Kapitulli 18
Jezusi fillon sakramentin mes Nefitëve—Ata urdhërohen që të luten gjithmonë në emrin e tij—Ata që hanë mishin e tij dhe pinë gjakun e tij pa qenë të denjë, mallkohen—Dishepujve u jepet pushtet të japin Frymën e Shenjtë. Rreth 34 pas K.
1 Dhe ndodhi që Jezusi urdhëroi dishepujt e tij, që t’i sillnin pak bukë dhe verë.
2 Dhe ndërsa ata kishin shkuar për bukë dhe verë, ai urdhëroi turmën që të ulej përdhe.
3 Dhe pasi erdhën dishepujt me bukë dhe verë, ai mori bukë dhe e copëtoi dhe e bekoi, dhe ua dha dishepujve, dhe i urdhëroi që ta hanë.
4 Dhe pasi hëngrën dhe u ngopën, ai i urdhëroi ata që t’i jepnin turmës.
5 Dhe kur turma hëngri dhe u ngop, ai u tha dishepujve: Vini re, njëri prej jush do të shugurohet dhe atij do t’i jap pushtet, që të copëtojë bukën dhe ta bekojë dhe t’ua japë njerëzve të kishës sime, të gjithë atyre që do të besojnë dhe do të pagëzohen në emrin tim.
6 Dhe këtë gjë ju do të përpiqeni ta bëni gjithmonë, madje, ashtu siç e bëra unë, madje, ashtu si e copëtova unë bukën dhe e bekova dhe jua dhashë juve.
7 Dhe këtë gjë do ta bëni për të kujtuar trupin tim që jua tregova. Dhe do të jetë një dëshmi për Atin, që ju më kujtoni gjithnjë. Dhe në qoftë se ju më kujtoni gjithnjë, ju do të keni Shpirtin tim që të jetë me ju.
8 Dhe ndodhi që pasi tha këto fjalë, ai urdhëroi dishepujt e tij që të merrnin nga vera e kupës dhe ta pinin dhe gjithashtu t’i jepnin turmës, që të mund të pinte nga ajo.
9 Dhe ndodhi që ata bënë kështu dhe pinë prej saj dhe u ngopën; dhe i dhanë turmës dhe ata pinë, dhe u ngopën.
10 Dhe pasi dishepujt e bënë këtë gjë, Jezusi u tha atyre: Të bekuar jeni ju për këtë gjë që bëtë, pasi kjo gjë është plotësim i urdhërimeve të mia dhe kjo gjë i dëshmon Atit që jeni të gatshëm të bëni atë që unë ju kam urdhëruar.
11 Dhe këtë ju do t’ua bëni gjithnjë atyre që pendohen dhe pagëzohen në emrin tim; dhe këtë do ta bëni që të kujtoni gjakun tim që kam derdhur për ju, që ju t’i dëshmoni Atit që më kujtoni gjithnjë. Dhe në qoftë se ju më kujtoni gjithnjë, ju do të keni Shpirtin tim që të jetë me ju.
12 Dhe unë ju jap një urdhërim që ju duhet t’i bëni këto gjëra. Dhe në qoftë se do t’i bëni gjithnjë këto gjëra, të bekuar jeni ju, pasi ju jeni ndërtuar mbi shkëmbin tim.
13 Por, të gjithë ata që do të bëjnë më pak ose më shumë se këto, nuk janë ndërtuar mbi shkëmbin tim, por janë ndërtuar mbi një themel prej rëre; dhe kur shiu të bjerë dhe përmbytjet të vijnë, dhe erërat të fryjnë dhe të përplasen mbi ta, ata do të bien dhe portat e ferrit janë gati të hapen për t’i pranuar ata.
14 Prandaj të bekuar jeni, në qoftë se zbatoni urdhërimet e mia të cilat Ati më urdhëroi mua që t’jua jap juve.
15 Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve, ju duhet të mbani sytë hapur dhe të luteni gjithnjë, që të mos tundoheni nga djalli dhe të mos çoheni në robëri nga ai.
16 Dhe sikurse jam lutur mes jush, ashtu madje ju do të luteni në kishën time, mes njerëzve të mi të cilët pendohen dhe pagëzohen në emrin tim. Vini re, unë jam drita; unë kam vendosur një shembull për ju.
17 Dhe ndodhi që pasi Jezusi u tha dishepujve të tij këto fjalë, ai iu kthye përsëri turmës dhe u tha atyre:
18 Vini re, në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve, ju duhet të mbani sytë hapur dhe të luteni gjithnjë, që të mos bini në tundim; pasi Satani dëshiron t’ju ketë ju, që t’ju kalojë në shoshë, sikurse grurin.
19 Prandaj, ju duhet t’i luteni gjithmonë Atit në emrin tim.
20 Dhe çdo gjë që ju do t’i kërkoni Atit në emrin tim, që është e drejtë, duke besuar se do ta merrni, vini re, ajo do t’ju jepet.
