“Gjetja e të Vërtetave të Ungjillit në Shkrimet e Shenjta: Të Mësuarit se si t’i Dallojmë Doktrinën dhe Parimet”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Gjetja e të Vërtetave të Ungjillit në Shkrimet e Shenjta: Të Mësuarit se si t’i Dallojmë Doktrinën dhe Parimet”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Zotësitë e Studimit të Shkrimeve të Shenjta: Mësimi 167
Gjetja e të Vërtetave të Ungjillit në Shkrimet e Shenjta
Të Mësuarit se si t’i Dallojmë Doktrinën dhe Parimet
Studimi i shkrimeve të shenjta mund të jetë shumë më i fuqishëm nëse po kërkojmë në mënyrë aktive të vërteta të ungjillit që na afrojnë më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta rritin aftësinë e tyre për të gjetur në shkrimet e shenjta të vërtetat e ungjillit që i ndihmojnë për të ardhur më pranë Zotit.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të shenjojnë ose të mbajnë shënim në shkrimet e tyre të shenjta diçka që e mësojnë nga studimi i tyre vetjak i shkrimeve të shenjta. Ata mund t’i kërkojnë më pas një shoku ose pjesëtari të familjes të lexojë të njëjtin fragment të shkrimit të shenjtë, të tregojnë çfarë mëson prej tij dhe të krahasojnë pikëpamjet.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Shkrimet e shenjta i ruajnë të vërtetat e ungjillit
Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë vlerën e gjetjes së të vërtetave të ungjillit në shkrimet e shenjta, metafora vijuese mund të japë pikëpamje të dobishme rreth mënyrës se si tregimet nga shkrimet e shenjta i ruajnë të vërtetat e ungjillit. Merrni parasysh të sillni në klasë një banane (ose një frutë tjetër që ka lëkurë) që njerëzit në kulturën tuaj nuk e hanë zakonisht. Kërkoni një vullnetar që ta hajë frutën. Pasi nxënësi/ja ta qërojë atë dhe të hajë kafshatën e parë, ju mund të silleni si të habitur dhe të pyesni përse ai ose ajo nuk e kafshoi lëkurën. Pastaj bëni pyetjen e mëposhtme.
(Nëse nuk keni fruta në dispozicion, mund ta përshtatni këtë pjesë për të krijuar një diskutim të ngjashëm duke paraqitur figurën e një frute ose duke vizatuar një të tillë në tabelë.)
-
Përse është lëkura e një bananeje gjithsesi e rëndësishme edhe nëse nuk e hamë atë?
Mund t’i ndihmoni nxënësit të kuptojnë se lëkura e mbron, e ruan dhe e mban të pastër pjesën e frutës që ne e hamë.
Më pas, ftojini nxënësit që t’ia tregojnë pikëpamjet e tyre për sa vijon klasës ose një partneri.
-
Nëse i krahasojmë tregimet në shkrimet e shenjta me një lëkurë bananeje, çfarë mund të përfaqësojë pjesa që hamë? (Me fjalë të tjera, çfarë po mbrojnë, ruajnë dhe mbajnë të pastër tregimet për ne?)
Nëse është e nevojshme, shpjegoni se për të mësuar më shumë nga shkrimet e shenjta, nevojitet që të shohim përtej tregimeve për të zbuluar të vërtetat që Perëndia do të donte t’i mësonim. Tregimet në vetvete mund të jenë si një lëkurë që mban dhe ruan të vërtetat e ungjillit që na ndihmojnë më pas të arrijmë ta njohim dhe ndjekim Krishtin.
Jepni thënien vijuese dhe ftojini nxënësit të shohin përse është e rëndësishme t’i kërkojmë të vërtetat e ungjillit ndërsa studiojmë.
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“E di që doktrina dhe parimet e ungjillit të Jezu Krishtit janë burimi themelor i drejtimit për jetën tonë dhe i gëzimit të qëndrueshëm në vdekshmëri e përjetësi. … Unë plot gëzim dëshmoj se Shpëtimtari ynë i gjallë është burimi nga rrjedhin këto të vërteta.” (“Parimet e Ungjillit Tim”, Liahona, maj 2021, f. 126)
-
Si do ta përmblidhje atë që mëson nga Plaku Bednar?
Mund t’i ndihmoni nxënësit të përcaktojnë nga thënia e Plakut Bednar një të vërtetë si kjo: Doktrina dhe parimet e ungjillit vijnë nga Jezu Krishti dhe janë burime të drejtimit dhe gëzimit të qëndrueshëm.
