2015
Familja Është nga Perëndia
Maj 2015


Familja Vjen nga Perëndia

Secila prej nesh bën pjesë në një familje të Perëndisë dhe është e nevojshme në atë familje.

A ka ndonjë gjë më të bukur dhe më të rëndësishme sesa të vërtetat e thjeshta dhe të pastra të ungjillit, të dhëna mësim në një këngë të Fillores? Dhe të gjitha ju, vajza të Fillores këtu sonte e dini këngën për të cilën do të flas. Ju e mësuat atë në programin tuaj të Fillores vitin e shkuar.

Në fjalët “Familja Vjen nga Perëndia”1 – të kënduara më herët në këtë mbledhje – neve na kujtohet doktrina e pastër. Ne mësojmë jo vetëm që familja vjen nga Perëndia, por edhe që secila prej nesh është pjesë e familjes së Perëndisë.

Vargu i parë i këngës na mëson: “Ati yn’ një familje ka: jam un’ dhe ju; fëmij’ të Tij jemi të gjith’ ne”. Nga proklamata për familjen, ne mësojmë: “Në mbretërinë paratokësore, bijtë dhe bijat shpirtërore e njihnin dhe e adhuronin Perëndinë si Atin e tyre të Amshuar”. Në atë mbretëri, ne mësuam rreth identitetit tonë të përjetshëm si femra. E dinim që secila prej nesh ishte “një bijë … e dashur e prindërve qiellorë”2.

Udhëtimi ynë në tokë nëpër vdekshmëri nuk i ndryshoi ato të vërteta. Secila prej nesh bën pjesë në një familje të Perëndisë dhe është e nevojshme në atë familje. Të gjitha familjet tokësore duken të ndryshme. Dhe ndërsa bëjmë gjithçka mundemi që të krijojmë familje të forta tradicionale, anëtarësia në familjen e Perëndisë nuk është nën varësinë e ndonjë lloji të gjendjes – gjendjes martesore, gjendjes prindërore, gjendjes financiare, gjendjes shoqërore apo madje të llojit të gjendjes që e publikojmë në mediat shoqërore.

Ne bëjmë pjesë. “Ne jemi bija të Atit tonë Qiellor, i cili na do ne dhe ne e duam Atë.”3

Vargu i dytë i këngës e zgjeron të parin. “Nëpërmjet lindjes na dërgoi në tok’, t’jetojmë’, t’mësojmë’ në familje.”

Në jetën paratokësore, ne mësuam se do të kishim nevojë për një periudhë të vdekshmërisë. Ne “e pranua[m] planin e [Atit Qiellor], me anë të të cilit [ne] fëmijët e Tij mund të merrni[m] një trup fizik, mund të fitoni[m] përvojë tokësore për të përparuar drejt përsosjes dhe së fundi, mund të arrini[m] të ardhmen [tonë] hyjnore si trashëgimtar[e të] jetës së përjetshme”4.

Plaku Riçard G. Skot shpjegoi që ne “na u mësua në botën para vdekshmërisë se qëllimi ynë i ardhjes këtu është të vihemi në provë, të sprovohemi dhe të sforcohemi”5. Ai sforcim vjen në po aq shumë forma sa ka individë që po e përjetojnë atë. Nuk më është dashur kurrë të jetoj përmes divorcit, dhembjes dhe pasigurisë që vjen nga braktisja, apo me përgjegjësinë që lidhet me të qenit një nënë e vetme. Nuk e kam përjetuar vdekjen e një fëmije, shterpësinë apo tërheqjen fizike ndaj së njëjtës gjini. Nuk më është dashur të duroj keqtrajtimin, sëmundje kronike ose varësinë nga lëndët e ndryshme. Këto nuk kanë qenë mundësitë e mia sforcuese.

Prandaj tani disa prej jush po mendoni: “Pra, atëherë, Motra Stivens, ti thjesht nuk kupton!” Dhe ju përgjigjem që mund të keni të drejtë. Nuk i kuptoj tërësisht sfidat tuaja. Por përmes sprovave dhe sfidave të mia vetjake – atyre që më kanë bërë mua të bie në gjunjë – unë jam njohur mirë me Atë që vërtet kupton, Atë që ishte “njohës i vuajtjes”6, i cili i përjetoi të gjitha gjërat dhe i kupton të gjitha gjërat. Dhe përveç kësaj, i kam përjetuar të gjitha provat e vdekshmërisë që sapo i përmenda, nëpërmjet këndvështrimit të një bije, nëne, gjysheje, motre, tetoje dhe shoqeje.

