Seminari
Bërja e Krahasimeve: Bëni Krahasime për të Përcaktuar të Vërtetat e Nënkuptuara nga Shkrimet e Shenjta


“Bërja e Krahasimeve: Bëni Krahasime për të Përcaktuar të Vërtetat e Nënkuptuara nga Shkrimet e Shenjta”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“Bërja e Krahasimeve: Bëni Krahasime për të Përcaktuar të Vërtetat e Nënkuptuara nga Shkrimet e Shenjta”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

Zotësitë e Studimit të Shkrimeve të Shenjta: Mësimi 170

Bërja e Krahasimeve

Bëni Krahasime për të Përcaktuar të Vërtetat e Nënkuptuara nga Shkrimet e Shenjta

Many spirits watch as Jehovah presents his plan to Heavenly Father.

Një engjëll i tha Nefit se shkrimet e shenjta përmbajnë të vërteta që “janë të qarta dhe më të çmueshmet” (1 Nefi 13:26). Megjithatë, ndonjëherë mund të jetë e vështirë t’i përcaktosh këto të vërteta ose të mendosh se shkrimet e shenjta janë kuptimplota. Bërja e krahasimeve ndërmjet tregimeve të ndryshme nga shkrimet e shenjta, ideve dhe njerëzve është një zotësi që mund të na ndihmojë të përcaktojmë të vërteta të çmuara nga Jezu Krishti dhe të bekohemi nga fjalët e Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të bëjnë krahasime në shkrimet e shenjta për të përcaktuar të vërtetat e nënkuptuara.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të studiojnë vargjet te Moisiu 4:1–2, duke kërkuar ngjashmëritë dhe dallimet që shohin ndërmjet Jezu Krishtit dhe Satanit. Ftojini ata të përsiatin arsyen përse mund të jetë e dobishme të bëjmë krahasime në shkrimet e shenjta.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Sheqer dhe kripë

Merreni parasysh të sillni sheqer dhe kripë në klasë dhe të lini një ose dy nxënës të provojnë pak nga secili. Ju gjithashtu mund të paraqitni një figurë të këtyre substancave, siç tregohet më poshtë. Përndryshe, mund ta bëni të njëjtën veprimtari me një pije të ëmbël, si për shembull lëng frutash, dhe diçka të thartë, si për shembull uthull.

Showing the difference of Coarse and Fine Salt
  • Ku ngjasojnë kripa dhe sheqeri? Ku ndryshojnë ata?

  • Si mund të të ndihmojë krahasimi i kripës me sheqerin që t’i kuptosh ato më mirë?

Në të njëjtën mënyrë, ndërsa bëjmë krahasime në shkrimet e shenjta, ne mund t’i kuptojmë më qartë dhe t’i vlerësojmë shumë nga mësimet e vyera të Shpëtimtarit. Ne mund ta kuptojmë më mirë se si Ai mund të na e bekojë jetën kur ne i jetojmë këto mësime.

Ndërsa mëson rreth këtij mjeti për studimin e shkrimeve të shenjta, ji i/e hapur ndaj mbresave nga Fryma e Shenjtë që mund të të ndihmojnë të dallosh se si mund ta bësh më kuptimplotë studimin tënd të shkrimeve të shenjta.

Zotësia: Bërja e krahasimeve

Për t’i ndihmuar nxënësit ta mësojnë këtë zotësi të studimit të shkrimeve të shenjta, ky mësim është organizuar në pjesët vijuese: “Përkufizo” (përkufizimi i zotësisë), “Demonstro” (dhënia e shembujve për nxënësit dhe udhërrëfimi i tyre nëpër zotësi) dhe “Ushtrohu” (dhënia e një mundësie që nxënësit ta ushtrojnë zotësinë).

Përkufizo

Lexojeni ose përmblidheni sa vijon.

Bërja e krahasimeve në shkrimet e shenjta do të thotë të vëresh ngjashmëritë dhe dallimet ndërmjet tregimeve, ideve ose njerëzve. Këto krahasime mund të na ndihmojnë të përcaktojmë të vërtetat e nënkuptuara (të vërteta që përndryshe mund të mos i shihnim). Ne mund të bëjmë krahasime në vargje të vetme, në kapituj ose nëpër shumë libra.

Kur ia bën pyetjet vijuese vetes, kjo mund të të ndihmojë të bësh krahasime gjatë studimit tënd të shkrimeve të shenjta:

Merreni parasysh t’i paraqitni pyetjet e mëposhtme. Nxënësit do t’u referohen atyre gjatë gjithë mësimit.

  • Ku ngjasojnë tregimet, idetë ose njerëzit në këtë rrëfim? Ku ndryshojnë ata?

  • Çfarë mund të mësoj nga bërja e këtij krahasimi?

  • Si mund të më ndihmojë sot ajo që mësoj nga ky krahasim?

  • Si mund të më ndihmojë ajo që mësoj, që ta dua ose ta ndjek Zotin më shumë?

Demonstro

Për t’i përgatitur nxënësit ta ushtrojnë këtë zotësi më vete, do të jetë e dobishme t’i udhërrëfeni ata në fillim duke përdorur një rrëfim nga shkrimet e shenjta. Merreni parasysh ta bëni këtë duke përdorur rrëfimin e Këshillit në Qiell para lindjes, duke marrë parasysh veprimet e Jezu Krishtit dhe të Satanit. Ju mund të zgjidhni të përdorni një rrëfim tjetër, të tillë si një nga vijuesit:

  • Njerëzit gjatë kohës së Enokut (Moisiu 7:17–19) dhe njerëzit gjatë kohës së Noeut (Moisiu 8:28–30)

  • Zgjedhja e Abrahamit dhe Lotit se në cilën tokë do të jetonin (Zanafilla 13:8–13)

Merreni parasysh të paraqitni figurën më poshtë dhe t’i ftoni nxënësit të tregojnë atë që dinë rreth ngjarjes.