(Shënim: Dallimet ndërmjet doktrinës dhe parimeve nuk do të trajtohen në këtë mësim. Për qëllimet e këtij mësimi, edhe doktrinës, edhe parimeve do t’u drejtohemi me termin më të përgjithshëm “të vërtetat e ungjillit”. Ka thënie te pjesa Burime Shtesë e këtij mësimi që mund t’i përdorni nëse mendoni se do të ishte e dobishme që nxënësit tuaj të bëjnë dallimin ndërmjet doktrinës dhe parimeve.)
Për t’i ndihmuar nxënësit të vlerësojnë aftësinë e tyre për t’i gjetur të vërtetat e ungjillit në shkrimet e shenjta, mund t’i ftoni ata t’i përsiatin në heshtje deklaratat vijuese.
Vlerësoje në një shkallë nga 1–5 se sa të vërteta janë për ty deklaratat vijuese. (1 = rrallëherë e vërtetë; 5 = pothuajse gjithmonë e vërtetë)
-
Jam i/e sigurt në aftësinë time për t’i gjetur të vërtetat e ungjillit në shkrimet e shenjta.
-
Unë i kërkoj rregullisht të vërtetat në shkrimet e shenjta që më sjellin më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.
Inkurajojini nxënësit të kërkojnë Frymën e Shenjtë për t’i ndihmuar t’i dallojnë më mirë të vërtetat në shkrimet e shenjta që Ati Qiellor i ka ruajtur për ne.
Për veprimtaritë vijuese, nëse doni, mund të punoni në fillim me pjesët “Përkufizo” dhe “Demonstro” të secilës zotësie dhe më pas t’i ftoni nxënësit t’i ushtrojnë të dyja zotësitë njëherazi. Mund të përdorni secilën prej ideve në shkrimin e shenjtë të renditur në pjesët “Ushtrohu” të zotësive.
Zotësia: Përcakto të vërtetat e shprehura qartë
Përkufizo
Një lloj i së vërtetës së ungjillit që mund ta zbulosh gjatë studimit tënd, është një e vërtetë e shprehur qartë. Të vërteta të tilla shprehen në një fjali ose frazë të thjeshtë në shkrimet e shenjta.
Demonstro
Tregojuni nxënësve një shembull të një të vërtete të shprehur qartë duke lexuar shkrimin e shenjtë vijues ose një nga vargjet tuaja të parapëlqyera që ka një të vërtetë të shprehur qartë.
Lexo te Fjalët e Urta 3:5–6, duke kërkuar dhe shenjuar një të vërtetë të shprehur qartë.
-
Çfarë shenjove?
Nxënësit mund të përcaktojnë një të vërtetë të tillë si: “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër … dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua”.
-
Përse është e rëndësishme për ty e vërteta që shenjove?
Ushtrohu
Një mënyrë se si nxënësit të ushtrohen, do të ishte t’i ftoni ata të hapin Fragmentet e Shkrimeve të Shenjta dhe Frazat Kyç të Shkrimeve të Shenjta për Zotërimin Doktrinor te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023). Nxënësit mund të hapin më pas disa vargje duke kërkuar të vërteta të shprehura qartë.
Pasi nxënësit të kenë pasur kohë për ta plotësuar veprimtarinë, ata mund të drejtohen te një partner ose grup i vogël dhe të tregojnë të vërtetën/at që përcaktuan.
Zotësia: Përcakto të vërtetat e nënkuptuara
Përkufizo
Një lloj tjetër i së vërtetës së ungjillit që mund ta zbulosh gjatë studimit tënd, është e vërteta e nënkuptuar. Këto të vërteta janë të nënkuptuara në radhë ngjarjesh ose fragmente më të mëdha që na kërkojnë të përsiatim atë që dëshiron Ati Qiellor që të mësojmë prej tyre. Ne mund t’i gjejmë këto të vërteta duke bërë pyetje si vijueset.
Nëse doni, mund t’i paraqitni ose t’i renditni këto pyetje në tabelë.
-
A ka ndonjë ide, frazë ose simbol të rëndësishëm që të mëson diçka rreth Atit Qiellor ose Jezu Krishtit?
-
A ka ndonjë marrëdhënie shkak‑pasojë (nëse/atëherë) në këtë tregim?
-
Përse mendon se autori u frymëzua nga Perëndia për t’i përfshirë këto ngjarje ose fragmente?
