Doktrina e Besëlidhje 2021
25–31 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 124: “Një Shtëpi për Emrin Tim”


“25–31 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 124: ‘Një Shtëpi për Emrin Tim’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“25–31 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 124”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

Pamja
Navuja

Navuja, i Bukuri, nga Larry Winborg

25–31 Tetor

Doktrina e Besëlidhje 124

“Një Shtëpi për Emrin Tim”

Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 124, përsiatni bekimet që Zoti i ftoi shenjtorët në Navu të merrnin dhe bekimet që Ai ju ofron juve.

Shënojini Mbresat Tuaja

Ndonëse gjashtë vitet e fundit kishin qenë të vështira për shenjtorët, gjërat filluan të merrnin për mbarë pranverën e vitit 1839. Shenjtorët e shpërngulur gjetën dhembshuri mes qytetarëve të Kuinsit në Ilinois. Rojat e kishin lejuar Profetin Jozef Smith dhe udhëheqës të tjerë të Kishës që të arratiseshin nga robëria në Misuri. Dhe Kisha sapo kishte blerë toka në Ilinois ku shenjtorët të mund të mblidheshin sërish. Po, ishte tokë moçalore, e mbushur me mushkonja, por e krahasuar me sfidat që tashmë kishin hasur shenjtorët, kjo ndoshta u duk si diçka e përballueshme. Kështu që ata e thanë moçalin dhe hartuan një statut për një qytet të ri, të cilit ia vunë emrin Navu. Në hebraisht do të thotë “i bukur” edhe pse ishte më tepër një shprehje besimi sesa një përshkrim i saktë, të paktën në fillim. Ndërkohë, Zoti po i jepte mbresa shpirtërore Profetit të Tij me një ndjenjë të ngutshme. Ai kishte më shumë të vërteta dhe ordinanca për të rivendosur dhe Ai kishte nevojë për një tempull të shenjtë ku shenjtorët të mund t’i merrnin ato. Në shumë mënyra, po të njëjtat ndjenja besimi dhe ngutjeje janë të rëndësishme në veprën e Zotit sot.

Ndërkohë që Navuja u bë vërtet një qytet i bukur me një tempull të bukur, në fund të dy [mbetën] të braktisur. Por vepra vërtet e bukur e Zotit, gjatë gjithë kohës, ka qenë t’ju “kurorëzoj[ë] me nder, pavdekësi dhe jetë të përjetshme” (Doktrina e Besëlidhje 124:55), dhe ajo vepër nuk mbaron kurrë.

Shih Saints [Shenjtorët], 1:399–427; “Organizing the Church in Nauvoo”, Revelations in Context, f. 264–271.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 124:12–21

Unë mund të jem një dishepull/e që Zoti i mirëbeson.

Edhe pse disa udhëheqës të shquar u larguan nga Kisha në fundin e viteve 1830, pjesa më e madhe e anëtarëve mbetën besnikë. Ndër këta shenjtorë besnikë përfshiheshin ata që kishin duruar sprovat në Misuri, si edhe ata që ishin bashkuar me Kishën kohët e fundit. Te Doktrina e Besëlidhje 124:12–21, Zoti foli me vlerësim të lartë për disa prej tyre. Çfarë mbresash mund të gjeni rreth dishepullimit te fjalët e Tij? A ka ndonjë gjë rreth këtyre shenjtorëve besnikë që ju frymëzon për të qenë si ata? Mund të përsiatni edhe për mënyrën se si Zoti e ka shprehur dashurinë e Tij për ju.

Doktrina e Besëlidhje 124:22–24, 60–61

Zoti dëshiron që unë t’i mirëpres dhe t’i pranoj të tjerët.

Duke marrë parasysh atë që shenjtorët sapo kishin vuajtur në Misuri, ata mund të kenë pasur tundimin që ta izolonin veten dhe të mos i ftonin vizitorët në Navu. Mbajeni në mendje këtë teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 124:22–24, 60–61. Çfarë ju bën përshtypje nga udhëzimet e Zotit për të ndërtuar një “shtëpi për banim”? (Vargu 23.) Çfarë ju mësojnë fjalët e Tij rreth misionit të Kishës së Tij? Përsiatni mënyrën se si këto udhëzime mund të gjejnë zbatim për ju dhe shtëpinë tuaj.

Shih edhe “A Friend to All” [“Një Mik për të Gjithë”], material filmik, ChurchofJesusChrist.org.

Doktrina e Besëlidhje 124:25–45, 55

Zoti na urdhëron që të ndërtojmë tempuj në mënyrë që të mund të marrim ordinanca të shenjta.

Sigurisht, shenjtorëve të ditëve të mëvonshme nuk u erdhi e papritur që me t’u vendosur në Navu, Zoti u dha udhëzime rreth ndërtimit të një tempulli – ashtu siç u kishte dhënë në Ohajo dhe Misuri. Çfarë gjeni te Doktrina e Besëlidhje 124:25–45, 55 që ju ndihmon të kuptoni arsyen përse Zoti tha: “Njerëzit e mi gjithmonë urdhërohen t[ë] ndërtojnë [tempuj] për emrin tim të shenjtë”? (Vargu 39.)

