Doktrina e Besëlidhje 2021
4–10 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 111–114: “Unë do t’i Urdhëroj të Gjitha Gjërat për të Mirën Tuaj”


“4–10 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 111–114: ‘Unë do t’i Urdhëroj të Gjitha Gjërat për të Mirën Tuaj’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“4–10 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 111–114”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

Pamja
Jozef Smithi duke predikuar

4–10 Tetor

Doktrina e Besëlidhje 111–114

“Unë do t’i Urdhëroj të Gjitha Gjërat për të Mirën Tuaj”

Kërkoni plot lutje udhërrëfimin e Shpirtit teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 111–114 dhe shënojini mbresat tuaja. Pastaj merrni parasysh mënyra sipas të cilave të veproni me ato mbresa.

Shënojini Mbresat Tuaja

A keni pasur ndonjëherë një përvojë shpirtërore që ju bëri të ndiheshit me besim te vetja dhe të sigurt në besimin tuaj – por më pas mundimet e jetës e vunë në provë besimin tuaj dhe e gjetët veten duke pasur vështirësi për të rifituar paqen që ndienit më parë? Shenjtorëve në Kirtland u ndodhi diçka e ngjashme. Më pak se një vit pas dhurimeve shpirtërore që patën lidhje me përkushtimin e Tempullit të Kirtlandit, lindën telashe. Një krizë financiare, përçarje në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve dhe sprova të tjera shkaktuan që disa njerëz të lëkundeshin në besimin e tyre.

Ne nuk mund t’i shmangim sprovat, kështu që si mund t’i pengojmë që të mos na e kërcënojnë besimin dhe dëshminë tonë? Ndoshta një pjesë e përgjigjes mund të gjendet në këshillën e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 112, që u dha gjatë kohës që po shtohej fatkeqësia në Kirtland. Zoti tha: “Pastrojini zemrat tuaja përpara meje” (vargu 28), “Mos ngrini krye” (vargu 15), “Ngjishi ijët e tua për punën” (vargu 7) dhe “Ji i përulur” (vargu 10). Teksa e ndjekim këtë këshillë, Zoti do të na “udhëheqë përdore” përmes fatkeqësisë dhe drejt shërimit e paqes (shih vargjet 10, 13).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 111

Zoti mund “t’i urdhëroj[ë] të gjitha gjërat për të mirën [time]”.

Nga viti 1836, Kisha kishte hyrë në shumë borxhe gjatë kryerjes së veprës së Zotit. Teksa Jozef Smithi dhe të tjerë shqetësoheshin për këto borxhe dhe shqyrtonin mënyra se si t’i shlyenin ato, ata udhëtuan drejt Salemit në Masaçusets, ndoshta ngaqë kishte fjalë se, në një shtëpi të braktisur atje kishte një sasi parash (shih kreun e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 111). Pasi mbërritën në Salem, Zoti shpalli: “Ka më shumë se një thesar për ju në këtë qytet” (vargu 10) – thesare që përfshinin njerëzit të cilët Ai do t’i “mbl[idhte] në kohën e duhur për të mirën e Sionit” (vargu 2; shih edhe Eksodi 19:5). Ndonëse nuk u gjet asnjë sasi parash në Salem, të kthyerit në besim që pasuan atje nga përpjekjet e mëvonshme misionare, qenë pjesë e përmbushjes së premtimit të Zotit.

Ndërsa lexoni te seksioni 111, mendoni rreth gjërave për të cilat shqetësoheni. Merrni parasysh se si fjalët e Zotit drejtuar Jozefit mund të gjejnë zbatim për ju. Si ju ka ndihmuar Perëndia të gjeni “thesar[e]” të papritura? (Vargu 10.) Mendoni rreth asaj që ka bërë Ai për t’i “urdhër[uar] të gjitha gjërat për të mirën tuaj” (vargu 11). Çfarë ju mëson rreth Atit Qiellor fraza “aq shpejt sa ju jeni në gjendje t’i merrni ato”?

Shih edhe Mateu 6:19–21, 33; “More Treasures Than One”, Revelations in Context, f. 229–234.

Doktrina e Besëlidhje 112:3–15

Zoti do t’i udhëheqë ata që e kërkojnë përulësisht vullnetin e Tij.

Uniteti në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve po dobësohej në verën e vitit 1837. Kishte mosmarrëveshje rreth përgjegjësive dhe disa anëtarë po flisnin haptazi kundër Profetit Jozef Smith. Tomas B. Marshi, në atë kohë President i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, ishte i shqetësuar dhe ai erdhi nga Misuri në Ohajo për të kërkuar këshillë nga Profeti. Vëllai Marsh e mori këshillën nëpërmjet zbulesës te seksioni 112. Në ç’mënyrë këshilla e Zotit mund ta ketë ndihmuar atë dhe kuorumin e tij? Çfarë mësimesh nxirrni ju teksa kërkoni ta kapërceni grindjen dhe hatërmbetjen me të tjerët?

Në veçanti, ju mund të përsiatni për vargun 10. Çfarë do të thotë që Zoti do të të udhëheqë “përdore”? Përse kërkohet përulësi për këtë lloj udhërrëfimi?

Shih edhe Ulises Soares, “Jini të Bindur dhe të Përvuajtur në Zemër”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 9–11; “The Faith and Fall of Thomas Marsh”, Revelations in Context, f. 54–60.

Pamja
dy njerëz duke u lutur

Nëse jemi të përulur, Zoti do të na udhërrëfejë dhe do t’u përgjigjet lutjeve tona.

Doktrina e Besëlidhje 113

Jozef Smithi ishte “një shërbëtor në duart e Krishtit”.

Isaia ju referua njërit prej pasardhësve të Isait si një “degëz” dhe një “rrënjë” (Isaia 11:1, 10). Te seksioni 113, Zoti shpjegon se ky pasardhës, një shërbëtor i Krishtit, do të ishte mjet për mbledhjen e popullit të Zotit në ditët e fundit (shih Doktrina e Besëlidhje 113:4, 6) – një profeci që përshkruan mjaft qartë Profetin Jozef Smith. Si mund të kenë qenë inkurajuese për shenjtorët këto dhe të vërteta të tjera te seksioni 113 gjatë trazirës që po përjetonin në Kirtland? Çfarë gjeni në këtë zbulesë që ju frymëzon të merrni pjesë në veprën e Zotit sot?

Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Isai”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org; 2 Nefi 21:10–12; Joseph Smith – Historia 1:40.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 111:2, 9–11.Këto vargje mund të nxitin një diskutim rreth asaj që familja juaj i vlerëson si “thesar[e]” të përjetshme. Ju mund të sajoni një gjueti thesari duke fshehur gjëra rreth e qark shtëpisë, të cilat përfaqësojnë gjëra që Zoti i çmon si thesar ose i ka të vyera. Teksa familja juaj gjen secilin objekt, diskutoni rreth asaj që mund të bëni për të treguar se e keni të vyer atë.

Doktrina e Besëlidhje 112:10.Plaku Ulises Soares i përshkroi njerëzit e përulur në këtë mënyrë: “Të përulurit janë të mësueshëm, duke njohur sa të varur janë nga Perëndia dhe duke dëshiruar të jenë të nënshtruar ndaj vullnetit të Tij. Të përulurit janë të bindur dhe kanë aftësinë të ndikojnë te të tjerët që të jenë po ashtu” (“Jini të Bindur dhe të Përvuajtur në Zemër”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 10). Merrni parasysh mënyra se si ta ndihmoni familjen tuaj të kuptojë se ç’do të thotë të jesh i përulur. Mund të këndoni një këngë rreth përulësisë, të tillë si “Përulu”, (Himne, nr. 68), ndërkohë që një pjesëtar i familjes i merr të tjerët “përdore” dhe u rrëfen udhën rreth e qark shtëpisë. Ose tregoni përvoja kur Zoti ua ka rrëfyer udhën “përdore” pjesëtarëve të familjes tuaj dhe u ka dhënë “përgjigje lutjeve të [tyre]”.

Doktrina e Besëlidhje 112:11–14, 26.Cili është ndryshimi ndërmjet t’ia dish emrin dikujt dhe ta njohësh atë? Çfarë mësojmë ne nga vargjet 11–14 rreth asaj se çfarë do të thotë ta njohësh Zotin?

Doktrina e Besëlidhje 112:15.Çfarë do të thotë të “ngr[esh] krye” kundër profetit? Çfarë gjejmë në këtë varg që na ndihmon që të duam ta mbështetim profetin?

Doktrina e Besëlidhje 113:7–8.Çfarë mësojmë nga vargu 8 që do të na ndihmojë ta “sjell[im] përsëri Sionin” dhe të shëlbojmë Izraelin?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Përulu”, Himne, nr. 68.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jetojeni dëshminë tuaj. “‘Ju jepni mësim atë që jeni’, dha mësim Plaku Nil A. Maksuell. ‘Tiparet tuaja do të kujtohen më shumë … sesa një e vërtetë e caktuar në një mësim të caktuar’” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 13).

Pamja
Tomas B. Marshi dhe Jozef Smithi

Tomas B. Marshi shkruan zbulesën që iu dha atij nëpërmjet Jozef Smithit. Ji i Përulur, nga Julie Rogers.