“Ushtrimi 4 i Zotërimit Doktrinor: Zbatoji Parimet e Marrjes së Njohurisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Ushtrimi 4 i Zotërimit Doktrinor: Zbatoji Parimet e Marrjes së Njohurisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Jozueut 1–8; 23–24: Mësimi 64
Ushtrimi 4 i Zotërimit Doktrinor
Zbatoji Parimet e Marrjes së Njohurisë Shpirtërore
Zotërimi doktrinor mund t’i ndihmojë nxënësit të ndërtojnë themelin për jetën e tyre mbi Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Ky mësim do t’i ndihmojë nxënësit t’i zbatojnë të vërtetat që gjenden në fragmentet e zotërimit doktrinor, dhe t’i mësojnë e zbatojnë parimet hyjnore për marrjen e njohurisë shpirtërore.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të zgjedhin njërin nga fragmentet e zotërimit doktrinor që e kanë studiuar këtë vit. Inkurajojini ata të mendojnë për një situatë reale në të cilën një adoleshent mund të ketë dobi nga zbatimi i mësimeve në atë fragment. Një listë e fragmenteve mund të gjendet te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023).
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Përsëritja e zotërimit doktrinor: Zbato
Për të filluar diskutimin mbi rëndësinë e zbatimit të fragmenteve të zotërimit doktrinor, merreni parasysh të sillni ose të paraqitni figurat e objekteve që shumë adoleshentë mund t’i njohin, por nuk dinë se si t’i përdorin. Më poshtë janë shembuj të mundshëm. Pyetini nxënësit se çfarë është secili artikull dhe nëse dinë se si ta përdorin atë.
-
Pse është e rëndësishme të dish jo vetëm se çfarë është diçka, por edhe se si ta përdorësh atë?
-
Si mund të zbatohet ky parim në studimin tonë të fragmenteve të zotërimit doktrinor?
Sot ti do të ushtrosh përdorimin e fragmenteve të zotërimit doktrinor dhe parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore në situata nga jeta reale. Kërko frymëzim nga Fryma e Shenjtë për të të ndihmuar t’i mësosh këto fragmente dhe parime dhe t’i zbatosh ato në jetën tënde.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i renditin fragmentet e zotërimit doktrinor dhe frazat kyç të shkrimit të shenjtë që i kanë studiuar këtë vit. Nëse është e nevojshme, referojuni materialit Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023).
Organizojini nxënësit në grupe të vogla dhe sigurojini secilit grup një copë letër. Caktojuni ose ftojini grupet të përzgjedhin një fragment të zotërimit doktrinor. Kërkojuni atyre të krijojnë një skenar (ose situatë) ku dikush mund të ketë dobi nga zbatimi i doktrinës në atë fragment. Për shembull, nxënësit që zgjodhën Jozueut 24:15, mund të shkruajnë skenarin vijues: “Një vajzë tundohet në një festë të bëjë diçka që po e bëjnë gjithë të tjerët, por që ajo e di se Zoti nuk do ta miratonte”. Inkurajojini nxënësit të mos e shkruajnë referencën e shkrimit të shenjtë në letër, por të jenë të përgatitur për ta treguar referencën më vonë.
Mblidhini letrat. Mund t’ia lexoni skenarët klasës ose t’ua shpërndani ato grupeve të ndryshme.
Ftojini nxënësit të tregojnë një fragment të zotërimit doktrinor që mund ta ndihmojë personin në skenar. Ndihmojini ata të kuptojnë se me secilin skenar mund të ketë lidhje më shumë se një fragment. Nxënësit mund të diskutojnë gjithashtu se si zbatimi i doktrinës që jepet mësim në fragment, mund ta ndihmojë personin ta forcojë marrëdhënien e tij me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Nëse është e nevojshme, grupi që e shkroi skenarin, mund të japë më pas referencën e shkrimit të shenjtë që zgjodhi në fillim, dhe të shpjegojë se si shkrimi mund të ndihmojë në skenarin që zgjodhën.
Lini 20–30 minuta për veprimtarinë më poshtë “Mësoji dhe zbatoji parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore”.
Ide shtesë për t’i ndihmuar nxënësit t’i zbatojnë fragmentet e zotërimit doktrinor janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.