Demonstro
Merreni parasysh të ftoni një vullnetar t’ia lexojë klasës vargjet te Numrat 21:5–9 me zë të lartë. Ai është një rrëfim për Perëndinë që i mëson dhe shëron izraelitët që ishin kafshuar nga gjarpërinjtë helmues. Ndërsa dëgjojnë, inkurajojini nxënësit të kërkojnë të vërtetat e nënkuptuara në rrëfim duke i bërë vetes pyetjet e renditura më lart.
Pas leximit, kërkojuni vullnetarëve të tregojnë çdo të vërtetë të nënkuptuar që gjetën. Mund t’i inkurajoni nxënësit të shkruajnë një të vërtetë pranë këtyre vargjeve në shkrimet e tyre të shenjta.
Të vërtetat e nënkuptuara të mundshme nga ky rrëfim përfshijnë:
-
Të folurit kundër Perëndisë dhe profetëve të Tij do të çojë përfundimisht në hidhërim.
-
Profeti na drejton te Jezu Krishti.
-
Perëndia është i mëshirshëm dhe përgatit një udhë për ne për t’u shëruar.
Mund të vini në dukje se Jezu Krishti e përdori këtë rrëfim për të dhënë mësimin që ata që i besojnë Atij dhe e ndjekin Atë, do të kenë jetë të përjetshme (Gjoni 3:14–16).
Ushtrohu
Për ta filluar këtë veprimtari, merreni parasysh të vizatoni një banane të qëruar pjesërisht në tabelë.
Merreni parasysh të paraqitni udhëzimet dhe referencat vijuese të shkrimit të shenjtë dhe t’i ftoni nxënësit ta plotësojnë këtë veprimtari individualisht ose me një partner. Ndërsa studiojnë, ftojini nxënësit të vijnë në tabelë sa herë që përcaktojnë një të vërtetë, dhe ta shkruajnë atë në tabelë afër bananes.
Zgjidh një nga rrëfimet në shkrimet e shenjta më poshtë për ta studiuar, ose një tregim tjetër që dëshiron.
-
Ndërsa lexon, shenjo të gjitha të vërtetat që janë tashmë të shprehura qartë në shkrimin e shenjtë.
-
Kur të mbarosh leximin, shëno me fjalët e tua të paktën një të vërtetë të nënkuptuar që e mësove nga rrëfimi.
-
Përsiat arsyen përse të vërtetat që gjete janë të rëndësishme për ty dhe mënyrën se si mendon se Ati Qiellor do të donte t’i përdorje ato.
1 Samuelit 17:44–49 (Davidi përballë gjigantit, Goliathit)
2 Mbretërve 6:14–18 (një ushtri siriane rrethon qytetin për të kapur Eliseun)
Gjyqtarët 6:11–16 (thirrja e Gideonit për ta shpëtuar popullin e tij nga një ushtri pushtuese)
Kur nxënësit të mbarojnë, ftojini ata të vënë në dukje të vërtetat që janë kuptimplota për ta, që nxënësit e tjerë i shkruan në tabelë. Nxënësit mund të tregojnë arsyen përse ajo e vërtetë është e rëndësishme për ta dhe se si mund ta zbatojnë atë të vërtetë në jetën e tyre. Mund të pyesni edhe nëse ndonjëri ka pasur një përvojë që e ndihmoi të kuptonte se diçka në tabelë është e vërtetë.
Përfundimi
Merreni parasysh t’u kujtoni nxënësve synimin e studimit vetjak të shkrimeve të shenjta që kanë vendosur për këtë semestër. Nëse ata nuk kanë vendosur ende një synim, inkurajojini ta bëjnë këtë.
Ftojini nxënësit ta mbajnë synimin e tyre në mendje ndërsa u përgjigjen pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit. Ftojini ata të jenë të hapur ndaj përshtatjes së synimit të tyre nëse ndiejnë mbresën për ta bërë këtë.
-
Cilat zotësi të bënë përshtypje që mund të të ndihmojnë gjatë studimit tënd vetjak ose familjar të shkrimeve të shenjta?
-
Si të ka ndihmuar gjetja dhe përsiatja e të vërtetave të ungjillit në studimin tënd të shkrimeve të shenjta që të afrohesh më pranë Shpëtimtarit?
Merreni parasysh të ftoni një ose më shumë nxënës çdo ditë gjatë disa mësimeve të ardhshme që të tregojnë një të vërtetë që e gjetën në studimin e tyre vetjak ose familjar të shkrimeve të shenjta. Kërkoni mundësi të tjera në mësime të ardhshme që nxënësit të vazhdojnë ta ushtrojnë këtë zotësi të rëndësishme.