Qëkurse u ndërtua Tempulli i Navusë, mbi 200 tempuj janë ndërtuar ose janë njoftuar. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “E dimë se koha jonë e kaluar në tempull është vendimtare për shpëtimin dhe ekzaltimin tonë dhe për atë të familjeve tona. … Sulmet e kundërshtarit po shtohen në mënyrë eksponenciale, për nga intensiteti dhe larmia. Nevoja jonë për të qenë në tempull rregullisht dhe shpesh nuk ka qenë kurrë më e madhe” (“Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 114). Si ju ka ndihmuar tempulli që t’u bëni ballë “sulme[ve] të kundërshtarit”? Me anë të mbresave, çfarë ndieni që të bëni për ta ndjekur këshillën e Presidentit Nelson?

Shih edhe Church History Topics [Tema të Historisë së Kishës], “Nauvoo Temple [Tempulli i Navusë]”, ChurchofJesusChrist.org/study/church-history.

Pamja
Jozef Smithi me burra [të tjerë] duke ndërtuar Tempullin e Navusë

Jozef Smithi në Tempullin e Navusë, nga Gary E. Smith

Doktrina e Besëlidhje 124:84–118

Zoti dëshiron të më japë këshillë të posaçme për jetën time.

Vargjet 84–118 janë plot me këshilla për individë të posaçëm dhe disa prej atyre këshillave mund të duken si të parëndësishme për jetën tuaj. Por ju mund të gjeni gjithashtu diçka që keni nevojë ta dëgjoni. Merreni parasysh ta pyetni Zotin se çfarë mesazhi ka Ai për ju në këto vargje dhe të kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit për ta gjetur atë mesazh. Më pas vendosni se çfarë do të bëni për të vepruar sipas tij. Për shembull, si ju ndihmon të qenit më i përulur për ta marrë Shpirtin? (Shih vargun 97.)

Mund të përsiatni edhe për këshilla të tjera që ju ka dhënë Zoti. Në ç’mënyrë po veproni sipas tyre?

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 124:2–11.Nëse Zoti do t’i thoshte familjes suaj “për të bërë një shpallje solemne për ungjillin tim” drejtuar “mbretërve të botës” (vargjet 2–3), çfarë do të thoshit në shpalljen tuaj? Merreni parasysh të krijoni një shpallje së bashku dhe ftojini pjesëtarët e familjes të sugjerojnë të vërteta të ungjillit që duan t’i përfshijnë.

Doktrina e Besëlidhje 124:15.Çfarë do të thotë të kesh integritet moral? Përse e vlerëson Zoti integritetin moral? Çfarë shembujsh të integritetit moral ka parë familja juaj? (Shih edhe Për Forcën e Rinisë, f. 19.)

Doktrina e Besëlidhje 124:28–29, 40–41, 55.Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth arsyes përse Zoti na urdhëron që të ndërtojmë tempuj? Familjes suaj mund t’i pëlqejë të bëjë një vizatim të një tempulli ose ta ndërtojë një me kube ose me materiale të tjera. Teksa e bëni këtë, ju mund të diskutoni përse jeni mirënjohës që kemi tempuj sot dhe përse kemi nevojë të adhurojmë në ta rregullisht.

Doktrina e Besëlidhje 124:91–92.A do të përfitonte familja juaj nga një diskutim rreth bekimeve patriarkale? Pjesëtarët e familjes që e kanë marrë bekimin e tyre patriarkal, mund të tregojnë se si ishte ta merrje atë dhe si i ka bekuar ata. Ju mund të shqyrtoni edhe “Bekime Patriarkale” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, topics.ChurchofJesusChrist.org).

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Tempullin Shum’ Dua t’Shoh”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 99.

Pamja
ikona zëra të rivendosjes

Zëra të Rivendosjes

Shoqata e Ndihmës

Pamja
Jozef dhe Ema Smithi dhe gra të tjera

Pikturë e organizimit të Shoqatës së Ndihmës nga Paul Mann

Në vitin 1842, pasi Shoqata e Ndihmës u organizua në Navu, Ilinois, Profeti Jozef Smith tha: “Kisha nuk qe kurrë e organizuar përsosurisht derisa gratë u organizuan kështu”1. Në mënyrë të ngjashme, një studim për Rivendosjen e Kishës së Zotit dhe të priftërisë së Tij (shih Doktrina e Besëlidhje 107) nuk është i plotë derisa ai të përfshijë një studim për Shoqatën e Ndihmës, e cila në vetvete është “një rivendosje e një modeli të lashtë” të dishepulleve femra të Jezu Krishtit2.

