“Daniel 3: ‘Perëndia Ynë … Është në Gjendje të na Çlirojë. … Por Edhe Sikur të Mos e Bënte’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Daniel 3: ‘Perëndia Ynë … Është në Gjendje të na Çlirojë. … Por Edhe Sikur të Mos e Bënte’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Daniel 1–7: Mësimi 144
Daniel 3
“Perëndia Ynë … Është në Gjendje të na Çlirojë. … Por Edhe Sikur të Mos e Bënte”
Ndonjëherë Zoti mund të na çlirojë në mënyrë të mrekullueshme nga sprovat tona. Në raste të tjera, Ai mund të mos na çlirojë në mënyrën ose në kohën që shpresojmë. Sidoqoftë, ne mund të përpiqemi të jemi si Shadraku, Meshaku dhe Abed-negoja dhe të mirëbesojmë te Zoti, pavarësisht se si dhe kur Ai zgjedh të na bekojë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë një dëshirë për të mirëbesuar te Jezu Krishti pavarësisht nga rezultati.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për dishepujt besnikë të Krishtit që u çliruan mrekullisht nga sprovat e tyre. Më pas, vërini ata të mendojnë për dishepuj të tjerë besnikë që nuk u çliruan. Ata mund të përsiatin atë që u mësojnë këto rrëfime rreth mirëbesimit te Zoti.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Ushtrimi i besimit te Jezu Krishti
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke treguar historinë vijuese rreth djalit të Plakut Bouen, Tajsonit.
Shënim: Varianti në materialin filmik i thënies përfshin informacion shtesë që nuk përfshihet në thënien e shkruar.
Plaku Shein M. Bouen, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi përvojën vetjake vijuese:
“Kur qe tetë muajsh, [djali im] Tajsoni kapërdiu një copë shkumës që e kishte gjetur mbi tapet. Shkumësi ngeci në fytin e Tajsonit dhe ai ndaloi së marri frymë. Vëllai i tij më i madh e solli Tajsonin sipër, duke thirrur me furi: ‘Bebja nuk merr frymë. Bebja nuk merr frymë’. Ne filluam t’i aplikonim ringjalljen zemër-mushkëri dhe telefonuam 911 [urgjencën].
Personeli i ndihmës së parë erdhi dhe e çuan Tajsonin me ngut në spital. Në dhomën e pritjes ne vijuam me lutje të zjarrta teksa i përgjëroheshim Perëndisë për një mrekulli.” (“Sepse Unë Jetoj, Edhe Ju do të Jetoni”, Liahona, nëntor 2012, f. 16)
-
Si mund të ndikojnë rezultate të mundshme të ndryshme të kësaj situate në besimin e familjes te Perëndia?
Plaku Bouen vazhdoi:
“Pas një periudhe që u duk e gjatë sa një jetë, doktoresha hyri në dhomë dhe tha: ‘Më vjen shumë keq. Nuk ka asgjë më shumë që mund të bëjmë. Mund të qëndroni këtu aq kohë sa t’ju duket e nevojshme.’ Pastaj ajo u largua.
Kur hymë në dhomën ku gjendej i shtrirë Tajsoni, ne pamë topthin tonë të vogël të gëzimit të pajetë. …
Në atë çast dukej sikur kuptimi i jetës sonë kishte marrë fund.” (“Sepse Unë Jetoj, Edhe Ju do të Jetoni”, Liahona, nëntor 2012, f. 16)
Ashtu si familja Bouen, ti mund të kesh përvoja ku Perëndia nuk të bekon ashtu siç kishe shpresuar. Përsiat përvojat që ke pasur ti ose familja jote ku ndjeve se Zoti ose të bekoi, ose nuk të bekoi me rezultatin që doje.
Paraqitja e pyetjeve vijuese mund të ndihmojë.
Bëji vetes pyetjet vijuese:
-
Si kanë ndikuar përvojat e tua në besimin tënd tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?
-
A mendon se mund t’u mirëbesosh Atyre, pavarësisht bekimeve që merr ose nuk merr? Përse po ose përse jo?
Ndërsa studion kapitullin te Daniel 3 sot, kushtoji vëmendje çdo mbrese nga Fryma e Shenjtë që mund të ndihmojë të forcohet besimi yt tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti pavarësisht rezultatit.
Një vendim i vështirë
Merreni parasysh t’i shkruani në tabelë emrat: Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego. Paraqitni figurën e një idhulli prej ari dhe ftojini nxënësit të tregojnë atë që dinë rreth këtij rrëfimi. Nëse dëshironi, mund ta përmblidhni kontekstin më poshtë me fjalët tuaja.
Mbreti i Babilonisë, Nebukadnetsari, bëri një figurë të madhe, ose statujë, prej ari. Ajo ishte rreth (27,4 metra) e lartë dhe (2,74 metra) e gjerë (shih te Daniel 3:1). Mbreti i urdhëroi të gjithë që të binin përmbys dhe të adhuronin figurën kur luhej një muzikë e caktuar (shih te Daniel 3:4–5). Njerëzit që nuk e adhuronin figurën e artë do të hidheshin në “një furrë zjarri përvëlues” (Daniel 3:6).
Duke marrë parasysh pasojat për mosadhurimin e kësaj figure, përsiat atë që mendon se do të kishe bërë po të ishe atje.
Shadraku, Meshaku dhe Abed-negoja zgjodhën ta nderonin Perëndinë duke mos e adhuruar figurën (shih te Daniel 3:12).
Për t’i ndihmuar nxënësit t’i studiojnë vargjet vijuese, mund të ftoni pesë nxënës të gatshëm të lexojnë rolet e Nebukadnetsarit, Shadrakut, Meshakut, Abed-negos dhe një tregimtar. Nxënësit që lexojnë për Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon mund të lexojnë secili nga një varg te Daniel 3:16–18.
