“Përqendrimi te Jezu Krishti në Shkrimet e Shenjta: Kërkimi i Simboleve dhe Cilësive të Shpëtimtarit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Përqendrimi te Jezu Krishti në Shkrimet e Shenjta: Kërkimi i Simboleve dhe Cilësive të Shpëtimtarit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Zotësitë e Studimit të Shkrimeve të Shenjta: Mësimi 166
Përqendrimi te Jezu Krishti në Shkrimet e Shenjta
Kërkimi i Simboleve dhe Cilësive të Shpëtimtarit
Një nga qëllimet kryesore të shkrimeve të shenjta është të na ndihmojë të mësojmë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Të mësuarit rreth Jezu Krishtit është një mënyrë e rëndësishme se si edhe ne mësojmë rreth Atit Qiellor. Sa më shumë që mësojmë rreth Tyre, aq më shumë mund të rritet besimi ynë tek Ata. Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të përqendrohen te Shpëtimtari ndërkohë që studiojnë shkrimet e shenjta.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të kërkojnë pikëpamjet që mësojnë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit ndërsa bëjnë studimin e tyre vetjak ose familjar të shkrimeve të shenjta. Ftojini ata të vijnë të përgatitur për të treguar atë që gjetën.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Qëllimi i Shkrimeve të Shenjta
Merreni parasysh të vizatoni një shënjestër në tabelë.
Ftoni një ose dy nxënës të hedhin një send të butë drejt shënjestrës. Pas këtyre përpjekjeve, fshijeni shënjestrën. Nëse doni, mund t’i kërkoni një nxënësi të përpiqet ta godasë shënjestrën edhe pse nuk është më aty. (Kjo do të shkaktojë ca ngatërresa.) Mund të pyesni se si ndihen në lidhje me veprimtarinë kur nuk kanë një shënjestër.
-
Përse është mirë të kesh një objektiv ose qëllim për një veprimtari?
-
Cila është shënjestra ose cili është qëllimi i studimit të shkrimeve të shenjta?
Nxënësit mund të japin një larmi përgjigjesh. Nëse dëshironi, mund ta vizatoni sërish shënjestrën dhe t’i shkruani disa nga përgjigjet që japin nxënësit në lidhje me qëllimin e studimit të shkrimeve të shenjta brenda shënjestrës ose pranë saj.
Shpjegoni se kuptueshmëria për qëllimin e shkrimeve të shenjta mund të na ndihmojë në studimin tonë për to.
Lexoje thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duke kërkuar qëllimin kryesor të shkrimeve të shenjta.
“Në fund, qëllimi kryesor i gjithë shkrimit të shenjtë është që të mbushë shpirtin tonë me besim tek Perëndia Atë dhe tek Biri i Tij, Jezu Krishti – besim që Ata ekzistojnë; besim tek plani i Atit për pavdekësinë dhe jetën tonë të përjetshme; besim tek Shlyerja dhe Ringjallja e Jezu Krishtit, që i jep jetë këtij plani të lumturisë; besim që ta bëjmë ungjillin e Jezu Krishtit mënyrë jetese; dhe besimin që të arrijmë të njohim ‘të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që [Ai ka] dërguar’ (Gjoni 17:3).” (“Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Liahona, maj 2010, f. 34)
-
Si do ta përmblidhje qëllimin e shkrimeve të shenjta?
Shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Qëllimi kryesor i shkrimeve të shenjta është të ndërtojë besimin tonë tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Nëse dëshironi, mund të vizatoni një shigjetë nga kjo e vërtetë deri te qendra e shënjestrës.
-
Si mund të ndikojë dijenia për këtë qëllim në mënyrën se si i studiojmë shkrimet tona të shenjta?
-
Përse mund të jetë e rëndësishme të përpiqesh vazhdimisht të ndërtosh besimin tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?
Përsiat për atë ku përqendrohesh ndërsa i studion shkrimet e shenjta. Sa mirë mendon se përqendrohesh te ndërtimi i besimit tënd tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti ndërsa i studion shkrimet e shenjta?
