“Ndërtimi i Mbështetjes te Vetja Sipas Mënyrës së Zotit: ‘Zotit i Pëlqen Shumë Përpjekja’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Ndërtimi i Mbështetjes te Vetja Sipas Mënyrës së Zotit: ‘Zotit i Pëlqen Shumë Përpjekja’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Ndërtimi i Mbështetjes te Vetja: Mësimi 177
Ndërtimi i Mbështetjes te Vetja Sipas Mënyrës së Zotit
“Zotit i Pëlqen Shumë Përpjekja”
Ndërtimi i mbështetjes te vetja na ndihmon të ndjekim mësimet e Jezu Krishtit për të siguruar të ardhura për veten dhe për të bekuar të tjerët. Të mësosh të ndërtosh mbështetje te vetja që në rini, çon në aftësi më të madhe kur të rritesh. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë përse ndërtimi i mbështetjes te vetja është i rëndësishëm në planin e Atit Qiellor për ne.
Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve të bëjnë diçka vetë që të tjerët e kanë bërë për ta në të kaluarën. Për shembull, ata mund të përgatitin një vakt, të lajnë rrobat, të paguajnë diçka që zakonisht e paguajnë prindërit e tyre, ose të ndreqin diçka në shtëpinë e tyre.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Ne përparojmë duke vepruar
Para se të fillojë ora mësimore, merreni parasysh t’i jepni një nxënësi një kopje të thënies nga Peshkopi Uadell dhe një nxënësi tjetër një kopje të thënies nga pjesa Tema dhe Pyetje. Ftojini ata t’i lexojnë thëniet dhe të përgatiten për ta treguar atë që mësojnë rreth Shpëtimtarit dhe se si do ta shpjegonin mbështetjen te vetja me fjalët e tyre.
Merreni parasysh ta filloni këtë mësim duke treguar figurën vijuese të një zogu të porsalindur dhe të paraqitni pyetjet vijuese. Mund t’i organizoni nxënësit në grupe të vogla për t’i diskutuar pyetjet duke i paraqitur ato me radhë dhe duke u dhënë kohë nxënësve për ta diskutuar secilën pyetje.
-
Çfarë mund t’i ndodhë këtij zogu nëse prindërit e tij do ta lejonin të qëndronte gjithmonë në fole, duke ia siguruar gjithmonë ata ushqimin?
-
Në ç’mënyra mund të krahasohet kjo me përparimin dhe zhvillimin tonë në planin e Atit Qiellor për ne?
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se një pjesë e madhe e rritjes sonë varet nga gatishmëria jonë për të mësuar dhe për të marrë përgjegjësinë për përparimin tonë. Nëse doni, mund të dëshmoni për aftësinë e Shpëtimtarit për të na ndihmuar në përpjekjet tona për të përparuar.
Mbështetja te vetja
Merreni parasysh të shkruani mbështetja te vetja në tabelë dhe të paraqitni dy thëniet vijuese. Ftojini nxënësit t’i lexojnë thëniet dhe të përgatiten për ta shpjeguar atë që mësojnë rreth Shpëtimtarit dhe kuptimin që ka mbështetja te vetja. Nëse ua dhatë këto thënie nxënësve përpara orës mësimore, ndihmojini ata të japin pikëpamjet e tyre para se ta hapni diskutimin për pjesën tjetër të klasës.
Peshkopi W. Kristofer Uadell, i Peshkopatës Kryesuese, shpjegoi:
“Zoti nuk pret që ne të bëjmë më shumë sesa mund të bëjmë, por Ai pret që ne të bëjmë atë që mund të bëjmë, kur mund ta bëjmë atë. Ashtu siç Presidenti Nelson na kujtoi në konferencën tonë të fundit të përgjithshme: ‘Zotit i pëlqen shumë përpjekja’.
…Të jemi të përgatitur dhe të mbështetur te vetja materialisht do të thotë ‘të beso[jmë] se nëpërmjet hirit, apo fuqisë aftësuese, të Jezu Krishtit dhe vetë përpjekjes sonë, ne jemi në gjendje të plotësojmë të gjitha nevojat shpirtërore e materiale të jetës që kërkojmë për veten tonë dhe familjet tona’.” (“Zotit i Pëlqen Shumë Përpjekja”, Liahona, nëntor 2020, f. 43, 44)
Tema dhe Pyetje te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] thotë:
“Shpëtimtari na fton të gjithëve të veprojmë, të qëndrojmë të pavarur dhe të bëhemi siç është Ai. Ai do të na ndihmojë. … Mënyra e Tij përfshin të mësuarit dhe të jetuarit e parimeve të mbështetjes te vetja – ‘aftësi[në], zotimi[n] dhe përpjekj[en] për të plotësuar nevojat e jetës për vete dhe për familjen’ (Plotësimi i Nevojave në Mënyrën e Zotit: Përmbledhje e një Udhëzuesi për Udhëheqës lidhur me Mirëqenien [2009]).” (Tema dhe Pyetje, “Self-reliance” [“Mbështetja te Vetja”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit])
-
Çfarë mësove rreth Shpëtimtarit nga këto thënie?
-
Si do ta përshkruaje mbështetjen te vetja me fjalët e tua?
Ndërsa nxënësit japin përgjigjet e tyre për pyetjen e mëparshme, merreni parasysh ta shkruani atë që thonë ata në tabelë afër frazës mbështetja te vetja. Ndihmojini ata të kuptojnë se ndërtimi i mbështetjes te vetja na ndihmon të bëhemi më shumë si Jezu Krishti.