Lexo te Daniel 3:13–18, duke kërkuar atë që mëson nga këta burra rreth besimit te Jezu Krishti.
-
Çfarë mësimesh merr rreth besimit te Jezu Krishti?
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se ne mund ta tregojmë besimin tonë te Jezu Krishti duke mirëbesuar tek Ai pavarësisht rezultatit.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta shenjojnë frazën “është në gjendje të na çlirojë” (vargu 17). Vini në dukje se njohja e Perëndisë mund të na bekojë me atë që shpresojmë të tregojë besimin tek Ai.
Më pas, ftojini nxënësit ta shenjojnë frazën “por edhe sikur të mos e bënte” (vargu 18). Pyetini nxënësit se çfarë mësojnë rreth besimit te Perëndia nga gatishmëria e këtyre burrave për të pranuar se Perëndia mund të mos zgjidhte t’i bekonte ata me atë që shpresonin.
-
Cili është ndryshimi ndërmjet pasjes së besimit te Jezu Krishti kundrejt besimit te një rezultat?
-
Cilat janë situatat e sotme ku dikush do ta kishte të nevojshme të tregonte besimin te Jezu Krishti dhe jo besimin te një rezultat?
Rezultati i besimit tonë
Merreni parasysh të paraqitni figurën e furrës së zjarrit nga fillimi i mësimit. Nxënësit mund t’i studiojnë vargjet vijuese dhe t’i diskutojnë pyetjet më poshtë në dyshe ose në grupe të vogla.
Lexo te Daniel 3:19–28, duke shenjuar fjalët ose frazat që të bëjnë përshtypje nga ajo që përjetuan Shadraku, Meshaku dhe Abed-negoja.
Për t’i ndihmuar nxënësit t’i përfytyrojnë këto vargje, mund të shfaqni materialin filmik “Shadrach, Meshach, and Abed-nego” [“Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego”] (1:39), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
-
Çfarë të bëri përshtypje nga kjo histori?
-
Çfarë mëson rreth Perëndisë nga ky rrëfim?
Mund të ndihmojë të shpjegoni se edhe pse Perëndia i çliroi Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon, Ai mund të mos na çlirojë gjithmonë nga rezultatet negative. Për ta demonstruar këtë, nxënësit mund të plotësojnë veprimtarinë vijuese.
Mendo për rrëfimet e shkrimit të shenjtë ku njerëzit ushtruan besim te Jezu Krishti dhe prapë përjetuan rezultate negative.
Merreni parasysh të shkruani Por edhe sikur të mos e bënte … në tabelë. Më pas, nxënësit mund të renditin poshtë kësaj fraze njerëzit që u erdhën në mendje. Nëse e lejon koha, ata mund të kërkojnë rrëfimet për këta njerëz në shkrimet e shenjta, duke kërkuar prova që këta njerëz mirëbesuan te Perëndia. Në vijim janë shembuj tek të cilët mund t’i drejtoni nxënësit sipas nevojës: Nefi (shihni te 1 Nefi 18:10–16), Abinadi (shihni te Mosia 17:9–20), Jozef dhe Hajrëm Smithi (shihni te Doktrina e Besëlidhje 135:1), ose individë të ndryshëm të drejtë (shihni te Hebrenjve 11:36–40).
-
Si të ndihmojnë këto rrëfime të mirëbesosh te Zoti pavarësisht rezultatit?
-
Çfarë di ti rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që të ndihmon të duash të mirëbesosh tek Ata pavarësisht rezultatit?
Varësia te Krishti
Merreni parasysh t’u kujtoni nxënësve përvojën e Plakut Bouen. Thënia vijuese mund t’i ndihmojë ata të shohin se si ai mirëbesoi te Zoti pavarësisht rezultatit që përjetoi.
Plaku Bouen vazhdoi duke treguar përvojën e tij:
“Teksa ndjeva të më gërryenin faji, zemërimi dhe keqardhja për veten, u luta që zemra ime të mund të ndryshonte. Përmes shumë përvojash të shenjta vetjake, Zoti më dha një zemër të re dhe megjithëse ende ndihesha i vetmuar dhe plot dhembje, tërë perspektiva ime ndryshoi. M’u dha njohuria që nuk më kishin vjedhur, por përkundrazi një bekim i madh më priste nëse do të tregoja besnikëri.
Jeta ime filloi të ndryshonte dhe qeshë në gjendje të shihja përpara me shpresë, sesa të shihja prapa me dëshpërim. …
Unë dëshmoj se për shkak të Tij, madje Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, ato ndjenja pikëllimi, vetmie e dëshpërimi një ditë do të përpihen në një plotësi gëzimi. Dëshmoj se mund të mbështetemi tek Ai.” (“Sepse Unë Jetoj, Edhe Ju do të Jetoni”, Liahona, nëntor 2012, f. 17)
-
Si mund të të ndihmojë përvoja e Plakut Bouen?
-
Kur ke treguar ti ose dikush që ti njeh besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti duke mirëbesuar tek Ata pavarësisht rezultatit?
Në ditarin tënd të studimit, shkruaj atë që të ndihmon të mirëbesosh tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti pavarësisht rezultatit. Ti mund të përfshish mënyrën se si mësimet që mësove nga kapitulli te Daniel 3 mund të të ndihmojnë në sprovat me të cilat përballesh ose me atë që shpreson të mbash mend në të ardhmen.
Ju mund t’i ftoni nxënësit e gatshëm të flasin. Merreni parasysh ta përmbyllni me dëshminë ose ndjenjat tuaja rreth mirëbesimit te Zoti.