“Daniel 1: ‘Danieli … Nuk do ta Ndoste Veten’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Daniel 1: ‘Danieli … Nuk do ta Ndoste Veten’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Daniel 1–7: Mësimi 142
Daniel 1
“Danieli … Nuk do ta Ndoste Veten”
Kur përballemi me situata që vënë në provë vendosmërinë tonë për t’iu bindur urdhërimeve të Zotit, a dorëzohemi apo qëndrojmë të patundur? Si shërbëtorë në oborrin e mbretit Nebukadnetsar, Danieli dhe shokët e tij u udhëzuan të shkelnin ligjet shëndetësore që zbuloi Zoti, por ata qëndruan të patundur. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta forcojnë zotimin e tyre për t’iu bindur Fjalës së Urtësisë të Zotit.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të studiojnë vështrimin e përgjithshëm për termin “Fjala e Urtësisë” te Topics and Questions [Tema dhe Pyetje] te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Inkurajojini të diskutojnë mënyrën se si ata ose të tjerët janë bekuar duke e zbatuar Fjalën e Urtësisë së Zotit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Çfarë do të bëje?
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke përshkruar një të ri që dëshiron të pranojë sfida për të provuar gjëra të reja, si shembulli vijues. Ju mund të ndryshoni emrin dhe veprimtaritë për t’i bërë ato më të lidhura me nxënësit tuaj.
Mario është një anëtar aktiv i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai njihet që provon gjëra të reja, kështu miqtë e tij shpesh i japin atij sfida si vijueset:
-
Një herë një shok e sfidoi të vraponte në një maratonë. Mario e pranoi sfidën.
-
Një herë një shok e sfidoi të zhytej në një liqen me ujë të ftohtë akull. Mario e pranoi sfidën.
-
Një herë një shok e sfidoi të njihej me një vajzë të re në shkollë. Mario e pranoi sfidën.
Pasi ta lexoni sfidën e radhës, ndaloni dhe bëni pyetjen më poshtë.
-
Një ditë shokët e sfiduan Marion të pinte alkool në një festë.
-
Si mendon se mund të përgjigjet Mario? Përse?
Mund t’i pyesni nxënësit a është i zakonshëm në zonën tuaj presioni për ta shkelur Fjalën e Urtësisë. Ata gjithashtu mund të përshkruajnë situata ku mund të ndiejnë presionin për ta shkelur atë. Merreni parasysh t’i inkurajoni nxënësit që mund ta kenë shkelur këtë urdhërim të kujtojnë se Zoti do t’i ndihmojë ndërsa drejtohen tek Ai dhe pendohen. Sigurojini nxënësit se Zoti i do dhe i fton të vazhdojnë të përpiqen.
Për të vlerësuar zotimin e tyre për t’iu bindur Fjalës së Urtësisë, nxënësit mund të përgjigjen për sa vijon në ditarët e tyre të studimit.
-
Si mendon se do të përgjigjeshe në një situatë të ngjashme? Përse?
-
Si mendon se do të përgjigjeshe po të të ofronin diçka më të zakonshme si kafe ose çaj?
Ndërsa studion kapitullin te Daniel 1 sot, mbaj vesh për mendimet dhe ndjenjat që mund të të japë Ati Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Kërko mënyra se si ta forcosh zotimin tënd për t’iu bindur Fjalës së Urtësisë të Zotit.
Danieli iu bind Zotit
Rreth vitit 606 pr.K, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, sulmoi Jerusalemin dhe mori disa izraelitë robër në Babiloni. Mbreti urdhëroi që disa nga të rinjtë izraelitë të trajnoheshin për të shërbyer në vatrën e tij familjare. Ndër këta ishin katër të rinjtë e quajtur Daniel, Hananiah, Mishael dhe Azaria. Në Babiloni, emrat e tyre u ndryshuan në Beltshatsar, Shadrak, Meshak dhe Abed-nego (shih te Daniel 1:1–7).
Ndërsa nxënësit i lexojnë vargjet vijuese, merreni parasysh të ndaloni pas vargut 10 për të bërë pyetjet më poshtë. Përndryshe, mund t’i ftoni nxënësit të ndjekin në shkrimet e tyre të shenjta ndërsa shfaqni materialin filmik “God Gave Them Knowledge” [“Perëndia u Dha Atyre Njohuri”] (në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org) nga kodi kohor 0:52 deri në 5:15, duke ndaluar te kodi 4:18 për t’i diskutuar pyetjet.
Lexo te Daniel 1:5, 8–14, duke kërkuar atë që mbreti e udhëzoi Danielin dhe shokët e tij të bënin.
-
Përse mund të ketë qenë kjo kërkesë sfiduese për Danielin dhe miqtë e Tij?
-
Pse mendon se do t’ia vlente të rrezikoje ta zemëroje mbretin duke mos ngrënë ose mos pirë gjëra të caktuara?
Ju mund t’u kujtoni nxënësve që në kohën e Danielit, izraelitët e zbatonin ligjin e Moisiut, që përfshinte kufizime të caktuara në lidhje me ushqimin (shihni te Ligji i Përtërirë 14). Ju mund të shpjegoni gjithashtu se ky kapitull u referohet “ushqimeve të bëra nga farat, drithërat, etj.”.