Mësoji dhe zbatoji parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore
Pjesa e mbetur e mësimit përqendrohet te ndihma ndaj nxënësve që t’i zbatojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në situata që kanë lidhje me to. Nëse dëshironi, së pari mund t’i rishikoni parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Veprimtaritë e sugjeruara për përsëritje përfshihen në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”. Përshkrimet e parimeve gjenden në paragrafët 5–12 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” të materialit Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023).
Përsiatni për nevojat e nxënësve tuaj dhe kërkoni ndihmën e Zotit për të përzgjedhur ose përshtatur një nga skenarët vijues ose për të krijuar një skenar tuajin.
Të dy skenarët janë të paplotë. Ndihmojini nxënësit të plotësojnë hapësirat bosh të skenarit të zgjedhur në një mënyrë të përshtatshme dhe kuptimplotë.
-
Një i ri i quajtur [emri i adoleshentit] ndien trysni nga [një person ose grup] për të shkelur urdhërimin e Zotit për [një urdhërim që një adoleshent mund të ndihet realisht i tunduar ta shkelë]. Atij i thuhet shpesh se nuk është ndonjë gjë e keqe ta shkelësh këtë urdhërim sepse [një arsye pse dikush mund të mendojë se është në rregull ta shkelësh këtë urdhërim]. [Emri i adoleshentit] ndihet i pështjelluar dhe nuk di se çfarë të bëjë.
-
Një e re e quajtur [emri i adoleshentes] pret me padurim kur të jetë aq e rritur sa të largohet nga shtëpia e prindërve dhe të jetojë vetëm. Në shtëpinë e prindërve, ajo duhet të zbatojë urdhërimin për [një urdhërim që një adoleshent realisht mund të mos dojë ta zbatojë]. Ajo dëshiron të jetë një person i mirë, por nuk e di nëse do të vazhdojë ta zbatojë atë urdhërim pasi të largohet nga shtëpia. Kjo ndodh sepse [një arsye përse dikush mund të mos dojë ta zbatojë këtë urdhërim].
Nxënësit do t’i zbatojnë tani parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore për ta ndihmuar personin në skenarin e zgjedhur. Nxënësit mund të punojnë në dyshe ose në grupe të vogla.
Paraqitini tre parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore:
-
Vepro me besim.
-
Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm.
-
Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore.
Ftojini nxënësit t’i diskutojnë pyetjet në vijim.
-
-
Cili parim i marrjes së njohurisë shpirtërore mendon se do të ishte më i dobishmi për personin në skenar? Përse?
-
Cili fragment i zotërimit doktrinor ose fragmente të tjera të shkrimit të shenjtë ndien se mund ta ndihmojnë personin në skenar? Përse?
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini nxënësit ta tregojnë atë që diskutuan.
Paraqitni figurën nga fillimi i mësimit. Organizojini nxënësit në dyshe për të plotësuar veprimtarinë vijuese.
Imagjino sikur personi në skenar zgjedh ta shpërfillë doktrinën e Shpëtimtarit. Përcakto atë që mund t’i ndodhë atij. Më pas përcakto atë që mund të ndodhë nëse ai zgjedh të veprojë sipas asaj doktrine dhe parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore.
Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të mjaftueshme për ta diskutuar skenarin, ftojini ata t’ia tregojnë mendimet e tyre klasës. Ndërsa nxënësit tregojnë, merreni parasysh të bëni pyetje për ndjekjen e ecurisë si vijueset për të ndihmuar të udhërrëfehet një diskutim kuptimplotë si klasë:
-
Çfarë tjetër do t’i shtonit asaj që tregoi shoku juaj i klasës?
-
Në ç’mënyrë tjetër mund ta ndihmonin parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore personin në këtë skenar që të zgjedhë të ndjekë Jezu Krishtin?
-
Çfarë dini rreth Atit Qiellor ose Jezu Krishtit që mund të jetë e rëndësishme për personin në skenar që ta mbajë mend?
Ftojini nxënësit të përsiatin se si fragmentet e zotërimit doktrinor ose parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore i kanë ndihmuar për vendimet e tyre vetjake. Mund t’i ftoni nxënësit t’i shkruajnë ose japin mendimet e tyre.