Doktrina e Besëlidhje 2021
27 Shtator – 3 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 109–110: “Ajo Është Shtëpia Jote, një Vend i Shenjtërisë Sate”


“27 Shtator – 3 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 109–110: ‘Ajo Është Shtëpia Jote, një Vend i Shenjtërisë Sate’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“27 Shtator – 3 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 109–110”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

Pamja
Tempulli i Kirtlandit

Tempulli i Kirtlandit, nga Jon McNaughton

27 Shtator – 3 Tetor

Doktrina e Besëlidhje 109–110

“Ajo Është Shtëpia Jote, një Vend i Shenjtërisë Sate”

Duke iu referuar vargjeve te Doktrina e Besëlidhje 109:24–28, Plaku Dejvid A. Bednar tha: “Unë ju ftoj t’i studioni vazhdimisht dhe t’i meditoni plot lutje nënkuptimet e këtyre shkrimeve të shenjta në jetën tuaj dhe për familjen tuaj” (“Me Nder do të Mbajë një Emër e Qëndrim”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 99). Merreni parasysh këtë ftesë teksa studioni.

Shënojini Mbresat Tuaja

Dyert e Tempullit të Kirtlandit nuk ishin planifikuar të hapeshin deri në orën 8:00 të mëngjesit më 27 mars 1836. Por shenjtorët që shpresonin të merrnin pjesë në shërbesat e përkushtimit, filluan të viheshin në radhë që në orën 7:00. Kur ndenjëset dhe korridoret u mbushën menjëherë me adhurues të zellshëm, Jozef Smithi sugjeroi një vend ku të rrinte pjesa tjetër. Kur vendi u mbush, u planifikua një sesion i dytë. Dhe nuk qenë vetëm të gjallët që pritnin me padurim të ishin të pranishëm. Shumë dëshmitarë dëshmuan se panë engjëj brenda tempullit dhe madje mbi çati, gjatë dhe pas përkushtimit. Dukej vërtet sikur “ushtrit’ e qiellit” kishin ardhur “me gaz … t’këndo[nin]” me shenjtorët e ditëve të mëvonshme (“Shpirti i Per’ndis’”, Himne, nr. 2).

Përse ai emocion kaq i madh – në të dyja anët e velit? Pikë së pari, premtimi se shenjtorëve do t’u “dhurohe[j] fuqi nga lart” ishte një nga arsyet pse ata ishin mbledhur në Ohajo (Doktrina e Besëlidhje 38:32). Dhe gjëra të mëdha u premtuan për të ardhmen. “Ky”, shpalli Zoti, “është fillimi i bekimit që do të derdhet mbi kokat e popullit tim” (Doktrina e Besëlidhje 110:10). Epoka në të cilën jetojmë tani – me punën dhe ordinancat e përshpejtuara në tempull, të vëna në dispozicion për miliona njerëz të gjallë e të vdekur – e pati fillimin e vet në Kirtland, kur “veli q’[ishte]’ mbi tok’ të çahe[j] po fillon[te]” (“Shpirti i Per’ndis’”).

Shih edhe Saints [Shenjtorët], 1:232–170; “A House for Our God”, Revelations in Context, f. 169–172.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 109

Zoti dëshiron të më bekojë në shtëpinë e Tij të shenjtë.

Në disa mënyra, Tempulli i Kirtlandit ishte ndryshe nga tempujt që i njohim sot. Nuk kishte altarë dhe as vaskë pagëzimi, dhe ordinancat si pagëzimi për të vdekurit dhe vulosja nuk ishin rivendosur ende. Por bekimet që përshkruhen te seksioni 109, që është lutja e përkushtimit për Tempullin e Kirtlandit, janë bekimet që ne i marrim sot në shtëpinë e Zotit. Shqyrtojini vargjet vijuese për të gjetur disa nga këto bekime. Ndërkohë që lexoni për to, përsiatni se përse janë të rëndësishme për ju dhe familjen tuaj.

Vargjet 5, 12–13 (shih edhe Doktrina e Besëlidhje 110:6–8): Në tempull, Zoti mund të na e manifestojë veten e Tij dhe ne mund ta ndiejmë fuqinë e Tij.

Vargjet 9, 17–19, 26, 78–79: Në tempull ne marrim mbi vete emrin e Zotit.

Vargjet 22–23: Teksa i bëjmë dhe i mbajmë besëlidhjet e tempullit, Zoti na jep fuqi që ta kryejmë veprën e Tij.

Vargjet 24–33: Teksa e frekuentojmë denjësisht tempullin, ne mund të marrim mbrojtjen e Zotit.

Bekime te tjera:

Çfarë ju frymëzon Shpirti që të bëni për t’i marrë këto bekime?

Doktrina e Besëlidhje 109

Lutja e përkushtimit të Tempullit të Kirtlandit mund të më mësojë rreth lutjes.

