“Jozueut 23–24: ‘Zgjidhni Sot’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Jozueut 23–24: ‘Zgjidhni Sot’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Jozueut 1–8; 23–24: Mësimi 63
Jozueut 23–24
“Zgjidhni Sot”
Në fund të jetës së tij, Jozueu i kujtoi izraelitët se kush është Zoti dhe atë që kishte bërë Ai për ta. Jozueu i ftoi ata të zgjidhnin që t’i shërbenin Zotit në vend të perëndive të rreme. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të zgjedhin që t’i shërbejnë Zotit dhe jo të ndjekin ndikime të tjera.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të sjellin një gur të vogël në klasë. Ata do ta përdorin atë si një kujtues të planit që do të bëjnë në mësim.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Ndikimi i shpërqendrimeve
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të krijojnë një listë me pesë gjërat kryesore që mund t’i shpërqendrojnë të rinjtë nga zgjedhja për t’i shërbyer Zotit. Nxënësit mund të punojnë individualisht ose si grup. Kërkojuni nxënësve t’i tregojnë listat e tyre.
-
Cila është ajo gjë që mund t’i bëjë këto shpërqendrime të duken më tërheqëse ose më të rëndësishme sesa shërbimi ndaj Zotit?
Mund të shpjegoni se, nëse nuk jemi të kujdesshëm, këto shpërqendrime mund të bëhen një variant bashkëkohor i adhurimit dhe shërbimit ndaj perëndive të ndryshme nga Zoti.
-
Cili mund të jetë efekti afatgjatë i zgjedhjes së vazhdueshme të këtyre ndikimeve në vend të Zotit?
Ftojini nxënësit t’i përsiatin pyetjet vijuese ose t’i shënojnë përgjigjet e tyre në ditarët e tyre të studimit.
-
Si mund të jesh duke i shërbyer Zotit ose duke i shërbyer dikujt ose diçkaje tjetër nëpërmjet zgjedhjeve të tua të përditshme?
-
Cili mund të jetë efekti afatgjatë nëse vazhdon t’i bësh këto zgjedhje?
Ftojini nxënësit të kërkojnë ndihmën e Shpirtit për të dalluar se çfarë zgjedhjesh mund të bëjnë për t’i shërbyer Zotit.
Zoti, Perëndia ynë
Një nxënës mund të lexojë paragrafin vijues për të përmbledhur kapitujt te Jozueut 5–24.
Pasi i udhëhoqi izraelitët përtej lumit Jordan në tokë të thatë (shih te Jozueut 3–4), Zoti i bekoi izraelitët në betejat e tyre të shumta me kanaanejtë. Izraelitët morën zotërimin e tokës që Perëndia ua kishte premtuar (shih te Jozueut 5–12). Toka u nda midis të dymbëdhjetë fiseve (shih te Jozueut 13–22). Afër fundit të jetës së tij, Jozueu u tha një mesazh të fundit izraelitëve (shih te Jozueut 23–24).
Për veprimtarinë vijuese, mund ta ftoni gjysmën e klasës të lexojë te Jozueut 23:3–11 dhe gjysmën tjetër të lexojë te Jozueut 24:3–11. Nxënësit mund ta shenjojnë atë që gjejnë, në shkrimet e tyre të shenjta.
Lexo te Jozueut 23:3–11; 24:3–11, duke kërkuar atë që ka bërë dhe do të bënte Zoti për Izraelin.
Ftojini nxënësit të flasin. Mund ta bëni këtë ose duke i shkruar përgjigjet e tyre në tabelë ndërsa ata flasin, ose duke u kërkuar nxënësve të vijnë në tabelë për ta shkruar atë që gjetën.
Më pas, për t’i ndihmuar nxënësit të reflektojnë mbi mënyrën se si e kanë parë Zotin të veprojë në jetën e tyre, bëjuni pyetjen vijuese. Mund t’i ftoni ata të mendojnë rreth shembujve nga historia e Kishës, konferenca e përgjithshme, jeta e tyre, ose jeta e dikujt në lagjen ose familjen e tyre.
-
Cilët janë disa shembuj të mënyrës se si Zoti na ka bekuar sot?
Jozueut 24:15 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.
Për t’i ndihmuar nxënësit t’i kuptojnë vargjet te Jozueut 24:14–15, mund t’i ftoni ata ta rishkruajnë atë që dha mësim Jozueu, me fjalët e tyre. Ata mund t’i rishkruajnë vargjet në dyshe ose në grupe të vogla.
Lexo te Jozueut 24:14–15. Rishkruaje atë që dha mësim Jozueu sikur ai të jepte mësim të njëjtën gjë sot.
