Instituti
Mësimi 7: Dhënia Mësim e Mesazhit të Rivendosjes (Pjesa 1)


7

Dhënia Mësim e Mesazhit të Rivendosjes (Pjesa 1)

Hyrje

Ungjilli i Jezu Krishtit është dhënë mësim nga profetët në të gjitha periudhat ungjillore, duke i lejuar fëmijët e Perëndisë t’i kuptojnë të vërtetat e përjetshme dhe të marrin jetë të përjetshme. Pas vdekjes së Jezu Krishtit, të vërtetat e ungjillit dhe autoriteti i priftërisë humbën nga toka, duke çuar në Braktisjen e Madhe. Rivendosja në ditët e mëvonshme i mposhti pasojat e Braktisjes dhe e themeloi Kishën e Krishtit në tokë edhe një herë tjetër. Misionarët e ardhshëm duhet t’i kuptojnë qartë konceptet e Braktisjes dhe të Rivendosjes e duhet të jenë të përgatitur t’i shpjegojnë ato thjesht e të dëshmojnë për to me fuqi.

Përgatitja Paraprake

Sugjerime për Mësimdhënien

Perëndia është Ati ynë i Dashur Qiellor

Fillojeni orën mësimore duke i vënë studentët të marrin parasysh rastin vijues për studim:

Sonte përpara se të shkoni në shtrat, ju merrni një mesazh nga një mik i cili është i shkurajuar dhe pyet veten nëse Perëndia është i vërtetë dhe nëse Ai do t’ia dijë për ne. Miku juaj pyet: “A beson se Perëndia është i vërtetë? Si mendon se është Perëndia?”

Ftojini disa studentë të tregojnë se si mund t’i përgjigjen mikut të tyre. Më pas, thuajini klasës suaj se mësimi i sotëm përqendrohet te disa nga doktrinat dhe parimet që gjenden te mësimi i parë për misionarët, përfshirë natyrën e Atit tonë Qiellor.

Bëjeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën e titulluar “Perëndia Është Ati Ynë i Dashur Qiellor” në faqet 31–32 te Predikoni Ungjillin Tim. Ftojini studentët t’i nënvizojnë ose t’i theksojnë me ngjyra frazat që ata mund të përdorin për ta ndihmuar dikë të kuptojë më mirë natyrën e Perëndisë si Ati ynë i dashur Qiellor.

Jepuni studentëve disa minuta për të kërkuar tre ose katër fragmente të shkrimeve të shenjta që renditen te kutia Studim i Shkrimeve të Shenjta në faqen 32 te Predikoni Ungjillin Tim. Bëjini ata të mendojnë rreth asaj se si fragmentet mund të ndihmojnë për t’iu përgjigjur pyetjeve nga dikush i cili ka pyetje rreth Perëndisë, si në rastin për studim në fillim të mësimit. Ju mund t’i nxitni studentët të theksojnë me ngjyrë një ose më shumë fragmente në shkrimet e tyre të shenjta ose t’i shkruajnë ato në anë të kopjes së tyre te Predikoni Ungjillin Tim. Më pas, pyetni:

  • Cila mund të jetë një thënie e shkurtër përmbledhëse e doktrinave më domethënëse që lexuat te Predikoni Ungjillin Tim dhe te fragmentet e shkrimeve të shenjta? (Përgjigjet mund të përfshijnë doktrinën se Perëndia është Ati ynë i dashur Qiellor dhe se Ai dëshiron që ne të gjithë të kthehemi për të jetuar me Të.)

  • Përse mund të jetë e rëndësishme për individët që së pari ta kuptojnë këtë parim përpara se të mësojnë për doktrinat e tjera?

Ungjilli i Bekon Familjet

Bëjini studentët të lexojnë në heshtje pjesën e titulluar “Ungjilli Bekon Familjet” në faqen 32 te Predikoni Ungjillin Tim dhe formuloni një thënie përmbledhëse të rolit të shtëpisë dhe familjes në planin e lumturisë të Perëndisë. Pasi të kenë pasur kohë për të lexuar, ftojini studentët t’i tregojnë thëniet e tyre përmbledhëse. (Thëniet mund të përfshijnë doktrinën se familjet janë shuguruar nga Perëndia dhe janë pjesë e planit të Perëndisë për t’u sjellë lumturi fëmijëve të Tij. Shkruajeni këtë parim me germa të theksuara në tabelë.)

