“Sigurimi i të Ardhurave për Veten dhe Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë: T’i Ndihmojmë të Tjerët siç do të Bënte Shpëtimtari”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Sigurimi i të Ardhurave për Veten dhe Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë: T’i Ndihmojmë të Tjerët siç do të Bënte Shpëtimtari”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Ndërtimi i Mbështetjes te Vetja: Mësimi 180
Sigurimi i të Ardhurave për Veten dhe Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë
T’i Ndihmojmë të Tjerët siç do të Bënte Shpëtimtari
A të vjen në mendje dikush që ti e njeh, që është një shembull i mirë i mbështetjes te vetja? I frymëzuar nga Zoti, Jozefi i Egjiptit ishte një shembull i shkëlqyer i dikujt i cili, ashtu si Shpëtimtari, demonstroi mbështetje te vetja dhe ndihmoi njerëz të tjerë nevojtarë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të përcaktojnë mënyrat se si ndërtimi i mbështetjes te vetja u mundëson atyre t’i ndihmojnë të tjerët siç do të bënte Jezu Krishti.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të dëgjojnë ose të lexojnë fjalët e himnit “Një Burr’ të Varfër Plot Pik’llim” (Himne, nr. 20). Nxënësit mund të kërkojnë mënyra se si mund të përkujdesemi për të tjerët siç do të bënte Jezusi.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Maska oksigjeni shpirtërore
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke i ndihmuar nxënësit të diskutojnë mbi atë se si sigurimi i të ardhurave për nevojat tona do të na mundësojë t’i ndihmojmë më mirë të tjerët. Një mënyrë se si mund ta bëni këtë është të paraqitni figurën e maskave të oksigjenit për aeroplanë, të përfshirë në këtë mësim, si dhe thënien vijuese.
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Disa javë më parë, hipa në një avion për në Amerikën e Jugut. Shoqëruesi i fluturimit e drejtoi vëmendjen tonë te një material filmik për sigurinë. ‘Nuk ka të ngjarë’, – u paralajmëruam ne, – ‘por nëse presioni në kabinë ndryshon, pllakëzat mbi ndenjësen tuaj do të hapen, duke nxjerrë maska oksigjeni. Në qoftë se kjo ndodh, zgjatuni dhe tërhiqeni një maskë drejt vetes. Vendoseni maskën në hundën dhe gojën tuaj. Kalojeni rripin elastik mbi kokë dhe rregullojeni maskën nëse është e nevojshme.’ Më pas, [vijoi] ky paralajmërim: ‘Sigurohuni që të rregulloni vetë maskën tuaj përpara se të ndihmoni të tjerët’.” (“Jozef Smithi”, Liahona, nëntor 2014, f. 30)
-
Përse do të ishte e rëndësishme të vësh maskën tënde të oksigjenit para se të ndihmosh të tjerët?
-
Cilat janë disa mënyra se si kjo mund të zbatohet në përpjekjet tona shpirtërore dhe materiale për të ndjekur Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
Një mënyrë se si kjo mund të gjejë zbatim, është në përpjekjet tona për të ndërtuar mbështetje te vetja, në mënyrë që të mund të ndihmojmë të tjerët.
Mund të jetë e dobishme t’u kujtoni nxënësve se udhëheqësit e Kishës na kanë këshilluar të forcojmë “mbështetje[n tonë] te vetja nëpërmjet punës së zellshme dhe me ndihmën e Zotit. Mbështetja te vetja është aftësia … për të siguruar për nevojat shpirtërore dhe materiale të jetës për vete dhe familjen” (Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 22.0, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).
Jozefi i Egjiptit
Nxënësit mund ta kenë studiuar tregimin e Jozefit të Egjiptit te Mësimi 35: “Zanafilla 42–45” ose te Mësimi 178: “Ushtrimi i Besimit te Jezu Krishti për të Ndërtuar Mbështetjen te Vetja”. Paragrafi vijues mund të përdoret për t’u kujtuar nxënësve radhën e ngjarjeve. Përndryshe, mund të ftoni një nxënës të tregojë tregimin e Jozefit të Egjiptit që gjendet te Zanafilla 42–45.