Ndërsa i mëson zotësitë e studimit të shkrimeve të shenjta në këtë mësim, kërko ndihmën e Frymës së Shenjtë për të ditur se si t’i përdorësh këto zotësi për të ndërtuar besimin tënd tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.
Ky mësim do të diskutojë dy zotësi të studimit të shkrimeve të shenjta që mund t’i ndihmojnë nxënësit të përqendrohen te Shpëtimtari. Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se, për shkak se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë të bashkuar përsosurisht, ndërsa mësojmë rreth Shpëtimtarit, të njëjtat cilësi janë të vlefshme për Atin (shihni te Gjoni 6:38; 10:30; 14:7–9). Zotësitë në këtë mësim do të na ndihmojnë të përqendrohemi te Jezu Krishti. Ky përqendrim na ndihmon edhe të mësojmë rreth Atit Qiellor.
Për secilën zotësi, ju do ta përkufizoni atë, do të jepni modelin për të dhe më pas do t’u jepni nxënësve një mundësi për ta ushtruar.
Zotësia: Kërko simbole të Shpëtimtarit dhe përsiate kuptimin e tyre
Përkufizo
Shkrimet e shenjta janë të mbushura me simbolet e Shpëtimtarit. Një simbol i Shpëtimtarit është një send ose objekt që mund të na kujtojë rolin e Shpëtimtarit në jetën tonë. Për këtë zotësi, bëj sa vijon:
Merreni parasysh t’i shkruani hapat vijues në tabelë:
-
Kërko simbole që të kujtojnë Shpëtimtarin.
-
Bëji vetes pyetjet vijuese:
-
Ku ngjason Shpëtimtari me këtë simbol?
-
Si mund të më ndihmojë krahasimi i Shpëtimtarit me këtë simbol të kuptoj mënyrën se si Shpëtimtari mund të më ndihmojë në jetën time?
-
Demonstrimi i zotësisë
Demonstrojeni këtë zotësi duke e bërë atë bashkë si klasë. Bërja e kësaj mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se çfarë është dhe si ta bëjnë atë.
Nëpërmjet profetit Jeremia, Zoti përdori një simbol të fuqishëm për të na dhënë mësim rreth Tij. Lexo te Jeremia 2:13; 17:13, duke kërkuar një simbol të Shpëtimtarit.
-
Ku ngjason Shpëtimtari me këtë simbol? (Një burim i ujërave të gjalla)
Nëse nxënësit hasin vështirësi për t’u përgjigjur, mund të bëni disa nga pyetjet vijuese:
-
Cilat janë disa përdorime të ujit? (Të shuajë etjen, të na ndihmojë të jetojmë, të pastrojë dhe të freskojë.) Ku ngjason Shpëtimtari me ujin në këto mënyra?
-
Në ç’mënyrë është Shpëtimtari po aq thelbësor sa uji? Përse mund të kemi nevojë për Të po aq shpesh sa kemi nevojë për ujë?
-
Përse mund ta ketë krahasuar Zoti veten me një burim uji dhe jo me një pellg ose burim tjetër?
-
Si të ndihmon krahasimi i Shpëtimtarit me këtë simbol të kuptosh mënyrën se si Ai mund të të ndihmojë në jetën tënde?
-
Ushtrohu
Jepuni nxënësve një mundësi për ta ushtruar këtë zotësi vetë ose në grupe të vogla nëse mendoni se do të kishte dobi për ta. Mund t’i vini nxënësit të zgjedhin një nga shkrimet e shenjta më poshtë ose të tjera që mund t’ua siguroni.
Lexo një nga shkrimet e shenjta vijuese. Gjej një simbol të Shpëtimtarit dhe bëji vetes të dyja pyetjet në tabelë.
2 Samuelit 22:2–4
Isaia 25:4 (Shënim: Fjala ti i referohet Zotit.)
Malakia 3:2–3
Ftojini disa nxënës të tregojnë atë që gjetën. Kërkoni mënyra për t’i falënderuar dhe përgëzuar ata për përpjekjen e tyre. Nëse nxënësit kanë vështirësi, sigurojini ata se nuk ka problem; këto zotësi kërkojnë praktikë.
