2015
Njoftohen Tre Tempuj
Maj 2015


Njoftohen Tre Tempuj

Tempuj planifikohen për në Port-o-Prens, Haiti; Abixhan, Bregu i Fildishtë; dhe Bangkok, Tajlandë, njoftoi Presidenti Tomas S. Monson gjatë sesionit të paradites të së dielës të konferencës së përgjithshme. Në secilin rast, tempulli do të jetë i pari që do të ndërtohet në atë vend. Vendndodhjet e mirëfillta të tempujve do të njoftohen në një datë të mëvonshme.

“Ç’bekime të mrekullueshme janë ruajtur për anëtarët tanë besnikë në këto zona dhe, me të vërtetë, kudo që tempujt vendosen anembanë botës”, tha Presidenti Monson.

Tempulli i Port-o-Prensit në Haiti

Haiti është vendi i më shumë se 20.000 shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në një komb me gati 10 milionë banorë. Puna misionare filloi zyrtarisht në vitin 1980. Tempulli më i afërt është Tempulli i Santo-Domingos në Republikën Dominikane. Edhe pse të vendosur në të njëjtin ishull, ai tempull është një udhëtim gati një ditë larg.

Tempulli i Abixhanit në Bregun e Fildishtë

Bregu i Fildishtë (Kot d’Ivuar) është vendi i më shumë se 27.000 anëtarëve të Kishës në një komb me gati 20 milionë banorë. Puna misionare filloi zyrtarisht në vitin 1988. Tempulli më i afërt është Tempulli i Akrës në Gana, i cili është 550 km larg.

Tempulli i Bangkokut në Tajlandë

Tajlanda është vendi me rreth 19.000 shenjtorë të ditëve të mëvonshme në një komb me afërsisht 67 milionë banorë. Kisha u organizua zyrtarisht në Tajlandë në vitin 1966. Tempulli i Bangkokut në Tajlandë do t’u shërbejë shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në Tajlandë, si edhe shenjtorëve të gjithë Azisë Juglindore. Aktualisht, tempulli më i afërt për Tajlandën është Tempulli i Hong-Kongut në Kinë, më shumë se 1.610 km larg.

Lajme Shtesë për Tempujt

Janë njoftuar shtëpi të hapura, festime kulturore dhe datat e hapjes për pesë tempuj për vitin 2015 në Kordovë të Argjentinës; Pejsën të Jutas në SHBA; Truhijo në Peru; Indianapolis të Indianës në SHBA; dhe Tihuana në Meksikë. Tempulli i rimodeluar i Qytetit të Meksikës në Meksikë gjithashtu do të ripërkushtohet në vitin 2015.

Për dy vitet që kaluan, Kisha i ka përqendruar përpjekjet e saj te përfundimi i tempujve të njoftuar më parë. Përveç 3 tempujve të rinj, ka 144 tempuj në funksionim, 5 që po rinovohen, 13 në ndërtim e sipër dhe 13 tempuj që u njoftuan më parë, në faza të ndryshme të përgatitjes përpara se të fillojë ndërtimi.