Ndërsa i vlerësoni nevojat e studentëve tuaj dhe kohën në dispozicion, merrni parasysh të paraqitni veprimtarinë vijuese: Përqendrojeni vëmendjen e studentëve tuaj në rreshtin e fundit që lexuat te Predikoni Ungjillin Tim: “Me anë të profetëve në çdo epokë, duke përfshirë edhe epokën tonë, Perëndia ka zbuluar planin e Tij të lumturisë për individët dhe familjet”.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë arsyen përse kjo e vërtetë është kaq e rëndësishme në botën e sotme, paraqitni një kopje të “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” ose shpërndajani kopjet klasës. Pastaj ftojini studentët të marrin pak minuta për të lexuar proklamatën dhe të përcaktojnë frazat ose parimet që na ndihmojnë ta kuptojmë më mirë rolin e martesës dhe familjes në planin e Atit Qiellor. Bëjeni një student t’i mbajë shënim këto pika në tabelë.

Pamja
Familja

Paraqiteni citimin vijues nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Qëllimi përfundimtar i kundërshtarit, i cili kishte ‘zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë’ (Zbulesa 12:12), është që t’i përçajë, trazojë dhe shkatërrojë shtëpinë dhe familjen” (“The Father and the Family”, Ensign, maj 1994, f. 19).

Pyetini studentët:

  • Përse “qëllimi përfundimtar” i kundërshtarit do të ishte të shkatërronte shtëpinë dhe familjen? (Ajo është “vendi më i mirë për të dhënë mësim, për të mësuar dhe për t’i zbatuar parimet e ungjillit të Jezu Krishtit”.)

  • Cilat janë disa prirje të botës që e kundërshtojnë planin e Atit Qiellor për martesën, shtëpinë dhe familjen? (Vini re: Mos kaloni shumë kohë duke diskutuar për këto prirje. Do të ishte e mjaftueshme që thjesht t’i përcaktoni ato dhe më pas të përdorni udhëzimin që vijon për ta mbajtur përqendrimin te plani i Atit Qiellor për familjet.)

Ftojini studentët të tregojnë se si mund ta përdorin deklaratën “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” në situata mësimdhënieje për të bërë dallimin midis planit të Atit Qiellor dhe prirjeve të botës që e kundërshtojnë planin e Tij për martesë, shtëpi dhe familje.

Shpjegojuni studentëve se disa njerëz që do të takojnë kanë pikëpamje që ndryshojnë ose edhe bien në kundërshtim me mësimet e Kishës rreth martesës, shtëpisë dhe familjes. Jepni dëshminë tuaj se, kur misionarët i përdorin shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve për të dhënë mësim, ata do të udhëhiqen nga Fryma e Shenjtë për t’i ndihmuar ata të cilëve u japin mësim t’i kuptojnë më mirë rolet e martesës, shtëpisë dhe familjes në planin e Atit Qiellor për fëmijët e Tij.

Profetët dhe Periudhat Ungjillore

Shpjegojuni studentëve se një mënyrë e rëndësishme në të cilën Perëndia e tregon dashurinë e Tij për ne është duke thirrur profetë. Paraqiteni citimin vijues nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe bëjeni një student ta lexojë atë me zë të lartë. Bëjini studentët të kërkojnë se çfarë bekimesh u vijnë atyre që e ndjekin profetin:

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

“Ne fare mirë mund të pyesim: ‘A ka një zë i cili do të na japë gjithnjë drejtime të qarta për ta gjetur udhën tonë në botën e sotme të trazuar?’ Përgjigjja është po. Ai zë është zëri i profetit dhe apostujve të gjallë. …

Nuk është diçka e vogël, vëllezërit dhe motrat e mia, që të kemi një profet të Perëndisë mes nesh. Të mëdha dhe të mrekullueshme janë bekimet që na vijnë në jetën tonë kur e dëgjojmë fjalën e Zotit, që na jepet nëpërmjet tij. … Kur e dëgjojmë këshillën e Zotit të shprehur përmes fjalëve të Presidentit të Kishës, reagimi ynë duhet të jetë pozitiv dhe i shpejtë. Historia ka treguar se ka siguri, paqe, përparim e lumturi në reagimin ndaj këshillës profetike ashtu siç bëri Nefi i vjetër: ‘Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar’ (1 Nefi 3:7). …

Sot ju jap një premtim. Është një premtim i thjeshtë, por është i vërtetë. Nëse do t’i dëgjoni profetin e gjallë dhe apostujt dhe do t’ua vini veshin këshillës së tyre, ju nuk do të shkoni në udhë të gabuar” (“His Word Ye Shall Receive”, Ensign, maj 2001, f. 65–66).

Pas leximit të citimit, pyetni:

  • Çfarë bekimesh u vijnë atyre që e ndjekin këshillën e profetit të Zotit?

Jepuni studentëve një çast për të lexuar në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 1:37–38. Më pas, pyetni:

  • Çfarë na mëson ky fragment për profetët dhe këshillën e tyre?

  • A mund të mendoni për një kohë të veçantë kur ndjekja e këshillës së profetit të Zotit e bekoi jetën tuaj?

Bëjeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin e parë poshtë titullit “Ati Qiellor Zbulon Ungjillin e Tij në Çdo Periudhë Ungjillore” në faqen 32 te Predikoni Ungjillin Tim. Ndihmojini studentët t’i përcaktojnë doktrinat e dhëna mësim në paragraf duke i pyetur:

  • Cilat janë disa doktrina që mund të mësojmë për profetët në këtë paragraf? (Ndërkohë që ka disa parime që studentët mund të tregojnë, ndihmojini ata të përcaktojnë doktrinën që profetët e mësojnë ungjillin e Jezu Krishtit nëpërmjet zbulesës dhe kanë përgjegjësinë për t’u dhënë mësim të tjerëve dhe për të dëshmuar për Jezu Krishtin.)

Merrni parasysh të përdorni modelin e trajnimit të QTM-së ndërsa i ndihmoni studentët të japin mësim rreth rëndësisë së profetëve. Shpjegojuni studentëve se ata duhet ta lexojnë përkufizimin për profetin që gjendet në faqen 44 te Predikoni Ungjillin Tim dhe pastaj të përgatiten për ta interpretuar me role sikur po i japin mësim një kërkuesi për profetët. Më pas, tregojeni në praktikë interpretimin me role duke i mësuar një pjesëtari të klasës për profetët. Pas kësaj, bëjini studentët të gjejnë një shok/shoqe dhe të ushtrohen në interpretim me role, duke përfytyruar sikur studenti që po merr mësimet është një joanëtar që ka dëgjuar se Kisha udhëhiqet nga një profet. Studentët që po aktrojnë si mësues duhet të shpjegojnë shkurtimisht se çfarë është një profet dhe të japin dëshminë për profetët bashkëkohorë. Më pas studentët që po marrin mësimet duhet t’i vlerësojnë shokët/shoqet e tyre duke i shprehur ato çka gjetën si më domethënëse dhe frymëzuese për paraqitjen. Pastaj bëjini studentët të ushtrohen sërish, duke e përsëritur interpretimin me rolet e ndërruara të studentëve për t’iu dhënë studentëve të tjerëve mundësinë që të japin mësim dhe të marrin përshtypje.

Bëjini disa studentë të lexojnë sipas radhës me zë të lartë katër paragrafët e fundit në faqen 33 te Predikoni Ungjillin Tim. Bëjeni pjesën tjetër të klasës t’i ndjekë, duke kërkuar marrëdhënien midis profetëve, braktisjes dhe periudhave ungjillore. Sipas nevojës, ftojini studentët që gjithashtu të studiojnë pikën “Periudhë”, f. 146, tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Ndihmojini studentët të diskutojnë rreth të vërtetave që gjetën te këta paragrafë duke u bërë pyetje si të mëposhtmet:

  • Përse do të ishte e dobishme që kërkuesit ta kuptojnë se të gjitha periudhat e mëparshme ungjillore përfunduan me braktisjen?

  • Çfarë ka bërë Perëndia gjatë gjithë historisë për t’u dhënë fund periudhave të braktisjes? Si mundet të kuptuarit e këtij modeli t’i përgatitë kërkuesit për të mësuar rreth Rivendosjes së ungjillit nëpërmjet Profetit Jozef Smith?

Nëse ua lejon koha, ju mund t’u jepni studentëve pak minuta për t’u ushtruar duke ia shpjeguar njëri-tjetrit materialin në faqen 33 te Predikoni Ungjillin Tim. Nxitini ata të përfshijnë në shpjegimet e tyre fjalët braktisje, periudhë ungjillore dhe profet.

Shërbesa Tokësore e Shpëtimtarit dhe Shlyerja

Bëjini studentët të shohin te figura në faqen 34 te Predikoni Ungjillin Tim, e cila përshkruan shugurimin e Dymbëdhjetë Apostujve nga Jezu Krishti. Pyetini studentët:

  • Cilat janë disa nga gjërat që bëri Jezu Krishti për të krijuar Kishën e Tij në tokë në kohën e Tij? (Ju mund t’i ftoni studentët të lexojnë në heshtje pjesën e titulluar “Shërbesa Tokësore e Shpëtimtarit [dhe Shlyerja]” në faqen 34 te Predikoni Ungjillin Tim për referencë.)

  • Në ç’mënyrë shërbesa e Shpëtimtarit dhe mospranimi përfundimtar ndjekin modelin e krijuar në periudhat e mëparshme ungjillore? (Përpara lindjes së Jezu Krishtit, njerëzit ishte në një gjendje braktisjeje. Jezu Krishti e rivendosi ungjillin në tokë, sikurse Noeu, Abrahami dhe Moisiu kishin bërë në periudhat më të hershme ungjillore. Pas vdekjes së Jezu Krishtit dhe të Apostujve, fëmijët e Perëndisë sërish ranë në një gjendje braktisjeje derisa Perëndia do të thërriste edhe një herë një profet që ta rivendoste ungjillin e Jezu Krishtit.)

