“Jozueut 2–4: Ushtrimi i Besimit te Jezu Krishti”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Jozueut 2–4: Ushtrimi i Besimit te Jezu Krishti”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Jozueut 1–8; 23–24: Mësimi 62
Jozueut 2–4
Ushtrimi i Besimit te Jezu Krishti
Pas udhëtimit të izraelitëve nëpër shkretëtirë, Zoti e urdhëroi Jozueun t’i udhëhiqte ata për në tokën e premtuar. Hyrja në tokën e premtuar kërkonte që ata të ushtronin besimin te Jezu Krishti. Fëmijët e Izraelit dhe një grua e quajtur Rahab treguan besimin e tyre te Jezu Krishti. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se si mund ta ushtrojnë besimin te Jezu Krishti.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të gjejnë një shkrim të shenjtë që i ndihmon të kuptojnë se çfarë do të thotë të kesh besim te Jezu Krishti. Kërkojuni të vijnë të përgatitur për të folur në orën mësimore. Nëse është e nevojshme, ata mund ta kërkojnë fjalën “Besim” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Besimi te Jezu Krishti
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke e ftuar një nxënës të mendojë për një fjalë që përfaqëson hobet ose interesat e tij – për shembull, basketboll ose të kënduarit. Kërkojuni nxënësve t’i përshkruajnë fjalët e tyre pa e përdorur vetë fjalën. Anëtarët e klasës mund ta gjejnë fjalën.
Më pas, shkruani fjalën besim në tabelë dhe ftojini nxënësit të përshkruajnë besimin te Jezu Krishti. Ata mund ta tregojnë atë që gjetën, si pjesë e përgatitjes së tyre për orën mësimore. Nëse dëshironi, mund të vini në dukje se Ati Qiellor dëshiron që ne të ushtrojmë besim te Jezu Krishti në mënyrë që Ai të mund të na shpëtojë dhe bekojë (shihni te 2 Nefi 26:13; Ethëri 12:12, 18; Moroni 7:33).
Kujtojuni nxënësve se një nga rolet e Frymës së Shenjtë është të na udhërrëfejë drejt së vërtetës (shihni te Gjoni 16:13). Inkurajojini nxënësit ta ftojnë Frymën e Shenjtë t’i ndihmojë ata ta kuptojnë më mirë besimin te Jezu Krishti.
Si mund të të ndihmojë rritja e besimit tënd te Jezu Krishti në rrethanat e tua të tanishme?
Lexoje atë që dha mësim Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, rreth besimit te Jezu Krishti, ose shih materialin filmik “Seek Learning by Faith” [“Kërkoni të Mësoni me Anë të Besimit”] nga kodi kohor 3:15 deri në 4:33. Ky material filmik gjendet në ChurchofJesusChrist.org.
33:36
“Apostulli Pal e përkufizoi besimin si ‘siguria e gjërave që shpresohen [dhe] tregim i gjërave që nuk shihen’ (Hebrenjve 11:1). Alma shpalli se besimi nuk është që të kesh një njohuri të përsosur; përkundrazi, në qoftë se kemi besim, ne ‘shpreso[jmë] për gjëra që nuk shihen, [por] të cilat janë të vërteta’ (Alma 32:21). Për më tepër, te Lectures on Faith [Ligjërata mbi Besimin] ne mësojmë se besimi është … ‘parimi i veprimit tek të gjitha qeniet inteligjente’.
Këto mësime theksojnë tre elemente bazë të besimit: 1) besimi si siguria e gjërave që shpresohen, të cilat janë të vërteta, 2) besimi si prova e gjërave që nuk shihen dhe 3) besimi si parimi i veprimit tek të gjitha qeniet inteligjente. I përshkruaj këta tre përbërës të besimit te Shpëtimtari si [elemente] që njëherësh janë të kthyer drejt së ardhmes, vështrojnë nga e shkuara dhe fillojnë veprimin në të tashmen.” (“Seek Learning by Faith”, Ensign, shtator 2007, f. 61–62)
Figura “Ushtrimi i besimit te Jezu Krishti” mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë përkufizimin e Plakut Bednar për besimin te Jezu Krishti. Vizatojeni figurën në tabelë ose paraqiteni që nxënësit t’i referohen gjatë gjithë mësimit.
Çfarë ka bërë Perëndia në të shkuarën që mund të të ndihmojë të kesh besim tek Ai?
Si mund të të ndihmojë të pasurit e shpresës te bekimet e premtuara të Perëndisë që të ushtrosh besim tek Ai?
Si do t’i përmblidhje mësimet e Plakut Bednar rreth besimit te Jezu Krishti?
Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë një të vërtetë si: Ne e ushtrojmë besimin te Jezu Krishti ndërsa jemi të kthyer drejt së ardhmes, vështrojmë nga e shkuara dhe veprojmë në të tashmen.
Shembuj besimi
Tregimet te Jozueut 2–4 ilustrojnë një ose më shumë prej këtyre elementeve të ushtrimit të besimit te Jezu Krishti.
Ndihmojini nxënësit t’i studiojnë këto tregime. Një mënyrë është të krijoni një stacion mësimi për secilin kapitull. Mund ta vendosni një pjesë të fletushkës “Shembuj të Besimit te Jezu Krishti nga Jozueut 2–4” në tre zona të ndryshme të klasës. Nxënësit mund të lëvizin me radhë te secili stacion dhe të ndjekin udhëzimet në fletushkë. Për klasa më të mëdha, nëse dëshironi, mund të krijoni stacione të shumta mësimi për secilën pjesë. Lejojini nxënësit të marrin pjesë individualisht ose në grupe të vogla.
Nëse është e mundur, mund të paraqitni sa vijon në secilin stacion mësimi:
Një fill i kuq për kapitullin te Jozueut 2
Një palë këpucë për kapitullin te Jozueut 3
Një gur për kapitullin te Jozueut 4
Nëse nxënësit kanë pyetje rreth shkatërrimit të popullit në Jeriko, mund t’i referoheni pyetjes: “Përse u shfarosën kanaanejtë?” në pjesën Burime Shtesë të Mësimit 63: “Jozueut 23–24”.
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini nxënësit t’i tregojnë klasës atë që mësuan rreth besimit te Jezu Krishti. Nxënësit mund të ngrenë lart fillin e kuq, këpucët ose gurin ndërsa flasin. Pyetje të tilla si ajo në vijim, mund të ndihmojnë.
Çfarë ke mësuar rreth ushtrimit të besimit te Jezu Krishti? Si mund t’i ndihmojë të rinjtë sot ajo që mësove?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë se si ata ose dikush që ata e njohin, e ka ushtruar besimin te Jezu Krishti duke u kthyer drejt së ardhmes, duke vepruar në të tashmen dhe duke vështruar nga e shkuara. Mund të tregoni edhe një përvojë vetjake rreth ushtrimit të besimit te Jezu Krishti.