Seksioni 109 është një lutje përkushtimi që iu dha Jozef Smithit me anë të zbulesës (shih kreun e seksionit). Çfarë mësoni rreth lutjes nga ky seksion? Teksa e lexoni, ju mund të mendoni rreth vetë lutjeve tuaja. Çfarë mbresash merrni që mund t’ju ndihmojnë ta përmirësoni komunikimin tuaj me Atin Qiellor? Për shembull, për çfarë u lut Profeti në këtë lutje?

Doktrina e Besëlidhje 110:1–10

Zoti mund të ma manifestojë Veten e Tij në tempull.

Si ndiheni rreth Shpëtimtarit pasi lexoni te Doktrina e Besëlidhje 110:1–10? Si jua ka manifestuar Ai Veten e Tij në tempull? Në çfarë mënyrash ju ndihmon Ai që të dini se Ai i pranon përpjekjet dhe sakrificat tuaja?

Pamja
pjesa e brendshme e Tempullit të Kirtlandit

Në të dyja anët e Tempullit të Kirtlandit ka podiume për udhëheqësit e priftërisë.

Doktrina e Besëlidhje 110:11–16

Çelësat e priftërisë që nevojiteshin për të kryer punën e Perëndisë, janë në Kishë sot.

Për t’i kuptuar çelësat e priftërisë që Moisiu, Eliasi dhe Elija ia dhanë Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në Tempullin e Kirtlandit, ju mund të lexoni mesazhin e Plakut Kuentin L. Kuk “Përgatituni që të Takoni Perëndinë” (Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 114–117). Plaku Kuk përshkroi se si këta çelësa përkojnë me veprën e Kishës sot. Mund të merrni parasysh që të mësoni gjithashtu për këta profetë të lashtësisë duke studiuar mbi “Moisi[un]”, “Elias[in]” dhe “Elija[n]” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Përsiatni se çfarë mund të bëni për të ndihmuar në veprën që lidhet me këta çelësa.

Shih edhe “Çelësat e Priftërisë”, Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 126–130; Henri B. Ajring, “Ai Ecën përpara Nesh”, Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 66–69.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 109.Si familje, gjeni disa vargje te seksioni 109 që ju frymëzojnë të kaloni më shumë kohë në tempull (për shembull, shihni vargjet e renditura nën pjesën “Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta”). Flisni rreth mënyrës se si mund ta bëni atë që sugjeroi Presidenti Rasëll M. Nelson: “Gjeni një mënyrë për të lënë një takim rregullisht me Zotin – për të qenë në shtëpinë e Tij të shenjtë – dhe pastaj shkoni në atë takim me përpikëri dhe gëzim” (“Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 114). Nëse ju ose familja juaj nuk keni qenë ende në tempull, ju mund të vizitoni faqen temples.ChurchofJesusChrist.org që t’ju ndihmojë të përgatiteni për të shkuar.

Doktrina e Besëlidhje 109:78–80.Himni “Shpirti i Per’ndis’” (Himne, nr. 2) u shkrua për përkushtimin e Tempullit të Kirtlandit – dhe që nga ajo kohë është kënduar në çdo përkushtim tempulli. Mund ta këndoni këtë himn bashkërisht dhe të gjeni fraza që e rritin mirënjohjen tuaj për tempujt e ditëve të mëvonshme. Si lidhet ky himn me mesazhin te Doktrina e Besëlidhje 109:78–80?

Ju mund ta gjeni lutjen e përkushtimit të tempullit më të afërt për ju te temples.ChurchofJesusChrist.org.

Doktrina e Besëlidhje 110.Teksa pjesëtarët e familjes suaj lexojnë seksionin 110 dhe e shohin figurën në fund të këtij përvijimi, ftojini ata të përfytyrojnë se si do të ndiheshin nëse do të kishin qenë të pranishëm me Jozef Smithin dhe Oliver Kaudërin në Tempullin e Kirtlandit. Jepini familjes suaj një mundësi që të shprehin se si ndihen rreth Shpëtimtarit.

Doktrina e Besëlidhje 110:15.Çfarë mund të ndihmojë për “t’i kthyer zemrat” e fëmijëve tuaj te paraardhësit e tyre? Mund të gjeni disa ide argëtuese te FamilySearch.org/discovery. Ju mund të punoni së bashku për të gjetur paraardhës, të cilët kanë nevojë për ordinancat e tempullit dhe të planifikoni që t’i kryeni në tempull ato ordinanca. Mund të flisni edhe rreth faktit se si vepra e rivendosur nga Elija në Tempullin e Kirtlandit e rrit dashurinë tuaj për paraardhësit tuaj.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Shpirti i Per’ndis’”, Himne, nr. 2.

