na jep gëzim.

Në ditët e fundit të jetës së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti u tregoi Apostujve të Tij për përndjekjet dhe vështirësitë që ata do të vuanin.1 Ai e mbylli fjalën e Tij me këtë siguri të madhe: “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën” (Gjoni 16:33). Ky është mesazhi i Shpëtimtarit për të gjithë fëmijët e Atit tonë Qiellor. Ky është lajmi i mirë përfundimtar për secilin prej nesh në jetën tonë në vdekshmëri.

“Merrni zemër” ishte gjithashtu një siguri e nevojshme në botën në të cilën Krishti i ringjallur i dërgoi Apostujt e Tij. “Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë”, iu tha më vonë Apostulli Pal korintasve, “por nuk jemi të ngushtuar deri në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar; jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatër[r]uar” (2 Korintasve 4:8–9).

Pamja
Jezusi iu shërben një nga një

Dymijë vjet më pas ne gjithashtu jemi “të shtrënguar në çdo mënyrë” dhe gjithashtu kemi nevojë për të njëjtin mesazh për të mos u dëshpëruar por për të marrë zemër. Zoti ka dashuri dhe interesim të veçantë për bijat e Tij të çmuara. Ai i njeh dëshirat tuaja, nevojat tuaja dhe frikën tuaj. Zoti është i gjithëfuqishëm. Mirëbesojini Atij.

Profetit Jozef Smith iu dha mësim se “veprat dhe planet dhe qëllimet e Perëndisë nuk mund të pengohen, as nuk mund të kthehen në hiç” (Doktrina e Besëlidhje 3:1). Fëmijëve të Tij që po kalonin vështirësi, Zoti u dha këto siguri të mëdha:

“Vini re, ky është premtimi i Zotit për ju, O ju shërbëtorët e mi.

Prandaj, merrni zemër dhe mos u frikësoni, sepse unë, Zoti, jam me ju dhe do t’ju qëndroj përkrah; dhe ju do të jepni dëshmi për mua, madje Jezu Krishtin, që jam Biri i Perëndisë së gjallë” (Doktrina e Besëlidhje 68:5–6).

Zoti na qëndron pranë dhe Ai ka thënë:

“Atë që ia them njërit, ua them të gjithëve, merrni zemër, fëmijë të vegjël; pasi unë jam në mes tuaj dhe nuk ju kam braktisur” (Doktrina e Besëlidhje 61:36).

“Sepse pas shumë mundimesh vijnë bekimet” (Doktrina e Besëlidhje 58:4).

Motra, unë dëshmoj se këto premtime, të dhëna në mes të përndjekjeve dhe tragjedive vetjake, gjejnë zbatim për secilën prej jush në rrethanat tuaja shqetësuese sot. Ato janë të çmuara dhe e kujtojnë secilin prej nesh që të marrë zemër dhe të ketë gëzim në plotësinë e ungjillit ndërsa shkojmë përpara përmes sfidave të vdekshmërisë.

Mundimet dhe sfidat janë përvoja të zakonshme të vdekshmërisë. Kundërshtimi është pjesë thelbësore e planit hyjnor që të na ndihmojë të rritemi2, dhe në mes të atij procesi, ne kemi sigurinë e Perëndisë se në këndvështrimin afatgjatë të përjetësisë, nuk do të lejohet që kundërshtimi të na mposhtë. Me ndihmën e Tij, me besnikërinë dhe durimin tonë, ne do të triumfojmë. Ashtu si jeta në vdekshmëri, në të cilën janë pjesë edhe ato, të gjitha mundimet janë të përkohshme. Në polemikat që i paraprinë një lufte shkatërrimtare, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Abraham Linkolni, me zgjuarsi i kujtoi publikut të tij thënien e lashtë plot urtësi se “edhe kjo do të kalojë”3.

Siç e dini, fatkeqësitë e vdekshmërisë për të cilat po flas – që e bëjnë të vështirë të marrësh zemër – ndonjëherë na vijnë neve po ashtu si dhe shumë njerëzve të tjerë, sikurse milionave që tani po hasin vështirësi me disa nga pasojat e shumta shkatërruese të pandemisë COVID-19. Në mënyrë të ngjashme, në Shtetet e Bashkuara miliona njerëz po vuajnë një periudhë armiqësie dhe grindjesh që gjithmonë duket se i shoqërojnë zgjedhjet presidenciale, por këtë herë është periudha më e ashpër që shumë nga ne më të vjetrit në moshë mund të kujtojmë ndonjëherë.

Nga pikëpamja vetjake, secili prej nesh ndeshet individualisht me disa nga fatkeqësitë e shumta të vdekshmërisë, të tilla si varfëria, racizmi, shëndeti i keq, humbjet ose zhgënjimet e punësimit, fëmijë të pabindur, martesa të këqija ose asnjë martesë dhe pasojat nga mëkati – i yni apo i të tjerëve.

Prapëseprapë, në mes të gjithë kësaj, ne kemi atë këshillë qiellore për të marrë zemër dhe për të gjetur gëzim te parimet dhe premtimet e ungjillit, si dhe frytet e punëve tona.4 Ajo këshillë ka qenë përherë e njëjta, për profetët dhe për të gjithë ne. Ne e dimë këtë nga përvojat e paraardhësve tanë dhe ajo që Zoti iu tha atyre.

Pamja
Vëllai Jozef

Sillni ndërmend rrethanat e Profetit Jozef Smith. E parë përmes thjerrave të fatkeqësive, jeta e tij ishte një jetë me varfëri, përndjekje, zhgënjim, hidhërime në familje dhe në fund martirizim. Ndërsa vuajti burgosje, bashkëshortja dhe fëmijët e tij dhe shenjtorë të tjerë hoqën vështirësi të pabesueshme teksa u dëbuan nga Misuri.

Kur Jozefi u lut për lehtësim, Zoti iu përgjigj:

“Biri im, paqe i qoftë shpirtit tënd; fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër;

Dhe atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart; ti do të triumfosh mbi gjithë armiqtë e tu” (Doktrina e Besëlidhje 121:7–8).

Kjo ishte këshilla vetjake, e përjetshme që e ndihmoi Profetin Jozef të ruante temperamentin e tij të gëzueshëm nga natyra, dhe dashurinë e besnikërinë për njerëzit e tij. Po këto cilësi i forcuan udhëheqësit dhe pionierët që vijuan, dhe mund t’ju forcojnë edhe ju.

Pamja
Misionarë të hershëm duke ecur nëpër dëborë të thellë

Mendoni për ata anëtarë të hershëm! Herë pas here, ata u dëbuan nga njëri vend në tjetrin. Përfundimisht u përballën me sfidat e ngritjes së shtëpive të tyre dhe Kishës në vendin e shkretë.5 Dy vjet pasi grupi i parë i pionierëve mbërriti në luginën e Solt-Lejkut të Madh, aftësia e pionierëve për mbijetesë në atë zonë armiqësore ishte ende e pasigurt. Shumica e anëtarëve ishin ende në shtegun përmes rrafshinave ose duke hasur vështirësi në gjetjen e burimeve për ta bërë udhëtimin. Prapëseprapë, udhëheqësit dhe anëtarët kishin ende shpresë dhe morën zemër.

Edhe pse shenjtorët nuk ishin vendosur në shtëpitë e tyre të reja, në konferencën e përgjithshme të tetorit 1849, një valë e re misionarësh u dërgua për në Skandinavi, Francë, Gjermani, Itali dhe Paqësorin Jugor.6 Nga ai që mund të ishte menduar si niveli i tyre më i ulët, pionierët u ngritën në lartësi të reja. Dhe vetëm tre vjet më vonë, një tjetër 98‑vjeçar u thirr gjithashtu për të filluar mbledhjen e Izraelit të shpërndarë. Një nga udhëheqësit e Kishës shpjegoi se këto misione “në përgjithësi, nuk duhet të jenë shumë të gjatë; ndoshta nga 3 deri në 7 vjet do të jetë koha që çdo burrë do të mungojë në familjen e tij”7.

Motra, Presidenca e Parë shqetësohet për sfidat tuaja. Ne ju duam dhe lutemi për ju. Në të njëjtën kohë, ne shpesh shprehim falënderime që sfidat tona fizike – përveç tërmeteve, zjarreve, përmbytjeve dhe uraganeve – zakonisht janë të pakta në krahasim me ato që hasën paraardhësit tanë.

