“Daniel 6: Gjetja e të Vërtetave të Ungjillit në Shkrimet e Shenjta”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Daniel 6: Gjetja e të Vërtetave të Ungjillit në Shkrimet e Shenjta”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Daniel 1–7: Mësimi 145
Daniel 6
Gjetja e të Vërtetave të Ungjillit në Shkrimet e Shenjta
Cila histori nga Dhiata e Vjetër të ka mësuar një parim kuptimplotë të ungjillit? Jezu Krishti Vetë e përdori Dhiatën e Vjetër për t’i ndihmuar dishepujt e Tij të kuptonin mësimet e Tij (për shembull, shih te Lluka 4:24–27). Një histori e fuqishme që ilustron shumë të vërteta të ungjillit është rrëfimi i besimit dhe i mirëbesimit të Danielit te Zoti, edhe kur u përball me gropën e luanëve. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i përcaktojnë dhe t’i shpërndajnë të vërtetat e ungjillit nga kapitulli te Daniel 6.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të reflektojnë mbi historitë nga shkrimet e shenjta që i kanë mësuar nga Dhiata e Vjetër në studimin e tyre këtë vit. Ata mund të përzgjedhin një histori që ka qenë kuptimplotë për ta dhe të përgatiten për të treguar një të vërtetë të ungjillit që historia i ndihmoi ta kuptojnë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Morali i historisë
Për t’i ndihmuar nxënësit të ushtrojnë përcaktimin e moralit të një historie, përzgjidhni një përrallë të zonës ose tregim popullor. Për shembull, mund të përdorni një tregim si “Rosaku i Shëmtuar”. Si një alternativë, mund të shfaqni materialin filmik “Things That Matter Most” [“Gjërat që Kanë më Shumë Rëndësi”] nga kodi kohor 0:00 deri në 0:22, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Pastaj bëni pyetjet vijuese:
-
Çfarë mesazhi mund të japë mësim ky tregim?
-
Si mund ta ilustrojë ai mesazh një të vërtetë rreth Jezu Krishtit ose ungjillit të Tij?
Ashtu siç mund të gjejmë të vërteta në përrallat dhe tregimet e zakonshme, ne mund të mësojmë të gjejmë të vërteta të rëndësishme të ungjillit në rrëfimet e frymëzuara të shkrimit të shenjtë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i kanë ruajtur për ne.
Për të na ndihmuar të kuptojmë mënyrën se si historitë e shkrimit të shenjtë japin mësim të vërteta të ungjillit, Plaku Xhej E. Xhensen, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim:
“Ndërsa lexoni dhe studioni historitë [e shkrimit të shenjtë], ju do të shihni një fjalë, një frazë, ose një parim që duket aq i zbatueshëm sot, sa ç’ishte në të kaluarën. Ndërsa e vazhdoni studimin tuaj me lutje, do të bëhen të dukshme parime të tjera. Ndërsa i bashkoni parimet, ju do të filloni të mbyllni hendekun ndërmjet profetëve dhe njerëzve që jetuan në të kaluarën – ata-atje-atëherë – dhe neve në kohën tonë – unë-këtu-tani.” (“Scripture Stories as Patterns for Our Lives”, Ensign, korrik 2009, f. 21)
-
Çfarë të bën përshtypje nga mesazhi i Plakut Xhensen?
-
Cili tregim i Dhiatës së Vjetër të ndihmoi ta kuptosh Jezu Krishtin ose ungjillin e Tij më mirë?
Vetëvlerësimi vijues mund t’i ndihmojë nxënësit të përzgjedhin pjesën e zotësisë së përcaktimit të të vërtetave në historitë e shkrimit të shenjtë që mund ta ushtrojnë sot.
Në një renditje nga 1 deri në 5, vlerëso sigurinë tënde në përdorimin e zotësive vijuese të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Unë mund të përcaktoj të vërteta të ungjillit në një histori të shkrimit të shenjtë.
-
Unë mund të shoh me lehtësi mënyrën se si një histori e shkrimit të shenjtë jep mësim rreth Jezu Krishtit.
-
Unë mund t’i zbatoj historitë e shkrimit të shenjtë në jetën time.
-
Unë mund t’ua shpërndaj me efektshmëri të tjerëve atë që mësoj nga historitë e shkrimit të shenjtë.
Sot ti do të studiosh një tregim në librin e Danielit dhe do të shpjegosh atë që mund të mësosh prej tij. Ti mund t’i përqendrosh përpjekjet e tua te zotësia ku ndihesh më pak i/e sigurt. Ftoje Frymën e Shenjtë të të ndihmojë ta rritësh aftësinë për të përcaktuar të vërteta në historitë e shkrimit të shenjtë dhe për t’ua mësuar të tjerëve atë që mëson rreth Jezu Krishtit, jetës së Tij dhe ungjillit të Tij.