Braktisja e Madhe

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë nevojën për një rivendosje të ungjillit të Jezu Krishtit, shkruajeni në tabelë pyetjen vijuese.

Cilët faktorë çuan në Braktisjen e Madhe, dhe cilat ishin rrjedhojat e tij?

Bëjini studentët t’i kërkojnë përgjigjet për këto pyetje në dy paragrafët e parë të pjesës së titulluar “Braktisja e Madhe” në faqen 35 te Predikoni Ungjillin Tim. Pas një kohe të mjaftueshme, bëjini studentët t’u përgjigjen pyetjeve në tabelë. Sigurohuni që studentët ta kuptojnë se pas vdekjes së Jezu Krishtit dhe të Apostujve të Tij, ndryshime të paautorizuara i prishën doktrinat dhe praktikat e Kishës, duke çuar përfundimisht në heqjen e çelësave dhe autoritetit të priftërisë nga toka.

Ftojini studentët të studiojnë në heshtje disa nga fragmentet e shkrimeve të shenjta që renditen te kutia Studim i Shkrimeve të Shenjta që ndodhet në fillim të faqes 35 te Predikoni Ungjillin Tim. Bëjini studentët të hetojnë se çfarë profetizuan shkruesit e shkrimeve të shenjta se do të ndodhte përfundimisht me Kishën e Jezu Krishtit. Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të studiuar, bëjini ata t’ia tregojnë një pjesëtari tjetër të klasës atë që gjetën. Ju mund t’i renditni disa prej përgjigjeve në tabelë dhe më pas të merrni parasysh shkrimin e kësaj thënie përmbledhëse: Profetët e lashtë parathanë se do të kishte një largim të përgjithshëm nga e vërteta.

Ndajini studentët në dyshe dhe udhëzojini ata të përgatiten për të dhënë një mësim katër deri në pesë minuta së bashku mbi Braktisjen. Shpjegojuni se mësimdhënia e tyre duhet të jetë e thjeshtë, e qartë dhe të përqendrohet te marrësi. Bëjini studentët të përdorin materialin në faqen 35 te Predikoni Ungjillin Tim (ose ata mund të përdorin broshurën për misionarët të titulluar Rivendosja e Ungjillit të Jezu Krishtit). Nxitini dyshet të tregojnë një ose dy shkrime të shenjta që lidhen me Braktisjen dhe të shpjegojnë se çfarë do të thonë ato.

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur, bëjeni secilën dyshe t’i japë mësim dyshes tjetër. Ndërkohë që studentët e mbyllin përvojën e tyre mësimdhënëse, udhëzojeni grupin të diskutojë për të mëposhtmet: Çfarë shkoi mirë me mësimet tuaja? Çfarë mund të kishit bërë më mirë? Cila gjë ishte më e efektshme për t’i ndihmuar të tjerët ta kuptonin atë çka ndodhi pas vdekjes së Apostujve?

Më pas, ndërrojini rolet dhe lejojeni dyshen që mori mësim që t’i japë mësim dyshes tjetër. Sigurohuni që të ketë kohë për ta që të japin dhe të marrin përshtypje.

Pasi të gjithë studentët të kenë pasur mundësinë për të dhënë mësim, ftojini pjesëtarët e klasës të japin pikëpamjet nga përvojat e tyre me pjesën tjetër të klasës.

Për ta ilustruar ndikimin që pati Braktisja e Madhe në botë dhe për t’i përgatitur studentët për mësimin e ardhshëm mbi Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit, shfaqni materialin filmik “The Great Apostasy” [“Braktisja e Madhe”] (16:33). Ndërsa e shohin, nxitini studentët ta marrin parasysh mënyrën se si ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit i mposhti pasojat e Braktisjes së Madhe.

Pasi ta shihni materialin filmik, pyetni:

  • Në ç’mënyra i mposhti pasojat e Braktisjes së Madhe Rivendosja e ungjillit të Jezu Krishtit?

  • Ndërsa e patë historinë e kthimit në besim të Uilford Udrafit, çfarë mendimesh patët rreth mundësisë për ta ndarë mesazhin e Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit me të tjerët?

Mbylleni duke i pyetur studentët nëse ndonjëri prej tyre do të donte të ndante me klasën dëshminë e vet për Rivendosjen e ungjillit.

Ftesa për të Vepruar

Ftojini studentët të shqyrtojnë doktrinat që trajtohen në këtë mësim duke plotësuar një ose më shumë nga veprimtaritë sugjeruese më poshtë:

Fletushka

Pamja
Familja