Ftojini nxënësit të tregojnë se si e rishkruan këshillën e Jozueut. Nxënësit mund të tregojnë diçka të tillë: “Ndaloni së ndjekuri të gjitha këto ndikime të tjera rreth jush dhe zgjidhni të ndiqni Zotin! Mund të zgjidhni atë që dëshironi, por unë do t’i shërbej Zotit.”
Për t’i ndihmuar nxënësit të përcaktojnë një pohim të vërtete të qartë, mund të bëni një pyetje si vijuesja.
-
Si do t’i përmblidhje mësimet e Jozueut te vargu 15?
Nxënësit mund ta përmbledhin vargun 15 duke përdorur fjalë si: ne mund ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për të zgjedhur t’i shërbejmë Zotit.
Ndërsa bëni pyetjen vijuese, merreni parasysh t’i referoni nxënësit te përgjigjet që renditën në tabelë.
-
Cilat janë mënyrat se si mund t’i shërbejmë Zotit sot?
-
Si mund të të ndihmojë ajo që di ti rreth Zotit, që të zgjedhësh t’i shërbesh Atij?
Zgjedhja për t’i shërbyer Zotit
Lexo te Jozueut 24:24–25, duke kërkuar atë që zgjodhën të bënin izraelitët.
Për t’i ndihmuar nxënësit ta lidhin atë që kanë mësuar, me zgjedhjet e tyre, merreni parasysh t’u kërkoni atyre të shkruajnë përgjigjet për pyetjet vijuese.
Në ditarin tënd të studimit, përgjigju njërit prej grupeve vijuese të pyetjeve:
-
Çfarë dëshiron të mbash mend rreth Zotit që mund të të ndihmojë t’i shërbesh Atij kur mund të jetë e vështirë? Si mendon se të kujtuarit e Zotit në ato çaste mund të të ndihmojë?
-
Çfarë do të nisësh të bësh ose ndalosh së bëri për të zgjedhur t’i shërbesh Zotit? Çfarë bekimesh mund të përjetosh duke e bërë këtë?
Nëse dëshironi, mund t’u kërkoni nxënësve të gatshëm ta tregojnë atë që shkruan. Kujtojuni atyre të mos tregojnë ndonjë gjë që është tepër vetjake. Mund të jepni gjithashtu dëshminë tuaj për Zotin dhe të shpjegoni pse zgjodhët ta doni dhe t’i shërbeni Atij në vend të gjërave të tjera.
Lexo te Jozueut 24:26–27, duke kërkuar atë që bëri Jozueu për t’u kujtuar izraelitëve zgjedhjen e tyre për t’i shërbyer Zotit.
Nëse nxënësit sollën një gur në klasë, ata mund ta nxjerrin atë tani. Ose mund të vizatojnë figurën e një guri. Diskutoni se ku e vendosi Jozueu gurin (poshtë lisit) dhe pse e vendosi atje (për t’u kujtuar fëmijëve të Izraelit besëlidhjen që bënë për t’i shërbyer Zotit). Pyetini nxënësit se ku mund ta vendosin gurin për t’u kujtuar për planin e tyre për t’i shërbyer Zotit. Ftojini ata ta vendosin gurin e tyre në një vend të dukshëm ku do ta shohin rregullisht. Ata gjithashtu mund të shkruajnë diçka mbi gur që u kujton atyre Zotin ose planin e tyre për t’i shërbyer Atij, si: “Unë do t’i shërbej Zotit”.
Nëse dëshironi, mund t’u jepni nxënësve thënien vijuese. Dëshmoni për efektin afatgjatë të zgjedhjes për t’i shërbyer Zotit.
Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth efektit afatgjatë të zgjedhjes për t’i shërbyer Zotit:
“Ne kemi nevojë të zgjedhim se kujt do t’i shërbejmë. Shkalla e lumturisë sonë të përjetshme varet nga sa e zgjedhim Perëndinë e gjallë dhe bashkimin me Të në veprën e Tij. …
Zgjedhja për ta ndjekur planin e Atit është mënyra e vetme se si mund të bëhemi trashëgimtarë në mbretërinë e Tij.” (“Zgjidhni Sot”, Liahona, nëntor 2018, f. 106)
Mësojini Përmendsh
Nëse dëshironi, mund t’i ndihmoni nxënësit ta mësojnë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë gjatë këtij mësimi dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë për vargun te Jozueut 24:15 është “Zgjidhni sot kujt doni tʼi shërbeni”. Idetë për veprimtaritë e mësimit përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.