Jozefi i Egjiptit është një shembull i dikujt që demonstroi mbështetje te vetja dhe, si rrjedhojë, u përgatit nga Zoti për të ndihmuar të tjerët. Gjatë një periudhe zie buke, vëllezërit më të mëdhenj të Jozefit udhëtuan drejt Egjiptit për të kërkuar grurë. Egjipti kishte ruajtur shumë drithëra për shkak se Perëndia e frymëzoi Jozefin të përgatitej që më parë për zinë e bukës. Kur mbërritën vëllezërit e Jozefit, për të kërkuar ndihmë fizike, Jozefi ua zbuloi veten si vëllai i tyre.
Lexo te Zanafilla 45:4–11; 47:11–12, duke kërkuar mënyrën se si Jozefi e bekoi familjen e tij.
-
Çfarë lidhjesh sheh ndërmjet kësaj histori dhe shembullit të maskës së oksigjenit?
-
Çfarë të kujton për Shpëtimtarin rrëfimi i Jozefit?
Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë një të vërtetë të tillë si kjo: Ndërsa bëhemi të mbështetur te vetja nëpërmjet ndihmës së Perëndisë, ne mund të aftësohemi më mirë për t’i ndihmuar të tjerët. Për t’i ndihmuar nxënësit të shohin shembuj shtesë të kësaj të vërtete, mund ta organizoni klasën në dy grupe dhe t’i caktoni secilit grup një nga referencat vijuese të shkrimeve të shenjta.
Lexoji referencat vijuese të shkrimeve të shenjta, duke kërkuar shembuj të mënyrës se si Shpëtimtari dhe Jakobi e dhanë mësim këtë të vërtetë.
Lluka 22:31–32
-
Çfarë shembujsh të kësaj të vërtete sheh te këto vargje?
Vetëvlerësimi vijues mund t’i ndihmojë nxënësit t’i lidhin përpjekjet e tyre për të ndërtuar mbështetjen te vetja dhe për të ndihmuar të tjerët për rrethanat e tyre vetjake.
Megjithëse Jozefi kishte përjetuar vështirësi në Egjipt, Zoti e kishte përgatitur atë për t’i bekuar të tjerët si rrjedhojë e saj (shih te Zanafilla 45:5–8). Në të njëjtën mënyrë, Zoti mund të të përgatitë ty për të bekuar dhe ndihmuar të tjerët si rrjedhojë e përvojave të tua. Ndërsa mendon për jetën tënde, përsiat pyetjet vijuese:
-
Çfarë po përjeton tani që po të ndihmon të jesh më i/e mbështetur te vetja në fusha të ndryshme të jetës? (Këto mund të jenë fusha shpirtërore, financiare, intelektuale, fizike ose emocionale.)
-
Si mund t’i përdorë Zoti këto përvoja për të të ndihmuar të bekosh të tjerët në të ardhmen?
Ndërsa e vazhdon studimin sot, kushtoju vëmendje nxitjeve nga Fryma e Shenjtë që mund të të ndihmojnë të bëhesh më i/e mbështetur te vetja për t’i ndihmuar të tjerët siç do të bënte Shpëtimtari.
Ndërtimi i mbështetjes te vetja
Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit të dallojnë se si përpjekjet e tyre për të ndërtuar mbështetjen te vetja mund t’i ndihmojnë të tjerët. Merreni parasysh t’i organizoni nxënësit në pesë grupe dhe t’i caktoni secilit grup një fushë të mbështetjes te vetja. Në klasa më të vogla, mund t’u caktoni nxënësve secilën prej fushave.
Paraqitni një figurë si ajo në vijim në tabelë dhe jepini udhëzimet më poshtë me radhë.
-
Në një faqe në ditarin tënd të studimit, vizato dy maska oksigjeni.
-
Emërtoje pjesën e sipërme të maskës së parë të oksigjenit me një nga fushat vijuese të mbështetjes te vetja:
– Njohuria për ungjillin
– Nevojat financiare
– Arsimimi dhe punësimi
– Nevojat fizike
– Nevojat emocionale dhe shoqërore
-
Mendo për gjërat që mund të jetë duke bërë një adoleshent për të ndërtuar mbështetjen te vetja në fushën që përzgjodhe. Shkruaji këto gjëra në maskën e parë të oksigjenit.
Për shembull, nxënësit mund të përmendin gjëra si studimi i shkrimeve të shenjta vetë (njohuria për ungjillin), studimi për provimin tim të matematikës (arsimimi) ose ndjekja e një plani ushtrimesh gjimnastikore (fizike).
-
Emërtoje maskën e dytë të oksigjenit “Ndihma Ndaj të Tjerëve”. Përzgjidh dy ose tri nga idetë e shkruara në maskën e parë të oksigjenit. Për çdo ide që përzgjedh, shkruaj një mënyrë specifike se si një adoleshent mund ta përdorë atë përvojë për t’i ndihmuar të tjerët të ndërtojnë mbështetje te vetja. Shkruaji këto specifika në maskën e dytë të oksigjenit.
Nxënësit mund të shkruajnë gjëra të tilla si përdorimi i përvojës sime të studimit të shkrimeve të shenjta për të ndihmuar vëllanë ose motrën më të vogël të mësojë se si t’i studiojë shkrimet e shenjta (shpirtërore), dhënia mësim e koncepteve matematikore ndaj bashkëmoshatarëve të mi në klasë (arsimimi) ose ftesa për shokët e mi që të stërviten me mua (fizike).
Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të mjaftueshme për ta plotësuar ushtrimin, ftojini ata të tregojnë atë që kanë shkruar në maskat e tyre të oksigjenit. Ata mund ta bëjnë këtë duke ua treguar atë që mësuan, nxënësve që u përqendruan në fusha të ndryshme të mbështetjes te vetja. Si pjesë e të treguarit, mund të ftoni një nxënës të lexojë te Fjalët e Urta 28:27, duke kërkuar premtimin për ata që u japin të tjerëve. (Shënim: fjala të varfërit mund të gjejë zbatim në të gjitha fushat e mbështetjes te vetja, jo vetëm te financiarja.)
-
Në çfarë mënyrash i kanë ndihmuar të tjerët përpjekjet e tua për t’u bërë i/e mbështetur te vetja? Si të ndihmoi ajo që të ndihesh më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
-
Ndërsa nxënësit flasin, ndihmojini ata të kuptojnë se nuk është e nevojshme të jenë të mbështetur te vetja në mënyrë të përsosur në asnjë nga fushat për të ndihmuar dikë tjetër.
T’i ndihmojmë të tjerët siç do të bënte Shpëtimtari
Veprimtaria vijuese ka për qëllim t’u japë kohë nxënësve për të menduar rreth mënyrës se si përpjekjet e tyre për të ndërtuar mbështetje te vetja mund t’i mundësojë ata t’i ndihmojnë të tjerët.
Shkruaji deklaratat vijuese të paplota në ditarin tënd të studimit:
-
Unë po e ndërtoj mbështetjen te vetja duke …
-
Disa mënyra se si mund t’i ndihmoj të tjerët në këtë fushë janë …
Kërko ndihmën e Frymës së Shenjtë për t’i plotësuar të dyja deklaratat.
Ftojini nxënësit të marrin parasysh plot lutje atë që mund të bëjnë. Kjo mund të përfshijë përcaktimin e një personi të veçantë që duan ta ndihmojnë dhe mënyrën se si mund ta ndihmojnë.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta tregojnë atë që shkruan. Si pyetje për ndjekjen e ecurisë, mund t’i pyesni nxënësit për sa vijon:
-
Si mund t’ju ndihmojë përkujdesja për të tjerët të bëheni më shumë si Shpëtimtari?
Përmbylleni mësimin duke dhënë dëshminë tuaj mbi mënyrën se si mbështetja te vetja ju ka mundësuar të ndihmoni të tjerët. Ftojini nxënësit të veprojnë sipas nxitjeve që mund të kenë marrë për të ndihmuar të tjerë siç do ta bënte Jezu Krishti.