21 Lutjuni Atit në familjet tuaja, gjithnjë në emrin tim, që bashkëshortet tuaja dhe fëmijët tuaj të jenë të bekuar.
22 Dhe vini re, ju do të mblidheni shpesh së bashku; dhe nuk duhet të ndaloni asnjeri, që të vijë mes jush, kur të mblidheni së bashku, por i lejoni që ata të vijnë mes jush dhe mos i ndaloni.
23 Por ju duhet të luteni për ta dhe nuk duhet t’i dëboni; dhe në qoftë se ndodh që ata vijnë shpesh te ju, ju do t’i luteni Atit për ta, në emrin tim.
24 Prandaj, mbani lart dritën tuaj që të ndriçojë tërë botën. Vini re, unë jam drita që ju duhet të mbani lart—atë që më keni parë duke bërë. Vini re, ju e patë që unë iu luta Atit dhe të gjithë e keni dëshmuar.
25 Dhe ju e shihni se kam urdhëruar që askush prej jush nuk duhet të largohet, por në vend të kësaj kam urdhëruar që ju të vini tek unë, që të mund të ndieni dhe të shihni; kështu madje, do të bëni ndaj botës; dhe kushdo që e thyen këtë urdhërim lejon që të çohet në tundim.
26 Dhe tani ndodhi që pasi Jezusi tha këto fjalë, ai u hodhi përsëri një vështrim dishepujve që kishte zgjedhur dhe u tha atyre:
27 Vini re, në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them se unë ju jap një urdhërim tjetër dhe pastaj duhet të shkoj tek Ati im që të mund të plotësoj urdhërime të tjera që ai më ka dhënë.
28 Dhe tani vini re, ky është urdhërimi që po ju jap, që ju nuk duhet të lejoni me dijeni që ndokush të marrë nga mishi dhe nga gjaku im padenjësisht, kur ju ta shpërndani;
29 Pasi kushdo që ha dhe pi mishin dhe gjakun tim, duke qenë i padenjë, ha dhe pi mallkimin e shpirtit të tij; prandaj, në qoftë se ju e dini që një njeri nuk është i denjë të hajë dhe të pijë nga mishi dhe gjaku im, ju duhet ta ndaloni atë.
30 Megjithatë, ju nuk duhet ta dëboni nga mesi juaj, por duhet t’i shërbeni dhe t’i luteni Atit për të, në emrin tim; dhe në qoftë se ai pendohet dhe pagëzohet në emrin tim, atëherë duhet ta pranoni dhe t’i jepni nga mishi dhe gjaku im.
31 Por në qoftë se ai nuk pendohet, nuk duhet të numërohet mes njerëzve të mi, që ai të mos mund të shkatërrojë popullin tim, pasi vini re, unë i njoh delet e mia dhe ato janë të numëruara.
32 Megjithatë, ju nuk duhet ta dëboni nga sinagogat tuaja ose nga vendet tuaja të adhurimit, pasi të tillëve ju duhet të vazhdoni t’u shërbeni; pasi ju nuk e dini në qoftë se ata do të kthehen dhe pendohen dhe vijnë tek unë me qëllim të plotë të zemrës, dhe unë do t’i shëroj; dhe ju do të jeni mjetet që do t’u sjellin shpëtim atyre.
33 Prandaj, zbatoni këto fjalë që unë ju urdhërova për të mos rënë në dënim; pasi mjerë ai që dënohet nga Ati.
34 Dhe unë ju jap këto urdhërime për shkak të kundërshtimeve që kanë lindur mes jush. Dhe të bekuar jeni ju, në qoftë se nuk keni kundërshtime mes jush.
35 Dhe tani unë po shkoj tek Ati, sepse është e nevojshme që të shkoj tek Ati për të mirën tuaj.
36 Dhe ndodhi që pasi Jezusi u dha fund këtyre fjalëve, ai preku me dorën e tij dishepujt që kishte zgjedhur, një nga një, derisa i preku të gjithë dhe u foli ndërsa i prekte.
37 Dhe turma nuk i dëgjoi fjalët që ai tha, prandaj ata nuk dëshmuan dot; por dishepujt dëshmuan se ai u dha fuqi atyre që të jepnin Frymën e Shenjtë. Dhe këtu më poshtë, unë do t’ju tregoj se kjo dëshmi është e vërtetë.
38 Dhe ndodhi që pasi Jezusi i preku ata të gjithë, zbriti një re dhe mbuloi turmën, që ata nuk mundën ta shihnin Jezusin.
39 Dhe ndërsa ishin të mbuluar nga reja, ai u largua prej tyre dhe u ngjit në qiell. Dhe dishepujt e panë dhe dëshmuan se ai u ngjit përsëri në qiell.