Në mes të vështirësive, siguria hyjnore është përherë “merrni zemër, sepse unë do t’ju udhëheq përgjatë udhës. Mbretëria është juaja dhe bekimet e saj janë tuajat e pasuritë e përjetësisë janë tuajat” (Doktrina e Besëlidhje 78:18). Si ndodh kjo? Si u ndodhi kjo pionierëve? Si do t’u ndodhë kjo grave të Perëndisë sot? Duke e ndjekur vetë ne udhërrëfimin profetik, “portat e ferrit nuk do të hapen kundër [nesh]”, tha Zoti nëpërmjet zbulesës në prill të 1830-ës. “Po”, tha Ai, “… Zoti Perëndi do t’i shpërndajë fuqitë e errësirës përpara jush dhe do të bëjë që qiejt të dridhen për të mirën tuaj dhe për lavdinë e emrit të tij” (Doktrina e Besëlidhje 21:6). “Mos ki frikë, tufë e vogël; bëni mirë; le të bashkohen toka e ferri kundër jush, sepse, nëse ju ndërtoheni mbi shkëmbin tim, ato s’mund të triumfojnë” (Doktrina e Besëlidhje 6:34).

Me premtimet e Zotit, ne “gëzoh[emi] në zemrën [tonë] e ngazëlleh[emi]” (Doktrina e Besëlidhje 25:13) dhe “me një zemër të gëzuar dhe një fytyrë të ngazëllyer” (Doktrina e Besëlidhje 59:15), ne ecim përpara në shtegun e besëlidhjeve. Shumë prej nesh nuk përballen me vendime me përmasa gjigante, si largimi nga shtëpitë tona për t’u bërë pionierë në një tokë të panjohur. Vendimet tona janë kryesisht për rutinat e përditshme të jetës, por siç na ka thënë edhe Zoti: “Mos u lodhni së bëri mirë, sepse ju po ngrini themelin e një vepre të madhe. Dhe nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe” (Doktrina e Besëlidhje 64:33).

Ka fuqi të pakufishme në doktrinën e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Besimi ynë i patundur në atë doktrinë na i udhërrëfen hapat tona dhe na jep gëzim. Ai na i ndriçon mendjet dhe na jep forcë e vetëbesimin në veprimet tona. Ky udhërrëfim, ky ndriçim i mendjes dhe kjo fuqi janë dhurata të premtuara që i kemi marrë nga Ati ynë Qiellor. Duke e kuptuar atë doktrinë dhe duke e pajtuar jetën tonë me të, përfshirë dhuratën hyjnore të pendimit, ne mund të marrim zemër ndërsa qëndrojmë në shtegun drejt fatit tonë të përjetshëm – ribashkimit dhe ekzaltimit me prindërit tanë të dashur qiellorë.

“Ndoshta po përballeni me sfida dërrmuese”, dha mësim Plaku Riçard G. Skot. “Ndonjëherë ato janë kaq të përqendruara, kaq të pamëshirshme, sa mund ta ndieni se janë përtej aftësisë suaj për t’i kontrolluar. Mos u përballni të vetëm me botën. ‘Ki[ni] besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet[ni] në gjykimin t[uaj]’ [Fjalët e Urta 3:5]. … Synohej që jeta të ishte një sfidë, jo që ju të dështonit, por që të mund t’ia dilni përmes mposhtjes.”8

Gjithçka është pjesë e planit të Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, gjë për të cilën unë dëshmoj, ndërsa lutem që ne të gjithë do të këmbëngulim për vendmbërritjen tonë qiellore, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Gjoni 13–16.

  2. Shih 2 Nefi 2:11.

  3. Abraham Linkolni, fjalim drejtuar Shoqërisë Bujqësore të Shtetit të Uinskonsinit, Miluoki, 30 shtator 1859, në John Bartlett, Bartlett’s Familiar Quotations, bot i 18-të (2012), f. 444.

  4. Shih Doktrina e Besëlidhje 6:31.

  5. Shih Lawrence E. Corbridge, “Surviving and Thriving like the Pioneers”, Ensign, korrik 2020, f. 23–24.

  6. Shih “Minutes of the General Conference of 6 October 1849”, General Church Minutes Collection, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti.

  7. George A. Smith, në Journal History of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 28 gusht 1852, f. 1, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti.

  8. Richard G. Scott, Finding Peace, Happiness, and Joy (2007), f. 248–249.