Bekimet e bindjes ndaj Zotit
Për t’i ndihmuar nxënësit të zbulojnë se si Zoti i bekoi Danielin dhe shokët e tij, ju mund t’i organizoni nxënësit në dyshe. Ndërsa i lexojnë vargjet vijuese, ftojeni një partner të kërkojë mënyrën se si Zoti i bekoi Danielin dhe shokët e tij fizikisht dhe ftojeni partnerin tjetër të kërkojë mënyrën se si Zoti i bekoi ata shpirtërisht. Më pas, ftojini dyshet ta tregojnë atë që gjetën. Vërini ata t’i shenjojnë bekimet fizike dhe shpirtërore në dy mënyra të dallueshme (si p.sh. t’i theksojnë me ngjyra të ndryshme ose të nënvizojnë njërin dhe të theksojnë tjetrin).
Lexo te Daniel 1:15–20, duke kërkuar se si i bekoi Zoti Danielin dhe shokët e tij për bindjen e tyre.
Kur nxënësit i përcaktojnë cilësitë dhe karakteristikat e Jezu Krishtit, atyre mund t’u shtohet dëshira për t’i mirëbesuar dhe për t’iu bindur Atij. Një mënyrë për t’i ndihmuar nxënësit ta bëjnë këtë është duke krijuar pyetje kërkimore, si vijueset që nxënësit t’i përsiatin.
(Për trajnim shtesë mbi krijimin e pyetjeve kërkimore për t’i ndihmuar nxënësit të përcaktojnë cilësitë dhe karakteristikat e Jezu Krishtit, shihni “Krijoni pyetje kërkimore për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë rolet, titujt, simbolet, cilësitë dhe karakteristikat e Jezu Krishtit” te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve.)
Lexoji vargjet 15–20 edhe një herë, por kësaj here përsiate atë që mëson rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.
-
Çfarë të mësojnë këto vargje për Perëndinë?
-
Si mund ta forcojë kjo kuptueshmëri dëshirën tënde për t’i mirëbesuar dhe për t’iu bindur Atij?
Ju mund të shpjegoni se, ashtu si në kohën e Danielit, Zoti ka zbuluar një ligj shëndetësor për fëmijët e Tij sot. Ai njihet si Fjala e Urtësisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 89).
Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit të studiojnë Fjalën e Urtësisë. Merreni parasysh të siguroni letër dhe mjete për punë artistike, si edhe kopje të broshurës Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve për nxënësit pa qasje në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Mund ta kufizoni kohën e shpenzuar në këtë veprimtari për të lejuar kohë për përvojën në fund të mësimit.
Imagjino sikur të kanë kërkuar të krijosh një afishe që përshkruan diçka unike rreth fesë sate. Ti vendos të krijosh afishen tënde rreth Fjalës së Urtësisë. Përdor disa ose të gjitha burimet vijuese për të përcaktuar çfarë të përfshish:
-
Daniel 1:15–20
-
“Fjalë e Urtësisë” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta ose Tema dhe Pyetje (Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]) ose në pjesën “Po për … ?” të broshurës Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (2022)
-
“The Word of Wisdom: What It Is, What It Isn’t”, New Era, gusht 2019, f. 26–28
Sigurohu që të përfshish një pohim të vërtete rreth Fjalës së Urtësisë në afishen tënde. Kjo e vërtetë mund të jetë nga përvoja e Danielit ose nga burime të tjera.
Ftojini nxënësit t’ia tregojnë afishet dhe pohimet e tyre të së vërtetës klasës. Ndër të vërtetat që ata mund të japin, theksoni vijuesen: Ndërsa e zbatojmë urdhërimin e Zotit për t’iu bindur Fjalës së Urtësisë, Ai do të na bekojë fizikisht dhe shpirtërisht.
(Shënim: Në mësimin 160: “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 10”, nxënësit mund të shikojnë sërish afishet që krijuan. Mund t’ju ndihmojë mbledhja e afisheve ose ekspozimi i tyre derisa ta jepni atë mësim në mënyrë që nxënësit të kenë qasje në to.)
Njerëzit që nuk e kuptojnë ende qëllimin e Fjalës së Urtësisë mund ta konsiderojnë atë si kufizime të panevojshme që imponohen nga Kisha. Ndalu një minutë për të përsiatur bekimet që vijnë nga zbatimi i Fjalës së Urtësisë dhe rezultatet e shkeljes së saj për individët, familjet dhe shoqërinë.
-
Si mendon se e tregon Fjala e Urtësisë dashurinë e Perëndisë për fëmijët e Tij?
Zotohu tani që t’i bindesh Zotit
Për t’i ndihmuar nxënësit ta forcojnë zotimin e tyre për t’iu bindur Fjalës së Urtësisë së Zotit, mund t’i ftoni ata t’i plotësojnë fjalitë vijuese në ditarët e studimit. Ndërsa përgatiten për të shkruar, kërkojuni të marrin parasysh mënyrat se si zotimi i tyre për t’iu bindur Fjalës së Urtësisë mund ta forcojë marrëdhënien e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
Unë dëshiroj t’i bindem Fjalës së Urtësisë sepse …
Një gjë që mund të bëj që do të më ndihmojë t’i bindem Fjalës së Urtësisë është …
Mund ta përmbyllni duke dhënë dëshminë tuaj për Jezu Krishtin dhe bekimet që keni parë nga bindja ndaj Fjalës së Tij të Urtësisë.