Merreni parasysh të paraqitni udhëzimet dhe pyetjet vijuese dhe t’i ftoni nxënësit të përsiatin dëshirat dhe përpjekjet e tyre për t’u bërë të mbështetur te vetja.
Përsiati pyetjet vijuese:
-
Si do ta përshkruaje se çfarë do të thotë për një adoleshent të rritë aftësinë e tij në fushat vijuese?
Njohuria për ungjillin
Nevojat e tanishme dhe të ardhshme financiare
Arsimimi dhe punësimi
Nevojat fizike
Nevojat emocionale dhe shoqërore
-
Si do ta bekojë forcimi i aftësisë sate në secilën nga këto fusha jetën tënde në tokë dhe përparimin tënd të përjetshëm?
Shembuj të mbështetjes te vetja
Mund të jetë e dobishme që nxënësit të shohin se si individët në shkrimet e shenjta u bekuan nëpërmjet përpjekjeve të tyre për të ndërtuar mbështetje te vetja për të plotësuar nevojat e tyre shpirtërore dhe materiale.
Merreni parasysh të paraqitni udhëzimet, referencat dhe pyetjet vijuese. Mund t’i vendosni nxënësit në grupe me nga tre veta dhe ta ftoni secilin nxënës të lexojë një referencë të ndryshme. Nxënësit mund ta përmbledhin më pas për grupin e tyre atë që lexojnë dhe të tregojnë pikëpamjet e tyre nga pyetjet shoqëruese.
Lexoje një nga rrëfimet vijuese në shkrimet e shenjta dhe përsiat për pyetjen shoqëruese.
Moisiu 4:23–25; 5:1 (Adami dhe Eva që largohen nga Kopshti i Edenit)
-
Si mund t’i ketë bekuar Adamin dhe Evën fakti që Perëndia u kërkoi të punonin për ushqimin e tyre më shumë sesa nëse Perëndia do ta kishte bërë tokën të prodhonte në mënyrë të vetvetishme për ta?
Zanafilla 6:14–16 (Noeu që kishte nevojë për mbrojtje për familjen e tij nga përmbytja e ardhshme)
-
Si mund ta ketë bekuar Noeun pritshmëria që ai ta ndërtonte arkën më shumë sesa nëse Perëndia thjesht do t’ia kishte siguruar atë?
Eksodi 19:19–20 (Moisiu që kërkonte të merrte udhëzime nga Zoti në shkretëtirë)
-
Si mund ta ketë bekuar Moisiun pritja që të ngjitej në mal para se Perëndia t’i jepte atij zbulesë të mëtejshme?
Kur grupet të mbarojnë diskutimin, mund të shfaqni materialin filmik “All I Needed” [“Gjithçka që më Nevojitej”] (1:44) për t’i ndihmuar nxënësit të shohin shembuj të sotëm të individëve që ndërtojnë mbështetje te vetja.
Shembulli i Jezu Krishtit
Mund të jetë e lehtë të harrosh se edhe Jezu Krishti ishte i ri dikur. Dhiata e Re përmban disa kapituj rreth lindjes së Tij të mrekullueshme dhe shumë kapituj rreth jetës së Tij si i rritur. Megjithatë, ne mund të mësojmë pak rreth mënyrës se si Ai e kaloi rininë e Tij.
Lexo te Lluka 2:52, duke kërkuar fushat ku Shpëtimtari u rrit dhe përparoi kur ishte i ri.
Merreni parasysh t’u caktoni grupeve të vogla të nxënësve një nga fushat (intelektuale, fizike, shpirtërore, shoqërore) nga vargu 52 për t’u përqendruar për diskutimin vijues.
Mblidh ide me grupin tënd për mënyrat se si disa adoleshentë:
-
Mund të mbështeten tek të tjerët më shumë sesa është e nevojshme në atë fushë.
-
Mund të rritin aftësinë e tyre në atë fushë.
Disa shembuj që nxënësit i mendojnë, përfshijnë mbështetjen te dikush tjetër për të bërë të gjithë punën në një detyrë shkolle grupi (intelektuale), mbështetjen te prindërit për të bërë punët e shtëpisë (fizike), pritshmërinë që një udhëheqës i të rinjve të japë mësim të gjitha mësimet e së Dielës (shpirtërore) ose pritshmërinë që të tjerët të planifikojnë veprimtari për t’u mbledhur së bashku (shoqërore).
Tregoje atë që mësove
Jepuni nxënësve një mundësi për t’u menduar mirë dhe për ta treguar atë që kanë mësuar ose ndier rreth mbështetjes te vetja. Një mënyrë për ta bërë këtë është nëpërmjet veprimtarisë vijuese. Nxënësit mund ta plotësojnë atë individualisht ose me të tjerët.
Imagjino sikur një udhëheqës të kërkoi t’ua tregosh atë që mësove në seminar këtë javë, të rinjve në lagjen tënde. Shkruaje atë që mësove rreth mbështetjes te vetja, duke përdorur pikat vijuese:
-
Një përshkrim të asaj që është mbështetja te vetja
-
Arsyet përse ndërtimi i mbështetjes te vetja është i rëndësishëm për Atin Qiellor në planin e Tij për ne
-
Një shembull vetjak ose nga shkrimet e shenjta të dikujt që demonstron mbështetje te vetja
-
Një mënyrë se si adoleshentët mund të bëhen më të mbështetur te vetja në çdo aspekt të jetës së tyre
Ftojini disa nxënës të dalin vullnetarë për ta treguar atë që shkruan. Mund t’i inkurajoni anëtarët e klasës t’i shënojnë pikëpamjet në ditarët e tyre të studimit ndërsa dëgjojnë shokët e klasës.