Eliza R. Snou luajti një rol të rëndësishëm në atë rivendosje. Ajo ishte e pranishme kur u organizua fillimisht Shoqata e Ndihmës dhe, si sekretare e shoqatës, mbante shënime gjatë mbledhjeve. Ajo e dëshmoi personalisht se Shoqata e Ndihmës u organizua “sipas modelit të priftërisë”3. Më poshtë janë fjalët e saj, të shkruara, ndërkohë që ajo po shërbente si Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, për t’i ndihmuar motrat e saj që ta kuptonin veprën hyjnore që iu mirëbesua bijave të Perëndisë në besëlidhje.

Për të mësuar më shumë rreth mënyrës se si u organizua Shoqata e Ndihmës, shih Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2017), f. 1–25; The First Fifty Years of Relief Society (2016), f. 3–175.

Eliza R. Snou

Pamja
Eliza R. Snou, nga Lewis Ramsey

“Edhe pse emërtimi [Shoqatë e Ndihmës] mund të jetë i një date të kohëve tona, institucioni është me një prejardhje të lashtë. Na u tha nga [Jozef Smithi], se e njëjta organizatë ekzistonte në kishë në lashtësi, për të cilën thuhet se është shkruar në disa prej letrave të shënuara te Dhiata e Re, ku përdoret titulli ‘zonjë… [e] zgjedhur’ [shih 2 Gjon 1:1; Doktrina e Besëlidhje 25:3].

Kjo është një organizatë që nuk mund të ekzistojë pa Priftërinë, nga fakti se i gjithë autoriteti dhe ndikimi i saj rrjedh prej atij burimi. Kur Priftëria u mor nga toka, ky institucion ashtu si edhe çdo shtojcë tjetër e rendit të vërtetë të Kishës së Jezu Krishtit në tokë, u zhduk. …

Duke qenë e pranishme në organizimin e ‘Shoqatës së Ndihmës së Femrave në Navu’ … dhe duke pasur gjithashtu përvojë mjaft të madhe në atë shoqatë, ndoshta mund të shpreh disa këshilla të vogla që do t’i ndihmojnë bijat e Sionit të ecin përpara në këtë pozicion shumë të rëndësishëm, i cili është i mbushur me përgjegjësi të reja dhe të shumta. Nëse ndonjëra nga bijat dhe nënat në Izrael po ndihet sadopak e panevojshme në sferat e tanishme të veprimit, tani ajo do të gjejë një shtrirje të bollshme për çdo fuqi e aftësi për të bërë mirë, gjëra, të cilat i janë dhuruar pa kursim. …

Pamja
Dyqani me Tulla të Kuqe

Shoqata e Ndihmës u organizua në dhomën e sipërme të Dyqanit me Tulla të Kuqe.

Nëse në mendjen e ndokujt do të ngrihej pyetja: Cili është synimi i Shoqatës së Ndihmës së Femrave? Do të përgjigjesha – për të bërë mirë – për të vënë në përdorim çdo aftësi që zotërojmë për të bërë mirë, jo vetëm në ndihmën ndaj të varfërve, por edhe në shpëtimin e shpirtrave. Me përpjekje të bashkuara do të arrihet në mënyrë të pallogaritshme më shumë nga ç’mund të arrihet nga përpjekjet më të efektshme individuale. …

Për administrimin ndaj të varfërve, Shoqata e Ndihmës e Femrave ka detyra të tjera për të kryer dhe jo thjesht ndihmën në aspektin e nevojave materiale. Varfëria e mendjes dhe një zemër e ligështuar, kërkojnë vëmendje gjithashtu; dhe shumë herë një shprehje dashamirëse – disa fjalë këshilluese, ose një shtrëngim duarsh me ngrohtësi e dashuri, do të bëjë më shumë të mirë dhe do të vlerësohet më shumë sesa një çantë me flori. …

Kur shenjtorët mblidhen nga vende të ndryshme, të huaj për çdo njeri dhe subjekte për t’u çuar në udhë të gabuar nga ata që rrinë në pritje për të mashtruar, Shoqata e [Ndihmës] duhet të jetë e gatshme menjëherë që të kujdeset për [ta] dhe t’i afrojë në shoqatën që do t’i përmirësojë e do t’i ngrejë shpirtërisht dhe mbi të gjitha, do t’i forcojë ata në besimin tek Ungjilli dhe duke e bërë këtë, mund të jetë mjet për shpëtimin e shumë njerëzve.

Do të duhen një mori vëllimesh ku të përcaktohen detyrat, privilegjet dhe përgjegjësitë që përfshihen brenda sferës së veprimit të Shoqatës. … Kryejeni punën (nën drejtimin e peshkopit tuaj) me qetësi, pa u kursyer, me energji, të bashkuar e plot lutje dhe Perëndia do t’i kurorëzojë përpjekjet tuaja me sukses.”4

Shënime

  1. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 481.

  2. Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2017), f. 1.

  3. Joseph Smith, në Sarah M. Kimball, “Auto-biography”, Woman’s Exponent, 1 shtator 1883, f. 51.

  4. “Female Relief Society”, Deseret News, 22 prill 1868, f. 81.

Pamja
Tempulli i Navusë

Tempulli i Navusë, nga George D. Durrant