Zotësia: Kërkoje atë që mund të mësojmë rreth Shpëtimtarit nga veprimet dhe fjalët e Tij
Përkufizo
Ne gjithashtu mund të përqendrohemi te Shpëtimtari ndërsa i studiojmë shkrimet e shenjta duke kërkuar veprimet dhe fjalët e Tij në shkrimet e shenjta. Ne mund ta përsiatim më pas atë që mund të mësojmë rreth Tij nga veprimet dhe fjalët e Tij, si dhe mënyrën se si ajo që mësojmë rreth Tij mund të na ndihmojë në jetën tonë.
Nëse dëshironi, mund t’i paraqitni hapat vijues në tabelë që t’i ndjekin nxënësit.
-
Kërkoji fjalët dhe veprimet e Shpëtimtarit.
-
Bëji vetes pyetjet vijuese:
-
Çfarë më mësojnë këto fjalë ose veprime rreth Shpëtimtarit?
-
Si më ndihmojnë këto fjalë ose veprime të kuptoj mënyrën se si mund të më ndihmojë Shpëtimtari në jetën time?
-
Demonstrimi i zotësisë
Ne mund të mësojmë rreth Shpëtimtarit duke studiuar historinë e Shadrakut, Meshakut dhe Abed-negos. Këta tre burra të drejtë u hodhën në furrën me zjarr për shkak se refuzuan ta adhuronin figurën e artë që kishte krijuar mbreti Nebukadnetsar (shih te Daniel 3:13–22).
Merreni parasysh t’u shpjegoni nxënësve se nganjëherë ata duhet të lexojnë me kujdes, duke kërkuar specifikisht atë që tha ose bëri Zoti. Vargjet vijuese janë një shembull i tillë.
Lexo te Daniel 3:23–25, duke kërkuar atë që bëri Shpëtimtari në këto vargje.
Merreni parasysh të paraqitni figurën “Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego në furrën e zjarrit”.
Nëse është e nevojshme, mund të shpjegoni se ose Shpëtimtari, ose një lajmëtar qiellor që Ai e dërgoi, qëndroi me Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon në furrë.
-
Çfarë të mëson ky veprim rreth Shpëtimtarit?
-
Si më ndihmon ky veprim të kuptoj mënyrën se si Shpëtimtari mund të më ndihmojë në jetën time?
Nga kjo përvojë ne mësojmë se Zoti do të na përkrahë në sprovat tona (shihni edhe tek Alma 36:3, 27; Doktrina e Besëlidhje 3:8; 24:8).
Ushtrohu
Për ta ushtruar këtë zotësi, lexoje njërin nga grupet vijuese të vargjeve, duke kërkuar atë që tha ose bëri Zoti, më pas bëja vetes të dyja pyetjet që e shoqërojnë këtë zotësi.
Eksodi 14:21–22, 30. Fëmijët e Izraelit ishin të bllokuar midis ushtrisë egjiptiane dhe Detit të Kuq.
1 Samuelit 16:6–7. Samueli po përpiqej të përcaktonte mbretin e ardhshëm të Izraelit.
Isaia 1:16–18. Populli i Izraelit kishte rënë në mëkat.
Isaia 53:3–5. Një profeci për Shlyerjen e Shpëtimtarit.
Ftojini disa nxënës të tregojnë atë që gjetën. Nëse është e dobishme, pyesni: “Si mund t’ju ndihmojë dijenia për këtë cilësi të Shpëtimtarit ta ushtroni besimin tek Ai?”
Përfundimi
-
Si mund të të ndihmojnë këto zotësi në studimin tënd të shkrimeve të shenjta?
Përmbylleni duke dhënë mendimet tuaja rreth Shpëtimtarit dhe këtyre zotësive. Ftojini nxënësit të kërkojnë mënyra për t’i zbatuar këto zotësi në studimin e tyre të shkrimeve të shenjta. Për shembull, ata mund të mbajnë një ditar studimi për atë që po mësojnë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.