Pamja
ikona zëra të rivendosjes

Zëra të Rivendosjes

Shfaqjet Shpirtërore dhe Tempulli i Kirtlandit

Pamja
përkushtimi i Tempullit të Kirtlandit

Si Zjarr po Digjet, nga Glen S. Hopkinson

Më poshtë janë fjalë të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme që ishin në Tempullin e Kirtlandit gjatë përkushtimit të tij dhe në mbledhjet e tjera që pasuan. Shumë shenjtorë i krahasuan përvojat e tyre me ato që përjetuan shenjtorët në lashtësi kur u “v[eshën] me pushtet nga lart” ditën e Rrëshajave (Lluka 24:49; shih edhe Veprat e Apostujve 2:1–4; Doktrina e Besëlidhje 109:36–37).

Eliza R. Snou

“Ceremonitë e atij përkushtimi mund të ritregohen, por asnjë gjuhë njerëzore nuk mund t’i përshkruajë shfaqjet qiellore të asaj dite të paharrueshme. Disave iu shfaqën engjëj, ndërkohë që një ndjesi e pranisë hyjnore u kuptua nga të gjithë të pranishmit, dhe çdo zemër u mbush me një ‘hare të patregueshme dhe plot lavdi’.”1

Silvia Katlër Uebi

“Një nga kujtimet e mia më të hershme ishte përkushtimi i Tempullit. Babai na mori në prehër dhe na tha përse po shkonim dhe se çfarë domethënie kishte përkushtimi i një shtëpie për Perëndinë. Edhe pse ishim tepër të vegjël në atë kohë, rasti më kujtohet shumë qartë. Mund ta hedh vështrimin pas ndër vite dhe të shoh po atë që pashë atëherë, Jozef Profetin, duke qëndruar me duar të ngritura drejt qiellit, fytyrën e tij të zbehtë, lotët që i rridhnin në faqe ndërsa fliste në atë ditë të paharrueshme. Thuajse të gjithë dukeshin se ishin me lot në sy. Shtëpia ishte kaq e mbushur me njerëz sa fëmijët kryesisht ishin të ulur në prehrin e njerëzve më të moshuar; motra ime u ul në prehrin e babait, unë në prehrin e nënës sime. Mund të mbaj mend edhe fustanet që kishim veshur. Mendja ime ishte shumë e re në atë kohë për të rrokur rëndësinë e plotë të të gjithë situatës, por ndërsa koha kalonte, e kuptova atë shumë më kthjellët dhe jam shumë mirënjohëse që pata privilegjin të isha atje.”2

Oliver Kaudëri

“Në mbrëmje u takova me drejtuesit e kishës në shtëpinë e Zotit. Shpirti u derdh – unë pashë lavdinë e Perëndisë, si një re të madhe, që zbriti dhe qëndroi mbi shtëpinë, dhe e mbushi atë sikurse një erë që fryn furishëm. Pashë gjithashtu gjuhë të flakta, si prej zjarri, të qëndronin mbi shumë veta … ndërkohë që ata flisnin në gjuhë të tjera dhe profetizonin.”3

Benxhamin Brauni

“[U] panë shumë vegime. Dikush pa një jastëk ose re që qëndronte mbi shtëpinë, e shndritshme siç ndriçon dielli mbi një re me ngjyrë të artë. Dy të tjerë panë tre persona duke qëndruar pezull në dhomë me çelësa të shndritshëm në duar, si edhe një zinxhir të shndritshëm në duart e tyre.”4

Orson Prati

“Perëndia ishte atje, engjëjt e tij ishin atje, Fryma e Shenjtë ishte në mes të njerëzve … dhe ata u mbushën që nga maja e kokës e deri te shputat e këmbëve me fuqinë dhe frymëzimin e Frymës së Shenjtë.”5

Nensi Naomi Aleksandër Trejsi

“[Kur] Tempulli përfundoi dhe u përkushtua … ato ishin dy nga ditët më të lumtura të jetës sime. Himni i përshtatshëm që u kompozua për rastin ishte ‘Shpirti i Per’ndis’ si një Zjarr ja po Digjet’. Ishte më se e vërtetë që Ndikimi Qiellor qëndroi mbi atë shtëpi. … E ndjeva se ishte qielli mbi tokë.”6

Shënime

  1. Në Edward W. Tullidge, The Women of Mormondom (1877), f. 95.

  2. Në Karl Ricks Anderson, Joseph Smith’s Kirtland: Eyewitness Accounts (1996), f. 182–183.

  3. Oliver Cowdery diary, Mar. 27, 1836, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti.

  4. Benjamin Brown letter to his wife, Sarah, rreth prillit 1836, koleksion i familjes së Benxhamin Braunit, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti; shenjat e pikësimit dhe germat e mëdha të modernizuara.

  5. Orson Pratt, “Remarks”, Deseret News, 12 janar 1876, f. 788.

  6. Në Richard E. Turley Jr. dhe Brittany A. Chapman, red., Women of Faith in the Latter Days (2011), 1:442.

Pamja
Moisiu, Eliasi dhe Elija shfaqen në Tempullin e Kirtlandit

Moisiu, Eliasi dhe Elija shfaqen në Tempullin e Kirtlandit, nga Gary E. Smith