Mundësia jonë si bija të Perëndisë, që i mbajmë besëlidhjet, nuk është thjesht të mësojmë nga vetë sfidat tona; ajo është që të bashkohemi në dashamirësi e dhembshuri, ndërsa i mbështetim anëtarët e tjerë të familjes së Perëndisë në mundimet e tyre, siç kemi besëlidhur ta bëjmë.

Kur e bëjmë këtë, ne gjithashtu arrijmë të kuptojmë e të mirëbesojmë se Shpëtimtari i njeh vështirësitë e udhës dhe mund të na udhëheqë përmes çfarëdo hidhërimesh e zhgënjimesh që mund të vijnë. Ai është dashuria hyjnore e vërtetë dhe dashuria e Tij “nuk ka mbarim”7 – pjesërisht nëpërmjet nesh kur e ndjekim Atë.

Si bija të Perëndisë dhe dishepulle të Jezu Krishtit, ne atëherë “veprojmë sipas atyre mirëkuptimeve që Perëndia ka mbjellë” në zemrën tonë8. Fusha jonë e ndikimit nuk kufizohet te vetë pjesëtarët e familjes sonë.

Pamja
Photo of Sister Yazzi and Sister Yellowhair

Kohët e fundit pata mundësinë të takohesha me Motrën Jazi të Kunjit të Çinlit në Arizona, në shtëpinë e saj prej balte. Kur më uroi mirëseardhjen në shtëpinë e saj, gjëja e parë që vura re ishte shumëllojshmëria e fotografive të familjes dhe të misionarëve, të varura në korniza në mure dhe të vendosura në tavolina. Prandaj e pyeta: “Motra Jazi, sa nipër e mbesa ke?”

E habitur nga pyetja ime, ajo mblodhi supet. E pështjelluar nga përgjigjja e saj, unë pashë nga e bija, Motra Jellouher, që u përgjigj: “Ajo nuk e di se sa nipër e mbesa ka. Nuk i numërojmë. Të gjithë fëmijët e thërrasin Gjyshe – ajo është gjyshja e të gjithëve.”

Motra Jazi nuk e kufizon dashurinë dhe ndikimin e saj me familjen e saj biologjike. Ajo e kupton se çfarë do të thotë ta zgjerojë fushën e saj të ndikimit, ndërkohë që shkon poshtë e lart duke bërë mirë, duke bekuar, duke ushqyer shpirtërisht dhe duke e mbrojtur familjen e Perëndisë. Ajo e kupton se “sa herë që një grua e forcon besimin e një fëmije, ajo ndihmon në forcimin e një familjeje – tani dhe në të ardhmen”9.

Vargu i tretë i këngës e shpjegon më tej qëllimin e vdekshmërisë sonë: “Per’ndia familjet na dha që ne t’bëhemi siç do Ai”. Shpëtimtari na mësoi: “Jini një; dhe nëse nuk jeni një, nuk jeni të mitë”10. Proklamata për familjen na mëson se, si bija të dashura shpirtërore të prindërve qiellorë, ne kemi një natyrë hyjnore, një identitet të përjetshëm dhe kemi qëllim. Perëndia na do të jemi një. Perëndia ka nevojë që ne të jemi një – bija që i mbajmë besëlidhjet, të bashkuara në ndryshueshmëritë e jetës sonë vetjake11, bija që dëshirojmë të mësojmë gjithçka që na nevojitet për t’u kthyer në praninë e Tij, të vulosura me Të si pjesë e familjes së Tij të përjetshme.

“Ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta që janë në dispozicion në tempujt e shenjtë, bëjnë të mundur që [ne] të kthehe[mi] në praninë e Perëndisë dhe që familjet të bashkohen përjetësisht.”12 Ordinancat që i marrim dhe besëlidhjet që i bëjmë në pagëzim dhe në tempujt e shenjtë, e lidhin familjen e Perëndisë në të dy anët e velit – duke na lidhur me Atin tonë përmes Birit të Tij, i cili u lut: “Që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne”13.