Many spirits watch as Jehovah presents his plan to Heavenly Father.

Në Këshillin në Qiell para lindjes, Ati Qiellor paraqiti planin e Tij për shpëtimin e fëmijëve të Tij. Plani i Tij do të kërkonte një shpëtimtar.

Merreni parasysh t’u referoheni katër pyetjeve të paraqitura më herët dhe t’i ftoni nxënësit t’i shënojnë përgjigjet e tyre në ditarin e studimit ndërsa i lexojnë vargjet vijuese.

Lexo te Moisiu 4:1–2, duke kërkuar mënyrën se si Jezu Krishti dhe Satani gjithashtu iu përgjigjën Perëndisë.

Ftojini nxënësit të japin përgjigjet e tyre për secilën pyetje.

Ndërsa nxënësit tregojnë se çfarë mësuan nga krahasimi i Shpëtimtarit me Satanin, ata mund të tregojnë të vërteta të tilla si vijueset:

  • Jezu Krishti kërkon përulësisht të bëjë vullnetin e Atit Qiellor. Satani kërkon me egoizëm nderin dhe lavdinë e tij.

  • Ati Qiellor zgjodhi Jezusin që nga fillimi për t’u bërë Shpëtimtari i botës. Satani u rebelua kundër Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Ushtrohu

Nxënësit mund ta plotësojnë këtë veprimtari ushtruese individualisht, në dyshe ose në grupe të vogla.

Pjesa “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit” në këtë mësim përfshin mundësi shtesë.

Zgjidh një nga mundësitë e studimit më poshtë. Përdori nxitjet e paraqitura për të të ndihmuar të bësh krahasime dhe për të përcaktuar të vërteta kuptimplota.

Mundësitë e studimit:

  1. Raporti i 12 informatorëve. Moisiu dërgoi 12 informatorë për të zbuluar tokën e Kanaanit, për të parë se si ishin toka dhe njerëzit (shih te Numrat 13:17–20). Kur u kthyen, 10 informatorë dhanë një raport të ndryshëm nga raporti që dhanë Kalebi dhe Jozueu (dy informatorët e tjerë). Lexo te Numrat 13:26–33; 14:6–9, duke i krahasuar raportet e ndryshme.

  2. Mbretërimi i mbretit Salomon. Mbreti Salomon u bë mbreti i radhës pas vdekjes së të atit, Davidit. Dëshirat e Salomonit dhe premtimet e Zotit për të ndryshuan me kalimin e kohës. Lexo te 1 Mbretërve 3:3, 7–12; 11:4–6, 9–11, duke i krahasuar dëshirat e Salomonit dhe premtimet e Zotit për Të në fillim dhe në pjesën e mëvonshme të mbretërimit të tij.

  3. Barinjtë e Izraelit. Nëpërmjet profetit të Tij Ezekiel, Zoti i këshilloi udhëheqësit izraelitë, duke i quajtur ata “barinjtë e Izraelit” (Ezekiel 34:2). Lexo tek Ezekiel 34:2–6, 11–16, duke i krahasuar barinjtë e Izraelit me Zotin, Bariun tonë të Mirë.

Pasi nxënësit ta kenë plotësuar veprimtarinë, ata mund t’ia tregojnë përgjigjet e tyre për pyetjet e paraqitura njëri‑tjetrit, një dysheje ose një grupi që studioi një histori të ndryshme. Më pas, ftojini disa nxënës t’ia tregojnë klasës. Vullnetarët mund t’i shkruajnë edhe në tabelë të vërtetat që gjetën dhe të shpjegojnë arsyen përse ato janë kuptimplota për ta.

Sa vijon janë shembuj të të vërtetave që mund të japin nxënësit:

  1. Zoti mund të na forcojë ndërsa zgjedhim t’i shohim sfidat tona me besim dhe jo me dyshim.

  2. Zoti do të na bekojë ndërsa e duam Atë më shumë sesa i duam gjërat e kësaj bote.

  3. Ne bëhemi më shumë si Zoti ndërsa i kërkojmë dhe kujdesemi për të tjerët.

Nëse e lejon koha, mund t’i ftoni nxënësit të vazhdojnë të ushtrojnë bërjen e krahasimeve duke përdorur një tregim ose bllok shkrimesh të shenjta të zgjedhur nga ata. Më pas, ata mund të tregojnë atë që mësuan duke i bërë këto krahasime.

Përfundimi

Ndërsa i studion shkrimet e shenjta, kërko mënyra se si mund ta përfshish zotësinë e bërjes së krahasimeve. Për shembull, kur studion rreth dikujt që merr një vendim të keq, merr parasysh dikë tjetër në shkrimet e shenjta që mori një vendim të drejtë. Nëse sheh një nga profetët e Zotit që u refuzua, merr parasysh nëse mund të sjellësh ndër mend një kohë tjetër kur populli i pranoi profetët e Tij.

Mund t’i shënosh zbulimet e tua në shkrimet e tua të shenjta ose në një ditar studimi.

  • Si mund të ndikojë në studimin tënd vetjak të shkrimeve të shenjta ajo që mësove sot?

Merreni parasysh ta mbyllni me dëshminë tuaj për shkrimet e shenjta dhe të vërtetat që përmbajnë ato.

Mund të jetë e dobishme të ndiqni në mësimet e mëvonshme mbarëvajtjen e nxënësve në ushtrimin e kësaj zotësie të studimit të shkrimeve të shenjta.