Shkrimet e Shenjta
Moroni 6


Kapitulli 6

Njerëzit që pendohen, pagëzohen dhe shoqërohen miqësisht në kishë—Anëtarët e kishës që pendohen, falen—Mbledhjet drejtohen me anën e fuqisë së Frymës së Shenjtë. Rreth 401–421 pas K.

1 Dhe tani, po flas në lidhje me pagëzimin. Vini re, pleq, priftërinj dhe mësues u pagëzuan; dhe ata nuk u pagëzuan, në qoftë se nuk sollën fryt, që ata ishin të denjë për të.

2 As nuk pranuan njeri në pagëzim, në qoftë se nuk erdhën me një zemër të thyer dhe shpirt të penduar dhe i dëshmuan kishës se ata ishin penduar me të vërtetë për të gjitha mëkatet e tyre.

3 Dhe asnjë nuk u pranua në pagëzim, në qoftë se nuk do të merrte mbi vete emrin e Krishtit, duke patur vendosmëri për t’i shërbyer atij deri në fund.

4 Dhe pasi u pranuan në pagëzim dhe u ndikuan dhe u pastruan nga fuqia e Frymës së Shenjtë, ata u numëruan mes njerëzve të kishës së Krishtit; dhe emrat e tyre u morën kështu që ata të mund të kujtoheshin dhe të ushqeheshin nga fjala e mirë e Perëndisë, për t’i mbajtur në udhën e drejtë, për t’i mbajtur përherë të kujdesshëm në lutje, duke u mbështetur vetëm në meritat e Krishtit që ishte autori dhe plotësuesi i besimit të tyre.

5 Dhe kisha mblidhej së bashku shpesh për të agjëruar, për t’u lutur dhe për të folur me njëri-tjetrin, në lidhje me mirëqenien e shpirtit të tyre.

6 Dhe ata mblidheshin shpesh së bashku të merrnin bukë dhe verë në kujtim të Zotit Jezus.

7 Dhe ishin të kujdesshëm që të mos kishte ndonjë paudhësi mes tyre; dhe të gjithë ata që ishin gjetur duke bërë paudhësi dhe tre dëshmitarë të kishës e dënonin atë para pleqve dhe nëse ata nuk pendoheshin dhe nuk rrëfenin, emrat e tyre fshiheshin dhe ata nuk mund të numëroheshin më mes njerëzve të Krishtit.

8 Por, kurdoherë që pendoheshin dhe kërkonin ndjesë me dëshirë të sinqertë, ata faleshin.

9 Dhe mbledhjet e tyre bëheshin nga kisha, sipas mënyrës së shfaqjes së Shpirtit dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë; pasi, sikurse fuqia e Frymës së Shenjtë i bënte ata të predikonin ose të nxitnin, ose të luteshin, ose të kërkonin, ose të këndonin, madje, ashtu bëhej.