Kur e përdorim kohën tonë në vdekshmëri për të studiuar e vënë në jetë mësimet e Shpëtimtarit, ne bëhemi më shumë si Ai. Ne arrijmë të kuptojmë se Ai është udha – e vetmja udhë – nëpërmjet së cilës ne mund t’i mposhtim sfidat e vdekshmërisë, të shërohemi dhe të kthehemi përsëri te shtëpia jonë qiellore.

Vargu i fundit i këngës kthehet atje ku filloi: “Kështu na shfaq dashuri, se familja vjen prej Tij”. Plani i Atit për fëmijët e Tij është një plan i dashurisë. Është një plan për t’i bashkuar fëmijët e Tij – familjen e Tij – me Të. Plaku Rasëll M. Nelson na mësoi: “Ati Qiellor ka veçse dy dëshira për fëmijët e Tij … : pavdekësinë dhe jetën e përjetshme, ‘që nënkupton jetën me Të, të kthyer në shtëpi’”14. Ato dëshira mund të bëhen realitet vetëm kur edhe ne e ndajmë dashurinë që Ati Qiellor ka për familjen e Tij, duke iu afruar dhe duke ua treguar planin e Tij të tjerëve.

Njëzet vjet më parë, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve iu drejtuan tërë botës kur nxorën një proklamatë për familjen. Që atëherë, sulmet mbi familjen janë shtuar.

Nëse duam të jemi të suksesshme në përgjegjësitë tona të shenjta si bija të Perëndisë, ne duhet të kuptojmë rëndësinë e përjetshme të së vërtetave rreth planit të Atit tonë Qiellor për familjen e Tij dhe përgjegjësinë tonë vetjake për t’i dhënë mësim ato të vërteta. Presidenti Hauard W. Hanter shpjegoi:

“Ka një nevojë të madhe për t’i mbledhur gratë e Kishës që të qëndrojnë me Vëllezërit dhe për ta ndalur valën e ligësisë që na rrethon dhe për ta çuar përpara veprën e Shpëtimtarit tonë. …

… Ne ju nxitim të shërbeni me ndikimin tuaj të fuqishëm për mirë në forcimin e familjeve tona, të kishës sonë dhe të komuniteteve tona.”15

Motra, ne bëjmë pjesë. Ne na duan. Ne jemi të nevojshme. Ne kemi një qëllim, punë, vend e rol hyjnor në Kishën dhe në mbretërinë e Perëndisë dhe në familjen e Tij të përjetshme. A e dini thellë në zemrën tuaj se Ati juaj Qiellor ju do dhe dëshiron që ju dhe njerëzit që ju i doni, të jeni me Të? Ashtu si “Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti janë të përsosur … , shpresat e Tyre për ne janë të përsosura”16. Plani i tyre për ne është i përsosur dhe premtimet e Tyre janë të sigurta. Për këto të vërteta unë dëshmoj plot mirënjohje, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih “Familja Vjen nga Perëndia”, në Familjet Janë Përgjithmonë: Orientues për Kohën e Përbashkët – 2014 (2013), f. 28–29.

  2. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  3. “Tema e Të Rejave”, në Përparimi Personal i Të Rejave (broshurë, 2009), f. 3.

  4. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës.”

  5. Riçard G. Skot, “Bëjeni Ushtrimin e Besimit Përparësinë Tuaj Parësore”, Liahona, nëntor 2014, f. 92.

  6. Isaia 53:3.

  7. Moroni 7:47.

  8. Joseph Smith, në Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2011), f. 16.

  9. Daughters in My Kingdom, f. 159.

  10. Doktrina e Besëlidhje 38:27.

  11. Shih Patricia T. Holland, “‘One Thing Needful’: Becoming Women of Greater Faith in Christ”, Ensign, tetor 1987, f. 26–33.

  12. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës.”

  13. Gjoni 17:21.

  14. R. Scott Lloyd, “God Wants His Children to Return to Him, Elder Nelson Teaches”, seksioni Church News i LDS.org-ut, 28 janar 2014, lds.org/church/news/god-wants-his-children-to-return-to-him-elder-nelson-teaches.

  15. Howard W. Hunter, në Daughters in My Kingdom, f. 157; shih edhe “To the Women of the Church”, Ensign, nëntor 1992, f. 96.

  16. M. Russell Ballard, “Let Us Think Straight” (Takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 20 gusht 2013); speeches.byu.edu.