Danielin e hedhin në gropën e luanëve
Shumë vjet pasi Danieli dhe shokët e tij u çuan robër në Babiloni, kombi u pushtua nga medët dhe persianët. Dari, një medas, u bë mbret i Babilonisë (shih te Daniel 5:30–31).
Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit të ushtrojnë përcaktimin e të vërtetave të ungjillit në historitë e shkrimit të shenjtë duke studiuar rrëfimin e Danielit që hidhet në gropën e luanëve (shih te Daniel 6). Mund të jetë e dobishme për nxënësit që të kenë një vështrim të përgjithshëm të shkurtër të tregimit para se të kërkojnë të vërtetat e ungjillit në të. Sa vijon janë disa mënyra se si mund ta përmblidhni tregimin:
-
Ju mund t’i vini nxënësit ta tregojnë tregimin, duke i organizuar ata në grupe për të lexuar një pjesë. Secili grup mund ta përmbledhë më pas pjesën e vet të tregimit për klasën. Një mënyrë për ta ndarë leximin do të ishte:
Daniel 6:1–5
Daniel 6:6–11
Daniel 6:12–17
Daniel 6:18–23
Daniel 6:24–28
-
Ju mund ta përmblidhni të tërë tregimin për klasën. Nëse janë në dispozicion, mund të përdorni figurat që gjenden në artikullin “Daniel and the Lions” [“Danieli dhe Luanët”] (Friend, nëntor 2018, FJ4–FJ6) ose materialin filmik “Daniel and the Lions’ Den” [“Danieli dhe Gropa e Luanëve”] (1:46), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, për t’ju ndihmuar ta përmblidhni tregimin.
Për t’i ndihmuar nxënësit të ushtrojnë përcaktimin e parimeve të ungjillit nga historitë e shkrimit të shenjtë, përdorni fletushkën “Historitë nga Shkrimet e Shenjta Japin Mësim të Vërtetat e Ungjillit”. Për shkak se nxënësit do t’ia paraqesin klasës atë që mësojnë, më e mira do të ishte t’i vini ata të punojnë me një partner ose në grupe të vogla. Merreni parasysh të vendosni bashkë nxënës që mund të ndihen në ankth lidhur me paraqitjen, me nxënës që janë më të lirshëm.
Ndërsa nxënësit e përdorin fletushkën për të përgatitur mësimet e tyre, ju mund të lëvizni nëpër klasë për të parë çfarë të vërtetash të ungjillit po gjejnë. Nëse ata kanë vështirësi, merreni parasysh se si mund t’i ndihmoni të mësojnë t’i përcaktojnë të vërtetat në tregim. Shembuj të të vërtetave që ata mund të përcaktojnë janë:
-
Si dishepuj të Krishtit, ne do të përballemi me kundërshti për shkak të bindjeve tona (Daniel 6:1–5).
-
Zoti do t’i bekojë përpjekjet tona kur i bëjmë ballë presionit të kësaj bote. (Daniel 6:6–16).
-
Ndërsa bëjmë atë që është e drejtë dhe i mirëbesojmë Zotit, shembulli ynë i drejtë mund të ndikojë tek të tjerët (Daniel 6:16–28).
Tregoje atë që ke mësuar
Pasi nxënësit ta kenë plotësuar fletushkën, ftojini ata t’ia japin mësimin që përgatitën një grupi tjetër ose klasës. Nëse nxënësit nuk tregojnë pjesë të tregimit që u kujtojnë Jezu Krishtin, ju mund të vini në dukje disa krahasime të tilla si vijueset:
-
Danieli dhe Jezusi të dy e bënë vullnetin e Atit Qiellor, edhe kur u përballën me vdekjen (shihni te Daniel 6:7, 10; Gjoni 6:38).
-
Danieli dhe Jezusi dolën të dy të gjallë në mënyrë të mrekullueshme nga një gropë që ishte e mbuluar me një gur (shihni te Daniel 6:17, 23; Marku 15:46; 16:4–6).
Ju mund t’i inkurajoni nxënësit t’i çojnë mësimet që përgatitën në shtëpi dhe t’ia tregojnë ato një pjesëtari të familjes ose një shoku.
Për ta përmbyllur orën mësimore, merreni parasysh të tregoni mënyrën se si jeni bekuar nga mesazhet e Jezu Krishtit ose ungjillit të Tij nga historitë e shkrimit të shenjtë. Ftojini nxënësit të vazhdojnë të kërkojnë mbresa nga Fryma e Shenjtë për t’i ndihmuar ata të shohin të vërteta të ungjillit në studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta.